E premte, 29.03.2024, 11:08 AM (GMT)

Mendime

Zeqa: Padi për tradhti kombëtare Thaçit e Mustafës

E merkure, 30.12.2015, 10:32 AM


Padi për tradhti kombëtare ndaj Thaçit e Mustafës

Argumente të fuqishme juridike nga Gjykata Kushtetuese

Vetëm izolimi (burgosja) e shkaktarëve të "kancerit" politik është shpëtim për vendin

Nga Florim Zeqa

Gjykata Kushtetuese ishte dashur të veprojë me standarde të njëjta, siç kishte vepruar edhe më parë me shkelësit e Kushtetutës, pra me shkarkimin e tyre nga detyrat shtetërore.

Pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ku thuhet se është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ngritja e padisë për tradhti kombëtare ndaj Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, nuk është më padi e bazuar në dyshime, por në fakte dhe argumente të fuqishme juridike.

Në këtë rast, Prokuroria e Shtetit, pa asnjë hezitim, duhet të ngritë padi penale ndaj dy liderëve shtetërorë, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, nën akuzat për shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, rrezikim të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit e pasuar me arrestimin e tyre dhe lirimin e menjëhershëm e të gjithë kundërshtarëve të marrëveshjeve fatkeqe për vendin, të arrestuar nga aparati policor i shkelësve të kushtetutës (Thaçi-Mustafa).

Se vërtet marrëveshjet e Brukselit janë të dëmshme për vendin e kishin pohuar edhe diplomatë të pakorruptuar ndërkombëtarë, si psh. analisti dhe diplomati amerikan Danier Serwer, i cili për Asociacionin ishte shprehur kështu, po citoj;  "Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është i definuar etnikisht dhe mund të bëhet një bërthamë e fortë e strukturave të ndara qeverisëse serbe në Kosovë. Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund ta pengojë Kosovën si Republika Srpska, Bosnjën..."

Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë me urgjencë

Pra, verdikti i Gjykatës Kushtetuese doli të jetë në përputhje të plotë me mendimet e analistëve, njohësve të rrethanave politike dhe ekspertëve juridikë.

Në verdiktin final të Kushtetueses dolën të jenë në shpërputhje  me Kushtetutën e vendit jo një, por shumë pika të marrëveshjeve të Brukselit për Asociacionin e komunave serbe.

Andaj, në këtë rast, edhe sikur të ishte vetëm një pikë e vetme, Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë me urgjencë për ngritje akuze dhe arrestim imediat të nënshkruesve të marrëveshjeve politike të Brukselit; të asaj të 19 prillit 2013 nga Hashim Thaçi dhe të 25 gushtit 2015 nga Isa Mustafa në cilësinë e kryeministrave të vendit.

Që të dytë, pa dallim, nga mbrojtës të interesave të vendit u shndërruan   në shkelës dhe tradhtarë të interesave vitale të Republikës së Kosovës.

Thënë ndryshe, Gjykata Kushtetuese e konstatoi publikisht dhe parimisht se Asociacioni i komunave etnike serbe (siç e kemi quajt me të drejtë Zajednicën serbe-kancer i shtetit të Kosovës), tërësisht nuk përputhet me kushtetutshmërinë, madje në shumë pika del jashtë kornizave të saj.

Vetëm izolimi (burgosja) e shkaktarëve të "kancerit" politik, është shpëtim për vendin, në të kundërtën, "kanceri majlind" i shkatërrimit të shtetit të Kosovës do të zhvillohet hovshëm dhe pa asnjë pengesë.

S’ka dyshim se të gjithë jemi pajtuar me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, për shkeljet në shumë pika të marrëveshjes, por megjithatë i ka munguar elementi bazik, ai i shkarkimit të nënshkruesve të marrëveshjeve antikushtetuese. Pasi, as i pari, Hashim Thaçi, nënshkruesi i marrëveshjes së 19 prillit 2013 dhe as i dyti, Isa Mustafa, nënshkrues i së njëjtës marrëveshje me 25 gusht 2015 nuk ishin "barinj delesh", por kryeministra, liderë shtetërorë, njëri jurist e tjetri ekonomist me profesion, madje ky i fundit edhe me titull "akademik" i shkencave...!!!

Gjykata e tha fjalën e vet

Prandaj, edhe në këtë rast, Gjykata Kushtetuese ishte dashur të veprojë me standarde të njëjta, siç kishte vepruar edhe më parë me shkelësit e Kushtetutës, pra me shkarkimin e tyre nga detyrat shtetërore!

Vetëm kështu do të hapej rruga dhe do të hiqeshin të gjitha dilemat rreth Asociacionit etnik serb, përkundër të drejtave dhe privilegjeve të shumta askush nuk i pengon komunat serbe në anëtarësimin e Asociacionit të komunave kosovare, pasi në asnjë nen apo paragraf të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk parashikohet krijimi i asociacioneve një-etnike, me kompetenca të zgjeruara ekzekutive.

Verdikti në pritje i Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe (Zajednicës), kishte nxitë opinione të ndryshme në mesin e deputetëve të pozitës dhe opozitës, shqetësime dhe skepticizëm të arsyeshëm para opinionit vendor dhe ndërkombëtar.

E gjithë kjo për faktin, se është hera e parë, që kjo gjykatë kishte të merrte një vendim tepër të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, nën drejtimin e kryetares së re të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, zonjës Arta Rama-Hajrizi.

Se a do të bëhet zonja Arta Rama-Hajrizi, në kuptimin pozitiv "Nëna" e drejtësisë kosovare, mbetët të shihet në ditët në vazhdim, me rekomandimin për ngritje të padisë penale ndaj shkelësve të Kushtetutës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora