Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Dizdari: Për të mos mbetur te thënia: “Vedi Napoli e poi muori!”

| E marte, 05.08.2008, 12:18 AM |


Besnik Dizdari
Për të mos mbetur te thënia: “Vedi Napoli e poi muori!”

Nga Besnik Dizdari

E shoh që ka një eufori mbas shortit të Vllaznisë për turin e dytë kualifikues të Kupës UEFA. Shkaku është një emër i vetëm: Napoli i Italisë. Duke përimtuar sado pak këto katër ditë, vërej, se kjo eufori është disa kahesh. Për fat të keq euforia më e fuqishme duket se vjen prej grupit të madh të të rinjve, të cilët nuk gëzohen asesi për Vllazninë, por më fort për Napolin. Pra, që më në fund, një klub i Italisë po vjen mbas kaq kohësh në Shqipëri. E pra, ajo çka ka ndodhë këto vite të fundit në kulturën dhe shijen kombëtare të futbollit në Shqipëri, është ikja prej futbollit shqiptar dhe vrapimi tek futbolli kryesisht i huaj. Me një fjalë, rinia shqiptare nuk ka një tërheqje për futbollin dhe Kampionatin e Shqipërisë, por për futbollin e Kampionatin e Italisë e të shteteve të tjera të mëdha të Evropës. Për shembull, si mund të ndjejë përgjegjësinë e plotë të kualifikimit Partizani i Tiranës kur edhe mbas barazimit 0-0 jashtë fushës së tij, në ndeshjen e kthimit për Kupën UEFA nuk vijnë as 2000 shikues për ta nxitur?...

Arësyet dihen tashmâ, e janë përimtuar kushdedi sa herë edhe në faqet e kësaj gazete: loteria sportive dhe, mbi të gjitha, transmetimet e papërmbajtëshme televizive sidomos të ndeshjeve të Serie A të Italisë, njëqind herë më shumë se transmetimet e futbollit kombëtar (ngjet vetëm në Shqipëri) që po i marrin kohë të çmueshme rinisë, po e “italianizojnë” dhe “evropianizojnë” jo për mirë, po e largojnë nga sporti dhe futbolli kombëtar, po e shndërrojnë në loteriste, po e largojnë prej librit, po e burgosin në tymrat e bareve e klubeve të llotosportit.

Këta vite të fundit kjo është një prej “fatkeqësive” jo të vogla të edukimit kombëtar të rinisë shqiptare, me të cilën natyrisht nuk merret askush.

1.

E kështu pra, Napoli.

Mandej drejtimi tjetër euforik, disi më logjik, është ai që paska lidhje me paranë. Për çudi mbërrihet deri aty sa mendohet se krejt papritmas, për një ndeshje me Napolin e Italisë, Vllaznia do të pasurohet. Nuk ma merr mendja as këte, ndonëse kjo ndeshje patjetër që do t’i forcojë financat e klubit shkodran, çka besoj do ta nxisin tejet ate që mbas 8 vjetëve të synojë titullin e tij të 10-të kombëtar në Kampionat.

Kahu tjetër i euforisë, ky edhe më i pranueshëm, më qytetar ka të bëjë me Shkodrën, së cilës i jipet mundësia të përjetojë një skuadër perëndimore, madje italiane në fushën e “Loro Boriçit”, emri i stadiumit ky, i Boriçit pra, i cili për histori kujtojmë se mbas Lushtës e Kryeziut është futbollisti i tretë shqiptar i cili ka luajtur në Serie A me Lazio të Romës në fillim të viteve ’40.

Ka kështu, edhe në një kah tjetër euforie. Në ate që ka të bëjë me kulturën e vërtetë të futbollit, me historinë, me marrëdhëniet, me nxitjen zhvilluese që japin kësisoj takimesh. Ky është si të thuash, kahu sportiv, i asaj që nuk ka arësye të jetë eufori, por kënaqësi estetike, e kulturës sportive, përftim vlerash futbollistike, një lloj zhvillimi a pasurimi historik sado i vogël i futbollit për Shqipërinë, klubet e së cilës, e pakta tash 20 vjet nuk kanë mundur (qysh nga Flamurtari i Vlorës, datuar vitet ’80 të shekullit XX) të shkruajnë një histori në Kupat e Evropës.

30 vjet me pare: 1978: Vllaznia - Austria e Vjenes 2-0 per Kupen e Kampioneve te EvropesHistoria e freskët na tregon ndërkaq, se qysh në ditën e paharrueshme të “Qemal Stafës” të 14 shtatorit 1995 kur Teuta e Durrësit e drejtuar me aftësi të madhe nga Bashkim Koka, duke treguar futboll të cilësisë së lartë, u mund me dinjitet 0-2 prej Parmës me Zola, Cannavaro, Sensini, Di Chiara, Brolin, Stoichkov, e madje edhe me F.Inzaghi. Dhe tash plot 13 vjet asnjë skuadër perëndimore (Angli, Holandë, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali…) nuk e ka shkelur Shqipërinë për një ndeshje të Kupave të Evropës. Kjo jo për faj të shortit, por për shkak të “diskriminimit” që i ka bërë UEFA klubeve të shteteve të një futbolli të vogël, e cila, për e pakta dy ture të para, nuk jep asnjë mundësi ndeshjesh midis të vegjëlve dhe të mëdhenjve. Ky është komercializimi më modern i futbollit të klubeve të Evropës, e vetmja fushë ku ai që sot i thonë globalizim, nuk mbërrin asesi!

Kësisoji, e vetmja mundësi për të mbërritur të vegjëlit tek të mëdhenjtë, është kualifikimi i mundshëm i tyre nga njeri tur te tjetri, natyrisht në shkallën e parë të garës. Dhe këtu merita e Vllaznisë është shumë e thjeshtë: kualifikimi me FK Koper të Sllovenisë, një shtet i cili në tanësi e ka futbollin mbi atë shqiptar. Në kushtet e varfërimit të ndjeshëm teknik të Kampionatit Shqiptar, kualifikimi i Vllaznisë përbën një arritje jo të vogël. Dhe interesant, mendësia “skllavëruese” ndaj Serie A të Italisë, që falë përkthimeve nga Interneti bën që në shtypin shqiptar ajo të përimtohet më me kompetencë se Kampionati Shqiptar, kualifikimi i Vllaznisë me fitore jashtë përbën një sensacion të vogël për vetë futbollin shqiptar. E shihni që askush nuk merret përsëmbari me këte kualifikim, askush nuk është në gjendje të tregojë në imtësi se çka nënkupton ky kualifikim, pra se si luajti dhe përse fitoi Vllaznia, se çfarë skuadre është ajo dhe si do të jetë Vllaznia në ndeshjet me Napolin. Të gjithë si në një adoleshencë gazetarie merren kryesisht me Napolin. (Gjithnjë e më fort po bëhet i drejtpërdrejtësh themelimi i një gazete sportive kombëtare).

Shënojmë se u pa qartë që skuadra shkodrane me në krye presidentin e saj Valter Fushaj dhe trajnerin e saj të ri Agim Canaj, e kërkoi me pasion (gjakim) këte kualifikim. E tregoi jo thjesht fitorja befasuese e jashtë fushës (e Shqipëria ka vetëm 7 fitore jashtë fushe në gjysmë shekulli pjesëmarrjeje në Kupat e Evropës, dy prej të clave i përkasin Vllaznisë), por edhe barazimi në Shkodër, që kaloi përmes disa episodeve dramatike. Merita e shkodranëve ishte se përsëri ata zhvilluan një ndeshje taktike, me sa duket tash në një mënyrë tjetër, ate të ruajtjes së 2-1-shit, duke rezistuar bukur e mirë, ndonëse me dridhje në zemër, kur dihet se sa të vështira bëhen këto lloj ndeshjeje të kthimit kur kundërshtari i mundur në fushen e vet, në kthim nuk ka çka humb.

Përfundimi që del në këte rast është ky: nëse vërtet klubet shqiptare synojnë të prekin sado pak Evropë Perëndimore të futbollit, këte do të mund ta arrijnë vetëm duke synuar kalime sa më të shpeshta turesh në pjesëmarrjet e tyre në kupat kontinentale. Ndryshe nuk bëhet. Kësisoji, Napoli nuk vjen thjesht prej një kapricio shortit të Nyonit të UEFA-s, por prej kualifikimit të çmueshëm të Vllaznisë. Jemi të varfër vërtet: në 5 vjetët e fundit në dy Kupat kryesore të Evropës, atë të Ligës së Kampioneve dhe atë UEFA, Shqipëria ka vetëm 6 kualifikime në plot 20 duele! Komentet janë të tepërta. Sidomos kur vëren se nuk janë kualifikime me të fuqishëm të Evropës.

Nuk po na pëlqen që të përfshihemi në jehonën, ndonjëherë disi banale të shitjes apo mosshitjes, bie fjala të ndeshjes së fundit të Partizanit në Kupën UEFA, dhe shtypi shqiptar ka një përgjegjësi vërtet të madhe që i bën jehonë kësisoji pa qenë i zoti sot e kësaj dite të zbulojë diçka mirëfilli të vërtetë. Ndeshje ndodh që shiten, madje në Shqipëri e jashtë saj. Por varfëria e tematikës së shkrimeve të gazetarisë sportive dhe josportive në Shqipëri, kohët e fndit i jep udhë tjerrjes së gjatë të subjekteve po aq të pafryt. Ndërkaq, të bën disi të vësh buzën në gaz, kur papritmas mëson se Federata Shqiptare e Futbollit paska caktuar dy inspektorë të saj për të hetuar “rastin Partizani”. Eshtë një tymnajë, sepse deri më sot FSHF nuk ka arritur të zbulojë, të hetojë, as edhe një të vetëm prej rasteve të panumërt të lënieve të ndeshjeve në fundin e pakta të 15 Kampionateve të fundit Kombëtare. Dhe do t’i gjejë anën ndeshjes Partizani– Siroki Brijeg?...

Energjitë mbase ia vlen të shfrytëzohen për të gjetë mënyrën se si klubet shqiptare (dhe nuk janë pak, por katër të tillë çdo vit) herë mbas here të bëjnë një hap në Evropë. Si ky i Vllaznisë, që të mbërrijnë bie fjala deri te një Napoli.

Atëherë, duke iu kthyer argumentit tonë, cili është kuptimi i vërtetë sportiv i ndeshjes së sendërtuar të premten që shkoi në zyrat e Nyonit, asaj Vllaznia– Napoli?

Siç kam titulluar, kemi të bëjmë me një “dhuratë” të çmueshme, në të vërtetë një dhuratë pa thojza, sepse e solli merita e kualifikimit të Vllaznisë së Shkodrës: Napoli i Italisë– Kampione e Botës në fuqi! Çka vërtet të çon te një kuptim tjetër kulture e historie të pjesëmarrjes së klubeve shqiptare në Kupat e Evropës.

Kemi rast që mbas 13 vjetëve t’i përballojmë vlerat tona me një klub të Evropës Perëndimore në Shqipëri, një klub mbiprofesionist i rangut të parë. Do të jetë një ballafaqim në fund të të cilit, pavarësisht nga rezultati, do të vërejmë se deri në ç’shkallë janë sot ndryshimet midis një klubi shqiptar dhe një klubi perëndimor. E them qysh tash: nuk ka rëndësi rezultati në fund të fundit (e, për këte në 10 ditët e mbetura stërvitja e Vllaznisë me siguri do të synojë sidomos për një rritje të forcës fizike dhe atletizmit). Më fort ka rëndësi që Shkodrës futbollistike befas i jipet mundësia të kalojë ditë të bukura e tejet të vlefshme futbollistike të një gushti flakë. Edhe ditë të pakta, por të një dendësie, ndikojnë në ecurinë e futbollit të një skuadre si dhe sportit të një qyteti.

Vllaznia do të ketë kështu dy takime të çmueshme me një prej 8 skuadrave të Serie A të Italisë që luajnë në Kupat e Evropës të 2008-09, të Italisë – Kampione e Botës në fuqi. Do të ketë Napolin bashkëshok me klubet Inter, Roma, Juventus, Fiorentina, Milan, Sampdoria, Udinese që zunë shtatë vendet e para në stinën 2007-08, e Napoli qe i 8-ti. Nuk është një fat i vogël. Themeluar më 1904 si “Internazionale Napoli”, i rithemeluar më 1 gusht 1926 si “Napoli” i sotëm, Kampion i Italisë (1987, 1990) dhe fitues i Kupës Kombëtare (1975, 1987), fitues i kupës Italo-Angleze (1977), i Sueperkupës së Italisë (1991), por sidomos i Kupës UEFA (1989), po që ka njohur pesë herë rënien në Serie B, në tanësi Napoli është një histori e bukur italiane. Paksa edhe një përvojë shqiptare kur kujton se Naim Kryeziu luajti tre Kampionate të Serie A nën fanelën e Napolit dhe se Riza Lushta një. Dhe papritmas do të shndërrohet paksa edhe në një histori shkodrane.

E ardhur në UEFA mbas Intertotos falë dy fitoreve 1-0 me Panionos të Athinës, merret me mend se Napoli vjen i sigurtë në Shkodër tek “e panjohuara” e tij Vllaznia shkodrane, 9 herë Kampione dhe 6 herë fituese e Kupës së Shqipërisë, një klub modest në shkallën evropiane, por i cili jorrallë ka ditur të kundërshtojë të mëdhenj gjatë historisë së tij po modeste.

Në të vërtetë, Vllaznia një sukses e ka arritur pa dalë në fushë me Napolin. Ate të mundësisë kuptimplote të verifikimit të vlerave të saj përmes një provimi të kërkesës së lartë evropianoperëndimore. Ajo do të kuptojë se çka do të thotë futboll profesionist mirëfilli. Do të kërkojë të mos tutet prej një madhi. Do të luftojë të mposhtë emocione që kjo Vllazni nuk i ka përjetuar e pakta qysh më 1978 kur u ndesh me Austria të Vjenës. Kësaj rradhe ajo do të bëhet protagoniste e një ndeshjeje shkodranoshqiptare të papame në Shqipëri në gjithë këto 13 vjet prej një klubi të tokës arbnore. Dhe doemos, do të kërkojë të bëjë punën e vet. Më e rëndsishmja: qysh të premten e mbas ores 13.00 që shkoi, do të ketë nisur të mendojë, punojë, planizojë, përjetojë, synojë një diçka tjetër nga deri tash. Duke kërkuar t’i përftojë të gjitha këto për përforcimin e saj futbollistik, të një kulture, të një historie, të një zhvillimi.

2.

E tash, a më lejohet sado pak të merrem me “më të rëndësishmin” që ka futbolli: rezultatin? Dhe në kërkim të tij t’i shkoj prap anash historisë që është mësuesja e zhvillimit të shoqërisë njerëzore?

Shkodra, klubi më vjetër i Shqipërisë me emrin Vllaznia qysh më 1919, para se Napoli të bëhej Napoli (1926), ashtu modeste dhe tejet e vogël përballë klubeve të Evropës Perëndimore, ka në historinë e saj disa rezultate vërtet të rralla. 5-0 Malit të Zi (1946) me Kombëtaren e parë shqiptare e mbushur me 7 shkodranë në 11-shin e saj: Tahiri, Dibra, Gjeloshi, Fakja, Juka, Boriçi, Mirashi! Mandej 2-1 Hajdukut të Splitit (1946). Mandej 0-0 Dozhës së famshme të Budapestit (1955). Mandej 3-0 Kombëtares së Algjerisë (1976). E deri te 2-0 Austria të Vjenës apo 3-1 Dinamos së Tbilisit. Dihet që 2-0 i Austrias është dhe rezultati më i madh i saj në Kupën e Evropës. Madje për Kupën e Kampioneve të Evropës.

Siç kemi shkruar, qenë gjashtë vjet larg nga mbyllja e pamshirëshme. Shqipëria nuk kishte qenë në Evropë me klubet qysh nga kualifikimi i Besës më 1972. Plot gjashtë vjet izolim vetanak. Krejt papritmas çelësi për hapjen e portës evropiane i dorëzohet Vllaznisë, kampiones shqiptare të vitit 1978, gjithnjë në duart e Xhevdet Shaqirit. Ky ishte një rikthim pikërisht gjeopolitik. Prishja me Kinën që e izolon deri në skaj Shqipërinë e vogël edhe nga sporti, kur dihej se marrëdhëniet me sportin e madh kinez kishin vlera. po bënte që Shqipëria të harrohej. E gjendur ngushtë Partia mesa duket u kujtua për një përmendje. Kishte mbetur pa politikë evropiane dhe iu kthye gjeopolitkës së futbollit. Do ta rifillonte njëherë me klubet dhe mandej të shihte mundësinë e rikthimit të Kombëtares…

Pikërisht, situata e rënduar tejet e bën jashtëzakonisht të madhe ngjarjen e Vllaznisë 1978. Kampionia shqiptare po e rikthente Shqipërinë në Evropë përmes një prej ndeshjeve më të bujëshme të futbollit shqiptar, duke fituar 2-0 në Shkodër për Kupën e Kampioneve të Evropës me Austria të Vjenës së Prohaskës e Robert Sarës. Plenumi IV famëkeq i KQ të PPSH, metodat e revolucionit kulturor kinez, terrori, burgjet, internimet, jeta e vështirë e popullit deri në pamëshirë, përmblidhnin një Shqipëri të braktisur nga Evropa, ndërkohë që brenda saj ditirambet për Partinë e Punës dhe udhëheqësin e saj Enver Hoxha nuk rreshtnin. Siç e kam treguar një herë, në krye të tribunës së Stadiumit “Vojo Kushi” të Shkodrës (sot “Loro Boriçi”) qëndronte fotografia gjigande e Enver Hoxhës, krejt në kundërshtim me vetë etikën e një ndeshje të Kupës së Evropës. Kësaj rradhe me Austria të Vjenës, kampionen e famshme të këtij vendi, i cili në Kampionatin Botëror përfunduar dy muaj më parë, kishte zënë vendin e 7-të në Botë, duke patur në përbërje 6 lojtarë të kësaj kampioneje: Baumgartner, R.Sara, Obermayer, Baumeister, Prohaska dhe Schachner. Prej të cilëve Sara, Obermayer, Prohaska dhe Schahner kishin qenë titullarë në të 6 ndeshjet që 11-shi i Kombëtares së Austrisë kishte zhvilluar në fundoret e Argjentinës, duke lënë në kujtimin e Botërorëve edhe fitoren historike 3-2 kundër Gjermanisë! Kur një vit më parë kjo Austri kishte qenë Nënkampione e Kupës së Kupave të Evropës. Ishte 13 shtator 1978: Vllaznia e Shkodrës – Austria e Vjenës 2-0! Kupa e Kampioneve të Evropës. Kështu të nxit historia.

Jemi plot 20 vjet më parë, e vetvetiu kërkoj një përngjasim me Napolin e sotëm. Ashtu si dhe sot, asokohe askujt në Shkodër nuk i shkonte ndër mend se mund të mposhtej Austria e Vjenës në Shkodër. E mesa duket edhe sot, kur klubet shqiptare janë më të dobta se kurrnjiherë, askujt nuk i shkon ndër mend për një fitore me Napolin. Mirëpo atë ditë shtatori 1978, Vllaznia fitoi 2-0 me Austria. Mos ndoshta në këte ditë gushti 2008, Vllaznia mund të fitojë me Napolin?...

Më bënë përshtypje dy deklarime të menjëhershme të drejtuesve të Napolit, sapo u hodh shorti:

Edy Reja, trajner i Napolit: “Në letër është një short i mirë, por më parë duhet luajtur ndeshja. Futbolli shqiptar është rritur shumë këto vite dhe për këte duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Natyrisht ajo duhet të jetë një skuadër e kalueshme prej nesh, por kjo nuk do të thotë se duhet të tregohemi euforikë”.

Dr. Aurelio de Laurentis, president i Napolit: “Në tanësi jam i kënaqur, sepse në letër është një short i mirë, por kujdes, nuk duhet të tregohemi mendjelehtë”.

Lakonikë, por sa modestë dhe profesionistë njëkohësisht. Dhe për çudi me një vlerësim të madh për futbollin shqiptar kur thonë: “Futbolli shqiptar është rritur shumë këto vite”. Ngatërrojnë Kombëtaren me klubet e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë... Dhe padashur e vënë Vllazninë para një detyrimi: që të tregojë këte rritje që qenka në “shumicë”!? Kësisoji, Vllaznisë 2008 që nuk është Vllaznia e 1978 me Jani Kaçi, Zyhdi Basha, Seit Çanga, Safet Berisha, Suat Duraj, Luan Vukatana, Astrit Hafizi, Sabah Bizi, Fatmir Axhani, Medin Zhega, Shyqyri Ballgjini, ndodhet para një detyre të vështirë. Mirëpo, as Napoli 2008 nuk është Austria 1978 me 6-7 lojtarë të Kombëtares së Austrisë e cila dy muaj më parë e renditur e 7-ta në Kampionatin Botëror.

Kështu që Vllaznia e re pa Biz e Zhegë, pa Berishë e Jani Kaç, pa Ballgjin e pa Hafiz e Vukatanë, natyrisht do të bëjë punën e vet. Duke kërkuar të marrë përvojë, më e pakta duke mos u mposhtur në Stadiumin Kombëtar të Loro Boriçit. Dëshira për sfidë ndaj të mëdhenjve që të vegjëlit e kanë përherë në mbrendësi të shpirtit të tyre sportiv, jorrallë e ka shndërruar edhe Vllazninë e Shkodrës në një të madh të përkohshëm. Në rastin e sotëm, dëshira për afirmim e të rinjve të talentuar shkodranë si Teli, Sukaj apo Lika e të tjerë, e me ta edhe gjakimi futbollistik i një publiku i cili në miniaturë ngjason me atë napolitan, na e çojnë mendjen për te një ndeshje e madhe shkodrane në Shkodër, e pse jo, edhe te një rezultati joshës. Dhe për të mos u shkatërruar në “San Paolo” të Napolit që dikur, 20 vjet të shkuara, është ndezur flakë prej simfonisë maradoniane, të don Diegos përrallor. Ai Napol i përket legjendës. Napoli i sotëm është krejt diçka tjetër…

Ky ishte fati apo “dhuarata” që viti futbollistik 2008-09 i blatoi Vllaznisë së Shkodrës, e cila mbas kualifikimit ndaj Koperit të Sllovenisë, mu në kufi me Italinë, mbas plot 20 vjetëve e sheh veten përballë një klubi të Evropës Perëndimore, që është turi i dytë kualifikues i Kupës UEFA, papritmas duke u bërë për pak kohë pjesë e një shoqërie të këndshme të mëdhenjsh, ku rradhazi janë edhe një Besiktas e një La Coruna, një Hajduk e një Crvena Zvezdë, edhe një AEK e një Stuttgart, një Austria e një Rosenborg, një Manchester City e një Brondby, një Aston Vila e një Napoli.

“Fatmadhi” Napoli i Italisë na mbërrin kështu në dy përvjetorë të mëdhenj të futbollit shqiptar: në 40-vjetorin e Partizani – Torino 1-0 të vitit 1968 dhe në 30-vjetorin e Vllaznia – Austria e Vjenës 2-0 të vitit 1978. Ndoshta fati i madh i futbollit do të mund të sendërtojë një festë befasuese në Stadiumin Kombëtar “Loro Boriçi” të Shkodrës më 14 gusht 2008. Të ngjashme me këto bukurina të dikurshme të futbollit shqiptar në Kupat e Evropës të klubeve: Norkoping – Partizani 1-1, Partizani - Köln 0-0, Partizani – Torino 1-0, 17 Nëntori – Ajax 2-2, Partizani – Advidaberg 1-1 e 2-0, Vllaznia – Austria 2-0, Partizani – Celtic 1-0, Partizani – Austria 1-0, Dinamo – Aberdin 0-0, Dinamo – Sporting 0-0, 17 Nëntori – Dinamo Bukuresht 1-0 e 2-1, Flamurtari – Barcelona 1-1 e 0-0, Flamurtari - Partizan i Beogradit 2-0 e 1-2, Flamurtari – Barcelona 1-0, Dinamo – Dinamo e Bukuresht 1-0, Dinamo – O.Marseille 0-0, Goteborg – Flamurtari 0-0 e 1-1, Partizani – Feyenord 0-0 e 0-1,

Për autorin e këtij shkrimi (e besoj se jo vetëm për te), këto ndeshje përbëjnë panteonin e ndeshjeve më të mëdha të klubeve shqiptare në Kupat e Evropës. E shihni se nuk jemi pa gjë…

Janë rezultatet më të rralla të Shqipërisë së vogël edhe në futboll. Për fat, janë rezultate që e kanë mbyllur ciklin e tyre qysh më 1992, plot 17 vjet më parë kur fundi qe Partizani – Feyenord. Kuptonie tash se sa mbrapa jemi në Kupat e Evropës.

Ndoshta kemi pritur Napolin për t’u kthyer paksa përsëmbari. Jemi në duart e Vllaznis së Shkodrës me shpresë për të mos u mbetur vetëm te: “Vedi Napoli e poi mori”.

Tema