Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Berisha: Varrimi i nënëlokes ose takimi me Durrësin

| E diele, 29.11.2015, 02:35 PM |


R e p o r t a zh

Sejdi BERISHA:

VARRIMI I NËNËLOKES OSE TAKIMI ME DURRËSIN...!

Nganjëherë,  gjërat që dëshiron për t’i realizuar, ndodhin edhe atëherë kur fare as nuk e ëndërron. Dhe ja, në muajin nëntor, kur edhe koha bëhet me e sertë me temperaturën, papritmas ngjarjet “vrapojnë” dhe realizohen disa gjëra që mund të ngatërrohen edhe me gëzimin, edhe me respektin por edhe me dhembjen. Miku im nga Durrësi, z. Imer Lushakaj, më lajmëron për vdekjen e nënës së tij, dhe pasi mora lajmin dhe mësova për kohën e varrimit (e dija se ai ka dëshirë që të marrë pjesë në varrimin e nënës së tij, e cila gati i kishte rrumbullakuar të njëqindat, kisha obligim që të marr pjesë në ceremoninë e varrimit. Këtë lajm ia kishte përcjellë edhe Arbrit, dhëndrit tim, sepse, ka kohë që kishim krijuar miqësi me këtë person i cili komplet rrënjët i ka në Kosovë.

Për të mos e zgjatur rrëfimin, së bashku me Arbrin, në orët e hershme të mëngjesit morëm rrugën për në Durrës. Gjatë udhëtimit, sërish më provokon Rruga e Kombit, për të cilën sa herë kam shkruar në mënyra dhe forma të ndryshme, por tash diçka tjetër më mundon. Përgjatë rrugës, këtë vepër të madhe kapitale dhe historike të kombit, në vend se ta ruajmë si sytë e ballit, në shumë vende hasa se si “dikush” i kishte dëmtuar mbase edhe vjedhur pjesë të mbrojtëseve të hekurta vetëm e vetëm që “ata” për t’ia “shkurtuar” vetes rrugën për të pasur dalje dhe hyrje në autostradë. E dhembshme apo jo kjo sjellje, e cila reflekton shumëçka për nivelin e vetëdijes dhe të ndërgjegjësimit të njeriut tonë.

Pesha e kujtimeve dhe varrimi i nënëlokes...

Dhe, duke menduar edhe shumë gjëra të tjera, të cilat ma nxehnin mendjen dhe trurin, sa ora arritëm në Durrës. Tani, edhe këtu më “silleshin” rreth e rrotull shumë gjëra e kujtime, sepse, në Hotel “Dolce Vita” kishte dy vite që nuk kisha qenë. Aty ishte edhe destinacioni ynë. Në një nga objektet e këtushme ishte organizuar ceremonia e ngushëllimeve për Nënëloken Zize, e cila një ditë më parë e kishte “rrumbullakuar” jetën, gjatë së cilës kishte lindur dhe rritur djem e vajza, të cilët i kishte kalitur për t’u përballur me përplasjet e jetës. Dhe tërë atë luftë të saj, ia kishin shpërblyer fëmijët e saj, sepse, ata ishin bërë të zotët e vetvetes, “fëmijë” të mirë të atdheut dhe kombit. Këtë mendim e mbështes me faktin se djali i saj (njëri prej fëmijëve të saj), Imer Lushakaj, ka arritur të krijojë një kapital aq me vlerë e me peshë në turizëm dhe hotelieri, sa që tani, Hotel “Dolce Vita” dhe shumë objekte të tjera hoteliere dhe turistike, janë me peshë të madhe për ekonominë dhe turizmin dhe ekonominë e Shqipërisë. Më kujtohet, z. Lushakaj, para disa viteve, për punë të suksesshme është shpallë edhe Qytetar Nderi i Durrësit, dhe atë pikërisht në ditën e Festës së Ullirit.

Me qëllim ika mendjen nga vargu i kujtimeve të viteve të kaluara. Tani e parkojmë makinën dhe drejtohemi tek apartamenti ku ishin mbledhur burrat për shprehjen e ngushëllimeve. Kësaj radhe, ky mjedis e kishte një atmosferë pak më ndryshe, për të mos thënë, të zymtë, sepse, Nënëlokja Zize, nuk ishte më, dhe nuk mund ta shihnim duke shëtitur në ambientet e gjelbërimit, të pishave dhe luleve, e cila shkëlqente me atë veshjen tradicionale të nënave tona, e që deri në vdekje nuk e ndërroi.

Pishina dhe një pjesë e Kompleksit të Hotel “Dolce Vita” te Shkëmbi i Kavajës

Një nga pjesët më të bukura me gjelbërim të Hotel “Dolce Vita”

Fotoja si provokim për t’i kujtuar kohërat...!

U ngjitem shkallëve deri tek banesa, ku pritnin shumë burra, kurse brenda ishin edhe djemtë e nënëlokes, por jo të gjithë. Pasi u shprehëm ngushëllime, pas pak, për t’ua liruar vendin të tjerëve për ngushëllime, dolëm në oborr dhe u drejtuam tek pishina, ku para dy viteve, aty kisha kaluar çaste ndër më të mirat dhe më të ngrohta. Dhe kësaj radhe, u ulëm në tavolinën pranë pishinës dhe në vend të pushimit, porositëm nga një kafe, por bëmë edhe disa foto (këtë merak dhe “profesion” shpirti e ka Arbri), si provokim për të ma kujtuar kohën e para dy viteve, në atë vapë vere ku kënaqesha me kujdesin dhe dashurinë e familjes, bashkëshortes sime Mevlydes, të vajzës sime, Vjollcës, të bashkëshortit të saj, Arbrit, me ngrohtësinë e mbesave, Gresës dhe Elës dhe të nipit, Drenit, aty ku takohesha me rrezet e diellit, me kripën e ujit të detit, me freskinë e ujit të pishinës dhe me flladin e pishave e bukurinë e barit i cili kapërthente madhështinë dhe lumturinë e njerëzve, që për çdo vit kthejnë këtu për të pushuar dhe pastaj kurrë për të mos i harruar kujtimet për këtë vend, për këtë pjesë të tokës së atdheut.

Edhe kjo është histori në vete, por nëse doni, shprusheni dhe analizojeni e përkujtojeni si të doni dhe në cilindo rrafsh, ose harrojeni...!

Duke pirë kafe dhe duke evokuar kujtime (Arbër Bytyqi dhe Sejdi Berisha)

Dhe, duke “biseduar” me kujtimet dhe kohën e shkuar, erdhi edhe vakti i varrimit të Nënëlokes. Ishin tubuar numër i madh njerëzish. Kur i shikoja të gjithë ata, më detyrohej mendimi “ani, ajo e ka merituar edhe më shumë”, sepse motet e saj kanë histori në vete, të cilat as një çerek të historisë dhe të jetës së saj nuk e kanë thënë, nuk e kanë rrëfyer, dhe ndoshta shumëçka ka ngelur e pathënë dhe shumë gjëra ka bartur me vete, të cilat, ndoshta apo me siguri, dikush tjetër do t’i ndriçojë dhe do t’i përjetësojë.

Nisemi për në varreza, të cilat ishin në pjesën e kundërt të qytetit. Bëmë disa kilometra rrugë. Nxitonim me makinë me Arbrin vetëm e vetëm që mos ta huqim rrugën. Kur arritëm tek varrezat që shtriheshin në një shpat prej disa dhjetëra hektarësh, na doli mjaft kohë për t’i vështruar dhe shijuar madhështinë dhe peshën e tyre, sepse, trupi i pajetë i nënëlokes për herë të fundit qëndroi edhe në ambientet e xhamisë, e cila ishte në një vend tjetër të qytetit.

Trupi i nënëlokes niset për në shtëpinë e përjetshme...

Shpati që vezullonte bardhësinë e historisë dhe të kujtesës

Në të arritur te varrezat, në shpat sikur vezullonte bardhësia e eshtrave që pushojnë në tokën e lirë, në tokën që ka histori e rrëfime nga më të dhembshmet, më tragjiket, por edhe histori dhe rrëfime krenare, që e kanë bërë e do ta begatojnë edhe më shumë lashtësinë e kësaj toke. Varrezat në këtë shpat apo kodër në periferi të Durrësit...?!

Varrezat refleksion i historisë dhe i kulturës

Nderimi dhe përcjellja e Nënëlokes, Zize Lushakaj për në shtëpinë e fundit

Edhe tash etja për unitet, punë, vetëdijesim dhe ndërgjegjësim kombëtar...!

Duke i vështruar dhe analizuar këto varre, të cilat për herë të parë i shihja dhe vizitoja, në fillim thash, po ku i kanë vendosur në këtë pjesë të tokës së “padisiplinuar” mbase edhe në pozitë thikë përpjetë. Po, kush mund të “ngjitet” atje lartë, prej nga dukej edhe deti me kaltërsinë e tij lakmuese. Në fillim m’u duk vend i papërshtatshëm, si tokë e “nëmur”, por duke i vështruar nga pak edhe duke i studiuar këto shenja malli e historie në “cikol”, në maje të Durrësit, e që janë simbol me domethënie shumëdimensionale, në mendje më doli ndryshe.

Dhe: në njërën anë të këtij shpati, bënin dritë varrezat e shqiptarëve me fe islame, kurse përtej, në anën tjetër, vezullonin varrezat e shqiptarëve me fe katolike. E kështu, sikur bashkërisht e përqafonin dhe e shtrëngonin njëri-tjetrin, që thua se ngrinin dhe reflektonin peshën e historisë së unitetit, të rrahjes së përbashkët të zemrës, të rritës dhe të jetës...!

Atëherë, mu duk se me zë thash: mirë është që qenkan në këtë shpat “hidhërak” varrezat e këtij qyteti, sepse, nga kjo pozitë, ato përherë e përgjithmonë kënaqen me madhështinë e bukuritë e këtij qyteti, të cilit, edhe historia, edhe madhështia, edhe bukuria kanë aromë e frymë mëmëdheu...!

Dua të them edhe diçka. Derisa bëhej ceremonia e varrimit, ndalem me dy burra, të cilët më thanë se i takojnë familjes Kapiti, e të cilët prejardhjen e kanë nga Kosova, dhe pasi u njoftuam, bisedojmë, siç thuhet për Shkup e për Shkodër. Çfarë dua të them. Si përfundim i kësaj bisede, sikur del se, siç edhe kam thënë gjithmonë, vendit dhe kombit, edhe sot e kësaj dite i nevojitet uniteti shpirtëror,  i punës dhe i mendjes, por edhe ngritja e vetëdijesimit dhe e ndërgjegjësimit, të cilat, po ashtu, sikur edhe sot e kësaj dite na mungojnë...!

Tani kthehemi nga varrimi. Mu duk sikur ia kthyem shpinën nënëlokes, me histori afro njëqindvjeçare... dhe çfarë tani?!...

Përshëndetja pas varrimit dhe pesha e dhembjes për nënën...!

Sërish kthehemi te Hotel “Dolce Vita”, sepse, biri i nënëlokes, Imer Lushakaj, nuk na lëshon pa drekë. Në ndërkohë, sërish Arbri bën foto, sepse këtë e ka shumë për zemër. Ashtu edhe unë kam dëshirë të madhe të bëj foto, por, kuptohet, edhe për të lënë gjurmë e për t’ia shtuar peshën kujtimeve...

Tani, përshëndetemi dhe, edhe njëherë u shprehim ngushëllime për vdekjen e Nënëlokes, Zize Lushakaj, për të cilën, para dy vitesh, e di dhe nuk e harroj se sa kujdes kishte djali i saj, Imer Lushakaj, sa që vetë e shëtiste nëpër gjelbërimin dhe bukuritë përreth hotelit dhe pishinës... Ai, u përshëndet me ne dhe na përqafoi ngrohtë, që ishte shprehje edhe e respektit, por edhe e peshës së dhembjes për nënën e tij...! Veçmas e përshëndeti dhe e përqafoi Arbrin(Arbër Bytyqin), të cilin e adhuron si një menaxher të spikatur të hotelerisë dhe turizmit në Pejë e Kosovë, i cili në moshë të re ka arritur aq shumë në këtë fushë ekonomike me rëndësi të veçantë, e që është pronar i Kompleksit “Koha e Re” në Pejë.

Kështu përfundoi varrimi i Nënëlokes, Zize Lushakaj, kurse unë me Arbrin u kthyem për në Kosovë duke u begatuar edhe me shumë kujtime të tjera dhe me mallin e dhembjen për nënëloken e cila për afro njëqind vjet u përballoi përplasjeve të jetës dhe furtunave të kohërave...!

Madhështia e qytetit të Durrësit