Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Baladë për ulësen e parkut

| E enjte, 07.01.2016, 09:30 PM |


Sejdi BERISHA:

 

BALADË PËR ULËSEN E PARKUT

 

Një ditë

Në ulësen e lulishtes

Vetëm me vetveten do qëndrosh

Dhe askush nuk të vëren

As nuk do të shoqërojë

Kurse Ti

Shikimin do ta varësh

Mbi qepallat e mia

Që nuk i sheh

E shiu

Deri në palcë do të lagë

Pastaj dielli

Ndoshta do ta ngrohë

Bluzën e lagur tek gjinjtë

Dhe prapë

Do rrish me vetveten

Aty

Në ulësen e parkut të qytetit

Duke pritur vetminë

Që të bën qull si shiu

Askush nuk vjen

Se janë këputur urat

E nuk bashkojnë

Por vetëm lotin e përqafojnë

 

Gjethet e zverdhura të blirit

Flokët t’i përftojnë

E Ty të zë gjumi

Duke pritur

Në atë ulësen e parkut

Ku dikur

Dashnorët deri në orët e vona

Kujtimet i kanë ndrydhur

Derisa vinte roja e parkut

Me fshesën prej thuprash shelgu

Për ta nisur ditën e re

Duke pastruar aletë e lulishtes

 

Do vjen edhe një këlysh i uritur

Takat e këpucëve do t’i lëpijë

Duke t’u lutur për diçka

Ndoshta është i pangrënë

Apo ndoshta

Kush e di se për çfarë

Kurse Ty

As ajri i freskët i mëngjesit

Nuk të kujton gjë

Pastaj

Ulësja e parkut

Trupin do ta vokë

Se shtati do pak gjumë

Shtriju se nuk flihet ulur

E kujtimi

Mund të dergjet përgjithmonë...