Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avzi Mustafa: 150 vjetori i vdekjes së Gjergj Qiriazit

| E hene, 21.12.2015, 09:29 PM |


KONTRIBUTI I GJERGJ QIRIAZIT NË KONGRESIN E ABC NË MANANASTIR

150- vjetori i vdekjes së Gjergj Qiriazit

Nga Avzi Mustafa

Në historinë tonë kombëtare kemi plot e përplot shembuj të sakrificës familjare për të mirën e popullit e atdheut tonë. Një ndër këto familje gjithsesi është edhe familja e Qiriazëve. Kontributi i kësaj familje në emancipimin, përparimin e popullit shqiptar është shumë i madh. Puna e tyre, gjegjësisht madhështia e kontributit të tyre, sot mund të matet me veprimtarinë e një institucioni të mirëfilltë. Prandaj, lirisht mund themi se kjo familje zhvilloi institutin e Qiriazëve.

Gjergj Qiriazi, pas vdekjes së vëllait Gjerasimit, bëhet ndihmësi kryesor i mbajtjes së Shkollës së Vashave në Korçë, shkollë, të cilën e kishte hapur motra e madhe Savasti Qiriazi.

Si të gjithë vëllezërit dhe motrat, ashtu edhe Gjergji luajti  rol të rëndësishëm në jetën arsimore, kulturore e politike të asaj kohe. Gjergji u dëshmua si gazetar duke bashkëpunuar në organet e kohës, duke trajtuar probleme të kohës me karakter shoqëror, tema të cilat më vonë do ti botojë si libër në dy vëllime me emrin “Hristomadhi” me gjithsej 640 faqe, ku do të përfshihen pikëpamjet përparimtare të kohës. Botoi gjithashtu edhe tekste shkollore, sidomos tekstin e “Fizikës” (“Fisika” ) më 1899 në Bukuresht; ndihmoi ngritjen e klubeve, ku edhe ai vetë ishte  sekretar dhe nënkryetar i klubit shqiptar “ Bashkimi” në Manastir (1908); ishte  anëtar i komitetit të  fshehtë “ Për lirinë e Shqipërisë” (1909), ishte pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit e të Elbasanit etj .Po ashtu Gjergji posedon një arkiv me  përkthime me këngë kishtare,  dy kopje të vendimeve të Kongresit , një Botanikë të pambaruar etj.

Cili ishte kontributi i Gjergjit në Kongresin e Manastirit?

Gjergj Qiriazi shumë herët e përfaqësoi alfabetin e Stambollit edhe pse kishte shumë dilema se me cilin alfabet do të botoheshin përkthimet e Kristoforidhit. Ai e kishte marrë mbi vete që të botojë  Ungjillin e Mateut dhe Psallmet dhe këtu nuk nguroi  dhe pa hezitim përdori alfabetin e Stambollit. Ky moment ndikoi që në shtator të vitit  1895 edhe Tomsoni në Komitetin e Londrës të shprehet: “Nuk duhet të shtypim më gjë me alfabetin e greqishtes dhe gjithçka e këtej e tutje duhet ta shtypim me alfabetin shqiptar”[1].

Më 14  korrik 1901 nënkonsulli  A. Kral nga Manastiri pasi i bën një vlerësim  alfabetit të shoqërisë së Stambollit, me çrast ai me të drejtë  e quan një zhvillim të lartë, një krenari kombëtare që nuk mund të preket, parashtron për here të parë idenë  se “alfabeti i ardhëm i përbashkët do të vendosej në një kuvend atdhetarësh të shquar me delegate të dërguar prej tyre vetë”.[2]. Prandaj me plot të drejtë Xhevat Lloshi duke u mbështetur në pohimin e A. Kralit thotë se korriku i 1901-shit  do të quhej “zanafilla e projektit për Kongresin e vitit 1908.

Gjergji ishte i preokupuar për zgjidhjen e një alfabeti të njësuar të gjuhës shqipe. Ai ndiqte me vëmendje gjithçka  në lidhje me këtë problematikë dhe interesimi i tij ishte shumë i madh. Gjegj Qiriazi pa dyshim ishte njëri ndër më të informuarit në tërë Shqipërinë dhe tek atdhetarët në mërgim. Këtë e shohin edhe nga një shkresë, të cilën ua dërgon patriotëve në Egjipt, ku i njofton për formimin e një shoqërie dhe ngritjen e një shtypshkronje. Ai mërgimtarët do t’i informojë se “do të kemi një shtypshkronjë të madhe, edhe do të shtypimë një fletore të maruarë me emrin, “ Bashkim”. Kjo fletore dotë muburojnë të drejtat t’ona kundrejt armiqvet tanë….dhe tu tregojmë  botës  edhe neve  jemi zotërit diç të bëjmë…”[3].

Gjergj Qiriazin e gjejmë shpesh të kontaktuar edhe nga intelektualët dhe patriotët e kohës për të pasur përkrahje apo për ndonjë kompromis rreth alfabetit të gjuhës shqipe. Këtë e shohin edhe kur Ndre Mjeda kishte marrë iniciativën t’i drejtohet, Mitat Frashërit dhe Gjergj Qiriazit për një kompromis për zgjedhjen e alfabetit të njësuar, por nuk ka gjetur përkrahjen e Gjergjit. Kjo ishte koha kur organet e ndryshme të shtypit në fillim të shekullit XX hapën rubrika të posaçme rreth problemit të njësimit të grafisë shqipe .[4]

Gjergj Qiriazi ishte njëri ndër delegatët  që përfaqësonte klubin “Bashkimi” të Manastirit si nënkryetar i tij dhe si përfaqësues i “Shoqërisë Biblike Britanike “ në Manastir, madje me të drejtë vote.

Kur  Kongresi i Manastirit filloi punën e shenjtë, Gjergj Qiriazi zgjidhet nënkryetar  i këtij Kongresi.

Meqenëse ditën e parë të Mbledhjes historike mungonte i zgjedhuri për Kryetar të Kongresit, Mithat Frashëri , Gjergj Qiriazi do ta zëvendësojë deri në ardhjen e Mithat Frashërit.

Gjergji ishte ai i pari që me listë në dorë  regjistronte delegatët duke i thirrur me emër e mbiemër. Sipas gazetës së Selanikut “Lirija” kuptojmë së Gjergji  i ka përshëndetur të gjithë delegatët  duke u shprehur: “…Ky Kongres do të na nxjerrë faqebardhë dhe me një vëllazni e bashkim të pandarë “.[5] Ai edhe shpesh here në mungesë të kryetarit  e udhëhiqte punën e Kongresit.

Pas zgjedhjes së Komisionit për abecenë e shqipes, ky komision të gjitha mbledhjet i mbante në shtëpinë e Gjergjit. Të tërë anëtarët e familjes së Gjergjit ishin angazhuar. Pos nënës së tij Marija dhe motrës Parashqevi, barrën mbi supe e mbante  edhe e shoqja e Gjergjit, për të pritur dhe përcjellë të tetë anëtarët e  komisionit, të cilët  punonin me ditë të tëra, të veçuar për të shikuar çështjen e alfabetit. E shoqja, bashkë me Parasqevinë, ndonjëherë edhe mbanin shënime për komisionin.[6]. Këtë punë më së shumti e bënin kur Gjergji ishte jashtë shtëpisë.

Në bazë të asaj që disponojmë në arkivin tonë dhe në bazë të të dhënave të një dokumenti në gjuhën angleze me titull ”Raporti i Kongresit mbajtur në Manastir me 14 nëntor 1908 (dokument prej 20 faqesh, i vetmi burim që posedojmë mbi rrjedhën e Kongresit të Manastirit, sepse Procesverbali nga Kongresi mungon) dëshmohet se punimet e Kongresit zgjatën 9 ditë. Mbledhjet plenare ishin të hapura dhe përveç shqiptarëve merrnin pjesë  edhe delegate të kombësive të tjera, kurse numri i tyre sillej  rreth 400.

Siç dihet, prej  ditës  së tretë pasdreke, u zgjodh  komisioni prej 11 vetëve,  me vota fuqiplota e të fshehta, me çrast Gjergji zgjidhet anëtar për zbatimin e alfabetit. Meqenëse  bisedimet po zhvilloheshin rreth alfabetit të Stambollit dhe atij të “Bashkimit” dhe “Agimit”, anëtarët që do të zgjidheshin ishin njerëz të dijes e të pendës. Punën kryesia e komisionit e mbante me dyer të mbyllura dhe i vetmi njeri nga i cili mund të merrej ndonjë informatë krahas kryetarit ishte Gjergj Qiriazi.

Shumë pyetje  dhe dilema që u shtruan në lidhje me Kongresin na i sqaron Gjergj Qiriazi duke dhënë disa informata mbi mbarëvajtjen e seancave  të Kongresit. Kështu p.sh. nga ai mësojmë se rreth shkronjave dhe dhe th u shpenzuan dy senaca.[7]

Krahas shpjegimit që jep për miratimin e alfabetit të gjuhës shqipe Gjergj Qiriazi është edhe njëri nga ata që pranon letrat dhe telegrame që vinin dhe përshëndetnin ose përkrahnin shkronjat shqipe nga kolonitë e vendet anë e mbanë Shqipërisë. Këto letra e telegrame ai edhe i lexonte para Komisionit. Gjergji po ashtu para të gjithë të interesuarve e elaboronte dhe shpjegonte arsyen e përdorimit të dy alfabeteve. Gjergji në përgjigjen e tij argumenton  kështu: “mbasi mendohet se një ditë  njeri alfabet do të mbetet“ Ky mendim pati rëndësi të madhe për bashkimin politik dhe përparimin e mëtejshëm kulturor të kombit shqiptar”[8].

Gjergj Qiriazi është një personalitet i ngritur, patriot e intelektual i rryer që nuk ngurroi asnjëherë  të sakrifikojë veten dhe familjarët e tij për të vënë një shenjë në Panteonin e kulturës dhe dijes shqiptare.

Referencat

[1] Xhevat Lloshi,  Rreth alfabetit të shqipes, Logos-A, Shkup. Prishtinë, Tiranë, f.  24.

2 Xhevat Lloshi, po aty,f.24).

3  Letra është botuar    Alfabetin  e gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë , 1972,f. 304.\[1]

4 Tomor Osamni,  Udha e shkronjave shqipe, Shkodër 1999, f. 460.

5 Gazeta “Lirija”, Selanik, nr. 15, 1909

6 Parasqevi Qiriazi, Kongresi i parë i Manastirit, Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë, 1972, f. 65

7 Tomor Osmani vep. e cituar, f. 478.

8 Kristaq, Prifti, , Kongresiu i Manastirit, ngjarje e shënuar në kulturën kombëtare, Gjuha jonë, nr.3 ,1988, f. 10.)