E marte, 23.04.2024, 12:51 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Berisha: Mallkimi i vetvetes dhe filozofia e heshtjes

E enjte, 19.11.2015, 09:34 PM


E  S  E

Sejdi BERISHA:

MALLKIMI I VETVETES DHE FILOZOFIA E HESHTJES...!

Hera e parë më ndodhi që pas shumë kohe që mendova për ta shkruar një shkrim, konceptin e fillimit me zemërim e hodha në shportë, dhe atë kur isha duke i kaluar disa ditë në bjeshkë që e kam shumë në qejf. Por, çfarë kishte ndodhur. Natën, shportën e hedhurinave pranë shtëpizës ku ndodhesha për pushim, jo për herë të parë e kishte “kontrolluar” një dhelpër, e cila jo rrallë këtu kthente natën për të “gjetur” ndonjë ushqim. Dhe, pasi e kishte kontrolluar detalisht shportën pranë shtëpizës, i kishte gjetur dhe ngrënë disa grima mishi me dhjamë, ndërsa, letrën në të cilën kisha filluar shkrimin tim e që e kisha hedhur në shportë, e kishte nxjerrë dhe sikur me qëllim e kishte lënë mu pranë derës. Mbi te kishte vënë një copë ashti. E tërë kjo më provokoi dhe sikur ma drejtoi një mesazh të fuqishëm dhe interesant, apo kjo edhe mund të kishte qenë rastësi e rebelimit tim shpirtëror!

E mora atë letër të bërë me yndyrë mishi dhe posa e hapa, shkronjat dhe fjalët e shkruara, si dritë e padurueshme ma rrahën mendjen për të vazhduar për të thënë atë që kisha pasur ndërmend ta them më përpara! Për këtë edhe i falënderohem dhelprës për “shërbimin” që ma kishte bërë duke mos ma humbur letrën dhe konceptin e shkrimit. E vazhdova atë shkrim, i cili besoj se (s)do t’iu pëlqejë...!

1.

Gjithnjë, duke menduar për fenomenin për të cilin do të shkruaj, më bëhej se jeta s’është gjë tjetër përveç se një letër e shkruar me gjithfarë ngjyrash, e cila, në fund mbetët vetëm si peshë me kuptim shumë interesant. Sepse, ai shkrim, vetëm mund të ruhet si kujtim i ëmbël, kurse për çdo sekondë, nga ai mund të nxjerrësh ide për roman dhe për komentime shumë të këndshme. Por, është një gjë; se ato dot as s’mund t’i prekësh dhe as t’i kapësh ndonjëherë për t’ua shijuar plotësisht aromën e ngrohtësinë, që këtë, ndoshta do ta dëshironte secili ta përjetojë. Dhe, kështu, kjo kartolinë e çuditshme jete, mbetët kureshtje, e dashur por edhe neveritëse në të njëjtën kohë.

Për këtë arsye, nuk e them vetëm unë këtë, por e kanë thënë dhe do ta thonë njerëz e njerëz të mendjes, të mbamendjes, argat e barinj, njerëz e njerëz të mirë por edhe tarallakë e tru trashë, se vdekja as nuk mund të jetë akti i fundit dhe as i fillimit, por as rekapitullim jete. Po e zëmë, ajo nuk është akti i fundit, ashtu siç nuk mund të jetë as akti i fundit në skenën e teatrit, ngase një gjë të tillë duhet kuptuar si hap të pambaruar! Këtë hyrje të mbrapshtë “filozofike”, e cila duket se fundin do ta ketë të dhembshëm, e bëra për shkakun se desha edhe unë të luaj në atë aktin solemn të një dasme për të cilën më shpjegonte ime bijë, e cila, atë gazmend e kishte përjetuar në mënyrë të veçantë dhe me pambarimin e mendimit për gjërat e jetës, të cilat janë rrjedhojë e labirinteve dhe e rrugëve kah të detyron ajo, jeta pra. E, ndodhitë e tilla, në të njëjtën kohë shpesh i ngjajnë tragjedisë pa akte, madhështisë së lumturisë, vajit dhe këngës. Që të gjitha këto, bashkë i lidh morali i fortë për ta përfunduar shkrimin në atë kartolinë të cilën e theksova më lartë, me shpresën e cila pastaj përveç haresë do të sjellë edhe lumturi jete, por me frikën se kjo do të shkaktojë dhembje të reja, vetëm mall e kujtime në kurorëzimin e dashurisë së tillë!

Tërë këtë vaki e dëshmon martesa, bashkimi i dy njerëzve, i dy të rinjve, në mënyrën më të veçantë dhe më madhështore, nëse këtë e konsiderojmë si madhështi jete. ...Vajza vazhdon rrëfimin për dasmën gjithnjë pa u kursyer nga lotët: në sallën e restorantit paraqitet qifti i ri që përcillej me duartrokitje. Të dytë ishin ulur në karroca, jo pse donin të shitnin salltanet! Dihet, pse. Njëri, ngase ëndrrën për liri e kishte përjetuar në frontin e luftës dhe pastaj ishte “shpërblyer” me karrocë, sepse,... ishte përshëndetur me ecjen! Por, pas kësaj ishte “hasmëruar” edhe me një sëmundje të keqe,... ama fort të keqe e cila edhe tani e shoqëron! Kurse,... nusja, botën e shihte dhe e shijonte vetëm me zërin e ëmbël të saj dhe me ngrohtësinë e prekjes me duar. Kështu, ajo atë e ka pikturuar me ngjyrat më të bukura dhe me shkëlqimin e dritës që në sy i mungon. Edhe ajo, kishte shumë “dhurata” nga jeta.

Duke “defiluar” për mjedis restorantit për deri tek vendi i nuses dhe i çiftit të rinj, katërqind dasmorë dëfreheshin,... ishin katërqind veta të moshave të ndryshme,... ishin katërqind mijë dhembje, ashtu siç dikush i quajti karrocat në të cilat ndodheshin dhëndri dhe nusja, karrocat e dhembjes së shpirtit. Dhe,... të dytë ulur në karrocat e veta, që kësaj radhe nuk i lëviznin vet me duart e hidhëruara, por, prapa tyre qëndronin dy vetë me peshën e tunxhit duke i quar ata deri tek vendi i nusërisë, rrugë e cila ishte e çuditshme, sepse, për herë të parë po ndodhë dasma e shpirtit:

-Të dua shumë,... edhe kështu në karrocën e dhembjes!

-Edhe unë të kam shpirt,... je këtu, në këtë zemrën që ka pamjen dhe peshën e jetës sate...!

Kështu e kishin uruar njëri-tjetrin në “finalen” e bashkimit të tyre. Ishte dasmë e vërtetë,... ishte dasmë historike. Çdo gjë mbante vulën e jetës, të dashurisë së sinqertë dhe të zjarrtë,... por mbante edhe pamëshirën dhe padrejtësinë që jeta ia bën njeriut...

E dinin se, ndoshta nuk do të kanë edhe shumë jetë. Nuk u kishte ngelur, nuk u kishte tepruar edhe shumë gëzim, dhe për këtë, me të drejtë nxituan të bashkohen për të marrë një rrugëtim, që jo ndoshta por me siguri i çelikos për ta mundur vdekjen,... për ta mundur sëmundjen. Sepse, dashuria nuk njeh asgjë!

Ky rrëfim duket pakëz jo i qartë, por përcilleni deri në fund:

Dhëndri kishte qenë në luftë për ta realizuar ëndrrën e vet dhe të kombit, por që,... një krismë ia kishte “ngrirë” dashurinë, hapin ia kishte lënduar, edhe ecjen! Thash edhe më lartë. Mirëpo,... mos mendoni se nuk do të ecën me zjarrin e dashurisë. Dhe,... erdhi ku erdhi deri këtu, në restorantin me emrin simbolik edhe për te, si koha që mund të jetë. Po, po. Koha i sjellë gjërat e reja, edhe pse ato ndonjëherë kanë peshë tjetër,... të ndonjë tjetër planeti,... e kanë dhembjen prej tunxhit,... si piramidë historie. Kishin thënë: dhembja dhe gëzimi... kështu le të vazhdojnë, pa përfundim...!

2.

Kështu bëhen marrëveshjet. Si në shkrimin e mësipërm. Por,... marrëveshja?! Është kjo një mrekulli e cila ka zgjidhë probleme e ka ngatërruar njerëz, e cila ka zgjidhë e ka ngatërruar periudha, ka bërë e ka trilluar histori e periudha historike, ka zgjidhë e ka bërë tragjedi. Po t’i analizojmë këto “nyje”, duken qesharake, kurse identifikuesit e tyre sikur i ngjajnë gladiatorëve, vrasësve, filozofëve, bamirësve, katilëve, engjëjve e djajve por edhe naivëve. Andaj, kujtoj se pikërisht këtë shprehje, pra “marrëveshjen”, e kanë bërë ligatinë kohe dhe mjetin më imitues të cilit kurrë nuk mund t’i besohet, sa që njerëzit, gjithnjë përmes “marrëveshjes” kanë ngelur të kapërthurur në mes vete dhe me vetveten! Kësaj, le t’i japë vulë edhe ky “tregim” i moçëm, i cili sikur etimologjinë e ka vetëm nga “thesari” i kombit tonë:

Në një ditë më të ngrohtë të stinës së verës, disa njerëz ishin tubuar në flladin e pakt të mbrëmjes dhe bisedonin për vapën e thatësinë. Njëri, i cili e kishte dertin e arës së vet që e kishte mbi vadë prej nga e pret edhe bukën e familjes, kishte thënë:

-Sikur Zoti të sillte shi, do të na i shpëtonte arat me misër, sepse na mbyti thatësia!

Pasi e dëgjuan këtë uratë, ata që i kishin arat mu si ai “mbi vadë” e që kurrë nuk kanë qasje në ujë për ujitje, i shtrënguan duart dhe me gjithë zemër miratuan dhe e përqafuan lutjen e bashkëfshatarit të tyre. Mirëpo, disa të tjerë që arave të tyre edhe në kohën e thatësirave më të mëdha nuk u ndahet vada e ujit, si të zemëruar kishin murmuruar:

-Ishalla nuk bie shi, sepse mbrëmë i kemi ujitur kopshtijet!

Pas këtyre fjalëve, sikur u tensionua biseda. Llafi u bë valë. Por, tash biseda për marrëveshje e kishte marrë teposhtëzen. Andaj, për ta pashitur situatën, njëri prej tyre, si në mahi kishte thënë:

-Ne, po e lusim Zotin, e ai e di hallin tonë...! Shpresojmë se do të na plotësojë dëshirën.

Në këtë moment, një si zë me ushtimë qortimi, ishte dëgjuar:

-Zoti po thotë: për këtë problem, së pari merruni vesh ju në mes vete, e pastaj unë ua plotësoj dëshirën!

Kështu, sot e asaj dite ngeli zvarrë “marrëveshja”, kjo fjalë aq e bukur, kjo fjalë aq e kërkuar, kjo fjalë aq e maltretuar,... kjo fjalë aq e tradhtuar...!

3.

Bukurshkrimi është një prej vetive më fisnike i cili reflekton begatinë e kulturës, të edukimit dhe të ndërgjegjësimit, kurse, të arsimimit po se po. Andaj, në këtë element mbërthehet edhe rëndësia e psikologjisë së jetës! Kjo, do të thotë se në të gjitha kohërat, bukuria e të shkruarit ka qenë dhe është begati e sublimë intelekti, jete e historie. Për këtë arsye, e tërë kjo na kushtëzon besa edhe filozofinë e të shkruarit.

E,... cila është filozofia e të shkruarit?! Tema që shtjellohet, mënyra si shtjellohet dhe vihet në letër, apo filozofia e të shkruarit është përgjegjësi intelektuale që njeriu e sublimon, e akumulon dhe e prezanton?

Po, pra,... ekziston edhe psikologjia dhe filozofia e bukurshkrimit. Filozofia e të shkruarit, duket të jetë përgjegjësi morale... Ndoshta...!

4.

Në një TV-emision insistohet në opinionet për dy burra historik, burra që kanë lënë gjurmë në kohë, se si ata e kanë “grahur” rrjedhën e pavarësisë së atdheut dhe të radhitjes së kombit. Mirëpo, kjo temë në këtë kohë, apo në këtë moment, kurrë nuk mund të rrahet as të debatohet drejtë, saktësisht e sinqerisht. Kjo, ngase periudhat kohore duhet mbajtur gjithnjë “lëvarë” para vetes dhe popullit duke pasur parasysh trakullimat tragjike dhe shekullore,... Lehtë është për të “grabitur” gabime, për të theksuar mëkate e tragjedi...

Kështu e ka njeriu. E tërë kjo, sikur ma detyron rrëfimin e njeriut i cili e kishte kryer  një vepër penale,... Po, po. Vrasje. Dhe, kur kishte hyrë në burg, njëzetë e katër orë kishte heshtur, pa folur me të burgosurit tjerë që kishin qenë në dhomë me te.

Edhe filozofia e heshtjes, si duket është një lloj matematike, të cilën njeriu shpesh e ndoshta gjithnjë e nënçmon. Kjo, në jetë na paska shumë rëndësi. Çudi! Pra, njeriun i cili kishte kryer vrasje, e kishin burgosur, dhe ai tërë natën dhe as nesër ditën nuk kishte ndërruar asnjë fjalë. Njëzetë e katër orë nuk e kishte çelur gojën. Pas kësaj atmosfere mbytëse, ai u kishte thënë shokëve të dhomës:

-Pse nuk po flitni me mua?!...

Ata, me padurim ia kishin kthyer:

-Na folëm, por ti njëzetë e katër orë heshte. Nuk e dimë pse nuk e qele fare gojën?!

-E,...po iu tregoj. Heshta, sepse para se ta vrisja njeriun, i kisha njëzetë e katër rrugë për të mos e kryer atë vepër, dhe e vrava...! Nuk i respektova mundësitë e këtyre rrugëve. E kuptoni tash, filozofinë e heshtjes?!... Nëse nuk e kuptoni, mallkojeni vetveten, sepse, rrugët u ikin përnjëherë dhe ngeleni në pikë të hallit...

Kjo që dua ta them tani, nuk e di se a përputhet me filozofinë e heshtjes dhe me mallkimin e vetvetes. Dhe dua ta them. Sepse, kujtoj se është si një fuqi e mendimit për ironizimin e kohës, e cila herë mëson, herë denigron e herë karikon çdo gjë:

Duke mbledhur hekurishte në një rrugë periferike të qytetit, dy të rinj, femër dhe mashkull, jevgë, e kishin mbushur ding karrocën me llamarina të mbytura në ndryshk dhe me disa copa hekuri, të cilat gati çdo ditë i shitnin në depon e qytetit.

Gjatë tërë kësaj kohe sa kishin punuar, ia kishin ngrohur njëri-tjetrit edhe buzët me zjarrin e puthjeve dhe të dashurisë. Ishin të gëzuar për disa lekë që i fitonin kohë pas kohe, ndërsa, mbledhja e hekurinave të ngulfatura në ndryshkun e kohës, vetëm sa ua çelikoste dashurinë dhe vullnetin për jetë. Të përqafuar kishin shkuar deri tek dera e hekurishtes, e cila në atë kohë tashmë ishte e mbyllur me një dry të madh po ashtu të ndryshkur. Aty pranë, gjatë kishin ngelur të përqafuar, deri atëherë kur drita e hënës ua kishte treguar rrugën për në shtëpi...

Sinqerisht, nuk e di se a përkon ky rrëfim me filozofinë e heshtjes, apo me diçka tjetër?! Punë e madhe. Ju, e lexuat këtë,... e tani mund edhe ta komentoni. Kuptohet,... nëse nuk iu dremitë koha...!

5.

Me të vërtetë, turpin e njeriut s’ka kandar që mund ta matë. Ai, kushton shtrenjtë edhe në histori,... edhe në bujqësi... edhe në mahi... Kushton.  Kushton bile edhe në bonton e kulturë!

Shih, si i kujtohen njeriut disa gjëra fare të pakuptimta dhe qesharake. Po, pse more nuk u përkujtua dhe nuk u nderua me një minutë heshtje, Bekim Fehmiu, më pat shkuar mendja dikur,... pata thënë dikur... Pse?!... Po,... nuk nderohet artisti or vëllaçko,... as njeriu i madh! Hirin e eshtrave të tij le ta bartë uji, e me te le t’i mbëltojë bimët apo edhe le ta helmojë tokën. Pluhurin e trupit të tij le ta bartin djajtë dhe engjëjt,... le ta bashkojnë si histori për të qeshur e për të qarë,... dhe nga ai, pastaj për të bërë dramë e komedi,... aty ku mallkohet vetvetja e madhështohet njeriu,... aty ku ndrydhet e shtrydhet filozofia e heshtjes...!

Shih, shih. Ku ta gjejmë edhe hirin dhe pluhurin e eshtrave të viktimave të Tivarit... Edhe ata për t’i flakur e për t’i shpërndarë dika,... Ama, njeriu i pezmatuar do të thoshte: për t’i bërë rrush e kumbulla! Sepse, lumenjtë e toka kanë fshehur, fshehin e do të fshehin shumë të panjohura... shumë eshtra...!

*  *  *

Këto të “panjohura” na shëtisin e na përplasin nëpër periudha dhe etapa. Prandaj, ndoshta, me mallkimin e vetvetes dhe me filozofinë e heshtjes, ndonjëherë do të preket me dorë historia,... ndoshta do të madhështohet dhe krenohet ajo,... ndoshta do të peshohet mallkimi i saj,... ndoshta do të kuptohet gjuha,... ndoshta do të flet, ndoshta ka sy e vesh diku... Nëse jo, atëherë,... a mund të vdes,... njeriu dhe historia?! Jo, more,... Të themi, kurrë...!



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora