E marte, 23.04.2024, 11:59 PM (GMT+1)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Çamët u masakruan nga grekët

E diele, 22.11.2015, 04:42 PM


ÇAMËT U MASKRUAN  NGA GJENOCIDI  GREK, U PERSEKUTUAN  EDHE NGA REGJIMI KOMUNIST NË SHQIPËRI

(Arben Kondi: “Mëhalla e Muhaxhirëve”, roman,  ShB “ILAR”, Tiranë, 2013)

Shkruan: Adil FETAHU

Pas plot njëzet vjetëve, autori kthehet në Mëhallën e Muhaxhirëve në Tiranë, ku gjen shtëpi të braktisura, strehëprishura, porta e shtëpisë së vet, si porta e ferrit, që kur hapet i “kërcasin kockat prej dhimbjes”. Fushën e sportit, ku dikur  luanin fëmijët e shkollës, e paskan copëtuar e ndërtuar godina të larta. Në moment i kujtohen shokët e shoqet e klasës e të lojës ( Gimi, Timi,  Moza, Abi) dhe zyshja (mësuesja) Mynavere, prindët, motra, vëllai, gjyshja, fqinjët e mirë. Autori përmallohet nga gjendja që sheh dhe kujtimet e fëmijërisë, sa që lotët i pikojnë, si pikat e çezmës në oborrin e mbetur shkret.

Kështu disi, nisë romani i shkrimtarit Arben Kondi: “Mëhalla e Muhaxhirëve”, që është një roman historik, për historinë e banorëve çamër e dibranë të asaj lagjeje. Duke vazhduar romanin, në kapitullin e parë tregon trajtimin dhe persekutimin që pushteti komunist u bënte muhaxhirëve çamë, si të ishin spiunë amerikanë, anglezë e grekë. Nëse për dy të parat mund të “hahej” disi, ai grek nuk mund të arsyetohej kurrsesi, ngase çamët prej gjenocidit grek kishin lënë atdheun e tyre – Çamërinë, dhe ishin bërë muhaxhir në Shqipëri. Po edhe regjimi komunist në Shqipëri i persekutoi keqas. Si shembull, real, të persekutimit, shkrimtari Kondi e trajton gjykimin me pushkatim të grupit të Teme Sejkos, dhe internimin e familjes së tij, e shumë të tjerëve.

Si roman historik që është, natyrisht që disa personazhe në te janë të jetës reale. Për ata që nuk e dinë, Teme Sejko (1922-1961), në realitet ishte admiral dhe komandant i Flotës Detare të Shqipërisë. Në  korrik të vitit 1960, Teme Sejko, Tahir Demi dhe një grup i madh, prej 63 vetash, që ishin elita e çamëve,  u arrestuan, të akuzuar si komplotist e spiunë të imperializmit amerikanë, revizionizmit jugosllav dhe monarko-fashizmit grek. Teme u akuzua si udhëheqës i grupit, dhe me disa prej tyre u pushkatuan më 30 e 31 maj 1961.  Shumë prej tyre u gjykuan me pushkatim dhe u ekzekutuan, pas torturave çnjerëzore që iu bënë gjatë dhjetë muajve në hetuesi. Të tjerët vuajtën 1250 vjet  burgim, ose “u vetëvranë” në burg. Dhe jo vetëm ata që u pushkatuan ose vuajtën burgun, por u persekutuan edhe familjet e farefisi i tyre. Ky është konteksti real dhe historik i romanit të Arben Kondit, i cili në mënyrë artistike-letrare shtjellon ngjarjet dhe krajatat e çamëve dhe të fqinjëve të vet nga Mëhalla e Muhaxhirëve.

Është emocionues momenti i shpërnguljes nga shtëpia dhe internimi i familjes se Teme Sejkos. Kryepersonazhi i romanit, Pirro, asokohe ishte nxënës i klasës së parë. Në familjen e Sejkëve, që ishin fqinjë të afërt, kishte dy shokët më të mirë të shkollës e të lojës: Gimi e Timi. Kur ata u shpërngulën, me dhunë, për t’u internuar, Pirro u mërzit shumë, ua hodhi topin në kamionin me plaçka, por i ati i Gimit e Timit, xhaxhi Naimi ia ktheu topin, që ta mbajë për kujtim të shokëve. Të nesërmen, në shkollë kur mësuesja Mynavere kur mori vesh për shkakun e mungesës së Gimit e Timit dhe se ata kurrë më nuk do vinin në shkollë, e lëshuan këmbët dhe u ul në bankën e tyre boshe. Fqinja e tyre Nu-ja, që ishte një grua e mire, e vuajtur dhe e sjellshme, e cila jetonte e vetme ngase djalin (Kudretin) e kishte ushtar, çdo mbrëmje ndizte qiri para derës së mbyllur të familjes Sejko. Nga bisedat e gjyshës me Nu-jën, Pirro kishte dëgjuar se  asaj grekët ia kishin vrarë e masakruar burrin, ndërsa vajzën katërmuajshme në djep, e kishin shkuar në bajonetë e ngritur lart si flamur. Gjyshja e Pirros, Teuta, të cilën e quanin Tetua, i tregonte Nu-jës se si edhe kësaj ia kishin vrarë burrin (Ademin), ndërsa babain e paralizuar ia kishin djegë, bashkë me shtëpinë.

Edhe  prindët e Mozës, shoqës së bankës të Pirros, ishin fqinjë të mirë. Ata (Donika e Tomorri) ishin profesorë universiteti, e donin Pirron dhe komunikonin me familjen. Por në mesin e fqinjëve kishte edhe njerëz të këqij, siç ishte kapteri Feridi, dhe i biri i tij (Beqiri), një djalë i mbrapshtë e grindavec, por edhe disa të tjerë të lidhur me pushtetin.

Në shtëpinë e boshatisur të Gimit e Timit, ishin vendosur nëndrejtoresha e shkollës (Dita) me të shoqin (Vironin) dhe dy fëmijët e tyre. Nëndrejtoresha ishte një grua e pështirë dhe ishte sekretare e organizatës bazë të partisë. Ajo bashkë me kapter Feridin dhe disa tjerë, gati i përjashtuan prej shkolle Pirron dhe Turin, për shkak të një ngatërrese me djalin e Feridit. Motra e Pirros (Ela) që ishte gjimnaziste, shoqërohej me djalin e nëndrejtoreshës (Pandin) që ishte student. Kjo e kishte gjindosur Pirron dhe gjyshën e tij, dhe e kishte prishur harmoninë në familje, sa që gjyshja kërkonte që Elën ta mbyllnin në shtëpi, kurse Pirro nuk fliste, nuk hante dhe shihte ëndrra të këqija. Për ta qetësuar situatën, e ëma e Pirros bashkë me tre fëmijët, gjatë pushimit dimëror, vajti për dy javë te e motra (teta Sheqo) në Markat të Konispolit. Në ndërkohë, i ati i Pirros (Didi) dhe i ati i Pandit (Vironi), ishin marrë vesh që Ela e Pandi, pasi ta kryejnë shkollën, të fejohen e martohen dhe të jetojnë të veçuar, sepse familja e burrit do kishte telashe prej pushtetit, dhe e ëma e djalit, nëndrejtoresha Dita nuk donte që djali i saj të martohej me një vajzë çame.

Nu-ja, fqinja e vetmuar, ishte merakosur për djalin e saj ushtar, se nuk i kishte shkruar letër prej disa muajsh, prandaj vajti në Konispol për ta parë të birin, por nuk e gjeti. E kishin vrarë në kufi, e kishin lidhur pas një karroce e tërhequr zvarrë rrugëve të Sarandës, për ta shikuar populli si të ishte një kriminel. Me të marrë vesh për vrasjen e djalit, Nu-ja ishte çmendur e sillej rrugëve të Sarandës si lypsare. Duke pritur autobusin në Sarandë për t’u kthyer prej Markati në Tiranë, e ëma e Pirros dhe fëmijët e saj e kishin parë e takuar Nu-jën në atë gjendje të mjerë, sa që ajo nuk i kishte njohur as iu kishte folur. E ëma e Pirros ia lë ca lekë në dorë. Ishte moment i dhembshëm dhe prekës për të gjithë.

Në shtëpinë e lënë bosh të Nu-jës, ishin vendosur do fqinjë të ri, nga një familje fisnike kolonjare. Ata kishin një djalë të sëmurë (Talon), të cilin e ngacmonte djali i kapter Feridit, ndërsa Pirro dhe Turi e mbronin, sa mundnin. Gjyshi i Talos kishte qenë ndër kapedanët kryesor në çetat e jugut dhe ishte vrarë e masakruar nga grekët. Pirro dëgjonte me shumë vëmendje ngjarjet që tregonin më të vjetrit për luftërat me grekët, masakrat, vuajtjet e çamëve. Ishte bërë sy e vesh kur i ati (Didi) shpaloste kujtimet nga lufta e mbi 2000 luftëtarëve trima çamë kundër forcave të Zervos e Kranjit, në korrik 1944, për çlirimin e Paramithisë e të Pargës, kur Didi ishte plagosur dhe akoma vuante nga plaga. Ishte i prekshëm kujtimi i Didit, kur kishte parë një nënë në ikje e sipër, për t’u çliruar nga barra që s’mund ta bartte më, në vend se ta hidhte boshçen, e kishte hedhur foshnjen nga ura në lumin Kalama. Duhet ta kesh zemrën gur që të përmbash lotët nga tregimet e tilla, të atyre që kanë përjetuar gjatë valës së gjenocidit grek mbi çamët. Dhe këto kujtime nuk janë vetëm ilustrime artistike të romanit, por e vërteta, përmasat dhe vrazhdësia kanë qenë ku e ku më të tmerrshme.

Një shkëputje në kohë e në hapësirë është epilogu i romanit, kur pas një kohe të gjatë që kishte punuar e jetuar jashtë vendit Pirro kthehet në “Mëhallën e Muhaxhirëve”, të cilën e gjen krejt të ndryshuar: shtëpitë e vjetra ishin rrënuar, e në vend të tyre ishte ndërtuar një pallat i madh, që ia kishte zënë frymën shkollës së vjetër. Në klubin afër shkollës takohet me Abin, shokun e fëmijërisë, të cilin nuk e njohu, derisa ai i tregoi se cili ishte, dhe se ishte bërë gjysh. Edhe Pirro i tregoi se gruan e kishte nga Çamëria dhe se kishte një djalë (Arbërin) dhe se ishte bërë gjysh. Kujtimet e Pirros dhe Abit ndërroheshin si sekuencat e një filmi bardh-zi, për egërsinë e një kohe.

Çamët, që nga gjenocidi grek ishin detyruar të ikin prej vendit të tyre, as në Shqipëri nuk kishin qenë të mirëpritur. Qeveria shqiptare që kishte detyrim kombëtar, moral e njerëzor të kujdesej për muhaxhirët çamë, i shikonte me mosbesim, si bashkëpunëtorë të fashizmit italian e nacizmit gjerman dhe spiunë të imperializmit anglo-amerikanë, madje edhe të monarkofazhizmit grek! Pas gjykimit të Grupit të Teme Sejkos, roli i çamëve në jetën publike shqiptare ishte margjinalizuar tejmase.

* * *

Me romanin “Mëhalla e Muhaxhirëve”, shkrimtari Arben Kondi na ruan kujtimin për çështjen çame e të Çamërisë. Si çam që është edhe vet, Kondi  edhe këtë herë ka larë një borxh intelektual ndaj muhaxhirëve çamë. Fabula e romanit zhvillohet në “Mëhallën e Muhaxhirëve”, por edhe gjithandej Shqipërisë, duke pasqyruar realitetin e kohës. Personazhet e romanit, ishin pjesë përbërëse e jetës reale në Shqipërinë komuniste, veçmas e muhaxhirëve çamë, të përzënë nga vendi i tyre, e të persekutuar nga shteti i tyre. Lirisht mund të thuhet se personazhi i Pirros, personifikon vet autorin e romanit. Romani shprehë dhembje dhe e mishëron lexuesin me personazhet, duke ndier vuajtjet e tyre. Gjuhës së romanit i jep një shije të veçantë përdorimi i disa fjalëve dhe shprehjeve të të folmës çame.

Romanet e Kondit kanë karakter mbarëkombëtar, sepse gati me të njëjtën ndjesi njerëzore shkruan për të gjithë shqiptarët e të gjitha trojeve etnike, duke lënë të hapura portat e problemeve të tyre. Arben Kondi është i çiltër me veten e vet dhe me lexuesit e veprave të tij, kur trajton probleme që duhet të shqetësojnë të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Me moshën që ka, përvojën, talentin, zellin e përkushtimin në punën krijuese, nga shkrimtari Arben Kondi presim edhe shumë vepra tjera të arrira.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora