Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: ''Fuza dhe furiuza'' e Ben Blushit

| E enjte, 03.12.2015, 08:45 PM |


“FUZA DHE FURIUZA” E BEN BLUSHIT

(Ben Blushi: “Kandidati”, roman, botoi MAPO, Tiranë, 2015)

Shkruan: Adil FETAHU

Libri i pestë, e romani i katërt i politikanit e shkrimtarit Ben Blushi ka një titull simbolik – Kandidati. Fabula e romanit është fushata dhe zgjedhja e kryetarit të bashkisë së qytetit të Basenit. Ajo zgjedhje ishte e veçantë në sistemin zgjedhor, madje edhe për sistemin elektoral të Shqipërisë,  jo vetëm se i njëjti kandidat, Kazim Sadini, ishte zgjedhur për të katërtën herë me radhë kryetar bashkie, por për faktin se ishte zgjedhur kandidati i cili kishte vdekur papritmas vetëm dy ditë pasi kishte regjistruar kandidaturën në këshillin qendror zgjedhor. Bashkëshortja e kandidatit të vdekur, kishte vendosur ta vazhdonte fushatën për zgjedhjen e të shoqit, me qenë se kodi elektoral nuk e pengonte një gjë të tillë. Dhe ajo, pak për inatë dhe më shumë  e bindur se burri i saj e kishte merituar të zgjedhej për mandatin e katërt, dhe se qytetarët vërtetë do ta shpërblenin me zgjedhje.

Familjes Sedini i nevojitej një njeri i shkathtë për ta udhëhequr e zhvilluar fushatën zgjedhore. Zonja Sedini e kishte gjetur njeriun e duhur, Simon Shuterin, një regjisor i diplomuar, me origjinë çifute,  i cili kurrë nuk kishte punuar në profesion, por kishte një studio për të reklamuar prodhimet e mishit dhe në këtë punë kishte pasur sukses. Por, për shkak të shkrimit në gazeta, se në fabrikën e mishit prodhimet e së cilës i reklamonte Shuter po futnin mish qeni në sallama, fabrika ishte mbyllur, kështu që oferta e zonjës Sedini ishte e mirëseardhur për reklamuesin e sallamës. Pas bisedës me zonjën Sedini, e cila i premtoi shpërblim të mirë, nuk hezitoi shumë dhe mori përsipër ta udhëheqë fushatën. Madje, oferta ishte edhe mjaft intriguese. Gazetat e televizionet do lajmëronin për Shuterin si njeri që i ngjallë të vdekurit, dhe kjo do ishte një ditë e një ngjarje historike për qytetin në jetën e regjisorit, pardon të reklamuesit të sallamës. Kur Shuteri i kishte treguar gruas së tij për ofertën, ajo e kishte shpotitur duke thënë: më lehtë do ta kesh  me një të vdekur, se me një të gjallë do kishe dështuar.

Pasi zonja Sedini dhe Shuteri ishin marrë vesh për vazhdimin e fushatës, për më tutje mbetej që në emër të familjes ta kontaktone vajzën e saj, Ollgën, e cila, ndonëse kishte qenë kundër kandidimit, megjithatë ishte pajtuar ta ndihmonte fushatën.

Pasi Shuteri  jep lajmin  për kandidimin e Kadim Sedinit, të nesërmën të gjitha gazetat, me tituj të mëdhenj shkruanin: “Kadim Sedini ka vendosur të ngjallet”. Komentet në gazeta jepnin e merrnin gjithëfar trajtimesh, që me emocione e mbytnin dyshimin. Kemi parë, thoshin, që shumë të vdekur në Shqipëri kanë pasur të drejtën e votës, por ky është rasti i parë që një i vdekur ka të drejtë të zgjidhet. Por, Shqipëria mbetet një parajsë elektorale për të gjithë të vdekurit që zgjidhen, dhe një ferr për gjithë të gjallët që zgjedhin!

Në kontaktin e parë me Ollgën, Shuteri kërkon të mësojë më tepër për Kadim Sedinin si njeri dhe si kryetar bashkie në tre mandatet e kaluara, për meritat dhe të metat e tij, ngase përkundër kodit të zisë, gazetat nuk kishin thënë asnjë fjalë të mirë për të vdekurin. Kundërkandidati në zgjedhje ishte Nef Nosi, një arkitekt i diplomuar në Torino, ish i fejuari i Ollgës. Gjyshi i tij, Lef Nosi, ka qenë një nga 37 firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, por që atë certifikatë të lindjes së shtetit vet e kishte “zhdukur” diku. Madje, ndonëse ka qenë ministër në regjencën gjatë pushtimit gjerman, busti i tij qëndronte hijerëndë në sheshin e qytetit të Basenit. Sapo marrin vesh gazetat për kundërkandidatin, “zhbirojnë” biografinë e tij dhe me tituj të mëdhenj shkruajnë: “Dhëndërri i gjallë kërcënon vjehrrin e vdekur”.Ky fakt e komplikon hallin e familjes Sedini. Mirëpo, për Shuterin kjo ishte një rrethanë e favorshme, me shpresë se për shkak të raporteve me Ollgën, kundërshtari i tij do ishte më i matur gjatë fushatës. Aq më tepër, që kur t’i “shprushej njolla” e biografisë së gjyshit të tij, si nip i anëtarit të regjencës së nacizmit gjerman, gjasat e tij për ta mundur “vjehrrin” e vdekur ishin minimale.

Për disa aktivitete të fushatës, Shuteri angazhoi të birin e kandidatit të vdekur, që quhej Zero. Emri i kishte mbetur prej kur berberi ia kishte qethur flokët në zero, për shkak se ishte mbushë me parazitë (morra). Zero ishte një dembel, i papunëtor, kishte hapur një klub në të cilin mblidheshin djemtë e pasur të qytetit dhe vajzat e bukura, që përdornin dhe flitnin vetëm për muzikë, hashash, sex dhe makina. Megjithatë, Zero-ja kryente punët që i caktonte Shuteri.

Pala tjetër në fushatën zgjedhor, ajo e Nef Nosit, përmes mediave (“Kalemi.al”), zbulon se Shuteri kishte origjinë çifute, nga lagjja Kalaja e qytetit të Basenit, i cili po tallet pa shkak me këto zgjedhje, me të gjallët e të vdekurit. Kur një televizion kishte paralajmëruar ta kishte mysafir Nef Nosin, Shuteri gjen një bashkëpunëtore të tijen, të cilën e porositë që në debatin televiziv moderatori Henri ta pyet Nef Nosin, se çfarë mendimi kishte për pushtimin e Shqipërisë nga gjermanët. Pyetja aludonte te gjyshi i tij, i cili kishte qenë anëtarë-ministër i regjencës gjatë pushtimit nazist, ashtu që ta deklasonte para elektoratit. Përgjigjen që dha Nef Nosi, lente të kuptohej se nazizmi ishte më i mirë se komunizmi, që do të thoshte se më mirë Shqipëria e pushtuar, se e qeverisur nga shqiptarët, dhe nisi ta arsyetojë me avantazhet e zhvillimit të Gjermanisë dhe varfërinë e Shqipërisë. Shuteri shfrytëzoi përgjigjen e Nef Nosit, për të krijuar indinjatë te veteranët e Luftës Nacional-Çlirimtare dhe komunistët e qytetit, se si mundet nipi i një nazisti të kandidojë për kryetar bashkie. Shtabi i Shuterit bënte punën e vet me material propagandues, parulla, fejsbuk, hashtag, bluza me fjalinë: “Je ne Lef pas”; kryetari i shoqatës së veteranëve (Sami Patrona), përmes shtypit e televizionit ftonte veteranët  nga gjithë Shqipëria që ditën e caktuar të vinin në protestë; familja Sadini kishte paguar 200 autobusë  e 20 kamionë t’i bartnin protestuesit. Në qytet u krijua atmosferë e elektrizuar. Rrënimin e bustit të Lef Nosit e realizoi Zero-ja, me ca shokë të tij. Policia e prangosi, por protestuesit e kishin rrethuar, si një hero, dhe pengonin policinë ta arrestonte, derisa vet Zero u foli protestuesve që ta lënë policinë ta bëjë punën e vet, sepse ky nuk ishte një kriminel. Kështu, përnjëherë pas arrestimit, Zero u bë Njësh! Por, pas arrestimit të tij, në qytet shpërtheu dhuna e protestuesve, thyerje, djegëje, shkatërrime, plaçkitje, eksplodimi i centralit elektrik dhe qyteti mbeti në errësirë. Shuteri pati një aferë dashurie me Ollgen. Analistë e gazetarë në TV jepnin e merrnin për ngjarjet. Për shkak të situatës së krijuar në qytet, një javë para ditës së zgjedhjeve, Këshilli Zgjedhor, në marrëveshje me policinë e qytetit, kishte pezulluar fushatën dhe çdo aktivitet të kandidatëve. Pas një bisede informative të komisarit të policisë (Izauri), Shuteri u detyrua ta lëshojë qytetin dhe shkoi në një hotel në bregdet, ku e priti ditën e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultateve. Në votim nuk kishin dalë më shumë se çereku i votuesve, por shumicën e votave i kishte fituar kandidati i vdekur, Kadim Sedini!

* * *

Siç është krejt romani provokativ, edhe unë ia vura këtij vështrimi titullin provokativ (“Fuza dhe Furiuza”...). Fuza, përveç emrit të një sendi (s’ka nevoje për shpjegim), është edhe një shprehje metaforike për ndonjë punë a veprim të kryer shpejtë e me lehtësi. “I ka ndjekë, i ka bërë fuzë”, thuhet për ndonjë aksion, apo “e ka bërë fuzë”, thuhet për ndonjë punë të kryer lehtë, shpejtë dhe me sukses. Ndërkaq, “furiuza” është term të cilin vet autori  e ka përdorur në disa vende e kontekste të caktuara në roman (“fast and furious”, shpejtësi dhe tërbim). Siç len të kuptohet me shënimin në fund të romanit, Blushi këtë e ka shkruar për dhjetë ditë (20-30 shtator 2015), dhe kjo është një shpejtësi e rrallë e shkrimit të ndonjë romani prej 215 faqesh.

Me ironinë e tij, cinizmin, karikimin e zgjedhjeve, të ngjarjeve e personaliteteve aktuale e historike, nënçmimin e fshatarëve, romani është një provokim par exelance, me aludim të qartë në qytetin e Elbasanit dhe në personalitete konkrete (në kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini), dhe familjen e tij. Edhe të tjerë nga jeta reale mund të identifikohen me personazhet e romanit (si Henri, psh.Henri Çili, apo ndonjë  gazetar tjetër).  Dhe kjo ka shkaktuar një debat të nxehtë në qarqet politike, mediale dhe letrare, madje edhe djegëjën e gazetës (“Koha jonë”) e cila ka publikuar daljen dhe përmbajtjen e romanit. Po kjo zhurmë ka zgjuar akoma më tepër interesimin e lexuesve dhe ka bërë që romani të shitet furishëm në numër rekord ekzemplarësh për një kohë të shkurtër, gjë që gjithsesi shkon në favorin dhe kënaqësinë e autorit.

Sado të veshura në petkun artistik, romani përmban shumë fjali që me gjuhën e autorit mund t’i quanim “furious”: “Baseni ishte një qytet i ndotur...,në atë qytet nuk kishte asnjë burrë të pastër dhe asnjë grua të bukur” (fq.22);  “Shqipëria mbetet një parajsë elektorale për gjithë të vdekurit që zgjidhen, dhe një ferr për të gjithë të gjallët që zgjedhin” (fq.33); “...bukuria e grave është e vetmja cilësi që ia vlen të çmohet...,ato kanë mision t’ia bëjnë kujtdo jetën të padurueshme” (fq.35); “...është hera e parë që nuk lexoj qoftë edhe një fjalë të mirë për një të vdekur” (fq.37); “Të presësh që shqiptarët mund të reagojnë ndaj një padrejtësie, është njëlloj si të presësh që qeni i Fan Nolit të ngjallet dhe të bëhet prift” (fq.63); “Një vend si Shqipëria nuk meriton të jetë i pavarur” (fq.77); “Ai njeri përfaqësonte gjithë përtacinë e shekujve që kishin kaluar mbi qytet” (fq.95); “...ai bënte poezi të shkëlqyera, por si kryeministër ishte një deshtak” (për Fan Nolin, fq.122); “...komunizmi ishte një ngrehinë shqiptare me arkitekturë sovjetike” (fq.126); “Shqipëria ishte më mirë e pushtuar, se e qeverisur nga shqiptarët” (fq.130); “Çlirimi i Shqipërisë nga komunistët, ishte më i dëmshëm se pushtimi nazist” (fq.144); “...muzika që zakonisht zgjidhte Zero, ishte rap zooteknik ose tallava bujqësore” (f.162); “Shqipëria, një vend i zhytur në depresion, papunësi, varfëri dhe mjerim” (fq.173); “...shqiparët ishin një popull me fat. Ata e kishin shpikur të parët ilaçin kundër mendimit... dhe më kishin ndjekur ...pa menduar” (fq.125).

Pa marrë parasysh kontekstin e përdorimit dhe aludimit të fjalive të cituara, pa marrë parasysh se ato janë përdorur në  një vepër letrare-artistike, roman, gjithsesi shprehin një cinizëm, por edhe një pesimizëm të autorit, që gjithashtu ai shprehë edhe në veprat e tjera. Autori nuk e ka për gjë të fyejë inteligjencën e të tjerëve, përmes letërsisë. Sado që është thënë në kontekst letrar, le ta marrim si rrëfim të sinqertë të autorit, fjalinë nga faqja 73 e romanit: “Askush më shumë se unë nuk ishte tallur kaq keq me vendin e vet”!

Ben Blushi si politikan dhe shkrimtar, e njeh shumë mirë situatën në vend, i njeh mirë huqet dhe rolin e politikës dhe të mediave në manipulimin e masës, jo vetëm me rastin e zgjedhjeve. Jo vetëm me këtë roman, por edhe me të tjerët para tij, Ben Blushi ka dëshmuar se ka një imagjinatë e fantazi letrare jashtëzakonisht të zhvilluar, që për mrekulli i venë në funksion të lidhjes artistike ngjarjet historike dhe ato reale, dhe anasjelltas, por me një dozë të lartë të pesimizmit për të ardhmën e vendit. Ka humor e satirë, por edhe stil cinik.

Sidoqoftë, Ben Blushi është ndër shkrimtarët më të lexueshëm dhe më të lexuar shqiptar.