E marte, 23.04.2024, 11:48 PM (GMT+1)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: ''Fluturat prej letre''

E enjte, 24.12.2015, 08:10 PM


MEDITIME RRETH VELLIMIT POETIK: “FLUTURAT PREJ LETRE”

Nga Prof. Lutfi ALIA

Dy muaj të shkuara, miku im, poeti i talentuar, mjeshtri i vargjeve të pashterruna, atdhetari Adem Zaplluzha, më dërgoi vëllimin e ri me poezi “Fluturat prej letre”.

I lexova poezitë pa u ndalun, u zhyta dhe udhëtova së bashku me autorin në lumin e strofave dhe varg pas vargu, arrijta të kaloj në bregun tjetër, i kënaqur me bukurinë, forcën dhe thellësinë e poezive, por nuk u nginja, andaj iu riktheheva dhe i rilexova, pikerisht i rilexova, sepse janë poezi të shpirtit dhe të kulturës kosovare, që Ademi i shpreh me të gjitha ngjyrat, format dhe ndjesitë.

U mrekullova nga vargjet e këtij poeti modern e postmodern, me krijimtari sasiore dhe shume cilësore dhe duke e analizuar kompleksin e veprës së tij poetike, them se Adem Zaplluzha zë një vend nderi në majat e letrave shqipe të ditëve tona, andaj pa rezerva e rendis përkrah Isamil Kadaresë, Dritero Agollit, Xhevahir Spahiut, Moikom Zeqos, Fatos Arapit, Azem Shkrelit, Ali Podrimes, Beqir Musliut, Frederik Rreshpes dhe të shumë poetëve të tjerë të shquar të kombit tonë.

Kam lexuar shumë vëllime poetike të tij dhe kënaqesia ime ishte, se dhe në vëllimin e 139° - “Fluturat prej letre”, përsëri e gjeta Ademin ashtu si është, i vërtetë, plot ndjenja delikate, i thellë, atdhetar, i mbushur me copëzat e jetës së tij, të pandara nga të Kosovës martire, ku sejcila poezi përbën histori më vete, me shembuj vlerash, virtyti, shqetësimi dhe optimizmi.

Ademi i thur poezitë në mënyrë origjinale, te papërsëritëshme dhe i përjeton me tension personal,  si një kërkim i brendshëm, nga njëherë dhe me ngjyra metafizike.

Adem Zaplluzha është qytetari – poet, sa i thjeshtë aq edhe akademik, sa i shkujdesur aq edhe i vëmendshëm, sa rrëfimtar aq edhe filozof, sa kritik aq dhe jokonformist, sa i rrepte dhe i papajtueshëm, po aq njerëzor dhe fisnik.

Ademi ka kijuar universin e tij poetik, ku jeton dhe thur mjeshtërisht poezi  plot art.

Poezitë e Ademit janë lidhje jetike me vendlindjen, me Kosovën martire, me kujtimet e femijërisë dhe ngjarjet aktuale, me dinamizmin shoqëror, me jetën intensive, me natyrën, me atdheun dhe këtë mjedis të gjërë përjetimi, e ka shndërruar në poezi, në një univers-metaforë.

Me poezite e shumta, Ademi këndoi në një vend ku liria, dikur konsiderohej “utopi”, andaj denjësisht hyri ne rradhet e poetëve të rebeluar, ata të racës zemërake, që shpërthen vrullshëm duke trazuar jetën dhe qetësinë e tij për të thënë me poezi të vërtetat, duke i shprehur mendimet në mijëra e mijëra vargje, që i gdhendi me guxim në librat e shumtë.

Ademi i përket një plejade poetesh patriotë, që luftuan me kurajo në rilindjen e Kosovës, në fitimin e lirisë, në krijimin e shtetit të pavarur e sovran në trojet e lashta Dardane. Ky terren i zjarrtë, e frymëzoi të shkruaj shumë poezi moderne e postmoderne, ekzistencialiste dhe sociale, surealiste dhe simbolike, madje dhe haiku, pra shumë poezi, ku nderthuren miti i prejardhjes, kulti i vendlindjes, hyjnizimi i lashtësisë, atdhedashuria, krenaria për historinë tonë, për njeriun, për shqiptarët.

Krijimtaria poetike e Adem Zaplluzhes është e mbushur me poezi të shpirtit të lirë me  poezi të shpirtit të patriotit, prandaj dhe lirika e tij kapërcen tej poetit.

Udhëtimi i gjatë poetik i tij, është udha e njeriut që vuan mundimin e shekullit, sfilitjen e fatit historik kombëtar, qysh prej kohërash pagane e deri në ditët e sotme; janë poezitë e njeriut që lumturohet prej mirësisë dhe që vetëflijimin për botën e madhe, e sheh pothuajse si asgjësim kronologjik të jetës.

Ademi është poeti i një formati të madh dhe zëri përfaqësues, i plotë dhe i fuqishëm i disa brezave poetësh shqiptarë i shtrire ne dy shekujt, ku ai lartësohet si një prej më të mirëve.

Ademi nuk shkruan poezi shkolle, poezi libri, as poezi për poezi, por shkruan poezi shpirti dhe në krijimtarinë e gjërë poetike, ruan individualitetin e tij, nuk ngjan me poetët e tjerë, është origjinal, është vetë Adem Zaplluzha

Poezitë i ka të mbushura me figura të shumta letrare, i ka thurur me shprehje metaforike dhe me simbolikë të rrafinuar, shpesh me gjuhë Ezopike, i ka plot ndjenja, me përplasje idesh, të qëndisura me frymë lirike dhe me zhvillim dramatik të vargut, me një figuracion të plotë, por kryesisht me ide të thella shprehëse.

Vëllimin e ri me poezi “Fluturat prej letre”, me këtë titull metaforë elegante, qe të nxit kureshtjene të zbulosh çka na tregon kësaj rradhe me librin e ri, por jo te fundit.

“Fluturat prej letre” Ademi e ka konceptuar në tre cikle, një triptik elegant me aromë ngrohtësie dhe me shpirtin e ndjeshëm e të zjarrtë kosovar, që i ka shprehur në vargje të lidhura me art, që të frymëzojnë, të ushqejnë, të gëzojnë e të bëjnë të bashkëjetohet me poezitë e tij e njëkohësisht të ngjallin entusiazëm shpirtëror.

Poezitë e vellimit të 139°, dhe pse të ndara në tre cikle, në fakt përbëjnë të njëjtin korpus poetik  Zaplluzha, i shprehur me stilin e tij origjinal, me poezi të renditura bukur estetikisht, të mbushura me figura letrare, me metafora të shumta elegante, me epitete dhe simbolikë artistike, që shprehin si kulturën e tij letrare, por dhe botën e pasur shpirtërore dhe artistike të autorit.

Në këtë liber te ri, Adem Zaplluzha shpalos nje krijimtari poetike me pasuri Kadareane, me dendesi dhe analogji Agolliane, me hermetiken e Xh. Spahiut dhe simboliken tipike te lirikës kosovare. Ademi i qëndron besnik stilit të tij të poezive, kështu herë shprehet me fantazi, herë bën abstraksion, herë rrëfehet me fjalë të thjeshta, herë të tjera me poezi të mbushura me figura të shumta letrare, por të gjitha të thurura me art e të mbushura me shpirtin e tij te ndjeshem dhe me talentin e tij poetik.

Nje veçori e krijimtarisë poetike te Ademit eshte se ai nuk e respekton traditën për të zgjedhur tituj të thjeshtë për poezitë e tij, perkundrazi është mjeshtri i titujve metaforikë, që në fakt janë vargje të vetë poezisë, janë lejtmotivi i vetë poezisë. Kështu dhe në këtë aspekt, Ademi e konfirmon veten si mjeshtër i vargjeve i metaforë të kompozuara përmes një fantazie të veçantë filozofike

Në ciklin e parë “Deri në dhimbjen e tokës”, poeti nuk largohet, nuk e braktis epopenë e jetës së përditëshme dhe duke e përjetuar nen tension dhe me preokupim qytetar, lëviz ndërmjet pengesave dhe veshtirësive, që i shpreh me një simbolike te admiruese.

Në poezinë e parë me titullin metaforik: “Kurse nën pemët e ngrira”, vargjet janë të mbushura me simbole të transfigurimit të udhëtimit të tij shpirtëror, që e mbush me dimensione materiale, andaj duke jetuar realitetin, kërkon me emocione, që natyra të mos i dhuroi thjeshtë indiferencen e ftohte dhe izoluese, por forcen që t’i shembi pengesat, si shprehet ne vargjet: Nuk di se sa shumë i ngjante ajo hije/Vdekjes sime/Ose vetëm unë i përngjaja pasqyrës/Por gjithsesi/Ishte një hije e murrme/Mes meje dhe murit të rrënuar.

Në poezitë: “Kishte ngjarë një ikje e madhe” dhe “Ose më janë zbehur kujtimet”, autori shpreh  dëshira, që nuk perkojnë me përkatësinë e poetit, janë nostalgji pa emër, energji që lëvizin në vuajtjen e qenies njerëzore dhe në jetën e poetit: Asgjë më nuk ju pyeta/ Më duket se kishin vdekur fjalët/ Një gur i murrmë rrokullisej tërmal/ Era e dërmuar dëneste si kalama.

Aktualisht Ademi është poet i moshës mature dhe me eksperiencë në jetën shoqërore dhe letrare, andaj nuk i shmanget poezisë sociale. Gjatë festimit të Ditës Botërore të Poezisë, më 21 mars 1999 në Paris, në proklamën e UNESCO-s, u theksua: “Asht detyre e rendesishme, rikuperimi i vlerave sociale te poezise, si mjet rezultativ per rizgjimin e ndergjegjies”.

Ky sugjerim është i drejtë, pasi në ditët e sotme, poezia sociale konsiderohet e konsumuar, aq sa dhe institucionet nuk impenjohen ta promovojnë. Ndryshe nga kjo prirje e përgjithëshme, poezia sociale shqiptare vazhdon traditën e saj dhe mbetet vitale.

Poeti hermetik Ungareti në poezinë “Allegria” shkruan: Jam një poet/një kushtrim i përgji-thëshëm/jam një grumbull ëndërrash/jam një frut/me kontraste të shumta shartesash/i pjekur në sera. Si shihet nga këto vargje, kufiri ndërmjet poezisë lirike, si shprehje puro e Uni (Io) dhe poezisë sociale, janë shumë të hollë, sa të dyja shkrihen në njera-tjetrën, por në të njëjtin mënyrë, si e denoncon preokupimin personal, Ungareti tregon qartësisht kohën e tij, kohë në të cilën ai jetoi dhe njëkohesisht filloi të kërkoi rrugëdaljet dhe shtysat për ndryshim, kësisoj poezia e tij, u bë instrument i afirmimit të identitetit të shoqërisë moderne, e shprehur si ndërgjegjie sociale

Në vitet e shkuara, poezia sociale çensurohej, shkruan miku im, krtiku dinjitoz Jorgo Bulo, por pushtetet politike kurrë nuk arrijtën ta ndalojnë, perkundrazi kjo poezi mori vrull të fuqishëm.

Adem Zaplluzha është poeti shqiptar, që nuk reshti të shkruaj poezi sociale, madje ato i mbushin të gjithë vëllimet poetike të botuara, andaj dhe në këtë libër të ri nuk mund të mungonin si në poezinë: “Deri në dhimbjen e tokës”, që i ka dhënë titullin ciklit të parë: Vargan kolonadash prej mishi/Bredhin prej një kontejneri te tjetri/Kalamenden si zogjtë e braktisur/Tani shoh tek njerëzit e uritur/Se sytë qenkan më të thella se honet.

Në ciklin e dytë të poezive: “A thua vallë ajo ishte grua”, Ademi i thur strofat me vargje të lidhura mes tyre në mënyrë harmonike dhe kur i lexojmë, na japin kenaqesi. Vargjet janë të besueshme dhe të veshura në menyre elegante me figura të shumta letrare, sisomos me metafora, që na drejtojnë në labirinte të panjohura, plot me të papritura poetike, ashtu si është dhe jeta e autorit intensive, me tallaze dhe mundime.

Kur lexon poezitë e këtij cikli, kupton se Ademi luan me nocionin abstrakt të fjalës, tregon rëndësinë dhe etikën e saj në jetën e përditëshme, ne realitetin e botës që e rrethon, ku ai është pjesëmarrës aktiv si shprehet në poezinë: “Rruget ishin te gjata deri ketu”, ku shkruan: Çfarë të ju tregoj sonte/Për plagët e një kohe të vrarë….

Botën e brendëshme Ademi e shpreh me intimitet, me forcë, me dinjitet dhe personalitet dhe nga çdo poezi lexuesi merr një mesazh, përjeton emocione, të mbushura me ndjesi të bukura, por dhe me drithërima, që prekin shiprtat e ndjeshëm njerëzor.

Në këtë cikël mbizotërojnë poezitë ekzistenciale dhe është e kuptueshem, pasi si ka thënë Jean Paul Sartre, ekzistencializmi eshte humanizëm, andaj dhe shpirti i dlirtë dhe i ndjeshëm i Ademit, shkruan poezi ekzistenciale, ku shpreh ndjenjat delikate humane, sentimentet, mendimet e lira dhe te pa censuruara, pasi Ai krijon ne nje periudhe kur censura nuk ekziston.

Krijimtaria ekzistenciale insiston në vlerat specifike të ekzistencës individuale të njeriut, pra per rrjedhoje bie ndesh me idealizmin dhe racionalizmin e natyrisht me realizmin socialist.

Në poezinë “A thua vallë ajo ishte grua”, Ademi shkruan: Njëherë moti në një tjetër kohë/Takova një grua të pemët/Ndoshta ajo më takoi mua/Por gjithsesi ne u pamë atë ditë., kështu i qëndron besnik stilit të tij të të shkruarit, ku herë ngre krye fantazia, herë abstraksioni, herë jeta dhe fjala e thjeshtë e kuptueshme, të gjitha të ndërlidhura në art, ku ndihet shpirti i tij i ndjeshëm dhe talenti poetik.

Në ciklin e tretë “Fluturat prej letre”Ademi rrugëton çdo ditë me poezinë, por jo si një udhëtar i rastësishëm, ai rend në shtigje poetike, të mbushura me metafora elegante dhe e drejton poezinë në labirintet e imagjinatës, ashtu si përshkruan ngjarje jetësore, ku lexuesi ndalet dhe gjen të gjitha gjendjet: trishtimin, gëzimin, lotin, dashurinë, mallin, thjeshtësinë, dashurinë për Atdheun, për njerëzit, për tokën, për çdo gjë.

Ai dhe kur shkruan trishtueshëm, vargjet i vesh me nota poetike, qe të perfshijne në përjetime dhe me te njejtat ndjesi ashtu siç i ndjen vetë autori.

Poezia e tij është një shtrat modernizmi, një stil tipik origjinal ku dhe nëse nuk lexon emrin Zaplluzha dallon menjëherë poezinë origjinale të tij.

Ne kete cikel poezishë, vargjet shpehin transformimin e brendshëm shpirtëror, që e pasuron shpirtërisht lexuesin me fjalë dhe ndjenja të bukura, perballe situatave të ethëshme psikosociale.

Brengat ekzistenciale, disfatat në jetë, vetmia moderne, frika dhe ankthi, janë tema të shpeshta në krijimtarine poetike te Ademit, si shprehet ne poezine metafore “Fluturat prej letre”, ku me vargje ekspresive shkruan: Kur i shtron fjalitë mbi tryezë/Të duket disi se bisedon/Me tonet pasiononte të erës/Fluturat prej letre / Fluturojnë nëpër ledhet e së kaluarës .../Me pasion i shpalosim gazeta e vjetra/Lexojmë disa kronika e zeza/Asgjë në këtë dhomë nuk është në rregull.

Poezitë e ciklit te trete të entusiazmojne me forcën shprehëse, të perfshijnë në botën poetike të Ademit nga ku s’del dot më, pa e shijuar dhe pa e përpirë të plotë. Duhen ditë, t’i komentosh të gjitha poezitë e ketij vëllimi te ri, ende më shumë po të ndalesha në vargjet dhe në figurat e veçanta, të admirosh shumësinë e tyre në çdo poezi, në çdo varg, në çdo shprehje, ne çdo fjalë.

Kur perfundon leximin e ketij vellimi, me kenaqesi konstaton se fjalet dhe vargjet te renditura shkalle-shkalle, sejcila ne vendin e vet dhe ne fronin qe i takon, here duke ndertuar nje keshtjelle lumturie, qe te grish ta pushtosh, madje te ben dhe te fantazosh, here te pershkruara me trishtimin e vetmisë, që te nxit ta mohosh, herë tjetër të venosura me kujdes si një mozaik, ku ke deshirë të ndalesh e të kundrosh ngjyrat e shumta dhe përmbajtjen, herë si lule aromëmirë, herë me poezi të mbushura me meditime te thella dhe filoozfike, që të bëjnë të reflektosh jetën tënde.

Poeti i madh Oscar Wild, përsëriste shpesh: “Dua të jem nje liber!” Shumë nga miqt e tij e dëgjonin me skepticizëm, por të tjerët e kuptuan se ai kërkonte pak nga jeta e tij dhe në fakt koha vertetoi dhe i dha të drejtë mjeshtrit të madh të poezisë, i cili kishte folur jo vetëm për vehten e tij, por për të gjithë poetet e vërtetë. Shumë poetë lakmojnë të bëhen “një libër”, por jo të gjithë e gezojnë këtë privilegj, ndërsa poeti Adem Zaplluzha, me lirikën e tij të pashterëshme, është bërë “libër”, libër i madh poetik.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora