E merkure, 21.04.2021, 06:37 AM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Mbi tezën homerike…

E marte, 10.11.2015, 10:11 PM


Mbi tezën homerike…

Në vënd të një përshëndetjeje,

për mikun tim Anton Nik Berisha

Nga Timo Mërkuri

Leximi i studimit “Mbi rapsoditë e botuara nga De Rada në 1866”, Prishtinë 1983, të  Anton Nik Berisha, është nga ato lexime që të shtin në mendime, si për udhët tematike që shtron, ashtu dhe dyert e dritaret që hap, aqë sa, kur mbyll fletën e fundit të studimit, mediton mbi sa ke lexuar dhe të duket se nuk shtjellon mendimet e tua, por vijon të lexosh edhe më, nëpër ca fletë imagjinare.

Dhe vetiu të lind dëshira, të marësh  penën dhe meditimet e tua ti bësh pjesë  të këtij studimi. Kjo dëshirë më lindi edhe mua, por mqsë studimin e lexova në email dhe jo në librin ku është botuar, mendimet e mia për  tezën homerike që trajtohet mjeshtërisht nga autori, vendosa ti hedh në këtë shkrim, i cili, gjithsesi, nuk është në formatin e një studimi të mirëfilltë.

1-Homeri (Omiros-gr) ka jetuar në shekullin IX p.e.s..Si vendlindje e tij konsiderohet Smirna (Izmiri i sotëm), një qytet koloni greke. Por kjo nuk i pengoi nëntë qytete greke që të pretendonin  më von lavdinë si  vendlindja e Homerit.

Emri Homer do të thotë “peng”, dmth i marur peng, rob, skllav (ose pasardhës i tyre).

(Unë për vehten time do pëlqeja ta shqipëtarizoja emrin Homer në “I miri”,(sipas A.Kolës), pra ai që këndon mirë, që thotë gjëra të mira).

Thuhet se këtë emër e kishte  një shoqëri rapsodësh, të cilët kishin si mission të mësonin përmëndësh dhe deklamonin këngë epike. Nuk është vërtetuar në se Homeri ua dha emrin homeridëve apo ka ndodhur anasjelltas. Por ajo që ngjall kureshtje, është fakti se homeridët nuk mireshin ushtarë në luftë, sepse konsideroheshin të dyshimtë, për arsye se në deklamimet e tyre poetike, nuk çfaqej ndonjë urrejtje për kundërshtarin.

Poemat homerike, Iliada e shkruar në stilin epik dhe Odisea, e shkruar në stilin lirik flasin për ngarje që kanë ndodhur në shekullin XII p.e.s., respektivisht për luftën e Trojës dhe peripecitë e udhëtimin të kthimit për në Itakë të Odisesë. Deri në shekullin e VIII p.e.s  këngët e epeve nuk qenë të shkruara, për arsyen e thjeshtë se nuk egzistonte shkrimi. Për këtë arsye konkludojmë se epet këndoheshin nga bardë popullorë nëpër festa apo obore fisnikësh. Çdo gjë ishte në fatin e kujtesës së këngëtarëve. Por kujtesa njerëzore nuk është statike përgjithmon.

1.a-Për këtë arsye, në shekullin e VIII p.e.s. tirani i Athinës, Hiparku, urdhëroi standartizimin e poemave, duke i bërë në këtë mënyrë shërbimin më të madh njerëzimit .

1.b-Arsyeja pse u bë standartizimi në këtë shekull ishte e thjeshtë, ky ishte shekulli i fillimit të shkrimit grek dhe s’mund të kishte gjetje më  dinjitoze sesa shkrimi (dhe ruajtja në këtë mënyrë) i këtyre poemave. (Ndoshta vlen të kujtojmë se edhe shtypshkronja Gutenberg zgjodhi për të  botuar Biblën, si librin e saj të parë).

1.c-Po ashtu një arsye jo e vogël ishte edhe fakti se poemat po pësoni “firo” sasiore dhe cilësore duke kaluar nga një brez  në tjetrin apo nga një këngëtar te tjetri.. “Firot” që pësonin poemat, rapsodët i  “kompesonin” me përsëritje vargjesh nga një këngë në tjetrën, kryesisht aty ku fliste autori për  cilësimet e heronjve të  veprës. Diku kam lexuar një koment për këtë fakt, i cili thoshte se….edhe Homerin e mirë, nganjëherë e zë gjumi. Unë dua të besoj se “nuk e ka zënë gjumi Homerin”, por kanë “fjetur” mbi vargjet e tij homeristët, rapsodët.

1.d-Vetë stili epik i Iliadës dhe stili lirik i Odisesë në këto poema madhore lindën edhe hipotezat antiHomer në shekujt e mëvonshëm dhe konkretisht hipotezën se, a-Poemat nuk i ka krijuar Homeri, (por i ka shkruar ndonjë “Homer tjetër” ,  Lefkovitz)..  …(Samuel Butler thotë se…Odiseja është shkruar nga një grua e re nga Siçilia, mendim të cilin Robert Graaves e përpunoi te novela “Vajza e Homerit”.

b-Poemat janë bashkimi i disa krijimeve gojore popullore ( këngët) me tematikë të njëjtë në dy poema të vetme. Madje studiuesit Parry dhe Lord konkludojnë se poemat kanë qënë…formulë e gojdhanave tradicionale…që janë bashkuar nga shkruesit e Hiparkut. Arsyeja është se një njeri i vetëm (qoftë ky edhe një …Homer), në atë shekull, nuk mund të krijonte vepra të tilla gjeniale.

2-Këto teza janë rrahur shumë nga studiues të ndryshëm (madje edhe nga Anton Nik Berisha te studimi, për të cilin flasim) dhe unë skam  pse të zgjatem. Por duke qënë se egzistenca  e  dy epeve madhështore greke, Iliada dhe Odisea, ndezi te shumë krijues europianë ambicjen dhe dëshirën, për krijimin ose “gjetjen” e epeve të tilla, të kombeve të tyre, këtu duhet të ndalemi pak.

Duhet të  theksojmë se , siç na dëshmon  Berisha,  edhe vetë De Rada botimin e parë të Rapsodive e kishte me këtë ide, madje duke hedhur edhe tezën  e egzistencës së një poeme të tillë madhështore shqiptare të kohës së Skënderbeut, poemë e cila u shkërmoq me kalimin e viteve në disa dhjetra këngë të veçanta. (Këtë ide e  përmënd edhe Kadare te “Autobiografia e popullit në vargje”).

Këtë ide e bënë të vetën edhe krijues të tjerë arbëresh, madje dhe  u përpoqën të dëshmonin (me botime të tyre) egzistencën e një epi të tillë.(Z.Skiroi, Gavril Dara i Ri).

Në von, Naim Frashëri do të shkrunate  poemën madhore Historia e Skënderbeut, me synim që kjo poemë të ishte një Iliadë shqiptare. Po kështu edhe Gjergj Fishta me “Lahutën e Malcisë” do pretendonte për  një Iliadë të re.

3-Përsa i përket egzistencës së një epi të tillë skënderbejan, të copëzuar apo unik, dëshmitë dhe dokumentat mungojnë. Kjo mungesë nuk e vë  në diskutim faktin që, në kohën e Skënderbeut ka patur poetë dhe rapsodë  që kanë shkruar për fitoret e tij, madje këta, normalisht duhet të kenë qënë afër Skënderbeut, në shërbim civil, ushtarak apo diplomatik të tij. Këta poetë dhe rapsodë e kanë shoqëruar Skënderbeun nëpër beteja, në udhëtimet e tij diplomatike jashtë vendit, në takime me princat arbër etj etj. Këta kanë shkruar dhe kanë kënduar para kryezotit dhe luftëtarëve pas fitoreve. Kjo ka qënë traditë e fisnikërisë europiane dhe s’kishte pse të bënte përjashtim Skënderbeu. Përkundrazi, dëshmitë historike theksojnë interesimin e madh të Skënderbeut për shkrimet dhe historinë e Arbërisë, leximet e shumta që ai bënte si dhe mbështetjen që  u jepte studiuesve dhe krijuesve të kohës.

(Shekuj më von Ali Pasha do mbante në oborin e tij, në funksione të rëndësishme administrative, delvinjotin Haxhi Shehreti, i cili do ishte “hieja” e Ali Pashait dhe do të krijonte poemën madhore “Alipashaida” dhe “Vaje për Aliun”. Prania  e tij pranë vezirit ishte burimi i informacionit të pasur që kanë këto vepra).

Nga  Moti i madh na ka mbritur vetëm “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit, dhe kjo e shkruar pas epopesë skënderbejane. Pra dokumentin me vlerë letraro-historike e kemi, pa çka se është në prozë. Këngët, poezitë dhe poemat e shkruara kanë humbur nën zjarrin e pushtuesit dhe hiri i tyre i shpërndarë nëpër shekuj, na imponon heshtje.

Theksuam më sipër se poetët e rapsodët  arbër kanë shkruar e kënduar për Skënderbeun dhe epopenë e tij vjersha e poema, kanë ngritur këngë e kanë kërcyer valle, por ne kemi shumë pak sot, për këtë kryetrim dhe zulmën e tij.

Mungesa e këngëve të shumta për Skënderbeun në dheun amë, ka vetëm një shpjegim, terrorin pesë shekullor mbi popullin.

Mungesa e ndonjë epi skënderbejan apo ndonjë poeme të gjatë për Skënderbeun te arbëreshët të shtyn në mendime. Arbëreshët, që ishin ajka e fisnikërisë dhe e ushtrisë të kryezotit, ata që ruajtën gjuhën, flamurin, këngët e vallet, veshjet, legjendat e balladat, ku i kanë poemat epike skënderbejane?

Këngët e botuara nga De Rada dëshmojnë egzistencën e këngëve, por si shpjegohet mos ruajtja e poemave madhore për  Skënderbeun, ndërsa egzistojnë baladat e legjendat poetike kombëtare? Argumentimi se Skënderbeu konsiderohej i pa-fat, që vërtet fitoi betejat me turkun, por jo luftën, sepse Arbëria u pushtua, përsëri nuk qëndron. Qoftë dhe nëpër arshivat familjare do egzistonte diçka e tillë e shkruar, e cila nuk mund të shitej, si armët e tij.

Po kështu, nuk qëndron as argumentimi se në dhe të huaj, nuk u respektuan verbërisht shkallët e hierarkisë shoqërore, sepse ish shërbëtorët e fisnikërisë arbëre, nuk dëshironin të ishin përsëri shërbëtorë. Rapsodët dhe poetët i kushtuan më shumë vëmëndje sigurimit të jetës në vendin e ri se sa argëtimit të fisnikëve arbër. Këngët dhe epet i këndonin më shumë në familjet e tyre.

Kjo solli dobësimin e kujtesës artistike. Shtoi kësaj faktin që lajmet që vinin nga Arbëri ishin të zymta, pastaj edhe  mossuksesi i Gjon Kastriotit dhe birit të tij, Skënderbeut të Ri, ra si një shi i ftohtë mbi shpresat e ndezura të arbërve. Arsyeja për ti ruajtur këto këngë sa vinte e dobësohej.

Po qe se do pranonim këto argumenta për shkërmoqjen e epit skënderbejan, deri gati në zhdukje, atëherë si do argumentojmë faktin që eposi i kreshnikëve vijoi të ruhej dhe madje të prodhonte  ende këngë dhe  vargje fine? Argumentimi se eposi i kreshnikëve i këndonte një  luftë të fituar (ndalja e sllavizimit të Shqipërisë) është një shpjegim jo i plotë.

4-Ndërsa aludohet që poemat homerike janë …bashkim i këngëvë të ndryshme, për epin e Skënderbeut flitet për “shkërmoqjen” e tij në këngë më të shkurtëra.

Le ti shohim pak më gjakftohtë këto fakte:

a-Lufta e Trojës ishte një pëleshje e  stërmadhe për kohën kur ndodhi. Vetëm ushtarë grekë ishin mbi njëqintmijë. Fitorja e kësaj lufte nga grekët ishte si të kapnin zenithin e jetës. Shoqëria greke u rrit me hyjnizimin e luftës së Trojës. Gati  në çdo aktivitet zyrtar e shoqëror recitoheshin apo këndoheshin këngë për këtë luftë dhe heronjtë e saj. Të gjithë rapsodët ngrinin e këndonin këngë për luftën e Trojës dhe trimërinë greke, për hëronjtë e saj, për vënien në vend të nderit grek të shkelur nga trojanët. Të gjithë politikanët i fillonin fjalimet me lavdinë greke të fituar në Trojë dhe i mbaronin me betimet për heronjtë e rënë aty. Fëmijët mësoheshin të riteshin trima, të luftonin e të fitonin për greqinë.

Në këtë klimë entusiazmi mbarëpopullor, krahas mijra krijimeve të rapsodëve dhe poetëve minorë, u çfaq Homeri me gjeninë e tij dhe filloi të këndojë (krijojë) për mëninë e Akil kordhëtarit,( por dhe për mëninë e Herës dhe Athinasë ndaj Paridit, i cili “Mollën e Bukurisë” ja dha Afërditës dhe jo gruas apo bijës së Zeuzit. Ndaj ato e verbuan dhe e nxitën që të rëmbente Helenën e bukur etj etj).

Pastaj, i lodhur nga kënga e luftës, nisi ti këndojë vuajtjeve dhe peripecive të Odisesë, etj. Ai kishte dhe privilegjin se kishte ardhur disa shekuj pas kësaj lufte dhe I sodiste me qartësi  distance ngjarjet. Po kështu  ai jetonte e krijonte në një klimë entusiazte,  frymëzuese, poetike. Me një fjalë, ai ecte bashkë me rrymën dhe “ecjen” e tij përpara e ndihmoi edhe rryma e gojdhanave tradicionale. Shumë vargje të krijuesve anonimë, është normale që të gjënden në këto poema.

Kështu lindën Iliada dhe Odisea.

Këta ishin dy lisat e artit,  nën hijen e të cilëve jetonin grekët. Gjenia e Homerit  shtriu degët e këtyre lisave në gjithë Greqinë, e më tejë.

A ka mundësi që një njeri i vetëm ti krijojë këto vepra madhore, në një jetë njeriu.

Përvoja e mëvonëshme i përgjigjet pozitivisht kësaj pyetjeje, kur kemi të bëjmë me talente. Të njëjtën gjë bëri Eskili dhe tragjikët antikë. Dante Aligeri dhe Virgjili pohojnë mundësinë e krijimit  vigan nga një njeri i vetëm. Po ashtu pohon dhe Shekspiri.

b- Në lidhje me epin skënderbejan ( të supozuar dhe pse jo, të dëshiruar prej nesh) duhet të pranojmë se poetët dhe rapsodët arbër kanë krijuar dhe kënduar për Skënderbeun, zulmën e tij dhe bashkëluftëtarët e tij vetëm vepra artistike të shkurtëra, këngë që këndoheshin me çifteli apo lahutë mbrëmjeve, apo me grupe iso-polifonike pas betejave. Kjo ka argumentimin e thjeshtë se, poetët dhe rapsodët ishin edhe luftëtarë të ushtrisë së Skënderbeut, dhe në këtë mënyrë, nuk kishin kohën për të qëndruar duke medituar e krijuar vepra të gjata.

Ndër ata mijra heronj të   betejave skënderbejane, me qindra do kenë qënë dhe poetët e rapsodët e rënë në luftë. Kështu pra, si krijime të këtyre qindra poetëve e rapsodëve për Skënderbeun dhe luftën e tij, kemi me qindra apo mijra krijime të shkurtëra(nqse të shkurtëra do kuptojmë  krijimet  si   këngën “Skënderbeu dhe Ballabani”).

Pyjet nuk kanë vetëm lisa, madje nëpër bjeshkë lisat mungojnë. Por nuk mungojnë asnjëherë lulet dhe filizat e pemëve, që në një stinë të mbarë, mund të rriten e të bëhen lisa.

Vetkuptohet në qoftë se nuk i djeg zjarri apo ti presë ndonjë druvar.

Që në letrat shqipe të çfaqej ndonjë Homer më von, gjasat ishin të pakta. Shqipëria ishte e përfshirë nga hakmarja turke. Vrasje, zjarre, rrëmbime, përdhunime- këto afronte tabloja e përditëshme e jetës shqiptare në pesë shekuj. Dhe në këto kushte, askush nuk mund të ulej e të krijonte poemë epike për një luftë që...nuk u fitua përfundimisht.

Po kështu edhe arbëreshët nuk e kishin atë klimë poetike të krijimit, sepse ata ikën…të mundur, duke lënë  pas vendin, në flakë e zjarr.

5- Unë mendoj se s’kemi pse kërkojmë një ep skënderbejan në vargje. Epopeja skënderbejane u shkrua ndryshe, ashtu siç e kërkonte koha, me shpatë. Bota e ka lexuar ashtu siç është shkruar. (Disa nga ne kanë nevojë ta lexojnë përsëri).

Qëndresa e popullit shqiptar me… treqint kryengritje në katërqint vjet…është më vete, një epope e pashëmbullt në historinë europiane.

Ne vërtet s’kemi patur ndonjë Homer, por  ne kemi patur me mijëra “homeridë, madje këta ishin edhe luftëtarë në luftrat e popullit, bile edhe prijësa, sepse ishin shumë të besueshëm nga bashkëluftëtarët e tyre, si bij besnikë të atdheut.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora