Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Bezhani: Malli i vendlindjes të vjen pas

| E shtune, 14.11.2015, 04:27 PM |


KUR MALLI I VENDLINDJES TË VJEN PAS SI  HIJE…

Përshtypjet nga përurimi i romanit “Një natë tek Luiza” e autorit tropojan, Arbër Ahmetaj

Nga Tahir Bezhani

Kishim pranuar njoftimin ditë më parë për përurimin e romanit”Një natë tek Luiza”, të autorit tropojan, Arbër Ahmetaj. Na kishte njoftuar miku e krijuesi i mirënjohur, Lulëzim Logu,si zakonisht, me dëshirën që të jemi së bashku në këtë eveniment kulturor të librit, ashtu siç veprojmë bashkërisht që dhjet vite. Për këtë qëllim, pos Gjakovës, ishin njoftuar edhe disa miq nga Peja, krijues të denjë  e të merituar të krijimtarisë letrare. Një ditë para përurimit në Bajram Curr, më njoftoi miku, shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha, se do vjen në këtë festë libri. Caktuam vendtakimin në Gjakovë dhe njoftova edhe dy letrarë të tjerë, Muharrem Kurtin e Halil Haxhosaj, për udhëtim të përbashkët.

Me 08 nëntor, 2015, në ora 09-të më bie telefoni dhe dëgjoj zërin kumbues të mikut nga Peja, Sejdi Berishës:”jam te Scorpioni duke të pritur”. E mbyll, telefonin. Sërish e thërras dhe i lutem të ketë durim se akoma nuk isha i gatshëm. E kishim lënë takimin në ora dhjetë te “Europa”, jo te ”Scorpioni”. Mos voni, më tha, do nisemi më herët, të mbërrijmë më herët, të kënaqemi biseda me vëllezërit tonë, të bëjmë biseda, shkëmbejmë mendime, pse jo edhe ndonjë shaka… Në ndërkohë, poeti e krijuesi, ish kryetari i Klubit letrarë “Gjon N. Kazazi”, Muharrem Kurti më njofton për  pamundësinë e ardhjes. Përshëndetmi vëllezërit atje, më tha, autorit uroja përurimin e romanit, nuk mund të vi për arsye objektive…

Rrugëtim i këndshëm, natyra me bukuri që të inspironte …

Në ora 09:30 u nisëm nga Gjakova dhe shumë shpejtë u ndodhëm në pikën kufitare, në Qafë Morinë. Kufi për t’i thënë, sepse letrarët nuk ka forcë që i ndalë e as që i ndanë. Asnjëra palë  kufitare nuk na i kërkuan dokumentet, pasaportat. Na njohën.  Kalimi i shpeshtë përmes asaj Qafe, marrja me artë letrar, ka bërë që edhe zyrtarët e policisë të na njohin dhe respektojnë. Na përshëndeten duke na uruar suksese! A ka gjë më bukur! Duke i falënderuar, vazhduam rrugën për në qytetin alpin, Bajram Curri.

Nuk ecëm gjatë dhe ndaluam buzë rruge, na ndaloi bukuria e Alpeve tona, na mahniti gjithë ajo bukuri. Rrezet e diellit kishin përqafuar shtatin e Shkëlzenit plak, ndërsa ngjyra vjeshtore e gjetheve, dukej si një pikturë e Pikasos. Fshati Kasaj, Padeshi i mëshehur pas Qepujkës, liqeni artificial, rrezet e diellit pranverorë (në këtë vjeshtë), ishin bukuri tërheqëse për sytë e atyre që shijojnë bukurinë e natyrës, të vendit të vet. Qëndruam pranë asaj bukurie të rrallë disa minuta, duke bërë foto për kujtim, pastaj vijuam rrugë për Bajram Curr.

Mbërrimë dy orë para kohe, në ora 13:00 fillonte përurimi. Pas pak minutash, na vërejti miku ynë, poeti Lulëzim Logu, i cili na shoqëroi te Pallati i Kulturës, ku na prisnin edhe krijues të tjerë. Gjetëm së bashku, Haki Zllamin, Gjon Necajn, z. Zhana, të cilët nga një largësi hapën krahët e përqafimit e të mirëseardhjes. Sa bujarë, sa të dashur janë këta njerëz, flas me vetën time!... Kush ia kalon bujarisë, ndershmërisë e traditës së këtyre malësorëve tropojanë?... Pas mirëseardhjes, vijuam me biseda për librin, pastaj një mori shakash, humor, një disponim i këndshëm, ku koha iku shumë shpejt, me llafe e kafe. U nisëm krahë për krahë drejtë sallës ku përurohej libri i Arbër Ahmetaj.

Madhështia  e moderimit dhe përshtypjet e përurimit

Në hyrje të sallës takuam vëllezërit Ahmetaj, dy krijues të spikatur në poezi e prozë. I kishim njohur edhe para dy vitesh, po në përurim librash që patën të dy këta krijues. Këtë herë, Arbri përuronte romanin “Një natë tek Luiza”, dhe ishte shumë i disponuar, përqafonte gjithë mysafirët. Nuk vonoi dhe filloi përurimi, nën moderimin brilant të kryetarit të Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve Tropojanë, zoti Lulzim Logu. Që në fillim, prezantoi botuesen e romanit, zonjën  Flutura Açka, e cila i bëri një vështrim të thukët librit dhe poetit, meritave krijuese të tij, duke theksuar autorin si një romansier që premton shumë për letërsinë tonë moderne, në këto kohëra të transformimeve të mëdha njerëzore e shoqërore. Ishte prezent edhe gazetarja e mirënjohur, Rrezarta Reçi, nga TV News-24, e cila deklamoi pjesë nga romani që përurohej. Një mrekulli që (ndoshta) rrallë përjetohet, është ajo se përfaqësuesit e pushtetit lokal, nga Bashkia e Bajram Currit, përherë janë prezent në jetën kulturore në këtë qytet alpin, përherë flasin me fjalë të zgjedhura dhe ndihmojnë, së paku moralisht, zhvillimin e bashkëpunimit me klubet tjera letrare, por edhe zhvillimin e jetës dhe kulturës në Tropojë.

Ishte aty, si përherë, nënkryetari i Bashkisë, Astrit Margjekaj, fjalëmbli dhe i respektuari i librit dhe kulturës në përgjithësi. Edhe këtë herë, nuk i munguan fjalët më të zgjedhura për vëllezërit  Ahmetaj, kontributin e tyre, të cilët ka kohë të gjatë që jetojnë në Tiranë  familjarisht, ndërsa Arbri jeton në Zvicër.

Lulzim Logu duke hapur përurimin, kurse majtas, znj. Flutura Açka, krijuese dhe udhëheqëse e Shtëpisë Botuese Skanderbeg Books, kurse në anën tjetër, autori i romanit, Arbër Ahmetaj

Kur vendlindja të vjen pas si hije malli…

Dje në Bajram Curri, patëm rastin vërtetë të shijojmë momente këndshme në një përurim e moderim dinjitoz, të udhëhequr nga Lulzim Logu. Për ndryshim nga herët tjera, këtë herë, moderatori kishte zgjedhur si formë pune intervistimin e gjatë me autorin e librit, z. Arbër Ahmetaj, i cili iu përgjigj mrekullueshëm, jo vetëm pyetjeve të moderatorit, por edhe të pranishmëve prezent në sallën përuruese. Intervista përmbante pyetje nga më të ndryshmet, nga jeta fëmijërore e deri te ajo si autor librash, ku përgjigjet e Arbër Ahmetaj, shpesh ishin të dhimbshme, prekëse, emocionale, një evokim kujtimesh të një jete mjaft me brenga, kishte edhe  lot, ofshama, të cilat me zor përpiheshin, e, të gjitha këto, reflektonin si rezultat pune në krijimtari poetike, me romanet që shkruan, poezinë që pëlcet damarëve të zjarrtë, dashurinë për vendlindjen, e cila, poetit i shkon pas kudo si hije malli që e djeg kujtimeve panda… Nuk ekziston pasuri mbi pasuri, se pasuria e vendit tim, bukuri mbi bukuri, se bukuritë e vendit tim, hidhërim më hidhërim se vendi im… e kështu si është e dua, është ëmbëlsira e zemrës, e shpirtit tim, si pjesët e trupit që eci kudo, tha poeti e romansieri, Arbër Ahmeti, gjatë përgjigjeve në shumë pyetje të shtruara. Kjo ngjizje shpirtërore, është vlerë njerëzore, karakter, edukatë, cilësi e moral, që u takojnë njerëzve të mëdhenj të kombit. Lum populli që rritë bijtë e vet me këto karakteristika sublime.

Flutura Açka, duke folur për librin dhe krijimtarinë e autorit të romanit, z. Arbër Ahmetaj

Një e paparë tjetër që ishte kuriozitet rasti, me molla gjyle, nga treva e Tropojës, ishte shtruar në një tavolinë, me të cilat ishte shkruar emri  ARBËR. Të gjithë sa ishim prezent, shijuam molla të tilla (gjyle vendore) të servuara në tavolinë, ndërsa emri ARBËR mbeti i pa prekur si simbolikë dhe kujtim…

Pjesëmarrësit e kësaj ngjarjeje letrare me kujdes përcjellin diskutimet dhe mendimet për librin dhe letërsinë

Majat e Shkëlzenit qëndrojnë si histori e përjetshme përbri qytetit Bajram Curri

Pas promovimit, edhe foto si kujtim: Gjon Neçaj, Sejdi Berisha, Flutura Açka, Tahir Bezhani dhe Lulzim Logu

Edhe kjo foto me peshë kujtimi dhe me domethënie shumëdimensionale