E marte, 16.04.2024, 10:39 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Osmanaj: Intervistë me publicistin Sejdi Berisha

E enjte, 31.12.2015, 06:23 PM


I n t e r v i s t ë

KRIJUESI QË VULLNETIN E KA PROMOTOR JETE DHE SHPIRT-SHKRIM

(Profil  letrar i shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA)

Nga Maxhun OSMANAJ

-Poezia është kënga e shpirtit, është mbretëresha e letërsisë, është thelbi i rebelimit shpirtëror që t’i trazon dhe qon peshë ndjenjat, që t’i shprush dhe lëkundë dhembjet, ëndrrat me të cilat e përqafon, e ledhaton dhe e qorton jetën...

-Fati dhe lumturia e njeriut janë pika ime më e dobët që nuk më lënë të bëj gjumë as jetë të rehatshme!

-Është mëkat të mos i mbështesim dhe afirmojnë ata që i takojnë gjeneratës së re e që kanë krijimtari të mirëfilltë apo edhe të tillët të cilët në të ardhmen premtojnë.

-Eseistika është diçka që mendimin filozofik e bën edhe provokim, edhe klithmë, edhe këshillë por edhe pasuri te të menduarit në stad më të lart, që edhe kjo sot i nevojitet gjithnjë e më shumë jo vetëm letërsisë.

-“Zejtarët e Pejës” dhe “Teatri i Pejës”, këto dy monografi thjeshtë janë një pjesë e çmuar e historisë të komunës së Pejës dhe më gjerë.

-Shpirti, mendja dhe zemra ime janë të përkushtuar që t’i ruaj, kultivoj dhe afirmoj vlerat tona kombëtare, si këtu në Pejë ashtu e kudo tjetër. Kjo është kënaqësia ime, kjo është lumturia ime shpeshherë e shoqëruar me dhembje. Ky është rrugëtimi im që më mbanë gjallë...!

______________

Në ndërrimin e viteve është bërë traditë të rrumbullakësohet diçka si rezyme të sukseseve të veprimtarisë brenda një viti, të krijuesve të profileve të ndryshme, në fusha të ndryshme të  dijes. Për lexuesit e ‘’Epokës...’’, kësaj radhe zgjodhëm një portret letrar-krijues, ku brenda këtij portreti fshihen: gazetaria, poezia, proza, drama, eseistika, kritika, publicistika, intelektualja, filozofikja… Fjalën e kemi për shkrimtarin dhe publicistin energjik, z. Sejdi BERISHA, i cili energjinë dhe vullnetin i ka si promotor jete, e që në  “kalanë’’ e letërsisë ka trokitur guximshëm tash e mbi pesë dekada, duke i dhënë vlerave shpirtërore dhe kulturore, duke i dhuruar artit të filozofisë së shkrimit stoli, nektar, kuptim, jetë, shpërblime me tridhjetë e tri vepra letrare nga të gjitha fushat.

Pyetja: z. Berisha, po fillojmë me gazetari. Tani e mbi pesë dekada ia niset shtegtimit në  “zejen” e gazetarisë, si dëshirë apo pasion?

S.Berisha :

Që nga bankat e shkollës fillore e kisha ëndërr e madhështi shkrimin, gazetarinë. Dhe aty fillova rrugëtimin në këtë fushë, e cila është profesion shumë i rëndë dhe me përgjegjësi, dhe pastaj puna eci si lumi... E dihet kur lumi zemërohet, edhe ujitë fusha e kopshte, por edhe rrëmben shumë gjëra me vete, por sakrifica është diçka e shenjtë kur je në shërbim të njerëzores, të kombit dhe atdheut. I kam kaluar të gjitha baticat e zbaticat, por ndjehem shumë krenar dhe rehat me atë që kam arritur, me atë që kam bërë dhe ushtruar këtë profesion i cili krahasohet me punën e minatorit. Pra, gazetaria ishte edhe dëshirë e më vonë edhe pasion.

Pyetja: Rrethanat e kohës të larguan nga gazetaria apo vetë deshe ta “tradhtosh’’ pa dëshirë dhe nga dashuria për gazetari u “martove” me letërsi?!

S.Berisha:

Jo. Unë gjithmonë mbeta gazetar e redaktor në shërbim të popullit, në shërbim të informimit të drejtë e me kohë të opinionit, edhe atëherë kur në vitet e 90-ta të shekullit kaluar, kur regjimi serb na dëboi nga vendet e punës. Bile, atëbotë edhe më shumë më trimëruan rrethanat e rënda për ta përcjellë lajmin tek njeriu ynë përmes formave të ndryshme në Radio-Zagreb dhe medie tjera.

Ndërsa sa i përket krijimtarisë letrare, ne jemi shkrirë dhe kemi udhëtuar deri me sot së bashku që nga klasa e shtatë e shkollës fillore, kur botova edhe poezinë e parë në gazetën “Flaka e Vëllazërimit”, që botohej në Shkup, dhe tash jam ku jam i pa ç’kapur me letërsinë si pjesë e fortë dhe madhështore e shpirtit dhe e qenies sime...

Pyetja: Jeni themelues, respektivisht botues i numrit të parë të gazetës “Peja”(1982) dhe themelues i Radio-Pejës. Çfarë simbolizon kjo për një kohë aq dramatike të thyerjeve të mëdha shqiptare?

S. Berisha:

Po, a ka më kënaqësi dhe krenari por edhe përgjegjësi më të madhe se të themelosh institucione të tilla në ato kohëra të stuhive të mëdha... Edhe sot ajo kohë më del para si një histori edhe e dhimbshme edhe krenare... Është periudhë dhe kohë kur në forma të tilla forcoheshin themelet e kauzës kombëtare. Ishte kasnec zgjuarës dhe i organizimit për liri dhe pavarësi...

Pyetja: Po i kthehemi poezisë. Nga tridhjetë e tri vepra të botuara në zhanre të ndryshme, pesëmbëdhjetë i keni në poezi... Të grishë më shumë poezia apo në të ke gjetur fuqinë e shprehjes?

S.Berisha:

Poezia është kënga e shpirtit, është mbretëresha e letërsisë, është thelbi i rebelimit shpirtëror që t’i trazon dhe qon peshë ndjenjat, që t’i shprush dhe lëkundë dhembjet, ëndrrat me të cilat e përqafon, e ledhaton dhe e qorton jetën... Poezia është krenaria dhe madhështia e cila e tund dhe e bashkon krijimtarinë e përgjithshme jo vetëm letrare, sepse, ajo është forcë dhe mëlmesë edhe e muzikës, edhe e operës, edhe e dramës... Dhe, kush nuk e përfillë këtë dhe e nënçmon poezinë, ka lënduar zemrat, këngën dhe para se gjithash dashurinë, si madhështi dhe si shpresa që dekoron çdo gjë të njeriut dhe jetës së tij.

Pyetja: A pajtoheni që letërsia ruan brenda vetes të gjitha artet e jetës?

S.Berisha:

Ajo është kopshti më i pasur dhe unik i të gjitha rrjedhave, kënaqësive dhe dhembjeve, por edhe pasqyrë e historisë dhe e kulturës, e cila i përjetëson ngjarjet dhe jo vetëm ngjarjet nëpër kohëra, faktor që shoqërinë e vë në lëvizje por edhe lufton për ta vënë në binarë të drejtë e të shëndosh edhe njeriun edhe njerëzimin. Por, letërsinë duhet çmuar, vlerësuar dhe shprushur shumë më shumë se që është në realitet tani... Leximi është lokomotiva e diturisë, kurse libri drita dhe rrezja pikante e lumturisë. Për këtë arsye mund të thuhet se letërsia është arkivi i jetës por edhe thesari i të gjithave!

Pyetja: Pse shkruani, cila është filozofia e shkrimit tuaj?

S.Berisha:

Jeta e njeriut, lumturia e tij, dhembja, besa edhe përcëllimi im shpirtëror për tërë atë që na rrethon e na bezdis, është filozofia e shkrimeve të mia. Ndoshta si përgjigje më e mirë janë vetë titujt e veprave të mia, si: “Çmendia në rreth”, “Simfoni pritjeje” “Lumturia e dhembjes”, “Piramida e ironisë”, “Fjala e gjakut”, “Kërkoj dhembjen time”, “Mallkimi i heshtjes” etj. Pra, a ka më “bezdisje” filozofike se ta përqafosh lumturinë e dhembjes, ose ta mallkosh heshtjen përmes shkrimit, përmes poezisë?! Këtë gjykojeni vetë, ose, le ta gjykojnë lexuesit.

Pyetja: Shkrimi për ju është dhembje, ekstazë, rebelim apo përzierje e të triave?

S. Berisha:

Të gjitha këto që i theksuat, por edhe shumë ndijime e faktorë të tjerë shpirtëror janë “konglomerat” pa të cilat nuk mund të frymojë as krijimtaria letrare dhe as krijuesi në cilëndo fushë qoftë.

Pyetja: Keni provuar edhe në prozë, roman, tregime,... Në cilin zhanër jeni udhëheqës e në cilin ushtar i thjeshtë?

S. Berisha:

Unë nuk kam provuar të shkruaj, por kam shkruar dhe shumë fortë jam i shoqëruar dhe i ngjitur dhe i “kapërthurur” edhe me prozën, edhe me romanin, edhe me tregimin, edhe me eseistiken, edhe me dramën, dhe të gjitha sikur ma kalitin shpirtin dhe ma shtojnë dashurinë e obligimin për t’i dalë hakut njeriut për tërë atë që atij i mungon, e ngacmon, e irriton, e bën të lumtur por edhe që e vetëdijeson dhe e ndërgjegjëson... Fati dhe lumturia e njeriut janë pika ime më e dobët që nuk më lënë të bëj gjumë as jetë të rehatshme! Ndërsa, të gjitha këto që i përmenda, poezia ua vë “zjarrin” dhe i shndërron në këngë por edhe ushqim e armë të veçantë për t’u përballë me realitetin dhe për ta luftuar të keqen e për ta përqafuar dhe përjetuar të mirën. Ndoshta mjafton kaq...

Pyetja: Edhe në kritikën letrare dhe eseistiken keni dhënë prova të guximshme, qoftë me vepra, qoftë me analiza librash dhe recensione. Si frymoni si kritik?

S. Berisha:

Të ju them të drejtën, në letërsinë tonë mungon shumë kritika mirëfilltë letrare, por mungon edhe mbështetja jo vetëm morale. Prandaj, kujtoj se në këtë drejtim kam bërë përpjekje dhe kam arritur bukur mirë në afirmimin e krijuesve, e veçmas të atyre të gjeneratës së re. Këtë e kam bërë dhe e bëjë, sepse, tek ne, bile pothuaj se në të gjitha trojet shqiptare është prezent një boshllëk intelektual sa i përket afirmimit të krijuesve por edhe të veprave të tyre. Është mëkat të mos i mbështesim dhe afirmojnë ata që kanë krijimtari të mirëfilltë apo edhe të tillët të cilët në të ardhmen premtojnë. Nuk bën që të “vrapojmë” vetëm pas afirmimit dhe “trimërimit” vetëm të atyre që tani janë të afirmuar apo të dëshmuar e që kanë, të them kushtimisht, krahë të fortë!

Ndërsa, sa i përket eseistikes, dua të them se shkrimet e mia janë shumë të pëlqyeshme dhe të preferuara, sepse aty thellësisht trajtohet jeta dhe karakteristikat më të veçanta që janë pasqyrë jo edhe aq e mirë e shoqërisë dhe e faktorit që e bën jetën të lumtur apo më shumë të trishtuar... Eseistika është diçka që mendimin filozofik e bën edhe provokim, edhe klithmë, edhe këshillë por edhe pasuri te të menduarit në stad më të lart, që edhe kjo sot i nevojitet gjithnjë e më shumë jo vetëm letërsisë.

Pyetja: Jeni shpërblyer me vende të para për vepra poetike dhe për poezi në manifestime të shumta mbarëkombëtare letrare. Çfarë do të thotë një vepër e shpërblyer dhe çfarë paraqet për ju shpërblimi si krijues?

S. Berisha:

Eh, gjërat e tilla duken se janë një “shpërblim” për atë që punon dhe krijon, por unë mendoj se shpërblimi nuk është gjë tjetër veçse përgjegjësi edhe më e madhe për atë që ia prezanton opinionit dhe lexuesit... Mirëpo, dua të them se edhe “dekoratat” duhet të janë apo edhe të shërbejnë si dëshmi që njeriu ynë, krijuesi i mirëfilltë të respektohet dhe të mbështetet nga shoqëria dhe nga ata që e bëjnë jo vetëm kulturën por edhe pushtetin. Kujtoj se në këtë drejtim ka edhe mangësi, por edhe papërgjegjësi dhe mungesë të vetëdijesimit e ndërgjegjësimit të individëve të caktuar. Kështu, ju garantoj se nuk ecën përpara në drejtim të afirmimit dhe zhvillimit të vlerave shpirtërore, kulturore, letrare dhe as historiografike.

Pyetja: Drama ‘’Obelisku pa adresë’’(2005), trajton një fat të dhimbshëm, të ndjeshëm, bën fjalë për të pagjeturit të luftës së fundit dhe jo vetëm të saj. Ajo u inskenua në shumë teatro të Kosovës. Si u ndiet ju si autor? Cili është mesazhi i dramës?

S. Berisha:

Kjo dramë trajton një temë aq interesante dhe të dhembshme po aq edhe tragjike. Pasojat e luftës kanë bërë që gjithandej kohërave nëpër periudha të vrahet e persekutohet njeriu, që shkakton plagë të pashërueshme jo vetëm për një popull apo komb. Kjo posaçërisht kur trupat e njerëzve të vrarë apo të zhdukur ngelin vetëm ëndërr apo dëshirë për t’i gjetur ata. Andaj, “Obelisku pa adresë” është një ngjarje e cila mund të ndodhë kudo në botë ashtu sikurse edhe në Kosovë. Andaj, edhe e ka mesazhin me dhembjen e njeriut në të gjitha vendet, kështu që “Obelisku pa adresë” kudo gjendet, dhe figurativisht eshtrat e të gjithë njerëzve të vrarë e të zhdukur, aty janë miq dhe një histori e dhimbshme dhe e turpit të njerëzimit.

Kjo dramë, siç thatë është realizuar dhe shfaqur në shumë teatro, dhe njëherësh ka marrë shumë shpërblime, kurse në Festivalin Ndërkombëtar të Monologut që është mbajtur në Sarandë, monologu nga kjo dramë është nderuar me Çmimin e Parë. Shpresoj se pas kërkesave të shumta, kjo dramë, së shpejti do të realizohet edhe si TV dramë, ku në rolin kryesor do të jetë aktori dhe krijuesi i mirënjohur, Ismet Krasniqi Lala.

Pyetja: Monografitë: “Kombinati i lëkurë-këpucëve’’ në Pejë(1984), “Zejtarët e Pejës’’(botimi i parë 1995 dhe botimi i dytë 2010) dhe Monografia “Teatri i Pejës”(2012), janë vepra ku keni derdhur shpirtin për kronologjinë e punës, zejtarisë  dhe kulturës. Çfarë reflektojnë sot këto monografi me peshë historike për Pejën dhe rrethinën?

S.Berisha:

Për t’i lënë diçka qytetit tim, i cili dua t’u them se nëpër damarët e trupit tim qarkullon mu si gjaku, me vite të tëra kam ëndërruar dhe kam menduar që përjetësoj peshën dhe vlerën historike dhe kulturore të zejtarëve, të cilët kanë qenë ndër shtyllat kryesore të ruajtjes dhe afirmimit e zhvillimit të vlerave shpirtërore dhe kulturore jo vetëm të kësaj ane por edhe të asaj kombëtare, në vitin 1995 e rrumbullakova një projekt shumë me peshë, e botova monografinë “Zejtarët e Pejës”, e cila monografi përjetoi edhe botimin e dytë në vitin 2010.

Ndërsa, duke pasur parasysh se Teatri i Pejës është më i vjetri në Kosovë dhe nga i cili kanë dalë aktorët më të njohur të Teatrit të Kosovës dhe më gjerë, e duke pasur parasysh së në këtë tempull kulture kam derdhur djersën time që nga vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, e mora si obligim shpirtëror qe edhe historikun e këtij teatri ta përjetësoj duke e shkruar dhe botuar monografinë “Teatri i Pejës” në vitin 2012. Tash këto dy monografi thjeshtë janë një pjesë e çmuar e historisë të komunës së Pejës dhe më gjerë.

Ndërsa, monografia “Kombinati i lëkurë këpucëve” në Pejë, edhe kjo vepër e cila u botua në vitin 1984 në 25-vjetorin e punës së tij, është dokument i pazëvendësueshëm, i zhvillimit të ekonomisë, e në këtë rast të industrisë për përpunimin e lëkurave dhe prodhimin e këpucëve në Kosovë, e që sot nga ky gjigant pothuaj se nuk ka asnjë gjurmë të mirëfilltë historie.

Pyetja: Jeni ndër intelektualët më të angazhuar në mbajtjen gjallë të jetës kulturore dhe letrare në Pejë dhe gjithandej trojeve shqiptare, si e arrini tërë këtë?

S. Berisha:

Shpirti, mendja dhe zemra ime janë të përkushtuar që t’i ruaj, kultivoj dhe afirmoj vlerat tona kombëtare, si këtu në Pejë ashtu e kudo tjetër. Kjo është kënaqësia ime, kjo është lumturia ime shpeshherë e shoqëruar me dhembje. Ky është rrugëtimi im që më mbanë gjallë...!

 

Pyetja: z. Berisha, Ju kemi mbetur borxh edhe për shumë pyetje me rastin e shpërblimeve të shumta, por meqë gazeta ka kaq vend, kësaj radhe një pyetje e fundit: Për këto mbi pesë dekada, çfarë i dhatë kulturës dhe letërsisë dhe çfarë të dhanë ato. A më shumë ju morën apo ju dhanë?!

S. Berisha:

Unë ua dhurova tërë qenien time, shpirtin, zemrën dhe mendjen, kurse ato më dhuruan lumturinë dhe konsideratën që kam për to, që kam për kombin dhe atdheun por edhe për njeriun, për njerëzimin përgjithësisht.

Dhe me këtë rast shfrytëzoj rastin që t’ua uroj Vitin e Ri 2015 me dëshirën që në vitin që vjen t’i realizoni të gjitha synimet dhe aspiratat tuaja. Ndërsa njeriut tim, kombit dhe atdheut i uroj punë më të angazhuar dhe të përgjegjshme për vetëdijesim dhe ndërgjegjësim për unitet në të gjitha fushat, gjë cila sot na nevojitet më së shumti...!

Ju faleminderit dhe gëzuar 2016!



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora