Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Selimi: ''17 Shkurti'' përkujton Presidentin Rugova

| E merkure, 13.01.2016, 08:56 PM |


Shoqata „17 Shkurti“ nga Badeni mbajti akademi përkujtimore për presidentin Dr. Ibrahim Rugova

Nga Ramiz Selimi

Në përvjetorin e dhjetë të vdekjes së presidentit Dr. Ibrahim Rugova,  në Baden të Austrisë u mbajt një akademi përkujtimore e organizuar nga Shoqata „17 Shkurti“ e Badenit.

Në këtë organizim përkujtimor morën pjesë Ambasadori i Republikës së Kosoves Z. Sami Ukelli me stafin e tij, Ambasadori i Republikës së Shqiperisë Z. Roland Bimo, politikani Z. Wolfgang Grossruck, Z. Helga Krismer, deputete e Landit të Austrisë së Ulët, Z. Hafiz Gagica nga dega e LDK-s në Gjermani, Z. Shefqet Dibrani, kryetar i degës së LDK-s në Zvicërr, Z. Maxhun Smajli, Idriz Zeqiri dhe Osman Ferizi nga nëndega LDK-s në Bavari, Artisti  ?un Lajqi, Shkrimtarët Z. Wiplinger, Z. Johann Grossruck, Z. Anton Marku, Z. Ragip Dragusha, Z. Jeton Kelmendi, Z. Arton Hyseni…etj, si dhe kryetarë shoqatash, aktivist nga Austria e me gjerë.

Në fjalën përshëndetëse nikoqiri Z.Tahir Turkaj, kryetar i shoqatës „17 Shkurti“ përshëndeti të pranishmit prominent me emra dhe i falënderoj ata për pjesëmarrjen e tyre në ketë eveniment. Turkaj tha se të gjithë ne ndjejmë dhimbje që Presidenti Dr. Ibrahim Rugova nuk gjendet fizikisht në mesin tonë, por njëkohësisht jemi krenar për punën dhe veprën e tij, jemi krenar që populli shqiptarë pat një njeri të kalibrit të tillë.

Ambasadori Sami Ukelli në fjalën e tij tha se: „ Ai ka qenë gjithmonë një njeri që ka ofruar mençuri, mirësi dhe optimizëm. Këto vlera janë një udhërrëfyes i mirë për të gjithë ne, që të punojmë në të mirë dhe në interes të vendin dhe të popullit tonë. Duke nderuar veprën e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, nderojmë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë. Kosova dhe populli i saj gjithmonë do ta kujtojnë vizionarin dhe udhëheqësin tonë, i cili, gjithnjë, me përkushtim trasoi rrugën për liri, demokraci dhe pavarësi. Presidenti Rugova është arkitekti i Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran. Po ashtu, ai u angazhua dhe e hapi rrugën që Kosova të bëhet vend anëtar i BE dhe i NATO-s, me një miqësi të përhershme me SHBA-të“.  tha Ambasadori Sami Ukelli gjatë fjalimit të tij.

Ambasadori i Shqipërisë në Vjenë Zoti Roland Bimo tregoj për mençurinë, durimin dhe vizionin largpamës të zotit Rugova, kurse Zoti Hafiz Gagica në fjalën e tij tha se: „Sot, kur jam këtu në Austri, nuk mundem pa i kujtuar qëndrimet dhe vizitat e tij në këtë metropol-qendër të diplomacisë ndërkombëtare, ku presidenti Rugova merrte përkrahje nga qeveria mike e Austrisë, për t’i vazhduar më tutje misionet e tij politike dhe kombëtare përtej oqeanit atlantik, si në SHBA dhe vende tjera, duke e marë përkrahjen si dhe ndihmat e tyre të gjithanshme, derisa miqtë tanë një ditë u binden se në Kosovë regjimi serb po kryente gjenocid dhe pastrim etnik ndaj 2 milion shqiptarëve. Dhe, më 24 mars të vitit 1999 forcat ushtarake të NATO-s i filluan bombardimet ndaj Serbisë, që falë miqësisë të cilën presidenti ynë e krijoi më vendet më të fuqishme të botës, ne arritëm të çlirohemi nga dhuna dhe robëria serbe, si dhe ta fitojmë pavarësinë e Kosovës, e cila vështirë se do të realizohej pa ndihmën dhe intervenimin ushtarak të NATO-s! Qoftë i përjetshëm kujtimi ynë për Dr. Ibrahim Rugovën!“

Nga një fjalë rasti e mbajten edhe Shefqet Dibrani, Idriz Zeqiri, Wofgang  Grossruck dhe Znj. Helga Krismer. Poezi për Rugovën recituan Z.?un Lajqi, Z. Ragip Dragusha, Znj.Turkaj, Z.Jeton Kelmendi, Z.Arton Hyseni, Znj. Liridona Rama-Blakaj, shkrimtari austriak Wiplinger, si dhe Haxhi Rrahmon Lajqi që miqve austriak ju dha të gëdhendura në dru hartën e Shqipërisë Etnike dhe Shqiponjën të punuara nga ai. Shoqata „17 Shkurti“ kishte përgatitur një program të pasur me motive nga Rugova, si dhe në fund ajo shtroi një darkë për mysafirët.