Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Driton Gashi: Njerëz të dashur dhe mikpritës

| E diele, 06.12.2015, 10:32 AM |


Muzeu etnologjik, Prishtinë

"Rrallë kemi takuar njerëz kaq të dashur dhe mikpritës"!

Reportazh mbi një ekskursion studimor në Kosovë dhe Tiranë nga një delegacion pedagogësh gjermanë nga qyteti Dortmund, Gjermani, (3.-10 tetor 2015)

Nga Driton Gashi

"Kur po i shoh me sytë e mi të gjitha vlerat historike që i paska ky vend, trashëgiminë kulturore, njerëzit e dashur, shumëllojshmërinë etnike e fetare, tolerancën e lartë ndërfetare, po më duket se po e kuptoj më mirë çështjen e Kosovës!"- pohon arsimtarja e anglishtes Beate Körner, njëra nga pjesëmarrëset e ekskursionit studimor, të cilin e organizoi pedagogu i shkollës së mesme për të rritur Max-von-der-Grün në Dortmund të Gjermanisë, Driton Gashi. Ai me dymbëdhjetë kolegët e tij gjermanë vizitoi në fillim të tetorit shumicën e qyteteve të Kosovës dhe Tiranën.

Të ftuar dhe të pritur zyrtarisht nga Ministria e Diasporës dhe Ministria e Arsimit të Kosovës, pedagogët gjermanë patën rastin të njohin nga afër njerëzit në Kosovë, shkollat, institucionet e Kosovës, muzetë historikë e etnologjikë, monumentet historike, redaksitë e gazetave, historinë e dhimbshme të luftës së fundit etj. Agjenda ishte e fokusuar në arsim dhe kulturë, por edhe elementet tjera nuk u anashkaluan.

Në Prishtinë delegacioni i bëri vizitë zyrtare Shkollës Fillore "Gjergj Fishta" dhe Gjimnazit Filologjik "Eqrem Çabej". Këtu mysafirët u ndeshën me nxënës dhe mësimdhënës shumë të motivuar dhe me dëshirën e zjarrtë për të ecur më tutje. Edhe në Gjimnazin Loyola në Prizren u pa qartë se arsimi në Kosovë është duke u zhvilluar në hapa shumë të shpejtë, veçanërisht në motivimin për të mësuar gjermanishten si gjuhë të huaj. Ishte me të vërtetë një përjetim i veçantë, kur nxënësitë shqiptarë flisnin rrjedhshëm gjermanishten, anglishten pothuajse e zotërojnë tash të gjithë.

Në Prishtinë delegacioni ishte i ftuar që në ditën e parë në shtëpinë e familjes së Mehmet Aliut (Hertica), e cila në periudhën prej vitit 1991 deri në fund të luftës në vitin 1999 i kishte lëshuar shtëpinë e re Gjimnazit "Sami Frashëri" në Prishtinë, pasi nxënësit shqiptarë ishin dëbuar nga objekti i tyre shkollor. Kjo shtëpi-shkollë u dogj nga ushtria dhe policia serbe, familja Aliu u bëri rezistencë me ditë të tëra pushtuesve serbë. Mysafirët e panë nga afër sakrificën e kësaj familjeje atdhedashëse dhe shumë bujare, shkollën e djegur, e cila tash është shëndërruar në muze. Në këtë mënyrë ata u informuan për kohën shumë të vështirë të viteve të nëntëdhjeta në Kosovë dhe për dëshirën e zjarrtë të popullatës për të mbajtur gjallë arsimin. Në shenjë falënderimi për kontributin e pashembullt të Gjermanisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, familja Aliu shtroi darkë tradicionale për të gjithë grupin. Kjo mikpritje e paparë padyshim do mbetet në kujtesë të pedagogëve gjermanë.

Qyteti i Prizrenit është dhe do mbetet kulminacioni i vendeve pitoreske në Kosovë. Këtë përshtypje e kishin edhe mysafirët, të cilët ngelën të mahnitur me bukuritë e rralla të Kalasë, të Hamamit të qytetit, të objekteve fetare e kulturore, Lidhjes së Prizrenit, por edhe me shumëllojshmërine fetare, etnike dhe gjuhësore në këtë qytet. Ciceroni i qytetit për shembull ishte me kombësi turke, i cili i fliste katër gjuhë rrjedhshëm. Grupi u takua edhe me një përfaqësues të komunitetit rom, i cili e njoftoi delegacionin me pozitën e palakmueshme dhe sfidat që ndeshet ky komunitet në Prizren. Në mbrëmje grupi u prit zyrtarisht edhe nga KFOR-i gjerman në Prizren, ku u diskutua mbi rolin e misionit të NATO-s ne Kosovë, të arriturat e 16 viteve të fundit dhe vizionin për të ardhmen.

Peja me Çarshinë e Gjatë, Grykën e Rugovës si dhe veçantitë e tjera në këtë qytet lanë mbresa të thella te mësuesit gjermanë. Poashtu Istogu, Klina, Rahoveci me vreshtat dhe verën e famshme kosovare, dëshmuan edhe njëherë se Kosova ka shumë për të dhënë, ka shumë resurse të cilat duhet të kultivohen dhe të zhvillohen më tej. Në Rahovec vlen të përmendet vizita që i bëmë Qendrës Rinore SHL Kosova, e cila prej vitesh bën punë të shkëlqyeshme me të rinjtë e Rahovecit, kontribuon në vazhdimin e shkollimit te fëmijët e varfër, ështe iniciatore e projekteve të ndryshme kulturore etj.

Vizita në Vushtrri dhe Mitrovicë ju solli mysafirëve më afër realitetin e hidhur të një qyteti të ndarë, por edhe bukuritë natyrore në Muzeun e Kristaleve në Stari Tërg, historinë e Minierës së famshme Trepça, si dhe bukuritë e zonës malore, fshatit Vllahi në Shalën e Bajgorës.

Emocione të veçanta ishin për të gjithë pjesëmarrësit gjatë vizitës në Tiranë, ku ata u pritën nga kolektivi i shkollës së mesme për të rritur "Kostandin Kristoforidhi". Kjo shkollë ekziston që nga mbarimi i luftës së dytë botërore dhe vazhdon të jetë vatër arsimore për të rinjtë dhe të rriturit, të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë patur mundësi të kryejnë shkollimin e tyre në shkollat e mëparshme. Pasi edhe shkolla gjermane është e këtij tipi, të dy palët kishin mjaft tema për të diskutuar, për t'i shkëmbyer përvojat e tyre në mësimdhënie, në plane mësimore dhe pse jo edhe në krijimin e një miqësie të re mes dy shkollave. Kolektivi i shkollës bashkë me përfaqësuesen e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe përfaqësuesit të Drejtorisë për Arsim të Tiranës u ofroi një pritje madhështore delegacionit nga Gjermania, duke ju shtruar drekë tradicionale kuksjane, përcjellur në Muzeun Historik si dhe një shetitje nëpër qytetin e bukur të Tiranës.

Falënderim i veçantë u takon të gjithë atyre që më kanë ndihmuar në realizimin e këtij projekti, posaqërisht zotit Osman Shahini, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Diasporës për sigurimin e minibusit gjatë tërë javës dhe mikpritjes në Ministri, zotit Nuhi Gashi, zyrtar në Ministrinë e Arsimit për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë për këshillat rreth përpilimit të agjendës, vënies në kontakt me shumë shkolla e institucione dhe për mikpritjen në Ministri.

Faleminderit shumë nënkryetarit të qytetit të Rahovecit, zotit Xhemali Haxhimustafa për mikpritjen në Komunën e Rahovecit, Besa Luci, kryeredaktore e Revistës Kosovo 2.0 për mikpritjen në redaksi dhe pasqyrën që na dha për mediumin e saj më avantgard dhe modern në Kosovë, Dr. Rushit Ismajli, mjek dhe poet, përcjellës i grupit në Vushtrri dhe Mitrovicë, arsimtares së gjuhës angleze Miloreta Zekaj, përcjellëse në Pejë dhe Istog, Shkumbin Arifit, drejtor i Qendrës Rinore SHL Kosova në Rahovec, bodrumit të verës së familjes "Daka" në Rahovec, familjes Aliu nga Prishtina, arsimtarit të gjuhës gjermane Neki Jahaj në Gjimnazin Loyola në Prizren, Hamdi Bilurdagut, shef i protokollit për nënkryetar në Komunën e Prizrenit, KFOR-it gjerman në Prizren, Majorit Christian Schneider, Osman Osmanit, përfaqësues i një shoqate joqeveritare të komunitetit rom në Prizren, drejtorit të shkolles "Gjergj Fishta" Skënder Llalloshi, drejtorit të shkollës "Eqrem Çabej" Ilaz Haziri, drejtoreshës së Shkollës "Kostandin Kristoforidhi" në Tiranë, Trëndafile Braho, zonjës Rozalba Merdani, zyrtare për mësimin plotësues në diasporë në Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, regjisorit dhe dramaturgut Jeton Neziraj dhe Lendita Idrizi nga Qendra Multimedia në Prishtinë dhe të gjithë të tjerëve që na kanë mirëpritur dhe ndihmuar gjatë qëndrimit tonë.

Në mbrëmjen e fundit të kësaj jave shumë intenzive miqtë tanë nga Gjermania patën rastin të njihen edhe me tingujt e muzikës së mirëfilltë shqiptare, asaj qytetare dhe popullore, të prezentuara nga këngëtarja e madhe gjakovare Nezafete Shala dhe familja e saj.

Drejtori i shkollës Falko Grunau, gjithashtu edhe i gjithë kolektivi nuk gjenin fjalë të shprehnin emocionet e tyre për impresionet që i morën nga Kosova dhe Shqipëria gjatë vetëm një jave. Ata njëzëri thanë se gjithsesi do vijnë prapë, pasi ditët ikën shumë shpejt dhe se në Kosovë e Shqipëri ka shumë vende që ia vlejnë të vizitohen dhe të zbulohen. Fakti se deri tani Kosova dhe Shqipëria paqyrohen në mediat e huaja më shumë si vende problematike, është për keqardhje, shprehen ata. Gati të gjitha reportazhet dhe emisionet për Kosovën fatkeqësisht fokusohen më shumë në dukuritë negative.

Përvoja që bëmë ne me këtë ekskursion studimor dëshmon të kundërtën: Ne shqiptarët kemi shumë virtyte, resurse, gjëra te mira, të cilat duhet të potencohen më shumë gjithandej nëpër botë. Nëse vështirësitë politike në vend na marrin aq shumë energji dhe sjellin lajme negative, atëherë ne si pjesëtarë të shoqërisë civile nëpërmes projekteve të tilla mund t'ja tregojmë botës një imazh tjetër të shqiptarëve, një fytyrë të pastër, të çiltër, mikpritëse, liridashëse, tolerante, të hapur, europiane, të kulturuar dhe të qytetëruar. Këtë ja kemi borgj atdheut tonë.