Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Sytë e mallit

| E enjte, 17.12.2015, 09:23 PM |


SYTË E MALLIT

 

POEZI NGA PËLLUMB  GORICA

 

NATËN QË TË HUMBA TY

 

Si çafkë klithte nata në të sosur

e mbi lumë një mjegull ra ngadalë,

i shtrirë mbi shpirtin e plagosur,

ti më braktise për një fjalë.

 

Ç' kërkova, iku largësish,

diku në një cep të heshtjes harruar;

kurrë në shpirtin tim më s’do të vish,

mugëtira gjithësinë ta ka mbuluar.

 

 

NËN  PESHËN E QIELLIT

Poeteshës Iliriana Sulkuqi

 

Me një gëzim vigan në shpirt,

vrapon ndër mjegulla hëne,

me buzëqeshjen si distik,

deshifron dëshira zemre.

 

Ne mbetëm këtu, shumë larg,

nën peshën e qiellit pa skaj,

le të derdhim nga një varg,

lotët e mallit fshiji pastaj.

 

Na ndajnë mijëra kilometra,

oqeani pa fund, pa anë,

po ti prapë mbetesh e njënjta,

gjysmë grua, gjysmëzanë, Ilirianë!

 

 

SYTË E MALLIT

 

Oh! Malli në largësi sytë i ka,

si Dielli vështron yjet,

përmbi male shtrin krahët zemra

e bashkon heshtur të gjithë qiejt.

 

Mallin e tretur në tingujt e zemrës,

s’e matin as mijëra kilometra,

sa herë trokas në dritaren e kujtesës,

shkel me fjalë rrugicave të vjetra...

 

 

VETMIA SHKRETËTIRË

 

Vetmia është mallkim i dhimbjes

që valvitet pikëllueshëm mbi sytë,

ajo plakjen e shpërndan nëpër tretje

dhe mendimin e le varur në ajër përditë.

 

Vetmia të mbyt si nata e zezë,

në rrugën e gjatë e të heshtur,

çdokënd e mjegullon në të shenjtën kujtesë,

mjerë ai që harrohet në vetminë e pambrojtur!

 

Vetmia është klithmë në shkretëtirë,

pa puthje, pa frymë dhe imazh,

cinizmi i kohës ka ngrirë çdo fytyrë

dhe era nuk sjell më mesazh.

 

 

HESHTJA E MËRGUAR

 

Ma lodhi shpirtin e plagosur pesimizmi,

një brengë e gjatë dhe e pasosur,

koha e pabesë plot kurthe më ngriti

por fjalën kurrë se s’ma ka ngurrosur.

 

Në qiej ndenjash dhe dyshimi,

me ndrojtjen shpesh i dyluftuar,

se, nëpër dridhje ngazëllimi,

për ty me fjalë kam menduar.