E premte, 29.03.2024, 04:40 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Panairi i librit i Tiranës; një mundësi më tepër për të gjetur librin e duhur

E premte, 13.11.2015, 09:00 PM



Panairi i librit i Tiranës; një mundësi më tepër për të gjetur librin e duhur për secilin nga ne

Nga Elvi Sidheri

Më datë 11 nëntor, ashtu si çdo vit tjetër, është çelur Panairi i Librit i Tiranës, i pasur në botime, risi, zhanre të ndryshme stilistikë dhe shpresueshmërisht, edhe i frekuentuar gjerësisht nga publiku art dhe letërsi-dashës shqiptar nga kryeqyteti dhe jo vetëm.

Është një takim i rëndësisë së veçantë ky për lexuesin bashkëkohor shqiptar, i cili në këtë panair mund të qëmtojë, krahasojë, gjejë dhe diversifikojë shijen e tij letrare, duke u endur mes stendave të shumta dhe të larmishme të shtëpive botuese nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallim kufiri, krahine dhe ideje.

Një panair që vjen në një vit kur kultura shqiptare megjithë vështirësitë e saj të vetëkuptueshme të një ekzistence ende të turbullt dhe të rrahur fort nga valët fshikulluese të detit të stuhishëm të tranzicionit të pafundëm shqiptar, gjithësesi ka ditur të shpërfaqë tërë fuqinë e vet krijuese me qindra botime autentike në shqip, dhe gjithaq shqipërime të përkryera me plot finesë nga gjuhë të huaja, që i ofrohen lexuesit shqiptar, kureshtjes dhe ëndjes së tij për t’u kredhur pandalur ndër faqet e librave të botuar në gjuhën tonë që “e dëlirë” ka ditur të mbetet, pavarësisht gjithfarë andrallave me të cilat gjuha jonë që Naimi dikur si të këtillë e cilësonte, është përballur pareshtur, sidomos në 25 vitet e fundit.

Në këtë panair, lexuesi shqiptar do të ketë rastin dhe fatin që të ketë në duart e tij, nobelisten e fundit, të porsashpallur si të tillë para rreth një muaji, Svetllana Aleksijeviç, me romanin e saj “Zërat e Çernobilit” të përkthyer në shqip plot pathos dhe nuanca origjinaliteti nga Urim Nerguti, ashtu si edhe nobelistin e vjetshëm, frëngun Patrick Modiano, të sjellë në shqip përmes një sërë botimesh ku shpërthen qartazi e gjitha bota e filozofisë unike letrare të mendjes së këtij gjeniu modern të letrave franceze dhe gjithëbotërore, nga Shtëpia Botuese Buzuku e Prishtinës (gjë që vlen edhe për nobelisten e sivjetshme bjelloruse).

Modiano në shqip vjen falë përkthimeve shumëngjyrëshe dhe thellësisht pasuruese për stadin zhvillimor të shqipes aktuale, të profesor Masar Stavilecit, Kopi Kyçykut, Anila Xhekaliut, Izet Sylës e sërish Urim Nergutit etj, me librat e tij madhështorë si “Falja e Dënimit”, “Lulet e Rrënimit”, “Dora Bruder”, “Që të mos humbësh në lagje”, “Dyqanet e Rrugëve të Errëta” e shumë të tjerë.

Është ky panairi i penave të afirmuara në qiellin plot yje të letërsisë bashkëkohore shqipe, si Ben Blushi me botimin e tij të ri tepër sarkastik në tejpërçueshmërinë e mesazhit të vet të drejtpërdrejtë brutalisht realist “Kandidati”, apo Albatros Rexhaj, me krijimin e tij të fundit letrar “Rebelimi i Lúlus” (Botimet Pegi), që pritet dhe tashmë ka nisur që të shkundë e trondisë me themel shtyllat e brishta ku mbështetet tinëzash prej kohësh mendësia feudalo-prapanike e kastave dhe “establishment-it” frerë-mbajtës të aktualitetit shqiptar.

Një panair ku mendja e përhimtë e Leonard Veizit sjell për lexuesin romanin e tij “Lora” (Botimet Omsca), që përbën një dimension të ri të dhuntisë krijuese të këtij shkrimtari, të njohur gjer më tani si një ndër lëvruesit e vetëm në fushën e romanit triller në botën shqiptare të letrave.

Ndërkaq edhe shkrimtarja elegante Geverina Muzhaqi, (fituesja e çmimit si Shkrimtarja më e mirë debutuese në Panairin e qershorit të Librit në Prishtinë), i pëqaset hijshëm dhe krejtësisht besnike ndaj stilit të saj, lexuesit shqiptar me librin e saj të ri “Këmbëzbathur nëpër hënë” (Botimet Dudaj).

Gazetari amerikan Charles Duhigg sjell për lexuesin mbarëbotëror, si edhe atë shqiptar; kryeveprën e tij hulumtuese “Fuqia e Shprehisë”, një libër që do të shtyjë shumëkënd të thellohet brenda ekzistencës së vet, për të gjetur burimin e shprehive të veta, të mira apo të liga, duke përfituar ndërkohë pavetëdijshëm edhe mundësinë për t’i ndryshuar ato syresh që e pengojnë në jetësimin e synimeve të veta jetësore; libër ky, i prurë në shqip përmes Botimeve Pema nga Prishtina.

Kërshërisë së lexuesit shqiptar, i ofrohet sërish si përgjigje për oreksin e vet të paepur letrar, libri mjeshtëror i Erjus Mezinit “Shansi i Dytë” (Buzuku, Prishtinë), ashtu si edhe Roland Gjoza me krijimatarinë e tij të gjerë 360 gradëshe e shumë të tjerë.

Shtëpia Botuese SARAS gjithashtu sjell një garniturë të shumanshme botimesh dhe shkrimtarësh shqiptarë e të huaj, që lexuesit do t’i mundësojnë një nuancë të munguar për universin letrar shqiptar.

Lista e botimeve të reja dhe shkrimtarëve që takohen për herë të parë me këtë botë të mrekullueshme të fjalës, mendjes, penës dhe idesë që ngjizet dhe piqet e arrin deri në duart e publikut duke zënë vend brenda faqeve të një libri, është aq e madhe saqë mund të zinte orë të tëra.

Por ajo që do theksuar, është se ky panair, ku bashkohen shijet, prirjet, dëshirat, pikëpamjet dhe botimet e tërë botës letrare gjithëshqiptare, përbën një mundësi tepër të rrallë, që letërsia gjithëshqiptare, të ndihet dhe të veprojë si “NJË”, larg dogmave folklorike apo deklamimeve të zbrazëta nga kuptimi dhe vërtetësia e së përditshmes së botës shqiptare të letrave.

Fundja, dy ministrat përkatës të kulturës, zonja Mirela Kumbaro sa i përket shtetit shqiptar (përkthyese e njohur dhe e respektuar), dhe zoti Kujtim Shala i Republikës së Kosovës (shkrimtar, erudit, studiues letrar, poet, i cili ndër të tjera, është i pranishëm në këtë aktivitet madhor, me shumë vepra të tij, si “Zbulesa” e botuar në Shqipëri nga Shtëpia Botuese Onufri, dhe në Kosovë nga Buzuku), janë vetë njerëz të spikatur të fushës së letërsisë; ndaj dhe, duke uruar që vitin e ardhshëm, Nobelin ta kremtojmë si një triumf shqiptar, duke dëshiruar me gjithë shpirt që maja e diamantit e letrave dhe mendimit modern shqiptar, Ismail Kadare, të jetë ai që do ta fitojë me plot meritë këtë çmim që përbën kulminimin e vlerësimit universal për veprën letrare të një shkrimtari në nivel botëror, urojmë lexim të mbarë.

Dhëntë Zoti që vitin e ardhshëm të mblidhemi në panairin e rradhës së librit në Tiranë apo Prishtinë, për t’u takuar sërish me dritëhijet e shumta të librit shqip, dhe për të kremtuar nobelistin tonë ende të munguar, Kadarenë letërsisht të patjetërsuar!



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora