Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Krishtlindja 1990...

| E enjte, 24.12.2015, 12:21 PM |


KRISHTLINDJA  E 1990...

Nga Fritz RADOVANI

25 VJET...

25 Dhjetor 1990... Mesnatë...

Kishte fillue lufta kunder Fesë... dhe gati ishte krijue idea se “Shqiptarët janë të pafe”!

Atëherë, kur në kater anët Ramiz Alia vazhdonte me dhanë porosi sekrete që “shikoni, kujdes, hapni sytë se në Shkoder... kemi edhe agjentura të Vatikanit”!..

Ylli me bisht ishte mbi Rrëmaji... Shkodra festonte Krishlindjen nder Varreza...

Liria e Fesë sjellë me vete edhe të tjera “Liri”... Më thonte me një kambngulje të madhe një mik nga fundi i vitit 1989: “Erdha nga Tirana, asnjëherë nuk do të lejohet që me u rihapë Kishat, mbasi me të drejtë Ramiz Alia do të perdorin kunder Fesë edhe tanket, edhe shnajperë, mbasi Feja dhe kryesisht Feja Katolike, me një Papë si Gjon Pali II, do varrosin perfundimisht komunizmin... Feja nuk do të lejohet kurrëma në Shqipni!”

– I kundershtova, po fjala ime as nuk kishte vend ku me hy në rradaken e tij, plot me Veprat e Enverit! Po, a vetem ai kishte një mendim të tillë?! – Jo, ishin mbi 45 vjetë që po punohej me “kazem dhe pushkë” mbi ndergjegjen e Popullit Shqiptar, per me shkatrrue gjithshka shekullore që ishte ndertue mbi Gurt’ e Kështjellave të Gjergj Kastriotit...

Per shkatrrimin e Shqipnisë Europjane punoi sllavi rrethues i rivendosun nga Jalta në 1945 nder Trojet tona, punoi me perkushtim Tito, Stalini, Mao Ce Duni dhe anadollaku i tyne i dashtun Enver Hoxha... Punoi Nexhmija e Mehmeti, Haxhi Lleshi e Ramiz Alia...

E kush nuk derdhi djersë me na shkombtarizue?! Si thoni, ta lamë me kaq nder këto ditë Krishtlindje e Viti të Ri.., kur i madh e i vogel mendon per dhurata per fëmijët e vegjel...

Janë ba 25 vjetë që edhe “biruca e Don Simonit” në burgun e Burrelit asht plot baltë!

Jo, vllazen Shqiptarë! Hiqni dorë nga shpifjet e rrenat e agjentave të sigurimit shtetit!

Vllaznit Don Lazer e Don Simon Jubani, pastertinë e Shpirtit Tyne edhe sot e dishmojnë nga Mbretnia e Qiellit, ku prehen të qetë pranë Krijuesit, per të Cilin dhane jeten e vet!

***

Dosjet do të hapen! Po ua them me bindje: Do të hapen!

Me këta Krishtlindje Shqiptarët uroj të hyjnë në rrugen Paqes, mirkuptimit, drejtësisë e Vllaznimit të vertetë, per një Shqipni Europjane, Shqipninë e Gjergj Kastriotit!

Rrnofshin Shqiptarët e vertetë nder Trojet Shqiptare dhe në gjithë Boten!

Melbourne, Dhjetor 2015.