E shtune, 20.04.2024, 03:48 AM (GMT+1)

Mendime

Sylejman Salihu: Akademia e heshtjes

E diele, 29.11.2015, 12:56 PM


Akademia e heshtjes

Nga Sylejman Salihu

Secili popull i gëzohet institucioneve të veta në fushën e dijes. Pse të mos i gëzohemi edhe ne, madje i jemi gëzuar çmendurisht , sepse atje ku është truri i kombit, atje pritet zhvillimi dhe përparimi i atij vendi. E truri, meqë është truri, i tregon rrugën e vërtetë atij populli, rrugë, madje të cilën do të duhej t’ia trazonte ajo akademi jo me kazma e lopata, por me dije dhe vetëm me dije. Akademitë e shkencave dhe të arteve nuk jetojnë krejtësisht vetëm me kokë mbi libra të izoluar nga hallet dhe problemet e popullit të vet. Përvojat e popujve kanë treguar se vetë akademikët ishin pjesë e atyre ngjarjevve dhe atyre zhvillimeve , nëpër të cilat kishin kaluar gjatë historisë. Por Akademia e Kosovës, sikur ka zgjedhur një rrugë tjetër, rrugën e heshtjes. Por a do të duhej të sillej në mënyrë kaq oportune dhe kaq indifirente siç po sillet kështu akademia jonë?E kundërta është e vërtetë, sepse populli i Kosovës, përderisa kaq shumë ka vuajtur, ka shpresuar shumë në institucionet e veta të dijes, të cilat nuk do ta lënë në mjegull, sepse politikanët tashmë e kanë lënë dhe mjegullnaja sa vjen e po shtohet. Vetë kryeneqësia e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit që pohojnë se nënshkrimin nuk e tërheqin është sinjal i mjaftueshëm për këtë. Dhe kjo është një shenjë apo një ogur i keq.

Meqë është institucion i pavarur, dhe institucioni mi lartë i dijes, akademia pikërisht për këtë arsye më shumë do të duhej të fliste dhe madje të ngriste zërin fuqishëm për të gjitha ato dukuri që pikërisht muajt e fundit po ngjajnë dhe po e prishin edhe atë pak imazh, nëse e ka pasur Kosova ndonjëherë. Nëse populli është i indinjuar pafundësisht, me atë që po ngjet, athua anëtarët e ASHAK-s nuk ndjehen sadopak të mërzitur për atë që po sheh dhe po dëgjon, apo ajo në këto momente as nuk sheh dhe as nuk dëgjon, apo as nuk do të shohë e aq më pak të dëgjojë. Ose siç do të shprehej populli me urtinë e vet:i ka shti veshët në lesh. Akademikët tanë sikur kanë zgjedhur të heshtin, mbase edhe duke iu përmbajtur asaj fjalës së urtë se heshtja është ar. Po a është ar, gjithmonë heshtja?Koha ka treguar dhe po tregon se të heshtësh përpara problemeve madhore, që po e dridhin shtetin, jo vetëm që nuk është ar, por është hekur, madje edhe hekur i ndryshkur. Përderisa rrinë dhe nuk hapin as edhe dritaren për të dëgjuar se ç’po ngjet disa metra më tutje në Sheshin e Prishtinës apo edhe në Kuvendin e Kosovës, atje ku dikush, mbron me dinjitet shtetësinë e Kosovës, e ku dikush tjetër jep pa dhimbje tokat e këtij shteti të bërë me djersë, mund e gjak. Akademia mund të thotë se kjo nuk është punë e jona, sepse i kemi institucionet politike shtetërore dhe ato le të merren me këtë punë. Mbase edhe ashtu është , por ato institucione shtetërore madje e futën në këtë kaos shtetin dhe e rebeluan popullin duke falë mijëra hektarë tokë të Kosovës dhe duke firmosur bërjen e asociacionit politik mbi baza etnike serbe, që nënkupton edhe ndarjen e Kosovës, ku një minoritet i konkuron me shtetësi shumicës brenda shtetit. Përse ASHAK-ja ka zgjedhur rrugën e heshtjes?Dikush me të drejtë edhe mund të thotë se akademikët janë apolitikë dhe shkenca poashtu është apolitike. Me të drejtë edhe mund të thuhet, por qysh në antikë mendja më e ndritur e antikitetit, Aristoteli, pohonte se njeriu, megjithatë, është qenie politike(Zoon politikon). Nuk mund të jetosh në një shoqëri e të mos ndjesh dhimbjen apo trishtimin, krenarinë apo zhgënjimin, përderisa je pjesë, madje pjesë aktive dhe kërkuese e zhvillimit të asaj shoqërie,  të atij vendi dhe për të mirën poashtu të atij vendi. Përse ASHAK –ja e ka vlerësuar si të arsyeshme heshtjen e saj të gjatë, përderisa vendit të saj po i vihet në dyshim ekzistenca e saj, ekzistenca hapësinore dhe ekzistenca e lirisë, së fituar me gjakun e atyre që ranë dhe na lanë trashëgim këtë atdhe. A nuk kanë parë anëtarët e ASHAK-s se si një akademi tjetër fqinje, ajo e shtetit të dhunës, të Sërbisë, është po ajo e cila edhe ka qenë arkitektja e ndërtimit të strategjisë së dhunës, shprehur mbi ne dekada me radhë, që në vazhdimësi e ka bërë dhe po e bën edhe sot me të shprehurit e saj fuqishëm, duke marrë pjesë aktive në jetën politike?(Madje kryetari i tanishëm i Akademisë Serbe, Vlladimir Kostiq, thuhet se ka marrë pjesë aktive edhe me armë në dorë në kohën e luftës në Kosovë!!).  E akademkët tanë a nuk u dashka që ta bëjnë të kundërtën, për të mbrojtur vendin e vet, lirinë e vet dhe të popullit të vet, jo me forcën e jataganit a tytën e pushkës, sepse këtë e ka bërë populli me luftën e vet ,  por me forcën e argumentit shkencor të mendjes së tyre. Përse është bërë akademia:të flasë apo të heshtë?Përse akademikët tanë, vërtetë, kanë zgjedhur rrugën e heshtjes në një kohë kur liritë tona bashkë me territoret tona edhe në këtë kohë të kinse shtetësisë, po shkojnë duke u rrudhur, po shkojnë duke u rrëgjuar derisa një ditë do të na zihet fryma dhe derisa një diitë do të vihet në pikëpyetje edhe vetë ekzistenca jonë. Dhe derisa akademikët serbë edhe sot e gjithë ditën janë aktivë dhe ia postojnë mendimet dhe pikëpamjet e tyre krerëve të shtetit se si duhet të veprojnë, akademikët tanë ende vazhdojnë ritualin e heshtjes apo meditimin në heshtje pa i dhënë as edhe një më të voglën këshillë apo rrugëzgjidhje udhëheqësve politikë, të cilët po e katandiisin vendin edhe më tutje në pasiguri dhe anarkizëm. A nuk po e shohin ata, vërtetë, se Sërbia po riinstalon veten e vet me shtetësinë e saj edhe në kohë të pavarësisë së shtetit të Kosovës dhe paralel po shtrihet jo vetëm në veri, siç ishte deri dje, por po zgjatet me tërë trupin e saj me këmbë mbi të edhe në brendi gjithandej Kosovës. Pra, në Kosovën tonë të vogël po krijohen dy Kosova , ku dora e Sërbisë do të jetë pjesë aktive e jetës sonë, e vendit tonë, duke e penguar, siç e ka penguar dhe siç po e pengon edhe sot në vazhdimësi në të gjitha lëvizjet tona për njohje e progres në mekanizmat ndërkombëtarë. Përse urtakët tanë në kështjellën e urtësisë nuk e ngrenë zërin për të thënë qoftë edhe një fjalë të vetme, sepse zëri i tyre duhet të dëgjohet. Orakulli duhet të flasë!Apo vërtetë akademikët tanë ndjehen keq edhe të flasin sepse nga grigja e tyre ka dalë njeriu i tyre për ta udhëhequr shtetin e Kosovës, i cili si dorëlirë që është,  dha çka i kërkuan. E anëtari i tyre , një akademik i politizuar, po vazhdon t’i sjellë dhimbje dhe plagë të reja Kosovës, ende pa iu shëruar të vjetrat. Përveç akademik Rexhep Qosjes, i cili ishte një zë i zëshëm në të gjitha periudhat historike të Kosovës, pavarësisht se si i ka vlerësuar rrjedhat dhe ngjarjet historike të kohës, që edhe dikujt nuk mund t'i pëlqejë por kryesorja është se ai ka folur dhe ndonjëherë edhe Mehmet Krajës, akademikët e tjerë, sikur po ndihen rehat në këtë amulli, që nuk e di kush se si do t’i dalë fundi. E Kosova ka pritur më shumë nga ata, sepse populli i saj i etur për dije dhe institucione të veta kombëtare, gjithmonë ka dëshiruar t’i ketë ata në ballë, në rrugën e rrëfimit të drejtë dhe drejt ardhmërisë. A nuk do të duhej që ata të tregonin dijen e tyre, meqë janë truri i kombit, e një trup pa tru, si do të orientohej në jetë dhe në zhvillimet e veta kohore?Sot bëhen projekte të reja për ta zhbërë sërish ekzistencën e hapësirës dhe lirisë së Kosovës dhe shteti serb e fut pykën e vet thellë e më thellë për ta çarë deri në fund trupin tonë, trupin tonë të brishtë e të mbushur plagë si trupi i Gjergj Elez Alisë, trupin tonë të cilin na e lanë amanet, ata që sot pushojnë nën dhe dhe që nuk ndihen rehat, sepse vendi ynë dhe liria jonë dhe e tyre po kërcënohet nga zhbërja me një të firmosur nga pushtetarët tanë. Ata pra, dëshmorët,  nuk kanë menduar kurrë se pas rënies së tyre,  mbi gjakun e tyre do të shkruhet falimentimi i veprës së tyre dhe fëmijët e tyre me të drejtë mund të pyesin se përse ranë atëherë baballarët e tyre në altarin e lirisë. Për cilin atdhe paskan luftuar ata?A nuk kemi humbur mjaft territore deri tash dhe u dashka edhe më tutje humbja të vazhdojë?Përse akademikët tanë nuk këshillojnë pushtetarët tanë hileqarë , të cilët janë verbuar pas lakmisë për kamje dhe pasje dhe fare lehtë, duke mos dashur të prishin këtë rehati,  firmosin përpara ndërkombëtarëve me përulësi projekte antishqiptare, të ngjashme me ato të akademikëve të Sërbisë, në kohërat, të cilat për ne nuk mund të harrohen , sepse ende janë të freskëta. Në qoftë se një popull,  siç ishte populli sërb , tumirte projektet e akademisë së saj për shfarosjen e një populli të lashtë siç është rasti i Çubriloviqit, madje paguhej nga Akademia Serbe për të bërë projekte shfarosëse ndaj shqiptarëve , a nuk pritka edhe populli ynë nga akademikët tanë,  ta bëjnë të kundërtën, që t’i dalin në mbrojtje lirisë dhe tërësisë territoriale të Kosovës , sepse udhëheqësit e saj po nënshkruajnë zhbërjen e tokave edhe ashtu të zhbëra ndër shekuj? Duhet të shikojnë dhe të bëjnë sehir se si të rinjtë tanë kacafyten me policinë në Sheshin e Prishtinës dhe se si deputetët tanë, të zgjedhurit tanë me votën tonë ,  hyjnë me maska në sallën e kuvendit dhe ngulfaten nga gazi lotsjellës?A nuk shqetësohen nga këto pamje ata,  të cilat pamje, të paktën mund t'i shohin nëpër ekranet televizive private apo publike? Ata duhet t’i shohin këto skena dhe të dalin me mendimin e qartë dhe të tregojnë se kush ka të drejtë. Me kë janë ata:me pushtetarët apo me qytetarët?Urtakët tanë duhet të ngrenë zërin dhe duhet ta thonë të vërtetën, me profilet e ekspertëve të tyre që kanë brenda akademisë, apo t'i këshillojnë se si të veprohet. Ata nuk duhet të thonë asgjë më shumë se të vërtetën dhe vetëm të vërtetën:po humbim mijëra hektarë tokë të Kosovës dhe po humbim edhe shtetësinë e Kosovës apo e vërteta është në anën e Sërbisë dhe të politikanëve tanë në pushtet?Populli i shkretë nuk po kupton asgjë, se nga t’ia mbajë dhe cila është e vërteta. Dikush dërdëllis duke thënë se nuk kemi humbur asgjë, të tjerë thërrasin me zë të lartë se humbja ka ndodhur. Atëherë thuajuni atyre atë të vërtetë, qoftë edhe të hidhur e të mos jetojmë me iluzionin e shtetit të lirë, të lirisë, e të pavarësisë. Me të drejtë, prandaj pyet populli:përse heshtë akademia?Heshtja e gjatë dhe qëllimkeqe konvertohet pastaj në faj. E akademikët tanë duhet të punojnë për vendin e tyre, për popullin e tyre, sepse janë e tij. Jo rastësisht gjeniu i kombit gjerman Johan Volfgang Gëte që atëherë thoshte:”Çka është tjetër një akademik , përveç një gjymtyrë e një bashkimi të madh”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora