Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Fjala e fundit

| E diele, 22.11.2015, 04:00 PM |


FJALA E FUNDIT

 

POEZI NGA  PËLLUMB  GORICA

 

NË TË MOÇMEN FOLEZË

 

Hapat ndalen nga furi e erës,

si stuhi qënkan, o kombi im,

më vije fshehur buzë humnerës,

me zëra luftrash hingëllim.

 

Me gjoksin tënd zbraze falanga,

që mbollën brigjeve veç rrënim,

shikime heshtjesh vallëzon nata,

se diellin e sulmuan në verbërim.

 

Sa shumë u thinje ti prej dhimbjeve,

me çerdhe jete të pa jetuar

e rrudhur keq përmes kafshimesh,

një kopsht shprese i vetmuar.

 

 

FJALA E FUNDIT

 

Buza t’u drodh në këtë mëngjes të ftohtë

Kur u ndamë pa fjalë e ngushëllim,

fytyra e ngarkuar me dhimbjen e botës,

prapa mbeti malli dhe  ndonjë kujtim....

 

Por shpejt më harrove, si fjalë e fundit,

e kërrusur padashje nga pesha e lotit.

Me zemrën e vrarë prej zhgënjimit, e mundit

mbi dhimbje u betova, para teje, dhe zotit...

 

 

STUHITË U PËRPLASËN

Kalaja e Beratit

 

Stuhi e zezë e Anadollit

tek ty kaq rëndë u përplas,

në muret e ngrohta të diellit,

mandata do vinte më pas.

 

Shkëmbinjtë e thepisur borëbardhë

zunë mes vete të rënkonin,

kalaja e mbrojtur nga ca shpatarë,

me zëra ajrin zunë të shponin.

 

Mizëria e zezë me thonj kobëtarë

si lumë dimri me tërbim

ti shëndërroi në një peisazh të vrarë

dhimbjen e shkuli në rënkim.

 

 

KY ËSHTË MASHTRIM

 

Si fytyrë e lotëve të ditës,

më fute në mijra labirinthe,

asosacion ngjyrë gri i jetës,

më ngjall brengën këlthitëse.

 

Ti shpesh më errëson dhe ditën,

trazon e heq fantazinë e këngës,

unë jam sfungjer ngopur me kthimën

lermë të tretem nga shiu pakëz.

 

Në shpirt më ulesh si ky shi,

me sy të shuar gjithë pendim,

rënkon për kohën gjithë mërzi,

por nuk bindem… është mashtrim.

 

 

MIQTË E MALIT

Miqëve të mi alpinist Fation Plaku dhe Artan Gaziu!

 

Ju ngjitni shkrepa të pashkelur,

nëpër maja çudirash si magji,

me sytë e mendjes të mprehur,

kërkoni enigmat në çdo lartësi.

 

Me lartësitë ndërroni mesazhe

dhe horizonteve që shihni atje,

ju shpërtheni kufij e kafaze

dhe gdhendni emrin nëpër re.

 

Heshtjet e maleve fluturojnë,

nga kacavarjet tuaja alpiniste,

lartësitë shkëmbore ju ftojnë,

për t’i ngjitur me flatra shqipesh.