E shtune, 21.09.2019, 06:07 AM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Besa Imami

E diele, 19.06.2005, 08:28 PM


Flet aktorja e njohur, Besa Imami: Ju rrëfej jetën time

“Donika e Skënderbeut, kujtimi më i bukur”

Imami: Si më lindi dëshira të bëhesha aktore dhe zbulimi i rastësishëm i regjisorit Stillu

Aldo FILI

Besa Imami

Me flokët e thinjura dhe të gjata, me temperamentin e një gruaje malësore vazhdon të ketë në sytë e saj një shkëlqim të pazakontë. Mbi 50 vjet në skenë nuk e kanë lodhur Besa Imamin, por ajo që e ka rraskapitur duket se është jeta e mbushur me vuajtje dhe sëmundja që nuk iu nda asnjë çast në jetën e saj. Pas shumë kohe qetësie ka interpretuar rolin e një nëne malësore që vuan tragjedinë e madhe të gjakmarrjes në shfaqjen "Streha e të harruarve", duke gjetur njëkohësisht te ky rol edhe një pjesëz të vetes. "Ishte një emocion i veçantë", thotë aktorja Besa Imami në një intervistë për "Tirana Observer", ku rrëfen për rolin e saj të fundit dhe për gjithë jetën e vet, në skenë e jashtë saj.
Si mundi Imami t'i hyjë rrugës së teatrit? Çfarë kujtoni nga ditët kur mësuat se ishit një talent në këtë fushë?
Vij nga një familje që ka pësuar drama të mëdha në brezat e saj. Megjithëse nëna na ka rritur me mjaft përkujdesje dhe varfëri ne gjashtë fëmijët e familjes, pasi baba na ka lënë shumë të vegjël, unë ndieja se jeta ime do të merrte një drejtim tjetër. Në fakt, hyrja në teatër ka qenë krejt e rastit. Mbaj mend që në periudhën kur punoja në Kryeministri, fill pas çlirimit, një grup amator ishte duke përgatitur një shfaqje teatrale "Burri, burrë". Personazhet e pjesës ishin katër, ndërsa organizatorëve nuk po u ecte puna me gjetjen e goditur të personazhit të shërbëtores. Në një moment më kërkuan edhe mua ta provoja njëherë. Unë nisa të luaj, ndërsa dëgjova që organizatori kryesor thirri: Eureka! Kështu shkëndija e fatit duket se po më buzëqeshte. Ndërsa dhamë shfaqjen që konkurronte me të disa institucioneve të tjera regjisori i njohur, një nga themeluesit e Tetarit Kombëtar, Pandi Stillu më gjeti dhe m'u lut që të mos i ndahesha kësaj rruge.
A kujtoni ndonjë ngjarje të veçantë që ju ka dhënë dëshirën për të sfiduar mbi mentalitetin e kohës dhe që ka bërë të hynit në rrugën e madhe të artit skenik?
Dëshira për t'u bërë artiste ka qenë e madhe në shpirtin tim. Mendoj se ajo që më lidhi pafundësisht me skenën ka qenë ajo natë e mrekullueshme e verës 1942, kur nën natën me yje, unë do t'i shprehja dëshirën vëllait tim, Besim Imami, i cili është dëshmor dhe u vra gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai ishte mbështetja ime më e madhe në këtë drejtim. Në atë kohë njohja ime me artin ishin vetëm dy filma që kisha mundur të shihja. I thashë vëllait se dua të bëhem artiste, pasi në atë kohë dhe emrin nuk ia dija profesionit të aktorit, por e quaja artist. Ai u gëzua e më tha se ishte diçka shumë e bukur dhe se ëndrra do të më plotësohej.
Pas kësaj dëshire erdhi përballja me realitetin dhe roli i parë. Ç' mund të na thoni për këtë pjesë të jetës suaj?
Në momentin që regjisori Stillu më zbuloi, ai erdhi në shtëpinë tonë dhe iu lut nënës që të më lejonte të bëhesha aktore, pasi sipas tij, vleja shumë. Nëna me thënë të drejtën u ndie keq, ndërsa nuk më lejonte, sepse koha që jetonim e shihte me skepticizëm këtë profesion. I tregova nënës bisedën sekrete të ëndrrave me vëllain para se ai të binte dëshmor në luftë. Nëna u prek nga fjalët e mia dhe që nga ai moment më dha lejen dhe më mbështeti me aq sa mundej në rrugën tepër të vështirë të skenës.
Cilat janë rolet më të dashura për ju dhe sa të tillë keni mundur të realizoni në një gjysmëshekulli?
Filmi i parë në kinematografinë shqiptare, por dhe i pari për mua ka qenë në filmin "Skënderbeu", që luhej në bashkëpunim me aktorët rusë. Në kohën kur po gjendeshin aktorët për filmin, unë kam qenë e shtruar në Sanatorium në Tiranë, për shkak të sëmundjes sime që gjithmonë më vinte poshtë. Ka qenë viti '52, ndërsa në spital mjekët dhe infermierët që shërbenin aty tregonin një kujdes tepër të veçantë, por dhe të ndryshëm nga herët e tjera, gjë që më befasoi. Më pas mësova se ky ishte urdhri nga drejtuesit e asaj kohe që unë të kurohesha dhe të shërohesha sa më parë, se isha zgjedhur për rolin e Donika Kastriotit, gruas së Heroit Kombëtar, Skënderbeut. Pas grimit dhe veshjes me motivet kombëtare të vendit tim të gjithë do të mrekulloheshin me Donika Kastriotin që ishte pikërisht vajza e denjë që do të ecte përkrah të madhit Skënderbe. Ditë pas dite vazhduan xhirimet deri në premierën e filmit, që ka qenë një sukses i vërtetë. Për mua ky rol vazhdon të mbetet një nga kujtimet më të bukura në jetën time si aktore në kinematografi.

“Roli i malësores, rikthimi im i veçantë”

Ndihet tepër e emocionuar nga vlerësimi dhe çmimi që i është dhënë në Festivalin e Komedisë Ballkanike, në Korçë, ku ka interpretuar rolin e nënës së fortë malësore. "Interpretova një rol krejt të veçantë në pjesën e shkruar nga Ruzhdi Pulaha "Streha e të harruarve". Në fakt, dalja ime në skenë është pas një mungese të gjatë, por ky është një rol i dashur dhe krejt i veçantë, pasi gjakmarrja ka hyrë dhimbshëm në shpirtrat e shqiptarëve. Ky rol, megjithëse është i vogël më pëlqen shumë, ndërsa mes lotëve në interpretim kam parë që të përloten shumë njerëz që ishin në skenë", thotë aktorja Imami, duke shtuar se këtë çmim nderi që iu dha e ndien si një vlerësim që i bëhet nga qytetarët e Korçës. "Është një vlerësim nga qytet i dashur dhe me traditë, nga njerëz që e duan artin. Roli i nënës malësore të fortë, megjithëse ishte goditur nga tragjedia e gjakmarrjes që i kishte marrë dy djemtë e saj më mbushte me ndjenjë, ndërsa ky ishte obligimi që ndiej si qytetare e këtij vendi për të dhënë një kontribut në art për këtë peng të sotëm të shoqërisë sonë. Ishte një emocion i veçantë se unë për dekada me radhë i kam dhënë artit skenik shqiptar dhe sidomos në kushtet e mia", përfundon Imami.

Rolet

Drama: "Qeni i kopshtarit", "Artani", "Monserati", "Cuca e maleve", "Lulet e shegës", "Mikroborgjezi", "Armiqtë", "Halili dhe Hajria", "Rrënjët e thella", "Bashkë me agimin", "Revizori", "Bashkë me agimin", "Karakteri moskovit", "Invadini", "Majlinda", "Mbi gërmadha", "Doktor Aleksi", "Gryka e nëmur", "Tragjedia e fundit e Deas", "Qëndresa", "Rajmonda", "Familja e peshkatarit" etj.

Filma: "Skënderbeu", "Radiostacioni", "Brazda", "Në fillim të verës" etj.

PASAPORTA

Emri: Besa
Mbiemri: Imami
Ditëlindja: 8 gusht 1928
Vendlindja: Gjakovë

Në vitet e para të rinisë së hershme gjatë kohës së luftës, Besa Imami aktivizohet në grupet rinore, ndërsa ka qenë një anëtare e organizatës "Debatik". Pas çlirimit të vendit punon në Kryeministri. Edhe atje grupohet në aktivitetet rinore të natyrave të ndryshme.
Në vitin 1945, aktorja Imami luan të parin rol në teatër me regjisorin Pandi Stillu. Më 1946, Besa Imami bëhet pjesë e Teatrit Popullor, të cilit i përkushtohet deri në vitin 1990.
Në jetën e saj si aktore numërohen mbi 90 role, shumica e të cilëve role dramatike.
Në moshën 31-vjeçare, aktorja Besa Imami është vlerësuar me titullin "Artiste e Merituar".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT