E enjte, 28.03.2024, 04:46 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Dhjetor historik

E enjte, 10.12.2015, 09:21 PM


Dhjetor historik

Nga Elvi Sidheri

Tashmë, si kemi arritur në datën 10 dhjetor, ndërkohë që festat e fundvitit afrohen gjithnjë e më tepër, 8 dhjetorin e “lirisë dhe demokracisë” porsa e lamë pas, dhe të tjera data madhore të gjendura brenda ditëve të këtij muaji pritet të kremtohen së shpejti; një reflektim lidhur me botëkuptimin e këtij muaji, del në plan të parë gjithësesi.

Çfarë është “dhjetori” pra?

Të mos jetë vallë ky, vetëm muaji i fundmë i vitit të rradhës që mbledh “valixhet” e figurshme, dhe bëhet gati t’ia lerë vendin një viti të ri, ku jeta figurativisht apo jo, rreket të rinisë sërish, me mundësi, përqasje dhe pritshmëri të reja nga e para?

Apo dhjetori përbën thjesht kulmimin e (mos)keqkuptimit historik, që një muaj të ndërlidhur pazgjidhshmërisht me numrin “dhjetë”, ia mvesh përjetësisht muajit të dymbëdhjetë në kalendarin tonë dhe atë botëror (december, dicembre... të tërë me dhjetën kanë të bëjnë edhe për popujt dhe gjuhët e tjera)?

Dhjetori është muaji i gëzimit fëminor, muaji kur malet zbardhen dëborshëm, ku ajri ftohet acarshëm, ku gjethet kanë rënë e janë gremisur nga pemët tashmë më tepër të murrme sesa të gjelbëra, njëherë e mirë.

Një muaj ku një “babagjysh” festiv (i Krishtlindjeve siç është mirëfilli, apo i Vitit të Ri, siç mëtojmë të vijojmë ta njohim neve shqiptarët, pak në mënyrë enveriste, si pasojë të drejtpërdrejtë të regjimit të mbrapshtë të kaluar monist, që edhe festat s’na linte t’i festonim të qetë, si gjithë bota; por që na i përmblidhte të tëra “rras-plas” në të njëjtin vend, Bajram, Pashkë, Sulltan Nevruz e Krishtlindje... për Vit të Ri, si mundësinë e vetme të partishme, për të mundur së paku një herë në 365 ditë, për të kremtuar diçka të pandërlidhur me partizanër me yll të kuq në ballë, Enverin me 200 petritë apo ndërmarrjet, arat, fabrikat apo kantieret diktatoriale)... vjen për të na uruar mbrothësi, sjell dhurata, dhe na shpie drejt një të ardhmeje (ndoshta) më të mirë, që do të rinisi prapë, si ngaherë, në orën 00.01 të datës përkatëse 1 Janar të vitit të ri të rradhës!

Është i bukur ky dhjetori pra!

Muaj festash, kremtesh; fetare apo laike qofshin.

Muaj datash të spikatura, ditëlindjesh njerëzish të shquar, personalitetesh që e kanë shenjuar botën dhe jetën e gjithkujt, me praninë e tyre hijerëndë (Frank Sinatra për shembull, “The Voice” me datë 12 dhjetor do të kish mbushur plot 100 vjeç; por edhe Josif Visarionoviç Stalin gjithaq; në kujtim të të cilit, në Tiranë, mban emrin ende sot e kësaj dite, një zonë e nderuar kryeqytetase, një lagje dhe kryqëzimi simbol i saj, pra i ashtuquajturi “21 Dhjetori”, megjithëse zyrtarisht kryqëzimi në fjalë nuk quhet asfare kështu).

Muaji kur festohen Krishtlindjet, lindja e Jezu Krishtit të Nazaretit pra, periudhë e vitit dikur e kremtuar edhe ndër popujt paganë (padyshim edhe nga ilirët, stërgjyshërit tanë) si festa e “Sol Invictus”, pra e “Diellit të pamposhtur” në solsticin dimëror.

25 dhjetor kur Karli i Madh do të kurorëzohej si Perandor I Perandorisë së Shenjtë Romake në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë nga Papa Leoni III, duke i dhënë fund kështu Kohëve të Errta, dhe rifilluar historinë e qytetëruar të Mesjetës së Hershme Europiane, mbi themelet e qytetërimit të saj romak dhe të krishterë.

Dhjetori pra, është një muaj i gjithanshëm, sa edhe i shumanshëm!

Është një muaj kremtues, një muaj dhurues, një muaj shprese, dëshirash të mira, urimesh, ëndjesh, malli dhe melankonie për stinën e ngrohtë të mbetur pas shpinës, por që një ditë jo të largët pranverore, sërish do të kthehet bashkë me rrezet e para të diellit të ngrohtë dhe mimozat e shkurtit dhe marsit.

Jo rastësisht pra, në dhjetor, shqiptarët dhe Shqipëria, festojnë ringjalljen e tyre të madhe të vitit 1990.

Momentin vendimtar historik, ku ata, përmes vullnetit të paepur të studentëve dhe rinisë, si dhe forcës së kthjellët të intelektualëve të tyre, ditën t’i japin dërrmën sistemit më prapanik, gjakatar dhe antikombëtar, të ish kampit lindor të gjendur në anën e gabuar të Perdes së Hekurt.

8 dhjetori me protestat e para studentore në Tiranë, 11 dhjetori me krijimin e partisë së parë opozitare demokratike shqiptare pas gati 50 vitesh mono-partitizëm monist dhe gjithçka ndodhi më pas (përfshirë këtu edhe kremtimin e lirë për herë të parë pas 1967-ës famëkeq, të Krishtlindjeve); përbëjnë gurin e themelit ku mbështetet vetë gjeneza e demokracisë së shtetit modern shqiptar.

Pa dhjetorin 90, sot Shqipëria do të ishte shumë e ndryshme, shumë më tepër e përçudnuar, shumë më prapa botës (dhe diellit), shumë më e izoluar, e vrarë, e lënguar dhe e plagosur.

Treni i lirisë që pati nisur të përshkonte Lindjen komuniste të kontinentit Europian, i nisur nga stacioni polak i sindikatës së lirë punëtore “Solidarno??” në fillim të viteve 80 të shekullit të shkuar; i pati kaluar shpeshherë pranë Shqipërisë, teksa në vendin tonë (vetë)vritej një kryeministër “me urdhër nga lart dhe iniciativë nga poshtë”, të partishmit monistë i hanin kokat njëri-tjetrit në luftën e madhe kërrma-vrasëse për pusht-et, skamja përhapej anembanë vendit, Nënë Tereza mezi lejohej të shkelte për të parën herë në dheun e të parëve dhe të gjakut të saj, kampet vijonin të mbusheshin me të internuar politikë, dhe kufijve të atdheut, rinia vritej pa gjyq, për të ashtuquajturën “tradhëti të lartë” të të arratisurit.

Ja pra se çfarë ishte Shqipëria e shtypur nën thundrën moniste, gjer në atë që me plot gojë mund ta quajmë “Mensis Mirabilis” (muajin e mrekullueshëm) të shqiptarëve, pra në dhjetorin 1990.

Ky ishte dhjetori i lirisë së njerëzve tanimë të lirë, të çliruar nga vargonjtë e tiranisë moniste, të lirë për të nisur një tranzicion të gjatë demokratik të mbushur me të panjohura, shpesh edhe të frikshme, por megjithatë Të Lirë, si askurrë më parë përgjatë 46 viteve të diktaturës enveriste.

Dhjetori 90 pra, është thelbi i lirisë sonë moderne, po aq kuptimplotë sa edhe Nëntori 1912 i mëvetësimit nga kthetrat pesë shekullore osmano-turke.

Muaj dëbore, bardhësie të natyrës dhe një të ardhmeje të shpresuar, muaj me të cilin nis edhe emri ndonjë njeriu që kemi përzemër (me “D”), muaji që ne shqiptarëve na bën të festojmë vërtetë LIRINË!



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora