Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhafer Leci: Vrasje kriminale dhe tinzare

| E marte, 22.12.2015, 09:18 PM |


VRASJE  KRIMINALE  DHE  TINZARE

Nga Xhafer Leci

Në shenjë nderimi dhe përkujtimi pas 11 vite e shtatë muaj - Ribotim

MUSLI BAJRAM LECI (20.09. 1978 - 23.05.2004)

Policia kriminale serbe më 23.05. 2004 vrau 25 vjeçarin Musli Leci, ish- ushtar i UÇPMB-së nga fshati Gmicë, komuna Dardanë (ish- Kamenicë )

Është për t’u habitur? Kaloi një muaj dhe vrasjen e tij e heshtën të gjitha institucionet e Kosovës, por edhe disa media shqiptare. Gazeta „Bota sot“ njoftoi se u vra një shqiptar, në kufirin e Kosovës Verilindore nga komuna e Dardanës. Ndërsa „Zëri ditor“ shkroi se u vra një shqiptar nga komuna e Medvegjës, i shpërngulur në Dardanë. E para pa emër e mbiemër, ndërsa e dyta gazetë nuk e di se Gmica nuk i takon komunës së Medvegjës, por asaj të Dardanës. Vetëm TV 21 ka folur disa herë për këtë vrasje, por pa e përmendur motivin e vrasjes dhe del sikur ky i ri shqiptar s’kishte emër as datëlindje as vendlindje. As RTK nuk gjeti kohë të dërgojë një kameraman, për ta incizuar varrimin e tij në varrezat e Dardanës. Populli është ai që di më së miri ta çmojë gjakun e derdhur të shqiptarëve që vritën në pritat e pusitë kriminale-serbo-çetnike. Për trimërinë, guximin dhe kontributin e dhënë të Musliut në luftë nuk më takon mua të flas, ngase ishte kushëri shumë i afërt imi, ndaj le të flasin për të shokët e tij të luftës. Në varrimin e të ndjerit Musli edhe pse varrimi nuk ishte i lajmëruar nga asnjëra nga mediat tona, në të morën pjesë mbi 1000 qytetarë, për t’i dhënë lamtumirën e fundit. A ishte ky një rast i parëndësishëm për politikanët dhe mediat shqiptare. Musliu ishte i martuar dhe la pas vetes gruan shtatzënë. Në vendin e ngjarjes kishte dalë KFOR-i amerikan pas 24 orëve, sepse kur është vrarë ishte mbrëmje, terr dhe mjegull. Mediat serbe si gjithmonë kanë dezinformuar për rastin, duke gënjyer në mënyrë të paskrupull, se kinse në atë mal të shtetit serb, qenkan vjedhur me mijëra kubikë dru nga shqiptarët. TV Beogradi ofroi në ekranin e tij fashist fotografinë e Musliut të ndjerë për së vdekuri me automatik në krah. Ndërkaq policia serbe, jo vetëm që e vrau, por sipas skenarit të tyre dhe fotografisë së montuar, ia varin një automatik në krah, kinse paska bërë qëndresë dhe nuk iu është bindur urdhërit që të ndalet. Edhe nëse supozojmë se nuk është ndalur, atëherë traktori i tij mund të qëllohej me plumba në gomat dhe ai detyrimisht do të ndalej. Jo, nuk kanë vepruar kështu, sepse gjakpirësit e karpateve ende nuk janë ngopur me gjakun shqiptar. Musliu nuk ka qenë i armatosur, më të kanë qenë edhe dy kushërinj të e tij, Ymerli Ali Leci dhe Hevzi Ibrahim Leci, të cilët për fat të mirë i kanë shpëtuar vdekjes duke kërcyer nga traktori dhe arrijnë të ikin.

Historiku i këtij mali, për të cilin bëhet fjalë (sipas serbëve i tyre) shtrihet rrënzë kufirit me Kosovën. Ishte mal i Hazir Shahiqit deri në vitin 1878. Me ndjekjen e shqiptarëve nga ato troje dhe vendosjen e kufirit serbo-turk më 1878 krali Millan Obrenoviq përreth kufirit vendosi kolonistë serbo-malazezë të ardhur nga rrethi i Qaplinës prej Hercegovine, ndërsa në Shahiq në pjesën që mbeti jashtë kufirit të Kosovës, vendosin malazezë nga Cetinja, Mali i Zi. Koloinstët kishin qenë shumë të varfër, që kishin jetuar nëpër shkrepa, njerëz të malit e gjysëm të egër, që të vrasin sa më shumë shqiptarë. Ishte dhe vazhdon te jetë kjo politika serbe antishqiptare edhe sot e kësaj dite, pa marrë parasysh ndërrimet politike në Ballkan.

Shqiptarët e kësaj ane në vitet 1960-1970 fillojnë t’i blejnë përseri tokat e veta , dikur të okupuara. Sadik Salih Leci, axha i të ndjerit Musli, i njohur në popuul si Dik Leci, asokohe nuk ia dinte pasurisë fundin. Ai i blen shtëpitë me male, me ara e me livadhe të Milivoje, Bozha e Pera Durkoviqit dhe të Milivoje Vukoviqit, ndërsa Ajvaz Jahir Leci ia blen shtëpinë Millorad Vukoviçit. Pra, Musliu i ndejrë me kusherinjtë e vet Ymerliun e Hevziun në tokën e vet 3 km. mbrenda kufirit kishin marrë dru në malet e veta, por është dashur të kalojnë rrugës, e cilia patjetër shpie nëpër malin serb dhe vetëm edhe 500 m pa hyrë brenda në territorin e Kosovës Musliu vritet nga pusia. Serbët kur e vjedhin malin e shtetit  për t’u arsytuar para organeve të drejtësisë vrasin shqiptarë. Ky ishte shkaku i vrasjes së Musliut. Këtu duhet pasur parasysh edhe disa gjëra të tjera: policia serbe, e cila shërben rreth kufirit Serbi-Kosovë është kryesisht e përbërë nga serbë të Kosovës, të cilët e njohin terrenin dhe flasin shqipen mjaft mirë. Policia serbe vetëm para disa muajsh ka kërcënuar me likuidim fizik Rexhep Hasan Berishën (Demaj), nga fshati Cvircë, i cili jetonte rrënzë kufirit me Serbinë te vendi i quajtur Karolli i Bunarit duke i thënë „Nëse nuk shpërngulesh shumë shpejt, do të të vrasin, jo ne i thonë, por tjerë policë“. Hyseni e kupton këtë kërcënim seriozisht dhe shpërngulet me tërë familjen në Hajvali afër Prishtinës. Edhe në fshatin Lisockë, gjithashtu afër kufirit jeton e vetmja familje e Jakup Huruglicës, të cilit i kërcënohen fqinjët e tij serbë me këto fjalë: „Të gjithë shqiparët janë shpërngulur, ç’kërkon ti edhe më këtu?“ duke e thënë se kinse nuk ke sguri, mirëpo Jakupi u kishte thënë se këtu kam lindur dhe do të vdes këtu, se s’kam ku të shkoj.

Policia serbe hyn në Kosovë kur të dojë, madje nganjëherë edhe në përcjellje të KFOR-it, sepse ata hyjnë me rroba civile, janë të pajisur me dokumente, të cilat dëshmojnë se janë nga Kosova. KFOR-i nuk e njeh mentalitetin e politikanëve e të diplomatëve ballkanas që në mbrëmje thonë diç, ndërsa në mengjes diç tjetër. Nuk janë të gjithë si presidenti Ibrahim Rugava, që nuk i ndryshon fjalët. KFOR-i s’mund t’i njohë agjentët e spiunazhit serb, që vijnë në Kosovë, prandaj ata duhet t’i identifikojnë dhe zbulojnë vetë shqiptarët. Ata hyjnë edhe në këmbë, sepse kufiri nuk kontrollohet nga ana e Kosovës vetëm nga ajo e Serbisë. Policia serbe i ka në shënjestër, sidomos ish ushtarët e UÇK-së e të UÇPMB-së dhe posedon fotografitë e tyre, të dhëna për vendlinindjen dhe vendbanimin e tyre. Prandaj edhe Musli Lecin e kanë njohur mirë dhe e kanë përcjellë me kamera nga pushkët snajper. Pra, kufijtë e Kosovës me Serbinë nuk janë të mbikëqyrur si duhet nga ushtarët e KFOR-it, dhe këtë duhet ta shtrojnë për diskutim deputetët e Parlamentit të Kosovës, domosdo.

Musliun e vrarë afër kufirit, e tërheq policia serbe dhe e dërgon në Nish, për t’ia bërë autopsinë dhe pas dy ditësh e lajmërojnë KFOR-in dhe SHPK-në në pikën kufitare të Merdarës për ta marrë trupin e pa jetë të të ndjerit. Kriminelët serbë e kishin mbyllur në arkivol metali, por me të marrë vëllazërit e Musliut bashkë me kusherinin e tyre-tonë Xhemajl Asllan Leci, e hapin me sharrë hekuri dhe konstatojnë se tre plumba e kishin goditur; një në zemër, një në gjoks e një në të hollë, nga e djatha në të majtë. Është konstatuar poashtu, se plumbat kanë qenë nga pushkë snajperi. Siç duket, tre çetnikë të veshur në uniformë policie, kanë zbrazur pamëshirshëm secili nga një plumb në trupin e tij, për të treguar se sa mirë dinë të godasin mbi shqiptarët. Po të vritet një qen serb, këte e alarmojnë shumë shpejt mediat dhe institucionet europiane dhe OKB-eja, ndërsa kur vritet shqiptari, siç ishte rasti me Musliun, del se janë të pavlerë, qoftë edhe për një shënim gazetaresk. Vetëm pas pak ditësh u vra një i ri serb në Graçanicë dhe istitucionet tona e dënuan shpejt rastin, shprehen edhe keqardhje. Është njerëzore që kur vritet ndonjë njeri të vie keq, sidomos kur vriten njerëz të pafajshëm, e aq më keq të rinjë, pavarësisht nga nacionaliteti a besimi fetar. Ende pa u ditur se kush e vrau të riun serb, flitej menjëherë për një të dyshuar, të cilin edhe e kanë paraburgosur, ndërsa për rastin e Musliut edhe pse dihet fare mirë që e ka vra policia shtetërore kriminale serbe dhe atë duke marrë dru me traktor në mal të vet nuk përgjigjet askush. Këtë ngjarje tragjike e dinë SHPK-ja dhe KFOR-i amerikan në Gjilan. Havier Sollana me të arritur në Prishtinë tha „Vrasja e të riut serb, dëshmon se Kosova nuk është shoqëri e shëndoshë dhe se një shoqëri e tillë nuk i takon Europës“, ndërsa, paria shqiptare në Prishtinë heshti. A thua a e dinte ajo se vetëm para disa ditësh ishte vrarë i riu shqiptar nga policët serbë, që t’i thoshin z. Sollana ngadal  burrë, se edhe policia serbe më 23. 05.2004 vrau Musli Lecin, ndaj së pari dënoje policinë dhe shoqërinë serbe dhe pastaj edhe atë shqiptare. Nëse vazhdon të ndodhë edhe mëtutje kështu në Kosovë, atëherë nuk mund të flitet për barazi dhe liri të mirëfilltë kombëtare dhe njerëzore për shqiptarët.

Në fund apeloj tek institucionet dhe mediat tona që të jenë më vigjilente dhe t’i përcjellin më me kujdes ngjarjet dhe opinionin ta informojnë me kohë, së pari mbi ngjarjet “në shtëpi”, pastaj për ato më larg.

Koment

”Xhafer, pasha bacin sllavët e njohin vetëm një autoritet. Ai është autoriteti i frikës. Sikur të ishin gjallë Zuka, Osmani e Sahiti kurrën e kurrës nuk kishin guxuar ta vrasin Musliun më 2004, sepse e kanë vrarë po ata që e kishin vrarë të vëllain e Zukës, Mehmetin më 1916, por që e kishin paguar pesë-fish”.

Mr. Bislim Pireva

Xhafer Leci, 23.06.2004