E shtune, 20.04.2024, 12:36 AM (GMT+1)

Mendime

Blendi Fevziu: A mund të quhet ky Shtet?!

E hene, 30.11.2015, 08:04 PM


A mund të quhet ky Shtet?!

Nga Blendi Fevziu

Rrija i magjepsur para tij. E vështroja me vëmendje ndërsa me një ton të pandryshueshëm dhe vetironi të paqortueshme rrëfente historinë e jetes. Plot 26 vjet burg. Një kalvar i gjatë mundimi dhe vuajtjeje për një arsye fare të thjeshtë: ai besonte në zot dhe nuk e mohonte atë. Nuk kishte asnjë fjalë bombastike. Asnjë sens ironik. Rrëfente se si kishte mbijetuar duke bërë herë marangozin e herë piktorin apo skulptorin amator. Se si mundohej të ruante raporte korrekte me gardianët apo operativin në burg dhe se si bashkëjetonte njëkohësisht me besimin e tij të vjetër, atë që nuk e lejonte të tjetërsohej në shpirt! A ka mëri ky njeri pyesja veten? A i vë faj dikujt për gjithë atë vuajtje që pësoi në jetë?

E vështroja At Zef Pllumin ndërsa fliste, në një nga intervistat e rralla live në Opinion. Nuk shprehte asgjë të tillë, nuk fajësonte askënd. Derisa një moment e zbuloi sekretin e tij. Ose misionin që kishte pasur në jetë: rrojta deri më sot që ti rrëfej të gjitha këto, më tha! Rrojtja sepse ja premtova superiorit tim. Ai besonte që një dite ky regjim do binte, edhe pse vetë kishte pak shanse ta shihte atë. Unë e pashë dhe dëshmova për gjithë atë që pësuam. Tani jam i qetë të vdes!

Vdiq ca kohë më pas. Njeriu që kishte bërë 26 vjet burg dhe kishte mbijetuar, pati një ceremoni siç e meritonte. Në rreshtin e parë të meshës së tij të përmortshme qëndronte Presidenti, Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit. Shteti, po e përcillte gjithë dinjitet, një njeri, që regjimi komunist kishte tentuar ta nëpërkëmbte për një çerek shekulli, por pa sukses. Edhe pse ai vetë se kishte kërkuar kurrë këtë ceremoni!

M’u kujtua e gjitha kjo kur mësova që në dekorimet e vjetshme Shteti Shqiptar paska dekoruar edhe ish hetuesin e At Zefit. Por edhe shumë hetues dhe kriminelë të tjerë. Nuk u shqetësova për këtë. Nuk është hera e parë që ndodh. Nuk u shqetësova as për At Zefin që me siguri nga parajsa nënqesh me ironinë e tij të njohur.

Do thoshte me vete, kështu e kanë këto punë. Ajo që më befason është standarti i shtetit. Duhet të jemi i vetmi shtet i botës që nderojmë njëkohësisht me medalje edhe të persekutuarin edhe persekutorin; edhe vrasësin edhe të vrarin. I nderojmë duke i barazuar, edhe pse njeri është viktimë dhe tjetri ekzekutor. I barazojmë të dy duke mos krijuar as një hierarki vlerash dhe as duke dënuar një krim apo një gjest moralisht të dënueshëm.

Kjo nuk ndodh në asnjë vend në botë. Mund ta bëjë ose një shtet i shpartalliar, ose një shtet bandit. Por për fat të keq edhe pse ka shumë regjime të tilla në botë sot, s’e ka bërë askush. E kemi bërë ne! Kemi nderuar me medaljen me të lartë At Zef Pllumin për vuajtjet dhe persekutimin e tij të padrejtë. Kemi nderuar edhe hetuesin persekutorin, sepse ka dënuar atë!

Ndaj nuk gjej një emër që ta përcaktoj këtë qeveri. E vetmja gjë që mund të thoja do të ishte: kur nuk ke turp, kur nuk ke një ideal bën gjithçka. Zoti jua numëroftë edhe këtë mëkat.



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora