E enjte, 18.04.2024, 11:08 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Hapni dosjen Nr. 7842

E marte, 17.11.2015, 09:41 PM


70 vjet:  HAPNI  DOSJEN  NR. 7842

PROF. FILIP NDOC FISHTA (1904 – 1973)

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...

Nga Fritz RADOVANI

?“Kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar”

?Prof. Filip Fishta ishte i biri i Ndocit dhe i Çiles. Nana ishte bijë nga familia Shiroka. Filipi ka lé në Shkodër në vitin 1904. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të naltat i përfundoi në Beograd për gjuhësi. Ka kenë doktor i shkencave filologjike dhe profesor në Universitetin e Sorbonne-s në Francë. Qysh i ri bashkëpunon me Ndue Palucën, edhe ky figurë e “harrueme”. Ishte mik i Prof. Gaspër Ugashit, Karl Gurakuqit, Ernest Koliqit e në veçansi mik i etënve Justin Rrota, Donat Kurti dhe Bernardin Palaj.

?“E thrret Atdheu”, si shumë atdhetarë të tjerë që mbasi mbarojnë studimet jashtë vijnë me dhanë ndihmesën e tyne modeste në Shqipninë e porsa rilindun. Në vitin 1933 emnohet në Elbasan, ndërsa në vitin 1934-35 vjen në Shkodër dhe në 1938 asht në Tiranë, në Institutin “Nana Mbretneshë”, ku vazhdon me punue deri në mars të vitit 1944.

?Në mars, emnohët në bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare, deri në fillim të vitit 1945, ku la disa punime shkencore.

?Me datën 19 janar 1945 arrestohët nga komunistët, i akuzuem si “kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar.” Deri këtu asgja e jashtëzakonshme. Fillon hetimet para një komisioni hetimor të përbamë nga Frederik Nosi, Mynir Tirana dhe Andrea Jakobini. Cilësohet prej tyne si njeri që ka kontribue për ardhjen e fashizmit italian dhe se, me artikujt e tij ka shpërnda idetë fashiste anë e kand vendit. Relacioni asht i shkurtë por me përmbajtje që i rrezikon kokën e profesorit.

?Prof. Filipi deklaron: “...Nuk mund të cilësohem si gazetar, përveç disa artikujve teknik-shkencorë, p.sh. ”Historia e lindjes së shtypit”, etj. si letrar-artistik po, por jo politik.

Nga gazeta “Mesagero”, kam përkthye artikuj nga jeta e familjës italiane dhe pushimet verore. Nuk kam pasë të baj me BRUFSH-in (Rinia Universitare Fashiste Shqiptare). De Angelis-in e kam njoftë se i kam dhanë mësim fëmijve të tij...”(Dosja 7842).

?Rreshti i fundit i deklaratës ishte i mjaftueshëm me provue lidhjet e ngushta të Filipit me fashizmin. Dëshira e italianëve me botue një revistë “Jeta Shqiptare” në Firencë, nën kujdesin e Prof. Filip Fishtës, që nuk u hap atje por në Tiranë, ku ka shkrue prof. Kol Prela, Rebi Alikaj, Injac Ndoja etj. e rreshton Prof. Filip Fishtën në bankën e të akuzuemve, para Trupit Gjykues me datën 11 qershor 1945, për dënim si “kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar”.

?Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetar, nën/kol. Bilbil Klosi, antarë Argjir Lipivani dhe Gjylhani Shehu (oficera), prokuror Ismail  Çaushi dhe sekretar Mustafa Zaja, i japin dënimin e “merituar”, 30 vjet burg me heqje lirie dhe konfiskim “pasurie”.

?Cila ishte “pasuria” e Profesorit?

“Një raft me libra, një shtrat, një dyshek dhe dy batania. Një lagen, një tavolinë me dy karriga. Një sahat xhepi dhe një stilograf.” (simbas proçes-verbalit të ruejtun ne arkiv). Komisioni i shtetizimit të “pasurisë” shkoi tek shtëpia ku banonte me qera profesori me një kamion të madh, por nuk pat me shka me u mbushë, përveç policve që solli me vedi dhe i këthej prap në Sigurim.

?Ku bazohej akuza?

Prof. Filip Fishta ka shkrue tek: “Tomori i vogël”, “Hylli i Dritës”, “Shkëndija”, “Shkolla Kombëtare”, “Balli i Rinisë”, “Drini” dhe “Fashizmi”.

?Prokurori thekson: “Vetë juve z. Kryetar, i patë artikujt e tij sa të ndyrë ishin!...”

“Faji” i profesorit ishte se ai qysh i ri rreshtohej me At Justin Rrotën, Eqrem Çabejn, Aleksandër Xhuvanin etj. ndonse, vepra e Prof. Filip Fishtës u zhduk menjëherë mbasi ai vdiq.

***

?Prof. Androkli Kostallari e “ndihmoi” profesorin kur doli nga burgu, i “premtoi” se do të riabilitohej dhe se do të i jepej e drejta e botimit të shkrimeve, por deri sot punimet e tija

“prehën në paqë të pafund”, mbasi nuk i dihët ende “vorri”.

?Arsyeja që më ka shty me kujtue prof. Filip Fishtën nuk asht njohja përsonale, as vlera e tij si dijetar apo shkenctar, mbasi kjo asht detyrë e atyne që do të nxjerrin në dritë veprën e tij, ose që e kanë atë (në kjoftë se ndodhë ndonjëherë me tregue), po më ka shtangue guximi i avokatit të tij, z. Kol Dhimitri, i ruejtun në dosje. Një çudi e vërtetë!

Kundërshtimi i akuzave, mënyra sesi ai nxjerr në pah vlerat letrare dhe shkencore dhe ndoshta, tue u vetsakrifikue për një atdhetar që si të gjithë të tjerët kërcnohej nga vdekja prej tradhëtarëve të padijtun dhe barbar, që mendonin dhe vepronin për gjithshka që shkatrron kulturën dhe shkencën ose ma keq, kërkonin labirintët e shmangëjes nga rruga e qytetnimit europian.

?Avokati i nderuem në mbrojtjen e tij me datën 13 qershor 1945, thotë: “Filip Fishta ka kryer studimet e veta në Beograd, duke u diplomuar në fakultetin e Letërsisë, dhe ka vazhduar mësimet edhe në Sorbonné të Francës për disa vite. Është një person me kulturë të lartë, gjë që e bën të besueshme se nuk mund të bëhet vegël e okupatorit në vendin e tij...

Edukoi rininë shqiptare dhe këtë qëllim të tij, me krenari duhet të pohojmë se e ka arritur, sëpse, sa e sa breza që i drejtoi, e kujtojnë me mirënjohje e dashuri të sinqertë.

?... Por, nuk mund të akuzohen nëpunësit e asaj kohe, si vegla të okupatorit, sëpse ata nuk kanë pasë një qëllim të tillë, dhe nuk kanë bërë ndonjë veprim kundër popullit shqiptar, ashtu si edhe Filip Fishta, ka kryer vepra kundër shqiptarëve, duke pranuar një revistë kulturore dhe për më tepër shqiptare....

?Po të ishte me të vërtetë një vegël, sigurisht, do të ngarkohej me ofice politike ose të paktën administrative të larta, mbasi ishte me kulturë dhe me zotësi të rrallë, pra, mospërfitimi nga italianët në kohën e pushtimit të tyre është prova më e gjallë se ky nuk ka qenë vegël e tyre.

?... Profesori nuk ka propaganduar për fashizmin, por ka vënë në dispozicion të idealeve të Kombit tonë të gjitha fuqitë e veta, kur rraca e jonë shqiptare shuhësh nga shkrimtarë të paskrupull, si artikulli në “Rivista d’Albania”, kundër Cordignanos me 1941.

Artikulli titullohet “Shqipnia jonë”...

?Ka mbrojtë në programe mositalianizimin e shkollës sonë kombëtare.

Filip Fishta ka pasuruar kulturën shqiptare me shkrimet e tija të cilat janë aq të vlefëshme dhe të çmueshme, sa është e madhe vobegsia e jonë letrare.

?Nga ana tjetër, si mund të bëhët vegël informator një shkenctar, që gjithë jetën e tij e ka dedikuar në librat e kulturës, në mbrojtje të idealeve kombëtare.

Kërkoj që të merrën si shkaqe lehtësuese veprimet kombëtare.”

?Avokat Kol Dhimitri d.v.

***

?Duhet me thanë “shyqyr” që nuk e mori vesht kush këtë mbrojtje, mbasi mund të këthehej vendimi edhe “me pushkatim”...

Prof. Filip Fishtën e pata njohtë mbasi pat dalë prej burgut, mbasi atë kohë erdhi në Shkodër. Punonte në podrumet e Muzeut Popullor të qytetit. Ishte i thjeshtë dhe i veshun keq.

Kur fliste e bante disi të veçantë shqiptimi i një “thëje” në maje të gjuhës. Ne atëherë nuk mujshim me kuptue se kush mund të ishte ky burrë që me një leckë në dorë, fshinte pluhunin e kopertinave të librave që ishin të hullun përtokë.

Ai i fshinte me kujdes dhe i sistemonte mbi një tavolinë.

?Ata ishin librat e sekuestruem në bibliotekat e Françeskanëve dhe të Jezuitve.

?Prof. Filipi dhe Prof. Izet Bebeziqi ishin ngarkue me atë punë aq të rëndomtë vetëm, me hangër një kafshatë bukë të thatë me emnin “pastrues”, pikërisht Ata, që ndër këta libra kishin edhe artikujt e tyne. Librat e ndamë prej tyne, mandej zënin vend në “bibliotekat” përsonale të “Prof. Doktorave” Jup Kastrati e Kostallari me shokë, libra e materiale që i kanë edhe sot ndër shtëpitë e bibliotekat e mëdha të tyne.

?... Duhet plotsue fraza, mbasi volumet e mangta i plotsuen me “Revolucionin Kultural” në vitin 1967, me bibliotekën e Argjipeshkvisë dhe të njerëzve që u arrestuen dhe u zhdukën me atë rasë.

***

?Prof. Kol Alimhilli, thonte: “Në sistemin komunist, profesorët e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë, ndërsa hamajtë e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë shtetin.” (Shkoder, 1958).



(Vota: 18 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora