Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Gëzuar Vitin e Ri shqiptar në Shkup

| E marte, 29.12.2015, 04:55 PM |


GËZUAR VITIN E RI HISTORIK

SHQIPTAR 2016 NË SHKUP

NGA KALOSH ÇELIKU

Vërtetë, tashti si popull jemi për durtrokitje. Hë për hë, nuk na pri Dexhalli me trumbeta nëpë Çarshi. Sehirxhive duke ua vënë nga një vulë në ballë. Shkupi, mund të marrë lirisht frymë në Vitin e Ri 2016.

U lodhëm me kisha e xhamia, përmendore fetare - politike në të dy anët e Vardarit. Mitropolitë të Beogradit me Biblën në dorë tek këmbët e Urës Gurit, e njerëz të sotshëm me tru të moçëm (F. P.). Manifestime fetare me kryq e “bakllava” turke nëpër  Çarshi, përkarshi Olimbisë me fëmijë në bark, gji e prehër. Vend, ku grushtohet në mes të Ditës Madhe Babadimëri, si: “I dërguari i Shejtanit”.

Vitin Plak (2015), që po e lëmë pas do të mbahet mend, gjatë kohë për shumë ngjarje tërbuese politike e fetare. Protesta manipuluese politike - fetare. Përçarje të popullit shqiptar nëpër parti politike. Pothuajse, sot gjithë shqiptarët duan të kenë nga një parti politike. Kohë, kur zjarr na digjet mbi krye.

Dekorimi i Çarshisë para Vitit Ri (2016) , kur njëra anë maqedonase, matanë Vardarit “lulëzonte” nga zbukurimet e dritave festive, ana shqiptare e zbardhte agimin në errësirë. Edhe, atë: para gjithë botës përparimtare për faqe të zezë.

Pragu i Vitit Ri 2016, në Shkup ka ndryshuar shumë nga Viti i mbrapshtë plak në ikje: me protesta politike – fetare, Kamping parqe, përpara Qeverisë e Kuvendit, bojkotime të Parlamentit, montime politike “terroriste”, e “bomba” politike.

Përgëzime Komunës Çairit, që në këtë prag të Vitit Ri, nuk ra pre e provokimeve fetare – politike primitive, po e dekoroi Çarshinë me petk festiv, ashtu siç i ka hije në Ditën e sotshme. Vit historik, që vjen me Universitet në Shkup. E, jo me veshje të huaj arsimore e kulturore. Gunë festive, që me fishekzjarre e stolisin qiellin.

Vit historik, kur për herë të parë po e ndjej veten dhe krenohem si shqiptar. Punemadhe, që nuk kemi rrugë evropjane të shtruara me asfalt. Nesër, kemi kohë edhe për këto “salltanate” jetësore. Historikisht, populli shqiptar, nuk ka bërë luftë për “sexhade” e pallate, por për flamur kombëtar, gjuhë shqipe, shkolla e Universitet.

Padashtas, m’i kujtoni vargjet e Çajupit:

Shqipëri, të dua edhe kështu si je

Por, kur do të shoh të lirë

Do të të dua më mirë…

Çairit, ky petk festiv, vërtetë i ka hije, e jo terri e “bakllava” e sejmenëve të “Shpëtimtarit” të Partisë Neokomuniste…