E enjte, 28.03.2024, 10:40 PM (GMT)

Kulturë

Myrvete Dreshaj - Baliu: Dimensioni kombëtar dhe krijues i Jusuf Gërvallës

E enjte, 07.08.2008, 05:21 PM


Myrvete Dreshaj - Baliu
Arkivore

Dimensioni kombëtar dhe krijues i Jusuf Gërvallës

Nga Mr. sc. Myrvete Dreshaj – Baliu

E nisëm veprimtarinë tonë për Jusuf Gërvallën këtu në Deçan, gati dy dekada më parë, së pari si aktivitet kombëtar dhe së dyti si aktivitet kulturor, sepse për këto dy premisa na jepte mundësi qasjeje veprimtaria e Jusufit dhe e bashkëmendimtarëve të tij Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla.

Biografia e tyre më së miri reflektonte gjeninë e krijuesit dhe ashpërsinë e konfliktit të tij me pushtuesin, të cilat realizoheshin njësishëm brenda vete .
Çka të thuhet sot për Jusufin 25 vjet pas vrasjes?
Për jetën dhe veprën e tij, para dhe sidomos pas vrasjes, një numër i studiuesve dhe kritikëve shqiptarë kanë botuar tekste publicistike, studime dhe vëllime në trajtën e monografive. Tekstet e tyre zakonisht kanë pasur karakterin e vlerësimeve e rivlerësimeve letrare e historike, si dhe vendosjen e veprës së tij në kontinuitetin e letrave shqipe. Qëllimi ynë është, që në rrjedhat e këtij kontinuiteti historiko-letrar, shpesh të prishur me kritere jashtëletrare, të shohim Jusuf Gërvallën, me një qasje që është e zakonshme në jubilarët e veçantë të tij.

I

Dimensioni i parë ka të bëjë me trashëgiminë, përkatësisht me familjen , e cila ka pasur ndikim të rëndësishëm në ndërtimin etnofilozofik të tij, për të vazhduar më tej me përmasat e tjera: përgatitjen arsimore, kulturore, shkencore, intelektuale dhe politike.
Deri më tash është vlerësuar veprimtaria e tij atdhetare, si pjesëtar i lëvizjes historike për çlirim dhe bashkim kombëtar, e cila lidh momente të caktuara historike të lëvizjes kombëtare të vitit ’68 me vitin e madh ’81. Angazhimi i tij e ka çuar përpara dhe e ka plotësuar lëvizjen me intelektualë të kohës, për të cilët ajo kishte nevojë, sidomos pas rënies së tretë në burg të Adem Demaçit . Por, emri dhe vepra e tij, në lëvizjen kombëtare dhe në kulturën e letërsinë shqiptare marrin përmasa të reja veçanërisht pas vrasjes së tij. Kështu, historia e vrasjes së tij, konceptet politike dhe vepra e botuar apo e lënë në dorëshkrim, do të përplotësojnë njëra-tjetrën, sa me përmasat kulturore e historike të angazhimit të tij politik, aq edhe me vlerat letrare e estetike të shkrimit, interpretimit, përkthimit etj.

II

Dimension në vete, nga shkrimet e botuara gjer tash, ka paraqitur krijimtaria letrare e tij, poezia: përmbledhjet poetike, “Fluturojnë e bien’’, “Kanjushë e verdhë”, “Shenjat e shenjta” dhe proza: romani “Rrotull”, ndërsa ne sot këtij dimensioni i shtojmë në të njëjtën përmasë edhe publicistikën, më saktë esenë politike, por pa e lënë mënjanë edhe tekstin dramatik.

1. Poezia

Jusuf Gërvalla i takon brezit të tretë të krijuesve të poezisë së sotme shqipe. Në këtë brez Jusuf Gërvalla, sikur edhe pak krijues të artit poetik, do të hyjë jo thjesht si krijues i artit letrar, por edhe si individualitet me prirje të shumanshme kulturore e intelektuale. Prandaj, në rrethet kulturore në përgjithësi dhe në ato letrare në veçanti, Jusuf Gërvalla është krijues i pranuar në shumë fusha: poet, prozator, përkthyes, publicist, interpretues.
Është koha kur ky brez, ndryshe nga brezi i mëparshëm, hulumton në mënyrë individuale temat, idetë e gjuhën poetike, duke përmbysur rregullat e ngurta në mes përmbajtjes dhe formës. Përgjithësisht, është koha kur bashkekzistojnë forma dhe veçanti stilesh artistike, që krijuesit i hulumtojnë dhe i artikulojnë në mënyrë individuale, duke e begatuar procesin e shkrimit poetik me vepra origjinale e vlera të vërteta artistike. Krijuesit e këtij rrethi, kush më shumë e kush më pak, do të bëjnë eksperimente edhe të modës, ndërsa Jusuf Gërvalla nuk do të ngutet dhe me më vështirësi do të hyjë në këto aventura letrare dhe intelektuale. Ai ishte krijues që kishte mundësi më të mira se shumë krijues të tjerë për të eksperimentuar (ishte intelektual i pajisur me dije të përgjithshme dhe të veçanta), por nuk u dha pas tyre. Kjo është arsyeja pse ai, për një kohë, nuk do të arrijë që me poezinë e tij, të pranohet tërësisht si krijues i mirëfilltë.
Në qoftë se me veprën e parë “Fluturojnë e bien” ai riaktualizon poezinë e kujtimeve të fëmijërisë me tërë toposet e vendlindjes, tashmë të njohur mjaft realizueshëm nga Martin Camaj e Azem Shkreli, por që tërheq vëmendjen e kritikës së kohës, në veprën tjetër “Kanjushë e verdhë”, ai arrin ta tejkalojë të parën edhe me gjerësinë e temave të reja edhe me artikulimin e tyre poetik. Ndërsa në vëllimin e tretë poetik “Shenjat e shenjta”(1979), opusi i poezisë së tij pasurohet edhe me elemente të sforcuara të lirikës personale, intime dhe të ironisë.
Rëndësia e veprës së Jusuf Gërvallës në këtë brez vlerësohet si për ngulmimin e tij për të vazhduar kërkimin e temave nga bota e kujtimeve të fëmijërisë dhe mjedisi i vendlindjes, ashtu edhe për format e reagimit poetik ndaj këtij totaliteti jetësor.
Bazë të krijimtarisë së tij poetike ai kishte përvojën dhe zhvillimin e letërsisë shqipe, si dhe vlerat letrare të letërsisë evropiane e latino-amerikane, të cilën herë pas here e përkthente edhe vetë. Këtu rritej mundësia e bartjes artistike të përvojës jetësore dhe njohja me format më të pasura të realizimit të saj artistik.
Poezia e Jusuf Gërvallës është një rrëfim lirik që niset nga frymëzimi sublim, real e i prekshëm, për të krijuar më tej tërësi kuptimore të strukturës poetike të saj. Gati i gjithë teksti poetik i kësaj poezie ndërtohet si rrëfimin subjektiv, po që sintetizon reflekse semantike, si në perceptimin e rrafshit të simboleve personale, ashtu edhe në rrafshin e shenjave kolektive: Nënës, përkatësisht Shtëpisë dhe Vendlindjes përkatësisht Atdheut. E megjithatë, poezia e tij në rrafshin tematik është e gjerë, ajo bartë esencat e universit letrar të letërsisë bashkëkohore shqipe.
Në rrafshin e ideve është e pasur, ka palcën e shenjës kombëtare, jo si retorikë a patetikë, po si burim origjine.
Në rrafshin emocional është medituese dhe e hapur, e përjetuar thellë dhe natyrshëm nga një shpirt i ndjeshëm lirik.
Në rrafshin estetik reflekton shprehshmëri të vazhdueshme semantike, pa përpjekje për estetizim dhe hermetizim të saj, por me një kuptimsim metaforik më të hapur e krijim simbolesh vetjake e të rikuptimsuara .

2. Romani

Romani “Rrotull” i Jusuf Gërvallës , i shkruar dhe i përfunduar për të gjallë të tij, por i botuar vetëm pas vrasjes(1983) , paraqet një zhanër shkrimi që sjell elemente të reja e origjinale në lëmin e ligjërimit romanor. Ai sjell risi, sidomos, për mënyrën dhe organizimin e rrëfimit, për rolin e rrëfyesit, për procedimin e ligjërimit, për pasurinë gjuhësore dhe për elementet etnografike, të cilat ndërtohen mbi gjuhën e mjedisit. Edhe vetë titulli i romanit “Rrotull” mëton të shenjojë formën e ndërtimit dhe zhanrin e shkrimit.
I gjithë romani “Rrotull” sjell një sistem shenjash, ku rrafshi i gjuhës së rrëfimit përligjëson strukturën e ndërtimit të brendshëm kuptimor (të ndërtimit të temës, të ideve, të ngjarjeve, të veprimeve të personazheve dhe të vetë fatit të heroit), si dhe formën e ligjërimit (të ndërtimit të një sistemi të veçantë komunikimi artistik), ku shenja (të folurit figurativ popullor ose me rrotulla, siç thuhet në Dukagjin), ngrihet në strukturë letrare të shkrimit.
Përmes një fabule të thjeshtë, sikurse në përrallën popullore kodifikohen nyjat e rrëfimit të ngjarjes, rreth së cilave zënë e thuren ndodhitë njëra pas tjetrës, shtresohen përmasat e zhvillimit të një mjedisi dhe shpalosjet e gjendjeve të brendshme psikologjike të personazheve.
Emërtimi i veprës, më në fund, ka të bëjë edhe me personazhin kryesor të romanit, Ketë Avdinë, jeta e të cilit ndërtohet dhe bartet në hapësirë dhe në kohë, herë si figurë e përrallës, herë si njeri i zakonshëm, e herë si hero i zhvillimeve historike në një mjedis të caktuar e më gjerë. Këtij personazhi, që sigurisht, na del më shumë i formësuar se sa të tjerët, sikur i japin të gjithë diçka nga vetja, për ta ngritur në shenjë-figurë, i cili pastaj bëhet bartës i dramave të tyre të brendshme shpirtërore dhe lidhës i fijeve të rrëfimit tekstor.
Krijimi i episodeve dhe tablove të veçanta, që realizohen bukur në këtë roman, kanë një vendosje kompozicionale të lirë, dhe dalin me situata të papritura, herë të reales e herë të ireales. Kjo strukturë e poetikës së romanit përplotësohet, jo përmes tablove të gjera epike të ngjarjeve të mëdha historike, por përmes ngjarjeve e ndodhive krejt të përditshme, nga rrjedhin situata të përgjithshme jetësore, si varfëria, kurbeti, vetmia, mendësitë e vjetra, thashethemet, apo edhe shpërthimet emocionale, frustrimet e rebelimet.
Romanin e karakterizon shpalimi i botës së brendshme të personazheve me një lidhje të thellë me mjedisin, që realizohen përmes monologëve e dialogëve karakteristikë, kapërcimeve dhe ndërhyrjeve të pasura, pehatjeve shpirtërore lirike me nuanca filozofike, ku reflekset e fjalëve e frazeologjizmave, fjalive e ligjëratave, pothuaj përherë na sjellin në fokus diskursin e tij të krijimit romanor. Që të gjitha këto elemente barten herë nga narratori e herë nga personazhet, si përpjekje e suksesshme për të forcuar kompozicionin tematik, në gjetjen e shtigjeve dalëse nga amullia e mjedisit që i rrethon personazhet, prandaj heronjtë dhe situatat sillen dhe zhvillohen në lëvizje të pashmangshme - rrethore.

3. Drama

Drama “Procesi” e Jusuf Gërvallës është vepra e fundit, e shkruar në rrethana të veçanta historike, jetësore, intelektuale dhe politike, e cila përbën një tërësi personazhesh tipike, të ndërtuar për qëllime pragmatike. Ajo artikulon ngjarje konkrete të ndodhura atyre ditëve në Kosovë, e të ndërtuara mbi proceset gjyqësore-politike, pothuajse të përditshme, që kryheshin kundër shqiptarëve në ish-Jugosllavi. I tërë procesi është mbështetur kryesisht në një fakt: mënyrën e gjykimit të veprimtarëve të Lëvizjes ilegale pas demonstratave të vitit 1981, të cilat reflektuan një reagim historik të kujtesës kombëtare të shqiptarëve për çlirim jo vetëm kombëtar, por sikur del këtu edhe social, politik e ideologjik. Drama ka një ndërtim skematik në modelin e trakteve dhe pamfleteve politike të kohës. Ajo edhe është shkruar për të përmbushur pikërisht ato synime.
E veçanta e kësaj drame theksohet sidomos për faktin se është shkruar nga krijuesi me vizion dhe me rezultate të arrira në fushë të letërsisë, që deri atëherë e kishte mbajtur të ndarë pikëpamjen politike të tij me konceptin e krijimit letrar.

III

Dimensionin e tretë të jetës dhe veprës së Jusuf Gërvallës e paraqet publicistika, një fushë e realizuar kryesisht në shtypin ilegal të kohës. Ajo është pjesa më e sipërshfaqur ku pikëtakohen jeta dhe vepra e Jusufit në ‘misionin’ e përbashkët kombëtar dhe estetik të tyre. Mirëpo, ende mbetet e panjohur një pjesë e shkrimeve të kësaj natyre (kryesisht esetë politike të botuara në shtypin ilegal të Kosovës apo të Perëndimit), sikur edhe e disa prozave dhe reportazheve të shpërndara në shtypin ditor të Prishtinës e të Shkupit .
Estetë e tij politike për sistemin kolonizues të Beogradit mbi Kosovën, portretizimi plotë ironi i Titos, vlerësimet politike për ngjarjet e vitit 1981 dhe sidomos paraqitja sarkastike e disa prej figurave politike të kësaj kohe nga radhët e shqiptarëve, edhe sot mbeten të pakrahasueshme në letrat shqipe .

Le të përfundojmë

Jusuf Gërvalla është figurë e rëndësishme e veprimtarisë politike kombëtare, pa të cilin është vështirë të ndërtohet sinteza programore e lëvizjes politike të shekullit XX. Ai është intelektuali që ka lënë gjurmë në fusha të shumta të artit, si: letrar, përkthyes , publicist, kompozitor e artist , të cilin e ndërpreu fati historik kombëtar. Ai është poeti e prozatori, që u formua në gjirin e kulturës kombëtare dhe nën ndikimin e krijuesve të mëdhenj botërorë. Ai është modeli i së djeshmes që mund të bëhet shembull i së ardhmes.
Prishtinë, janar 2007

Shënime dhe referenca

Shih, Kadri Rexha, Fati i luleve – Rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla, Ndërmarrja botuese “Buzuku”, Prishtinë, 1993, f. 132. Biografisë së tij më gjerësisht i jam qasur në tezën e magjistraturës “Jusuf Gërvalla - jeta dhe vepra” (punim magjistrature), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Dega e Letërsisë, Prishtinë, 2002.
Shih, studimi Jusuf Gërvalla, ideologu i lëvizjes ilegale, në veprën “Konteksti i shkrimit”, Era, Prishtinë, 2004, f. 109-120; Hakif Bajrami, Politika e rikolonizimit serb të Kosovës me sllavë 1945-1948, “Era”, Prishtinë, 2002; Faridin Tafallari, Terror, dhimbje, qëndresë (Kujtime, dokumentacion, korrespondencë), Botim i autorit, Tiranë, 1997, f. 326; Shih, Xhafer Shatri, www. pasqyra.com.
Shih Ethem Çeku, Mendimi politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1945-1981, “Brezi ’81”, Prishtinë, 2003 dhe Struktura politike e ilegales së Kosovës, “Argeta-LMG”, Tiranë, 2006.
Shih, vëllimet me poezi të Jusuf Gërvallës:
• Fluturojnë e bien. Biblioteka: Sofra, Redaktor: Anton Pashku, Recensentë: Azem Shkreli, Fahredin Gunga. Kopërtinën e punoi Blerim Luzha, “Rilindja”, Redaksia e botimeve, Prishtinë, 1975, f. 71.
• Kanjushë e verdhë. Biblioteka: Drita; Redaktor: Anton Pashku; Recensentë: Azem Shkreli dhe Eqrem Basha, Lektor: Riza Bicaj. Kopertinën e punoi: Rexhep Ferri. Korrektor: Nezir Selmani. “Rilindja”, Redaksia e botimeve, Prishtinë, 1978, f. 87.
• Shenjat e shenjta. Biblioteka “Valët”. Redaktor: Resul Shabani; Recensentë: Qerim Ujkani dhe Shaip Beqiri; Kopertinën: Aleksandër Kuzmanovski. “Flaka e Vëllazërimit”, Shkup, 1979, f. 66.
• Bekimi i nënës, poezi të zgjedhura. Përgatitur nga Ramazan Vozga e Pandeli Koçi. Libri hapet me një tekst hyrës, pa autor. Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1982.
• VEPRA LETRARE. Parathënia: Dr. Sabri Hamiti. Veprat: Fluturojnë e bien, Kanjushë e verdhë, Shenjat e shenjta, Rrotull, Procesi, Botoi “Ora”, Prishtinë, 1992.
Kritikat e para për poezinë e Jusuf Gërvallës i kanë shkruar: Ali Aliu, Dy poetë që vijnë (1. Jusuf Gërvalla “Fluturojnë e bien”), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 6 qershor 1976, f. 17; Rrjedha dhe gjenerata në prozën tonë, “Jeta e re”, nr. 6, Prishtinë, 1974, f. 1088; Shih edhe Shaip Beqiri, Duke kërkuar qeshjen e një poezie, “Zëri i rinisë”, Prishtinë, 21 tetor 1978, f. 11, 12, 13, 14; Emin Kabashi, Gjeografia e kuptimit poetik (J. Gërvalla, Kanjushë e verdhë, Rilindja, 1979), “Fjala”, nr. 21, Prishtinë, 1 dhjetor 1979, f. 6; Teki Dervishi, Dy Jusuf Gërvalla, “Zëri”, Prishtinë, 18. 1. 1992, f. 45; Flatra dhe nëntokë, (Sivjet u botua libri i poezive të Jusuf Gërvallës “Fluturojnë e bijnë”), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 21 dhjetor 1975, f. 20; Jeta e episodeve tragjike, “Zëri”, Prishtinë, 18. 1. 1992, f. 32; Sylejman Syla, Poezi shfryrjesh të sinqerta, (J. Gërvalla, Fluturojnë e bien, “Rilindja” Prishtinë, 1975), -“Fjala”, nr. 4, 1976, Prishtinë, f. 5; Mehmet Kraja, Poezi frymëzimi, (“Kanjushë e verdhë”), “Rilindja”, Prishtinë, 19. 8. 1978, f. 15; Bajram Sefaj, Shkurt. Poezi! (fjalë rasti, mbi poezinë e J. Gërvallës, duke shfletuar përmbledhjen e parë Fluturojnë e bien), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 21 shtator 1973, f. 11; Xhemail Mustafa, Imazhi asociativ, “Zëri i rinisë”, Prishtinë, 12 gusht 1978, f. 12; Kadri Rexha, Këto këngët e mia janë zë i butë i fushës, “Rilindja”, Prishtinë, 15. 9. 1979, f. 13. Pas vdekjes së Jusuf Gërvallës, mendimin e tyre vlerësues tash jo vetëm për poezinë, por edhe për romanin dhe dramën i kanë shfaqur edhe kritikët: Pandeli Koçi, Poezi që buron nga zemra (Shënime për librin Bekimi i nënës të Jusuf Gërvallës); Ramazan Vozga, Zë origjinal, me botë të gjerë poetike (Vëllimi “Bekimi i nënës”, i J. Gërvallës), “Drita”, Tiranë, 6 mars 1983, f. 6; Sabri Hamiti, Bisedë me Jusufin (fragment), “Rilindja”, Prishtinë, 19 janar 2002, f. 20-21; Myrvete Dreshaj-Baliu, Poetika e veprës së Jusuf Gërvallës (studim monografik), “Zëri i Kosovës”, (gjashtë vazhdime), korrik-shtator, Cyrih, Zvicër, 1995; Portretet (Jusuf Gërvalla), “Shpresa”, nr. 1, Prishtinë, 1995; Vendlindja, muzë e këngës, “Bujku”, qershor 1994.
Jusuf Gërvalla, Rrotull, roman, Shtëpia botuese “Naim Frashëri” Tiranë 1983. Parathënia: Ismail Kadare, f. 127.
Shih, Pandeli Koçi, Romani Rrotull i Jusuf Gërvallës, “Zëri i popullit”, Tiranë, 18. 1. 1984; Lumira Berati, Romani Rrotull i Jusuf Gërvallës, “Pishtarët e lirisë”, Tiranë 1992 f, 39; Sabri Hamiti, Vrasja e poetit, në “Tema shqiptare”, Rilindja, Prishtinë, 1993, f. 110-115.
Jusuf Gërvalla, Procesi, (dramë), “Zëri i Kosovës”, Zvicër, 1993; Procesi, (dramë), Gjilan, 2002. Shih edhe vlerësimet mjaft kontradiktore për dramën, deri në vënien në dyshim të autorësisë së saj: Mehmet Kraja, Midis idealit politik dhe vokacionit krijues, “Fjala”, Prishtinë, qershor 1992, f. 11; dhe Rreth veprës së Jusuf Gërvallës, “Rilindja”, Prishtinë, 27 qershor 1992, f. 7.
Më parë se në shkrimet e botuara në shtypin ilegal, konceptet njëherë sociale e pastaj edhe politike i ka shprehur në reportazhet e botuara te të përditshmet e Prishtinës dhe të Shkupit, “Rilindja” dhe “Flaka e vëllazërimit”. Shih reportazhet: Shoku im s’mund të mësoj më, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 24. 9. 1971, f. 12; Ky s’është përgojim, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 16. 4. 1971, f. 13; Edhe bilbili e fle natën, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 24. 9. 1971, f. 12; Djaloshi i hajthëm, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 10 shtator 1971, f. 12; Me kompleksin e Anteut?, “Jehona”, Shkup, nr. 3, 1972, f. 31-35; Me kompleksin e Anteut?, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 11 janar 1972, f. 12.
Disa vjet më parë kërkimet e mia në këtë fushë të gjenisë së tij letrare i kam përmbledhur nën titullin e përbashkët Ik o natë, po këndon agimi, një vëllim që nuk botua, i cili kujtoj, përfaqëson modelin e reflektimit intelektual të tij.
Danillo Kish, Klepsidra, Redaksia e botimeve “Rilindja”, Prishtinë, 1979; dhe Shënimet e një të krisuri, (fragment), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 11 janar 1976, f. 19; Imazhe nga udhëtimet (fragment). “Rilindja”, Prishtinë, 14. 12. 1975, f. 10; Mesha Selimoviq, Rropatja në tokën tënde, vdekja në dhe të huaj. “Flaka e vëllazërimit, Shkup, 2 nëntor 1975, f. 18-19; dhe Beqir Toska (fragment nga romani “Kështjella”), “Jehona”, nr. 1, Shkup, 1977, f. 49-57; Ciril Zlobec, Amshimi im i shkurtër, Prishtinë, 1978; Të përshëndes mëkat, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 30, 31 dhjetor 1978 – 1, 2 janar 1979 f. 24. Poezi: Qetësia, Vetmia, Amshimi im i shkurtër. “Zëri i rinisë”, Prishtinë, 14 tetor 1978, f. 13; Marko Kravos, Ngushllim, “Rilindja”, Prishtinë, 25. 9. 1977, f. 11; Zhivko Çingo, Sëmundja e Atanas Ivanovskit, “Flaka e vëllazërimit, Shkup, 11. 4. 1971, f. 17; Platoni, Shpifësit e mi janë dy faresh, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 15 korrik 1973, f. 10; Miguel Anhel Asturias, Legjenda e Guatemalës, “Rilindja”, Prishtinë, 1979, 144 faqe; Legjenda e Kademos, “Zëri i rinisë”, Prishtinë, 2 shtator 1978, f. 14-15; Franc Kafka, Meditime, “Bota e re”, Prishtinë, 14. 10. 1974, f. 14-15; Franc Kafka, Procesi “Rilindja”, Prishtinë, 19 janar 2002, f 19; Xhems Xhojs, Uilsi, “Bota e re”, Prishtinë, 13. 10. 1974, f. 14-15; Ernest Heminguej, Dielli lind përsëri, (fragment), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 16-17 nëntor 1975, f. 11; Aziz Nesin, Fikri beu, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 14 maj 1972, f. 17; E tillë ishte jeta ime letrare. Nathalie Sarraute (Nathalie Saro) në një bisedë me shkrimtarët dhe kritikët frëng, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 12. 4. 1972, f. 15; Cassar Leante, Letërsia e sotme kubaneze, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 12 maj 1972, f. 14.
Shih artikujt e Jusuf Gërvallës në fushë të muzikës: Tekstet e melodive t’ia përshtatim realitetit tonë, “Rilindja”, Prishtinë, 22. 12. 1976, f. 12; Për një manifestim të dobishëm muzikor, “Rilindja”, Prishtinë, 14. 9. 1976, f. 10; Problem është mënyra, ndoshta, “Rilindja”, Prishtinë, 22. 9. 1976, f. 10; Prezantim që ka mundur të jetë më i suksesshëm, “Rilindja”, Prishtinë, 23. 2. 1975, f. 11; Pietet ndaj jetës, punës dhe moralit të ri, “Rilindja”, Prishtinë, 20. 4. 1979, f. 16; Të shijojmë të gjithë pemët e rralla, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1. 8. 1971, f. 16, si dhe vlerësimet e studiuesve më pas, për kontributin e tij në këtë fushë: Pandi Bella, Jusuf Gërvalla si adhurues i tingujve, “Pishtarët e lirisë”, Tiranë, 1992 f, 49; Rafet Rudi, Simbiozë e sensibilitetit të poetit dhe muziktarit, “Forumi”, nr. 14, Prishtinë, 21. 2. 1994, f. 14.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora