E premte, 29.03.2024, 09:41 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Nënë Tereza, shenjtorja jonë

E premte, 18.12.2015, 08:00 PM


Nënë Tereza, shenjtorja jonë

Nga Elvi Sidheri

Lajmi se pikërisht në ditën e datëlindjes së tij të 79-ë, pra më 17 dhjetor, Papa Françesku, i ka dhënë dritën e gjelbër shenjtërimit të Nënë Terezës; nuk më zuri të papërgatitur, të them të vërtetën.

Pikësëpari, Nënë Tereza, për mua, ashtu si edhe për çdo shqiptar tjetër të kthjellët nga arsyetimi, dhe me gjakun të pashpëlarë (apo edhe trutë)... SHENJTORE ka qenë gjithherë.

Gjesti, vendimi papnor që i jep drejtim formalizimit të këtij cilësimi edhe sipas rregullave kishtare katolike, është diçka që paraqet një rëndësi tejet të veçantë, por, gjithësesi, për ne shqiptarët, Gonxhja jonë, burbuqja e lules më të hirshme të nektarit të shqiptarësisë moderne, të shkuar dhe të kahershme, e këtillë pati frymuar shenjtërisht në palcën e shtyllës kurrizore të qenësisë më burimore shqiptare.

Prandaj, Nënë Terezën e patëm ndjerë, përfytyruar, dashur, adhuruar, qemë rrekur ta imitonim atë dhe mirësinë e saj globale në ditët më të blatuara me hir të perëndishëm të ekzistencës sonë sa profane, aq edhe mëkatare.

Nënë Tereza e rrugëve të skamura të Kalkutës, Gonxhja e lindur në Shkupin shqiptar nën zgjedhën osmane, të sunduar nga një perandori orientale e krimbur atëherë gjer në kockë.

Bijën e Kolës dhe Dranes, këtyre dy shqiptarëve të mirë, të përulur, të thjeshtë, që ndoshta kurrë s’e patën imagjinuar, as në ëndrrën e tyre më të hyjshme, se një ditë bija e tyre e hajthme, do të shndërrohej në simbolin e gjithkohshëm të sakrificës, të përkushtimit pakthim ndaj të pamundurve, të vobektëve, atyre që çdo shoqëri e komb njerëzor, kurdoherë dhe në çdo rrethanë, do t’i kish degdisur në skaj të vëmendjes, apo thënë më mirë, të braktisjes njerëzore dhe shoqërore.

Kjo është, ishte, do të jetë Nënë Tereza jonë, pavarësisht mrekullisë së saj të parë të verifikuar e faktuar nga organet përkatëse përgjegjëse për këtë qëllim, në Vatikan (shërimin “shkencërisht të pashpjegueshëm” të një shtetasi brazilian në vitin 2008, kur ky i fundit gjendej në grahmat e fundit, në tavolinën e operacionit për shkak të një patologjie vdekjeprurëse në tru, teksa e shoqja pati qenë duke u lutur ethshëm për ndërhyrjen e hyjshme të Nënë Terezës në shpëtim të tij).

E Lumja Nënë Terezë, ka përbërë thelbësisht vetë “lumturinë” e popullit të saj, në të gjallë e tashmë në amshim, pandalur, përherë, po njëlloj, si një bekim qiellor që nuk resht së pagëzuari, ringjalluri dhe ringrituri porsi Feniksi mitologjik, nga hiri i tyre shqiptarët e sotëm pa dallim feje, me hijeshinë ngazëlluese të buzëqeshjes së saj hyjnore dhe me dhembshurinë e trishtë të syve të saj të përvuajtur.

Dhe nuk është aspak rastësi, që dita e parashikuar e shpalljes përfundimtar të shenjtërimit të saj, është parashikuar të jetë pikërisht 4 shtatori i vitit të ardhshëm, 2016-ës.

Një ditë më pas, ajo që tanimë cilësohet botërisht si “Apostullja e të fundmëve” (të fundmëve në shkallën e kastave shoqërore, pra më të skamurve, të vobektëve, të harruarve, të braktisurve, leckamanëve...), do të ketë 18 vjetorin e amëshimit të saj në 5 shtatorin 1997.

Ngjarje kjo që pritet të kurorëzojë vetë Jubileun e jashtëzakonshëm të Mëshirës Hyjnore të shpallur nga Papa Françesku.

Vetëm një vit e disa muaj më parë, gjatë vizitës së tij të paharrueshme, sa edhe madhështore në Tiranë, Papa Françesku e pati përmendur pareshtur Nënë Terezën dhe veprën e saj, duke treguar edhe për një takim me murgeshën shqiptare në Sinodin e vitit 1994.

Sipas rrëfimit të vetë Papa Françeskut: “Nënë Tereza nuk ishte aspak një grua të cilës mund t’i bënte diçka përshtypje lehtë, dhe e cila përherë dinte të thoshte qartazi atë që mendonte”.

Dhe ndër të tjera, duke kujtuar rrethanat e takimit të tij të dikurshëm me “Apostullen e të fundmëve”, Papa Bergoglio pati thënë se: “Ajo ishte ulur pikërisht prapa shpinës time gjatë punimeve të atij Sinodi. Unë pata admiruar forcën e saj të vullnetit, ndërhyrjet e saj plot bindje në vetvete dhe vendosmëri, pa e lënë asfare veten që të impresionohej nga Asambleja e Arqipeshkëve. Ajo gjithmonë e thoshte atë që mendonte”.

Dhe Papa Françesku pati bërë edhe një batutë kuptimplotë: “Do të isha druajtur fort nëse ajo do të kish qenë eprorja ime!”

Ja pra, thelbi i madhështisë kaq të përunjur, të thjeshtë, zemërmadhe, mëshirëplotë, të dhembshur dhe tanimë Të Shenjtë...  të Gonxhes tonë Terezë, Nënës shqiptare të mëshirës së hyjshme për botën e tërë!

Kësaj gruaje që përshkoi thuajse e zbathur ? e kredhur krejt dëlirshëm në vetëmishërimin e vuajtjeve më burimore të atyre “të fundmëve”, varfanjakëve më të mënjanuar përçmueshëm nga raca e ashtuquajtur “moderne” dhe “e qytetëruar” njerëzore , që ajo ngushëllonte në prag të frymës së tyre të fundit, ushqente si një Nënë e përkushtuar, apo përqafonte nëpër skutat më të ndotura të periferive më të skëterrëta të anës së errët të rruzullit tokësor – mijëra kilometra, duke dëshmuar personalisht, thelbin më therës të përditshmërisë së shekullit të XX-ë.

Nënë Tereza, kujdesej pikërisht për atë “Dark side of the Moon” (të Tokës faktikisht), që rëndom priremi të gjithë që të bëjmë sikur nuk ekziston, që ta harrojmë, që ta shmangim si të mundemi.

Në atë “Dark side” jetojnë, gëlojnë, pluskojnë miliona, në mos miliarda njerëz, qenie prej mishi, kockash dhe intelekti të evoluar sa ne, që nuk meritojnë të vdesin trotuareve, si krijesa të tepërta në këtë realitetin tonë ultrakompetitiv (gjer në eliminim Darvinian të qenieve më të pazonja për mbijetesë).

Nënë Tereza jonë, që krahas vetvetes, po shenjtëron emrin e një populli si i yni, duke na bërë të mendojmë se Ditë të Bardha Do Të Vijnë Për Ne!



(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora