Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kodrari: Kleri Françeskan në Krijimin e Shqipnisë

| E diele, 06.12.2015, 02:04 PM |


Kontributi i Klerit Françeskan në Krijimin e Shqipnisë.

Per fè e per atdhè, e bâj dèken si me lè!

Nga Anton Kodrari

1.1 - Lidhja e Prizrenit dhe Kongresi i Manastirit.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit kjè nji përgjegje esenciale kryekrejet e burrave ma n’zâ shqiptarë ndaj vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit që gjymtonte tanësinë territoriale të Shqipnisë, po ashtu edhe një përgjegje në “anteprima” e Kongresit të Berlinit që nuk goditi kurrgja në favor të Shqipnisë, por përkundrazi veç shkà e damtoi mâ shumë kurrizin e saj gjeografik të lënduem n’mote prej ndeshtrashave historike. Në këtë tervesë atdhetare fretënt s’mund t’ishin kund tjetër veç se kâmbëkryq me patriotët pjesëmarrës, kù nji pjesë e mirë e këtyne të fundit ishin besimtarë të famullive të tyne, bajraktari i Shkrelit Marash Vata, Çun Mula i Hotit, Dodë Preçi i Kastratit, Mar Lula i Shalës, Gjeto Gega i Shllakut e të tjerë, të gjithë të organizuem a priori prej fretënve me marrë pjesë në lamën atdhetare ku i lypte nevoja dhe e mira e Kombit. Rreth kësaj mendësie formative atdhetare, At’ Camillo Libardi - në librin e tij me titull “Misionari shqiptar në fushë t’betejës” dokumenton ftesën që françeskani Albert Gracchi ipeshkëv i Pultit u bân burrave të maleve që t’bashkohen e të mbrojnë vëndin e tyne - shkruen:

Komiteti i Lidhjes Shqiptare per mprojtjen e atdheut ka dergue disa burra nder këto male, per me mbledhë ka nji luftar per shpì e me u bashkue sa ma parë në lamën e luftës, në mënyrë që të gjithë Shqiptarët, kristjan e muhamedan, të prapojnë ushtrine anmike. E za per detyre me u kshillue ta kini fort per zemer tansinë e atdheut tuej. Zoti e atdheu jane gjâ e shejte. Per keta sdo të na dhimbet jeta.Gjaku ynë do të derdhet për ta kurdo ta lypi nevoja. Pra mos u zhburrnoni në këtë rasë kaq me randësi. Bashkonju si burrat me vllazent e juej në mprojtje t’atdheut kundra të huejit, e tue kenë të gjithë të bashkuem kini me kenë të sigurt se Zoti i Fitoreve ka me kene me ju. Gajretni e bani me dite Botës se nder dèj tuej rrjedhe se rrjedhe gjaku i burrave te parve tuej aq ne zà

[Camillo Libardi ofm, “Il missionario albanese sul campo di battaglia” ]: Ky apel na vetëdijëson se sa për zemer e kishin fretënt çâshtjen e atdheut, e se si ato tuj mos lanë mànet meshtarinë e tynë, - dimensioni kostitutiv i ekzistencës së tyne, prej ku nxjerrnin forcën dhe energjitë e nevojshme për veprim - ishin njisue me të gjitha kategoritë sociale të kohës; me eruditët, patriotët, gjuhtarët, diplomatët, gazetarët aq sa, ishin të gatshëm kurdoherë të flijoheshin në altarin e atdheut per idealet e shêjta të lirisë, gjuhës, besimit e perparimit. Në këtë lamë veprimi, në vertetësi të gjakut të fratit që shkoj rrëkaje per Fe e per Atdhe n’shekuj (khr. Nekrologun e Provincës Françeskane Shqiptare perpilue prej At’ Marjan Preles, fretënt që vjerren n’hù në Pazar të Shkodres), kohë mâ vonë, Fishta në vehten e parë do të personalizonte të tanë sivllaznit e tij e do t’shkruente: “Edhe un frati tham t' verteten, me mysliman e bâj fli veten, varem n'krrabë, lidhem n'vargoj, e Shqypninë nuk e lshoj” ose "Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë". Kurse n’hak të Lidhjes së Prizrenit, që e përqukon me kangën omonime, ndër të tjera ven n’pàh ndergjegjen e lindun kombëtare të katolikut të maleve:

Se ti, pasha at Sh'Marrabé! Sá per t' dalun zot un vendit, Me m'qortue nevojë nuk ké. Pse, se â zânun kjo Shqypní, Un kam ndêjë me pushkë per faqe, E per vend e per lirí, Kam rá pré, kam bâmun gjaqe. Kam shkue jeten si bishë malit, Zdathë e zdeshë edhë pá ngrânë; Por as Mbretit, por as Krajlit ,Tungiatjeta s'i kam thânë. Un kam ruejtë gjûhen shqyptare; Un kam mbajtë doke e kanû, E as per pare e as per timare, Gjak e t' Parë s'i kam mohue. Prandej, Shkjau me pasë per t'msý, E me dalë kndej kah Shqypnija, Si po thonë se ká vû sý, Ká me u ndeshë, po m' armë të mija, M' armë të Lekve e t'Dukagjinit, Qi, me ndihmë të Perendís, Kan m'i a thye pleqnín Berlinit, Kan m'i a pshtue lirín Shqypnís

Fretent kaq fort e kishin n’gjak fatin e atdheut saqë me shpirtin e tynë të sakrifikimit kishin ènde edhe dishepujt e tynë; me ju pergjegje thirrjes së atdheut në çdo dekik kjoftë edhe -siç theksojnë rreshtat e mâsiperm- tuj ndejt zdathë, zdeshë e pa ngranë. Posë këtyne besimtarve të gatuem shpirtnisht e kombtarisht në magjën e fretënve, nuk duhet të lamë në harresë edhe kontributin monumental të dy fretënve italian misionar në Shqipni, Pader Pjerbattista Grumelli që kjè vetë i pranishëm në LP dhe që ndhihmoi popullin e Gjakovës me largue Maxhar Pashën dhe Mons Dario Bucciareli-n që vdiq ipeshkëv po n’at vjetë n’Prizren e që pat shkrue edhe nji gramatikë në shqip që as sot e kësaj dite s’i dihet fundi [Khr. “Hylli Drites”, Viti 2012, fq. 95]. Te dy këta bìj t’urdhnit serafik përtej ndihmës konkrete shpirtnore e materiale që dhanë n’terren, vazhdimisht ndërmjetësuen për token arbnore me qarkoret e tyne drejtue Fuqive të Mëdha në mbrojtje të popullit dhe të tanësisë së tokave shqiptare. Mènjihere mbas këtij organizimi kombëtar, fretënt nuk ndejtën tuj shtì rruza n’pé, por iu përveshën punës njashtu si gjithmonë, vazhduen me organizimin e qelizave të vogla atdhetare në zonat ku shërbenin, me qarkoret në arenën nderkombëtare dhe me shkrimet në gjuhën shqipe me qëllim me formue pashaportën e identitetit gjuhësor të shqiptarit, identitet ky që ka me këne nji ndër kërkesat themelore të memorandumit të Greçes. Në krijimin autonomisë gjuhësore, që âsht gur themelit për pamvarsinë e çdo populli, veprat e fretënve patën nji jehonë shpërthyesë në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

Mund të lakojmë emnat e:

P.Leonardo de Martino da Greci që përktheu “Mundimet e Jezu Krishtit” të P. Metastazit dhe botoi poezitë e veta në vëllimin “L’arpa di un italo-albanese”, Venedik 1881, poezi të përshpirtshme dhe patriotike, me të cilat i siguroi vedit pavdekësi në letërsinë Shqipe. Shkroi dramën pastorale “Natë Këshëndellash” çfaqë në Shkodër në vj. 1880. Kje ndër dramat e para shqipe.

P. Camillo Libardi da Levico per 40 vjet misionar në Shosh të Dukagjinit, përkrahës i lëvizjeve për liri dhe organizues i popullit të Veriut në luftën kundër batalioneve ushtarake të Shefqet Turgut Pashës. Përktheu shqip, “Pesmdhet biseda të Shën Leonardit”, Shkodër 1900, dhe botoi katër libra tjerë historikë mbi Shqipni.

P. Francesco Melchiori da Breno, ndërtues i kishës në Gjuhadol – Shkodër dhe arqipeshkëv në Durrës, shkruen doracakun per Terciarë “Sullet e rregullat e III Urdhën”, Shkodër 1896. P. Fabian Barcata nga Tiroli, misionar në Shqipni prej vjetit 1896-1908. Ka shkrue disa romane me tematikë nga jeta sociale shqiptare, në gjuhën gjermane, sikurse: “Kumbona e Thyeme”, “Gjaku i falun”, “Lule” e të tjera qe s’po i lakoj për efekt hapsine.

P. Lovro Mihaçeviq nga Bosnia, per 10 vjet edukator e drejtor i kolegjës së Troshanit dhe Provincial nga vj. 1906-09, shkruen kujtimet e tij nepër tokën tonë me titull “Nëpër Shqipni”, dhe “Shenjime nga Historia Shqiptare” plot ndjesi e dashni per popullin e vuejtun Shqiptar ( per mâ shumë shif veprat e At’ Vinçenc Malaj).

Prà siç shifet kjartë, rrezulton se kurrnjì vehtje morale në Shqipni nuk mund të paraqesë vepra mâ shumë e mâ në shèj në lamen shpirtnore, kulturore dhe kombëtare se Françeskanet.

Ky mundë e kjo djersë n’favor të pergatitjes së themeleve ku në 1912 do të ngrihej kulla e pamvarsisë, do t’u kunorzonte vendosmënisht më 1908 me Kongresin e Manastirit. Në atë Kongres - siç mirë e dimë - merrnin pjesë katolikë, muslimanë e ortodoksë, patriot të pushkës e njerz të pendës, të grishun prej atdheut me misionin e mirëpërcaktuem: për formimin e statutit epistemologjik të gjuhës shqipe dhe për të dlirunit e saj nga të gjitha rrymat e hueja ndikuese. Në ketë mbledhje të gjithë njizanit, falë edhe ndërhymjes shumë të çmueshme të atdhetarit fort të nderuem, hoxhë Ibrahim Efendiut zgjodhën si kryetar të komisionit të alfabetit, kolosin e letrave shqipe, nxânësin e fretënve të naltpermendun, At’ Gjergj Fishtën që bashkë me krejt anëtarët e tjerë të komisionit patën meriten e veçantë të krijimit dhe promovimit aty e andej të ketij alfabeti që na e mësojme edhe sot e kësaj dite neper shkollat tona. Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha jonë Shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që nânkupton mosnënshtrimin kjoftë ndaj otomanëve e kjoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime me shkrue gjuhën shqipe me alfabetin latin që përdoret deri më ditët tona.

Ata, të mendshëm e të urtë, megjithësè anësuen e vendosën alfabetin latin me shkrimjen e dy bashkëtingëlloreve aty ku latinishtja s’kishte zânet tona (ll, sh, th, dh, nj, rr, zh, xh, gj) s’i ndaluen alfabetet tjera në përdorim, si atë të Agimit, as të Stambollit. Këto, dalëngadalë, i përjashtoi populli vetë dhe përvoja e kohës, aq sa sot s’i bjen në mend kujë me kthye dalë” (P. Daniel Gjeçaj, intervistë për revistën “Zani i Shna Ndout”, Tuz).

Në ketë pështaf librash të çmueshëm të shkruem në vite të ndryshme si nga autorë klerikë po ashtu edhe laikë të asaj kohet e per me ardhë deri te autorët e sotëm Reshat Nexhipi, Tomor Osmani, etj., del ashiqare se merita të mëdha për bashkimin e të tre alfabeteve  kâ pasë klubi “Bashkimi”, kurse si individ i veçantë meritë unikale kà pasë -per antonomazi- Homeri i Shqipnisë. Kjo vërehet mà s’mirit kur ai paraqitet në foltore dhe drejtohet para të gjithëve me fjalët: “S’kam ardhun që të mbroj asnjë alfabet, por, të mbroj një alfabet të përbashkët”.

Ja si e pershkruen Fishta këtë episod:

Ishim nga të gjitha skajet e Shqipnisë dhe të kolonive shqiptare ndër dhena të hueja. U treguam me të vertët shqiptar sepse kurnjani nuk donte me i lëshue asnji fije penit nga mendimi i vet atij tjetrit. Kongresi duhej të shpërndahej pa marrë kurrnji vendim. U terbova nga inati, U çova në kambë e u fola: - O burra shqyptarë po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës? Po a mendoni ndopak se çka do t’u thomi shqyptarëve kur të na pvesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir? Çka do t’u thomi na njerzve të pashkollë që nuk dijnë as me shkrue as me këndue?... Na jemi që mendojmë me ba Shqypninë e si do ta bajmë atë kur na nuk duem me u marrë vesht ndërmjet vedit se si duhet me u shkrue germa A e ajo I? Burra po u flas me zemër në dorë se asht marre e turp e faqe e zezë me i lanë marre vedit para popullit shqyptar e para tanë botës, që pret dishka prej nesh e na të kthejmë pa kurrgja në dorë ndër shpija tona. Po ulnju burra, ulnju sheshit e pse të kalojmë edhe nji ditë ma shumë në kët vend, mos ta lamë duerbosh popullin që na pret!...

- Aferim! P.Gjergj!... Aferim të kjoftë, bërtiti më të madhë një hoxhë me mjekërr. Ai u çue në kambë e erdh drejt te un, e më puthi në ballë e më tha: - Kështu flet shqiptari që e di që asht shqiptar!... Ulnju burra, - u tha, - ulnju këtu në shesh të zgjedhim një komisjon e në krye të vemë Pader Gjergj Fishten e vetëm komisjoni do të caktojë se shka duhet të bajmë sot-për të mirën e popullit shqiptar neser... Fjala e tij u ndigjue me duartrokitje e më caktuen Kryetar të Komisionit të Kongresit të Manastirit, i cili do të delte bosh sikur mos të ishte tregue toleranca e eme që të pranojshm dy alfabete njiherit, atë të Stambollit që kërkonte Mit’hat Frashëri dhe kët që u vendos. Kjo sjellje e eme në Kongres të Manastirit më ka kushtue mjaft shtrejt në jëtë sepse Abat Doçi, të cilin un e përfaqsova në atë Kongres m’u idhnue e kur u ktheva më tha :Pater Gjergj, un të kam dijtë si nieri që nuk ban kompromis në jetë!... Por Shqypnija nuk mund të bahej ndrysh”... [ LM, me parathanie të Pader Zef Pllumit, BF., 2010.]

Me fjalët e tij, në punimet e këtij Kongresi, tregoi që nuk kish ardhë me përça por me bashkue, se nuk kishte ardhe me i mbajtë pajën perendimit e as latinit, grekut e as sllavit por me i vnue themelet i herë e mire gjuhes amtare. E nuk ishte gjâ aspak e rastit kur kleriku musliman Ibrahim Efendiu në prani të të gjithë të pranishmëve del në foltore dhe me lot në sy e përqafon Gjergj Fishtën. I nderuemi Ibrahim Efendiu e kishte kuptue mire peshen e fjalëve e shpirtin e Fratit dhe po shifte në të atdhetarin e vërtetë që nuk luftonte per interesat vetjake e të familjes religjoze që i përkiste por per t’ mirën, perparimin dhe bashkimin e popullit t’vet. Kjo kjè Shpallja e Parë e Pamvarsisë.

1.2 -Ngritja e Flamurit n’bjeshkë t’ Deçiçit prej Dedë Gjo’ Lulit dhe

Françeskanëve në 1911 dhe valvitja e dytë n’fusha t’Vlonës në 1912.

Ngallënjimit të naltpërmendun me karakter kombëtar i shtohet edhe “qershia mbi tortë”, ngritja e flamurit n’Deçiç të Malcisë s’Madhe në v.1911. Kreshniku i permendun Dedë Gjo’ Luli i Hotit bashkë me burrat orëmdhâj të Dukagjinit e të Shkodres n’kajde t’pendës e t’pushkës e kryen këtë akt sublim per shlirimin e Kombit nga thundra e hershme e Otomanëve. Ky kjè flamuri i Lirisë dhe i bashkimit, i gjuhës shqipe dhe i pamvarsisë, kjè flamuri që tundi themelet 500 vjeçare e që i dhâ me kuptue Evropes se Shqipnia nuk qëndron mâ nân hyqmin e kurrnji pushtuesit.

Kryengritja e fillimit të dekadës së dytë të shek. XX, i tregoi Europës, se kishte ardhë koha të shkundej nga soditja indiferente, qi i bënte ngjarjeve në trungun e vjetër të Europës Juglindore, në trajtimin e çeshtjeve shqiptare, paralajmëroi fuqitë e ndryshme ballkanike, që ëndrronin një coptim midis tyre të Turqisë europiane, se trojet abërore nuk do të ishin nji kafshatë e lehtë për t’u gëlltitë nga orekset e tyre të pangopshme [khr. R.Gurakuqi, “Shqiperia” 1911-1914].

Famullitarët e zonës kryengritëse ishin 6 françeskan, barì shpirtnuer fort të dashtun prej popullit edhe njiheresh pishtar të pamvarësisë, Pater Karl Prennushi i Vuksanlekajve, Lorenc Mitroviç i Bajzës, Mati Prennushi i Kastratit, Sebastjan Hila i Rapshës, Bonaventurë Gjekaj i Grudës, dhe pader Luigj Bushati famullitari i Traboinit, bashkë me ta në organizimin e maleve kryengritëse kjèn edhe P.Luigj Kataneo, Dom Luigj Bumçi dhe Dom Ndre Mjeda. Kurse arqipeshkvi i Shkodres Emzot Jak Sarreqi ishte ndèr figurat kryesore shqiptare që u perfshì me mish e shpirt për ngritjen në kâmbë të opinionit evropjan në arenen nderkombëtare, e që u angazhue në mardhjanjet diplomatike me Vatikanin, me shtetet e tjera evropjane dhe me moderimin e bisedimeve me qeverinë turke që në atë kohë ishte drejt dekadencës së plotë.

Ai, që herët, në një interviste dhënë dy korrespondenteve të dy gazetave europjane, asaj italiane “Il corriere d’Italia” dhe asaj Londineze “The times”, me dt 27 maj 1911, pytjes se çfare kërkojnë shqiptarët, u ishte pergjigjur shkurt dhe prerë : “ AUTONOMINE. Tashmë jemi lodhur nga sundimi...(turk) (Idem., fq 212).

N’kët kohë, n’krah tjetër të maleve t’veriut françeskani At’ Bernardin Llupi famullitar i Nikaj - Merturit, atdhetar i shquem organizonte vazhdimisht patriotët e famullisë së tij që t’i dilnin zot tokës dhe fesë së tyne e t’i bânin ballë me shka t’mundshin pushtuesit. Por perveç klerit katolik, françeskanëve, vllazenve mysliman duhet të vlersohet edhe ndihma që shteti austriak dhe aj italian i dhânë kryengritësve shqiptar e që realisht ndikuen fuqimisht në mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të shqiptarve në të gjitha drejtimet.Me angazhimin e Ettore Ferrari-t, kryetar i partisë Republikane, në Rromë u formue Comitato italiano pro Albania, ndèrsa në Napoli Comitato italo-albanese pro Albania. Veprimtaria e këtyne komiteteve kishte si qellim mbledhjen e ndihmave në favor të kryengritësve, në organizimin e tubimeve politike dhe në sensibilizimin e vullnetarve që të merrnin pjesë fuqimisht në kryengritje për të fitue lirinë e tyne. N’krah tjetetër si kunderpergjegje e këtyne veprimtarive në fronte të ndryshme të shqiptarve, pushtetarët turk në heshtje dhe me dinakëri u orvateshin pa prà që me anë të disa letrave të publikueme këtu e aty në fshehtësi të rrënin sidomos myslimanët e Shkodres me qellimin per të shtì ngatërresë mes tyne dhe katolikëve, prà per me krijue percamje n’mes t’popullit, por këtë objektiv kurr nuk mbërriten me e rrealizue edhe pse bânen shumë tentativa, sepse myslimanët kishin lidhje gjakut me malcorët dhe sepse prijësit katolik biseduen fshehtas me prijësit shqiptar mysliman. Edhe të gjithë u ndërgjegjësuen se duhet të bashkëpunonin së bashku për të drejtat e shqiptarve dhe për nji Shqipni të pamvarun.

Si klerikët françeskan po ashtu edhe ato dioçezan ju drejtuen disa herësh arqidukës Franc Ferdinand të perandorisë austro-hungareze po ashtu edhe Selisë së Shêjte - Propagandës Fide që të mbështetnin popullsinë e maleve dhe që t’iu gjindëshin ngiat forcave kryengritëse. Bashkëbiseduen pà frikë me përfaqësuesit e ndryshëm turk dhe ndèr të tjerë edhe me Shefqet Dergut Pashen e Saddredin Beun, por gjithmonë pà rrezultat, nuk u përkue asnjiherë në nji marrveshje të mirfilltë. Malcorët e etun për liri donin që qeveria t’u plotësonte disa kërkesa që kishin bâ në formën e memorandumit, e ky dokument u ligjue me ëmnin “Libri i Kuq” (kishte kopertinen e kuqe). Ndèr të tjera “ ky liber permbante edhe disa pika që Luigj Gurakuqi i kishte pergatitun për të gjithë Shqipninë” (Luigj Bumçi, “ Nga kujtimet e mija”., HD, v.1944, nr. 5, fq. 16). Malcorët për me mbërritë kërkesat e tyne u detyruen që të mbledheshin disa herash në sofren e bisedimeve edhe me qeveritarët turq, e nji ndër ato mbledhje kjè ajo e Triepshit ku në ndêr të malcorve foli Marash Uci e nder të tjera theksoj:

që të thomë të drejtën qeveria e Stambollit nuk ka asnji të drejtë mbi Malësinë të cilin në këtë kongres ja kish lanë Malit të Zi. Kena kënë ne që me armët tona kemi ndalue Malin e Zi të pushtojë Malet tona .

Por prap mas dò kohet mas mbledhjes së Triepshit ministri turk Saddredin Beu i çfaqi dëshiren Arqipeshkvit per me u takue me krenët e Malcisë. Ja si e pershkruen Luigj Bumci takimin

erdh ministri, e malcoret ishin mbledhë në nji odë të nji shpis në Podgoricë per me u pa me ministrin, ku e percolla un si drogoman qi me pat shënjue Arqipeshkvi. Ishin n’at odë, për shka me bje ndër mend: Dede Gjo Luli, Dedë Nika i Grudës e disa të tjerë. Para se me hi Mnistri, shkova te malcort e u thaçe qi të dàshin nji ndër ta qi të flitte n’emen të të gjithëve. Dànë Dedë Gjo Lulin. Si hime në odë Ministri u fal me ta e u thotë: Zotni kam ardhë prej Cetinjet me u pa. Dede Gjo Luli po i pergjegjet: S’na ka pasë marrë malli për ty. Mue m’u dote me i a perkthye. Si u ulem e ndejem po i thotë ministri: “ Mbreti ju do e ju ka falë. Dedë Gjo Luli nuk e la me mbarue, e me i here i tha: Mos na përmend Mbretin pse skemi pune me te. Aj as nuk na njef as nuk i di punet tona. Por ju që vini mbas Mbretit jeni te tana hajna e me na fike, e ju e rreni si per ne si per te tjeret. Pra aj nuk ka shka na fale. Atbotë Ministri sillet kah une e më thotë: Po pyeti kta Zotni at librin qi kta permendin a e duen per vedi a për të gjithë Shqipnin? Dede Gjo Luli aj pergjegji: Ato pika qi jane n’at librin e kuq i dona ma parë për veti, mandej per Shqipnine mbarë. Ministri, i cili gjatë këtij kuvendi nuk kishtë mujte me majtë gjakftoftesisnë u çue mjaft idhnueshem e me tha: thueju se s’kam me ardhe ma me i pa. Dede Gjo Luli po i pergjegjet s’na ka pasë marrë malli per ty.

Kështu mbaroi ky kuvend pa kurrfarë kënaqësi si pat fillue.

Në 1915 Deda ndëroj jetë e kaloj në amshim e eshtent e tij pushuen në vorrin e kishës së fretenve në Shkoder, po në të njâjtin vorr kù pushuen edhe eshtnat e Fishtës në 1940 (kronisti i parë i epopes së 1911), e me shumë keqardhje e me shume dashni u percuell me lutje e me “Requiem aeternam” prej françeskanëve e prej njì pjesët të shkodranve e të malcorve të tij. Por pushteti i eger dhe anti perparimtar komunist, eshtnat e tij bashkë me ata të Fishtes e të shumë martirve katolik i treti në rrjedhën e lumit Kirë.

Pash, o Pash, t’ rrnoft bajraku, Ndigjo Deden ç’asht kah flet: 
Për pa rrjedh der n’sylah gjaku, Knjazi vendin tem s’e shklet!
Ah! Qe prep don t’na dajn copa! Prep mendimi i par asht ngjall!
Por ta marr vesht tan Europa: Ded Gjo’Luli prap asht gjall!”

Kurse i ndjemi prof. dr. Simon Pepa në lidhje me këtë çashtje pohon:

Dhe është për të ardhur keq se kjo luftë, këta heronj dhe vetë kryetrimi Ded Gjo’Luli për vjet e vjet u lanë në harresë. Lufta dhe ngritja e Flamurit në Deçiç, përmendej sa me thanë, emri i heroit vetëm sa citohej. Dhe ajo që është rrënqethëse është fakti se mjaft nga nipat e stërnipat e Ded Gjon Lulit, si dhe mjaft klerikë që morën pjesë me mendje e penë në përpjekje për çlirim u masakruan në mënyrë të tmerrshme. Ata hynë në rrugën e mundimeve tamam si në ferrin e Dantes (Simon Pepa: “Gjurmime kulturore”, Shkodër, 2000, fq.224)”.
Heroizmin e fatosit të lirisë, plaku i Vlonës Ismail Bej Qemali, gjatë vizitës qi i bâni ky i fundit në Vlonë (mas shpalljes së Pamvarsisë me 28 nantor 1912), do t’a perkufizonte : ‘Dedë Gjo’ Luli pushk e ngrehun për Shqipnin’.
Shkrimtari, folkloristi At’ Donat Kurti Ofm, në përkujtim të 50-të shkollës së njohun françeskane thotë:

N’at dit (6 prill 1911) Shqyptari njimend mushi mushknit me frymët’liris e brittë n’zemer t’vet: “Rrnoft Shqypnja’ tuj ba jeh në ket mnyrë Flamurit t’Shqypnis të ngrehun me guxim e trimni, po n’at vjet me 6 Prill 1911 prej Ded Gjo’Lulit në Bratile t’Deçiqit”.

Po sot Dedë Gjò Luli a âsht gjallë si n’rreshtin e fundit të poezisë së naltpermendun? Pse fotografia e tij nuk âsht krah për krah me atë të I.Qemalit në institucionet qeveritare shqiptare? Pse ngjarjet e 1911 nuk studjohen sot në tekstet shkollore si ato të 1912? Këto janë pyetje që nuk kanë nevojë për pergjegje shkencore se janë vetë të tilla, por janë nji stimul per rreflektimin personal të çdo shqiptari që e kà perzemer historinë e vërtetë të popullit tonë.Kjo kjè Shpallja e Dytë e Pammvarsisë.

L. Prizrenit, K. i Manastirit, kryengritjet e shqiptarve në Kosovë me Isa Boletinin, Shaban Binakun, Rrustem Kabashin, e në viset e tjera shqiptare në vitet 1910/12, ngritja e flamurit në Deçiç, rrevoltat në Bregun e Mates, në trojet e Dukagjinit, në krahinen e Mirditës, në qytetet e jugut, ngritja e zânit në arenen nderkombëtare ishin një shkëndi shumë e madhe pararendëse dhe vendimtare e Shpalljes së Pamvarsisë më 28 Nandor 1912.

Karl Gurakuqi, dishmitar i asaj kohë, në kujtimet e tij kà përcaktue se kryengritja e vjetit 1912 , ishte vetëm vazhdimi i një kryengritjeje mâ të hershme:

“Shqipnia gjindet gjithnji nën pushtimin turk, por ka gjasë se do t’a këpusi qafen. Në Ballkan vlon kazani. Malcorët e Mbishkodrës me Ded Gjo’ Lulin në krye, e kishin nisë kryengritjen kundra Turkut në Malësi dhe në malet e Dukagjinit, qysh në vjetin 1910, dhe, me ndërpremje të vogla, po zgjatej tash dy vjet e po përhapej anë e m’anë Shqipnisë. Malcorët e Bregut të Matës, me Dëdë Cokun e me të vëllanë e këtij, Gjeton, me Llesh Nikë Dakën si kryetar, në vjetin 1912, në fillim, simbas shëmbullit të Malcise së Madhe së Veriut rrokën armët dhe iu ranë ushtris turke në Lezhe e n’afërsit e tija, tue i shkaktue humbje të mëdhaja. Stambolli filloj me u dridhë, se Shqipnia po i dilte dore [R.Gurakuqi, fq. 426].

Në këtë kontekst e një rândesie të veçantë âsht një intervistë botue në gazetën vjeneze “Zeit” nga kryetari i Mirditës Prenk Bib Doda, i cili gjindej në këtë kohë në Vjenë në kuadrin e pjesmarrjes së tij në “Kongresin Eukaristik” të organizuem nga Kisha Katolike. Simas tij, situata në Shqipni ishte shumë e tensionueme dhe shumë serioze. Shqiptarët kerkojnë pamvarësi nga pushtetarët e ndryshëm truk edhe nga ujqit grabitqar malazez.Ata kerkojnë autonominë, si katolikët po ashtu edhe muhamedanët janë të bindun dhe janë të bashkuem për mbërritjen e këtij qëllimi.

Po ashtu shumë i randësishëm âsht edhe organizimi i shqiptarve të Bukureshtit të drejtuem prej Luigj Gurakuqit dhe Ismail Qemalit per me u ardhë në ndihmë shqiptarve kryengritës.

Në vazhdimin e këtij ritmi ndikoj pozitivisht për Shqipninë, fillimi i sulmeve të shteteve ballanike kundrejt turkut, për dobësimin e tij në të gjitha drejtimet.

Të gjithë këto elementë nâ tregojnë se Pamvarsinë e Shqipnisë në 1912 nuk e pruni vetëm aktiviteti shumë dimensional i fretenve, as trimnia e Dedë Gjò Lulit, as dëshira e Ismail Qemalit, as gjenialiteti i Luigj Gurakuqit e as puna e palodhshme e Dom Nikolle Kaçorrit por u gdhënd falë sakrificës së të gjithe atyne trimave e diplomatëve katolik, ortodoks dhe muhamedan, atyne populli shqiptar duhet me ju falë nderës e me i perkujtue n’foltore t’adheut e emnat e tyne me i shkrue me germa argjandit n’pëlhuren e kuqë të flamurit kombëtar. Pmvarësia e 1912 nuk kjè kurrgja tjeter veç se Unifikimi i Dy Pamvarsivë të Mapërparshme.

Luigj Gurakuqi, në një shkrim perkujtimor qe bân në nderë të kesaj ngjarje themelore për kombin tonë në Paris, - e që asht nji ftese shume aktuale qe i pergjegjet Shqipnisë së 2015- , na fton sot e kësaj dite të rrëmojmë ndërgjegjen e të njipërnjisohena me vuejtjet aktuale të popullit tonë e po ashtu të shtiem vaden e historisë n’hullinin e vet të vërtete:

 

“E Kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë pra per ne të gjithë, jo vetëm nji ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes s’onë. Në këtë ditë duhet të vëme të gjithë dorën në zëmër e të pyesim vetën t’onë ndë a kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën qe kishim përpara Atdheut.

T’i tregojmë pà turp e t’i njohim fajet t’ona, te harrojmë hidhnimet e anmiqësitë qi na ndajnë, t’i japim vllaznisht dorën njani tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave t’anë se sot e mbrapa do të përpiqemi për të miren e Atdheut, për lulzimin e komit, për nderimin e flamurit t’anë (Revista “Kuvendi”, Rromë, 30 Nantor 1919).

Historiani austriak Dr.Gr.Ulhorn tue njoftë mirë historinë tonë, i bindun për punën e çmueshme e të vazhdushme në shekuj të fretenve në shërbim të vlerave të popullit tonë pohon se: “Françeskanët prandej janë, nderohen e mbahen porsi Etent e Vërtetë të Popullit Shqiptar e të gjithë kanë uzdajë të plotë në Ta” ( HD.,1940).