E merkure, 24.04.2024, 03:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Moikom Zeqo: Krishti dhe Arti

E hene, 04.08.2008, 06:42 PM


KRISHTI DHE ARTI

Nga Moikom ZEQO

MARKU (22-25): "Pastaj arriti në Betsida dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte. Atëherë e mori për dore të verbrin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë. Dhe ai, duke hapur sytë, tha: "Po shoh njerëz si pemë që ecin." Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka..."

Betsaida do të thotë Shtëpi e Mëshirës - qe emri i një pishine, që mbushej nga një burim uji dhe që kishte pesë portikë, anët e të cilët ishin si strehë për të sëmurët. Kjo pishinë është zbuluar nga arkeologët më 1888, pranë kishës së Shën Anës në lagjen Bethezda në Jeruzalem, në afërsi të Portës së Deleve dhe të kullës Antonia. Edhe pse ujërat e kësaj pishine mund të shëronin çdo lloj të sëmurësh (të verbër, çalamanë, të paralizuar), shërohej çdo herë vetëm një i sëmurë, dhe pikërisht ai që zbriste i pari në pishinë, sa herë që Engjëlli trazonte me këmbën e tij ujërat (Gjoni 5-2,4).
Pështyma e shenjtë e Krishtit është vetë simboli i kësaj pishine të Engjëllit. Interesante (pambarimisht) është se herën e parë i verbëri pa njerëz si pemë që ecin. Kjo është zanafilla e metaforikës së pikturës në shekuj, vizioni dhe frymëzimi surealist (Boshi, Dalia, Klee, Magritti, Miroja).
Miku im i vështirë dhe mosbesues Makabe Zaharia, i lindur më 1949 në Durrës, më ka shpjeguar, jo pa ironi, se shikimi i parë iu kthye të verbërit nga Krishti si shikim figurativ, si ai i çifutëve pleq me violina, që fluturojnë në ajër e mbase ky i verbër quhej ashtu kot Shagall, kurse shikimi i dytë (çuditërisht i sipërm, qiellor), ai që qartësonte gjithçka, është përtej dukshmërisë vulgare, pra një triumf i tejskajshëm i panteizmit kozmik, molekular, me një fjalë, te pështyma e dytë e Krishtit për sytë e verbër të njerëzimit është e Vërteta e Fundme - përtej asaj s'ka më asgjë...

Durrës, 1985

EMRI I MREKULLUESHËM

... i tradhtuar nga krijimi i tij Zoti, Zoti, është i tepërt, i tepërt, o, kjo rrufe do të bëhet muskul i gjallë në trupin tim atletik, paqja ndërtohet nga të njëjtat çaste me të cilat ndërtohet lufta, guri është frikshmërisht i lashtë, Borges: "El tiempo que a los hombres tra el amor o el oro, a mi apenas me deja esta rosa apagata" ("koha, që njerëzve dashuri u sjell a flori, mua mezi po më le këtë trëndafil të fishkur"), Herkuli e nxjerr këmishën e flakës dhe e jep falas për të uriturit e të zhveshurit në terr të mijëvjeçarëve, raca e pavdekshme e mjerë e Strudbrugsve s'ka botuar asnjë libër kod për utopistët, subjekti i "Satirikonit" është ai i një qytetërimi monstruoz nga Atlantida e zhdukur përfundimisht nën det, por në një gjendje të dehuri grotesk e dioniziak, ja dhe format e zgjuara, apo të fjetura të gjigandëve të lidhur te libri i kuçedërshëm "Zgjimi i Fineganit". Dantja e di fare mirë se Djalli i Madh s'është më këmbë, por qëndron kokëposhtë e këmbëpërpjetë dhe me shputat e këmbëve prek paksa Purgatorin, kurse D. H. Laurensi flet për njeriun, që digjet në ngjyrën e purpurt të amforave dhe te afreskat e shpellëvarreve etruske, sepse guri që bie dhe Hëna që s'bie janë e njëjta gjë, Moisiut i qe ndaluar ta shihte Zotin, Zotin përballë, por vetëm nga shpina, metali i çmuar orihallk, që përmendet në Bibël nuk është gjetur ende kurrë më, ndoshta do ta risjellin jashtëtokësorët, çdo aktor është si ora, ku akrepi i njeriut dhe akrepi i rolit përputhen e ndahen, prostitutat shqiptare nxjerrin të kuqtë e buzëve - gëzhoja të revoles së vetëvrasjes pa vdekur, me këtë peshk, këtë brumbull të artë, këto qerpikë të zogut Feniks e krijoj një alfabet për shurdhmemecët, o këngë e Jovanottit "Il mio nopme é mai piu" ("Emri im është kurrë më"), pema është Darka Mistike me kokrrat apostuj, tej del flaka e qiririt si tehu i një thike, poeti është Mosiu i padukshëm, me penën skeptër hap Detin e Kuq të kuptimeve, anonim: "Yo quiero morir contigo, sin confesion y sin Dios" ("Me ty dua të vdes, pa rrëfim dhe pa Zot"), se Vdekja është përherë vetëm Fillim, te "Upanishadat" kali flijues përmban në trupin e tij tërë gjithësinë, se thëngjilli i zjarrtë i vihej në gojë profetit Isaia nga Zoti, Zoti, mendimi (pistis) është dhe dëshmi (gnosis)), se Krishti i tha të atit të vajzës së vdekur se ajo vetëm po flinte dhe, sipas Markut (5-41), shqiptoi te koka e vajzës "Talitha kumi", çka ungjilli në greqisht e shpjegon se e përkthyer do të thotë "Vajzë, ty po të them çohu", në të vërtetë Krishti foli shqip, d.m.th. "Ta lidha gjumin", formula e Krishtit qe pra apotropoike, Gotterdamering-u i hyjnive pagane nuk e ka parashikuar ringjalljen izotopike të Panit të Madh, se shpirti i tij është i paasimilueshëm si elementet fisnike të kimisë, p.sh. heliumi, mandorla e Jazuit është edhe vulva magjike e budizmit, hebrenjtë besojnë se në të Shtunën e tyre të Shenjtë Vdekja është e pranishme, por nuk mund të vijë, muzika - bota kohore, "në tokë nuk ka asnjë qytet ku mund të banojmë përjetë. Ne po presim qytetin që do të vijë" (Letra Hebrenjve 13-14), utopitë janë përherë transcedentale, dialektika është Zoti ynë shekullor, vrasja e gjarpërit Piton nga Apoloni i Ri është ikonografia ideore e shën Gjergjit, kush e di kontinentin sekret Lemuria dhe qytetin e pakapshëm Shakri-La të librave tibetiane, më të lashtët e botës "mbas shkatërrimit të lëkurës në mishin tim do ta shoh Zotin, Zotin" ("Libri i Jobit" 19-26), sqima e tepruar është ngjitëse si zgjebja, kush e di ligjin e ngrirjes përjetë të kalueshmërisë, muzgjet e blerta të Botiçelit dhe zjarret bengaleze ndriçojnë një "Antemurale anticristianitatis", njeriu është i dënuar të jetë i lirë siç është i lirë një shkëmb, ëndrrat janë si maskat maleiziane, e çuditshme. Biri i Njeriut e qortoi Pjetrin, që të mos mendonte për hyjnoren, po për njerëzoren, me gjakun tim e ushqej përbindëshin limfatik: Mërzinë, pse të vdekurve u veshin këpucë të reja, pse regjisori Kumbrick vdiq pa e parë filmin e tij të trembëdhjetë "Eyes Wide Shut", hiri i trupit të Kenedit të ri u hodh në det, në Romë befas mes librave të bibliotekës u rigjet një zarf, një qese dhe dokumenta që vërtetonin se qesja kishte hirin e Dantes (mendohej se kishte humbur), "Mene, Mene Tekel Ufarsin" ("Libri Danielit" 5-25-28), "Elif. Lamë, Mimë" (Suretu el bekare), në Safa një statujë quhej "Asaf", në Mekë një statujë tjetër quhej "Nailetun", ditën e Dielë Zoti, Zoti e ndalon të kapen peshq, ata që s'binden i shndërron në majmunë, Hadith: "mos i bëni shtëpitë tuaja varreza", gërma "I" në sanskritisht ka kuptimin e përmasës së përgjithshme e të pafundme, "I" quhet hyjnia më e lashtë e Indisë, "I" në hebraisht simbolizon çdo forcë ndriçuese, dritën e përjetshme, në turqisht "I" do të thotë mirë, njeriu i parë i botës, shtëpi, por edhe nënë, Bllejku: "Të përgjithësosh është të kufizosh, është idiotizëm", "si tu es homo ego te baptiso", gjuha universale muzikore e shpikur nga Sudre quhet "Solremisoldomido", Bollack shpiku "Gjuhën blu", arti është "Deus absconditus", "do t'ua heq zemrën prej guri e do t'u jap një zemër mishi" (Ezekiel), jeta jo si një përsëritje, por si imagjinatë e ka kohën psiqike të ndryshme nga koha fizike, M.Z.Z. "Indolis egregiae et pius at morior", YHVH, "in hoc signo vinces", "surgite mortui", Zoti, Zoti, tha "pse vallë kërkon ta dish emrin tim? Ai është i mrekullueshëm." (Gjygjtarët! 13-18)...

1999

KRITIKU I ARTIT

Një kritik arti, 83 vjeç, miop, (diçka midis një shtrigani dhe një Hermesi të çmendur!), hyri në një ekspozitë pikturash (ndoshta në Londër, Ankona, Amsterdam, Samarkanda apo në Shijak?).
Iu afrua një tabloje dhe tha:
- Kjo do të jetë ndonjë karikaturë monstruoze, nga ato që artistët i quajnë me delir kryevepër...
- Jo, - u përgjegj një i pranishëm (piktor, fëmijë, grua e divorcuar, riosh i porsadashuruar, zgjidhës enigmash dhe fjalëkryqesh, engjëll, apo polic depresiv?), - kjo është vetëm një pasqyrë!
1993



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora