E enjte, 25.04.2024, 08:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Sadik Bejko: Migjeni midis niçeanizmit dhe mesianizmit

E diele, 03.08.2008, 06:36 PM


Migjeni
Migjeni midis niçeanizmit dhe mesianizmit

Njeriu është një hije dhe kotësi, i huja dhe kalimtar si etërit dhe gjyshërit e tij. Keto e të tjera mësime, Migjeni i kishte njohur si student i teologjisë ne Manastir. Dhe letërsia e filozofia kritike e kohës i thanë se duhet t'u shkojmë gjërave gjer në fund, atje në agripin e...të parit përtej fasadës, tek i hedhin në shesh ato që shoqëria i vesh me hije dhe me mure...Dhe e bëri këtë letërsia e tij.

Nga Sadik Bejko

1. Një outsider ne kulturën shqiptare

Kineastët që bënë dokumentarin e parë për Migjenin, thonë se, në vend të shtëpisë së tij në Shkodër, gjetëm ca gërmadha të pikëlluara, rrënoja të një grehine të dikurshme varfanjakësh te oborri i shtëpisë së dr. Spase Trimçev. Migjeni jetim, i varfër, po … por qënkish tejet i varfër, aq sa nuk mund të kishte një banesë për të qenë, i varfër sa më vonë bëhet turbekuloz nga të pa ushqyerit në fëmijëri dhe në moshën e zhvillimit fizik. Mbase këto për etikën marksiste të maskimit dhe të manipulimit ishin të tepërta dhe të pista që të theksoheshin. Familja Nikolla kishte rënë në ekstremet e Varfërisë, në një katandisje të tillë, shumë larg nga ajo që e quajmë varfëri dinjitoze e shqiptarit dhe që e shprehim: e shtyjmë, se as kemi dhe as na mbarohet. Dhe pastaj ato veshje e kostume, ai të mbajtur luks i Migjenit, ato fotot e shumta me stilin, krehjen, në sqimën më të hollë të kohës, me fizionominë e sërës së mirë, , sikur të ishte vënë në sfilatën e zotërinjve të radhës. Mbase e gjithë kjo dukje ishte si një perde, si një të ëndëruar, si një rrekje për një tejkalim të mjerimit, apo edhe si një hakmarrje ndaj tij. Në shtëpi, në rrethin e afërt, komunikimin dhe letërkëmbimin intim e bënin në gjuhën serbokroate, në të cilën dhe u arsimua, ndërsa si shkrimtar ai është tërësisht shqiptar, dhe ndër më të mirët autorë të gjuhës shqipe. Ky është dyzimi i Migjenit: një pamje, një të dukur dhe një gjuhë që e afirmonin atë dhe një tjetër gjuhë e jetesë e së zakonshmes, e së voglës, e intimes së fshehtë. Dhe nuk gabon: në atë paraqitje dhe gjuhë që zgjedh për përfaqësim, në atë edhe afirmohet e mbetet përtej vetes edhe kohës së tij. Kështu ai përmbushet dhe realizohet, del nga minoriteti për në botën e madhe, në sheshin e vlerave, në qytetarinë e qytetarit të republikës së letrave. Nga një outsider (një jashtëm), një i përjashtuar dhe i mallkuar jetësisht dhe kulturalisht, i kthehet kulturës shqiptare me një nga zërat më origjinalë poetikë dhe me artin më ndikues për një kohë të gjatë deri sot e gjithë ditën. Në pikën ku priten dy dimensionet e tij: ajo që maskonte dhe ajo që shpallte, vijnë edhe prurjet më të vyera të tij. Të mjerët, të vuajturit e paskan ditën e tyre dhe njeriun e tyre, krjuesin që di t`i ngjallë në dritën e ditës e të gjërave ashtu siç janë, që di të flasë e t`i shpreh ata në mjerimin e pisllëkun e skajmë, por dhe në ëndërrën e rebelimin e tyre. Madje t`i intelektualizojë, e poetizojë, t`i lartësojë në një vënd pakëz pranë dhimbjes së Krishtit e po mbase pakëz më ngjitur me Niçen, në përplasjen më të ashpër të alternativave, rebelë të luftrave të reja, apo të zgërlaqur, të urtësuem nën rrotat e autëve, pëllumba apo skiftera, derra apo Sokratë, midis minareve, kumbanoreve, apo edhe Perëndimit të mrekullueshëm, madje duke i çuar alternativat në krizën dhe eleminimin e tyre të plotë, në lutjen e rezinjatën përulëse. Ai që në dukje dinte të maskohej si zotëri, i dinte sa të mëdha i kishin brimat e kalbëzimit nga brenda këta zotërinj të kohës, ua dinte egërsitë dhe hipokrizitë zotërinjve të një qyteti me tempuj realë dhe historikë, të një qyteti si Shkodra, të një vendi e të një kohe, apo të të gjithë njërëzimit në shekuj, duke e universalizuar ligësinë e një mjedisi e një soji të dykëmbshave deri në akuzën për të gjitha mjediset, dykëmbshat e kohët në botë.

2. Vetëdije e re shoqërore dhe estetika

Çfarë është ajo që ngjan se ky njeri, ky i ri , i di të gjitha? Mbase teologjia i dha atij filozofinë e të vështruarit të gjërave nga disa koncepte të larta, thellësinë biblike të së lashtës, konstrukte e konceptualitet mitik, largpamje e parashikim sipas mendësisë mitike të përsëritjes së kohëve, ndodhive. Jeta është një barrë, një krenari e të dukurit dhe njerëzit shpejt fluturojnë tutje si të përlarë nga ndonjë katastrofë. Njeriu është hije dhe kotësi, i huaj dhe kalimtar si etërit dhe gjyshërit e tij. Këto e të tjera mësime, Migjeni i kishte njohur si student i teologjisë në Manastir. Dhe letërsia e filozofia kritike e kohës i thanë se duhet t`u shkojmë gjërave gjer në fund, atje në zgripin e… të parit përtej fasadës, tek i hedhin në shesh ato që shoqëria i vesh me hije dhe me mure… Dhe e bëri këtë letërsia e tij. Ai vinte si një i huaj në kulturën shqiptare, vinte nga margjinat e shoqërisë, me një sy të ri , vec me konceptualitetin dhe me një energji të re të fjalës dhe të gjuhës, me abstragimin e lartë , errësimin, me këndvështrimin ironik, me fatkeqët, të pikëlluarit , sidomos me shumë gra të tilla, me hundën e hollë për të nuhatur në zgëqet e varfërisë, në të shëmtuarën, me imazhet e egra që të mbeten në kokë , me të folurën e përditshme në poezi dhe me muzikën e ashpër të një vargu të shprehjes së çliruar, varg që të mbush gojën , siç thonë aktorët. Është shkrimtar qytetar dhe shkrimtar kryesisht i qytetit, i një thatësire biblike, s’ka asgjë nga liqeni i Shkodrës, ku lindi apo nga ai i Pogradecit, pranë të cilit studioi, nga lagështira bimore, freskia e njomështia të cilat, respektivisht, frymëzuan Pasqyrat e narcizit apo disa nga kryeveprat e Lasgushit. Po a është letërsia një medium, një ndërmjetësues, një shpikje imagjinative e njerëzve, një realitet i ri, i dalë nga një përvojë, apo është diçka tjetër? Kur shkruan ai, në disa nga faqet më të mira të tij, harrohet se është letërsi, se po bëhet letërsi; para nesh shfaqet një shpirt i zhveshur lakuriq, i dhënë si në pëllëmbë të dorës, pa atë distancën e fjalës, të letrës, të bojës…një fani e reales së prekshme. Por në disa nga novelat e poezitë e tij vërehet gjetja, shpikja letrare, realiteti i krijuar jo si mimesis, por si realitet i abstraktes, i simbolit. Kjo dukuri që kulmohet në parabolat e tij Novela mbi krizën dhe Vetvrasja e trumcakut e në ndonjë tjetër, sillte risinë kafkiane në letrat shqipe. Bota e shpikur, e krijuar si realitet I figurës do të ishte një procedim artistik që i ndoqën më vonë Anton Pashku dhe Ismail Kadare. Moderniteti migjenian është tek vetëdija e re në kulturën tonë, tek dialogimi, tek dyshimi, te mendimi dhe vështrimi kritik ndaj vlerave konvencionale, inicuar këto nga Konica i Zululandit dhe Fishta i satirave. Fryma e njeriut të Migjenit është në tragjcitet, dogmat dhe kuadraturat rrëzohen me rropamë. Ky kremtim I dyshimit, ky modernitet dhe revolucionalitet migjenian, rrëzon tempujt, rite, fasada, autoritetin e dogmës, trondit një kulturë të pranuar, një kulturë të vjetër, por të plotë në sigurinë prapavajtëse të saj. Leximet teologjike dhe filozofike e kanë zhvendosur Migjenin në një botë perfekte dhe abstrakte. Përpara tij është realiteti egzistencial dhe konkret. Si mundet t`i pajtosh të dyja pamjet? Humnera midis reales dhe ideales është larg, aq larg, sa nga djepi tek varri. Por edhe bota e leximeve migjeniane shtresohet në atë fetare dhe në atë laike. Të dyja të larta, por të rëna ndesh dhe të kapërthyera ashpërsisht me njëratjetrën. Duhet një ringjallje…njeriu i ri, qielli i ri, dita e parathanun, agimi i pritun ( këto janë tema mitike të biblës dhe të librit Apokalips) apo mbase duhet mbinjeriu niçean, pa zemër... Ndoshta edhe vetë Migjeni çuditej, kaq lakuriqe, të frikëshme e kaq dhunshëm shpaloseshin dilemat tragjike të një kohe, të një brezi. Ishte një kohë kur kristianizmi si taban për gjithë ngrehinën kulturore të jetës në botë kishte humbur terren para ideve të reja .Tempujt dhe vlerat shterrën; idhujt mbetën pa krena. Ishte një brez, një rini, që tashmë e priste ose fashizmi, ose komunizmi, ose falimenti, asgjësimi shpirtëror. Migjeni i parandjen të gjitha, i parathotë disa prej tronditjeve. Por a ka një distancë sado pak të pranuar dhe të shprehur midis asaj që thuhet e asaj që besohet, a do rrëzuar kjo perde: tjetër themi e tjetër bëjmë, tjetër duam dhe tjetër besojmë, tjetër jemi e të tjerë na duhet të hiqemi, tjetër realitet shkruajmë dhe tjetër jetojmë. A ishte mësuar njeriu shqiptar me shkrimin e reales së zhveshur? Me Migjenin jeta shtrohet si problem, si kompleksivitet alternativash. Qytetërimi shqiptar si kulturë s’kishte qënë dhe mbase vazhdon të mos jetë kulturë e dyshimit, e filozofisë dhe e pluralitetit kritik. Mohimi apo vetëm pohimi, pra vështrimi bardhë e zi, kurrë nuk janë dialog, janë afirmim i përjashtimit të të vërtetave të tjera jashtë asaj që pranohet e që sundon si monopol i vetëm i së vërtetës. Realiteti konvencional dhe filozofia e praktika e një qytetërimi autoritarist e ndëshkuan Migjenin me harresë. Ai nuk e botoi dot librin poetik. Në fund të fundit, rrebelimi dhe pavarësia ndaj realitetit të pranuar dhe të ngurtësuar paguhen, që në fillim e që prej vetvetes ????je i shenjuar të të dënojnë me asgjësim… të jesh i pranuar do të thotë të njihesh dhe afi rmohesh nga shoqëria, nga kultura sunduese.

3. Poeti dhe qytetërimi autoritarist, patriarkal

Për nga instikti Migjeni ishte një vullnet i madh për jetë si ai lisi i shqyer dhe gjigand i vjershës Vjeshta në parakalim, lis që vikat: jetë, jetë unë due. Mjerimi dhe autoriteti do të jenë dy kundërvënësit e tij. Mali,simbolikisht, autoriteti më i lartë, është përfaqësues i totalitaritetit patriakal, i autoritetit të oxhakut, të tempullit religjoz dhe të tempullit laik shtetëror. Autoriteti i një qytetërimi të tillë ( hyjnor dhe laik) krijon strukturat, elitat, politikat, burokracitë, shtresimet pasurore e sociale të shoqërisë. Zëri i njeriut migjenian vjen nga basifondet e këtij qytetërimi autoritarist dhe e ndjen veten kundër. Përpara tij është mali dhe ai një grusht njeri me kundërshtimin, dyshimin, dëshirën e rrëzimit. Kundërvënia dhe mjerimi, dhimbja e vetes, lugati dhe hija e trazueme, ballë për ballë një mali. Mund të jesh një vullnet, një uragan ndjesor kundërshtimi, një dëshirë për ndryshim, një propozim për ndryshe. Por vetëm kaq. Shqipëria e atyre viteve, për fat të keq edhe deri sot, u takon qytetërimeve bujqësore në të cilat nga varfëria disa prej shtresave të popullsisë edhe vdesin për bukë. Ne e shohim dhe sot në vendet e botës së tretë, ku qytetërimi bujqësor i lë njerëzit në uri, në mjerim, në trazira politike me armë. Mbi këtë mjerim, në përshtatje me të, ngrihen dhe strukturat politike dhe ato të jetës shpirtërore. Ky është fataliteti i atyre që nuk kapërcyen dot në qytetërimet industriale. Por edhe aty… Autoriteti pa kufij, shtypës dhe deformues, realiteti çnjerëzor i individëve dhe kol e k t i - vave të tjetërsuar e të frustuar do të krijonte temën e madhe në letërsi nga Kafka, Asturias, Markez, Kadare. Shekulli I 20-të ishte shekulli i totalitarizmave që shpërfytyronin njeriun. Migjeni me instinkt të vërtet krijuesi, i është afruar kësaj teme, e ka paralajmëruar atë në letërsinë shqipe.Theksi social i artit të Migjenit u drejtohet tempujve. Qytetërimi ballkanas është një qytetërim tempujsh. Këta tempuj, sidomos në qytetërimin ortodoks, zotërojnë jetën shpirtërore me teozën: të mbrosh shtetin, autoritetin, të vuash se kështu afrohesh me zotin. Vuajtja sa më e skajtë qoftë, të shpëton; si lumturia dhe pasuria edhe vuajtja e mjerimi janë dhuratë e zotit. Mos kërko ndryshim. Kjo fi lozofi sterilizon jetën, ua lë të përditshmen gjithfarë aventurierëve e gjakatarëve të rastit. Po edhe qytetërimin perëndimor të kënaqësisë dhe të hekurit Migjeni nuk e pranonte. Në jetën e përditshme Migjeni ishte njeriu timid i sjelljeve të mira. A ka një tokë të premtuar për të cilën ai lufton në mënyrë sublime? Ai diku thotë se liria fi lloi me lulzue, diku matanë gardhit asgjë të re; diku duam ngadhnjim, ndërgjegje dhe mendim të lirë, diku tjetër, na shtypi fati ne kensat këso bote. Ku qëndron pra tragjiciteti i botës migjeniane? Mbase te një qendrim midis Krishtit dhe Nices. Lënda e re që solli, forma e re , moderniteti, fryma e çmitizimit janë mjaft për prurjet e tij në kohë. Madje dhe gjatë monizmit Migjenin e kemi dashur se na çonte tej së pranuarës konvencionalisht, na çonte te dyshimi , përtej maskave për te realiteti i lakuriqtë. Por ka dhe diçka më shumë. Tonet madhore letërsia e tij i merr kur shtron problemet universale mbi kuptimin dhe qëllimin e jetës, mbi njeriun dhe rolin e tij, raportet e njeriut me realitetin dhe mjedisin social, etjen për emancipim dhe lirim, e t j e n për jetë, për lumturi kundër mallkimit, fatalitetit, mjerimit. Dy totalitarizmat që i kërcënoheshin botës në atë kohë, provuan besimin e lëkundur të Migjenit ndaj njeriut, i cili zgjedh më mirë derrin se sa Sokratin, besimin e lëkundur tek të diturit që falimentojnë dhe konformohen me realitete të vrazhdta e të prapambetura, me gra që shiten vetëm e vetëm për të jetuar me çdo kusht e mjet, te punëtorë që kanë frikë policin, te malësorë që shfytyrohen ndaj kokrrës së misrit dhe nëpunësit etj. Sipas tij, në të vërtetë sipas mendimit biblik, njeriu nuk e do dhe aq, nuk e ka fort për zemër lirinë; skllavëria i shkon më shumë për shtat natyrës së individit. Migjeni ishte tragjik: nuk u identifi kua me të shëmtuarën, me fatkeqët, me lumpmenët e vet, por as edhe me ndonjë tjetër kategori shoqërore të kohës. Mbase na pëlqen ta besojmë se ishte lart, shumë lart.

4. Poet i tragjikes, i dhimbje eksistenciale

Ai e braktisi një totalitaritet, atë të kishës, por ku do të shkonte? Ai shkruan një poezi të rrevoltës. Është një individ i pakënaqur thellësisht në qenien e vet. Nuk pajtohet jo vetëm me mjerimin, me realitetin, me kohën, për më tepër nuk kënaqet me atë se si i venë punët kësaj bote, ç’do të bëhet me të, a ka një rrugëzgjidhje? Ky është universaliteti migjenian që e nxjerr atë përtej kohës së tij. Te ai është njeriu fatalisht i vënë në shenjë, e ka të parathënë dhe të trashëguar mjerimin, ndaj të rrebelohet më mirë, si për hakmarrje ndaj këtij fati, ta thyejë vetë gotën dhe jetën në gëzim të mbrapshtë se mbrapshtë dhe mallkuar ka lindur dhe po lëngon. Është revolta e të mbaruarit, e të humburit, anarkia e fundërrinave, rrevolta që i afi rmon e në çast i fshin për fare, dinjiteti i atij që fundin e parathënë e përshpejton tragjikisht për t’i dhënë fund ankthit, si i varuri që vetë i bie me shkelm stolit. Janë akte të dëshpëruarish dhe jo kristianësh: të shkosh vetë në dreq të mallkuar, t’i biesh pashë më pashë ferrit. Si situatë nuk është dhe pa një forcë shpirtërore. Me vetveten sidomos e ka pisk.Të shkruarit e tij është edhe vetësqarim, dhe profeci . Ndjehet pasiguria dhe pafuqia, të shkuarit me vetëdije drejt fatales, ndjehet rrëqethja dhe tmerri i atij që e parasheh fundin e vetes dhe e shkruan fatin dhe fundin e keq me dorën e vet. Të trondit parandjenja. Me syrin e nënvetëdijes e sheh dhe shkon duke kënduar drejt tragjikes individuale e kolektive.Shpaloset tmerri i shumë situatave të padurueshme. I ndjeshëm është sidomos ndaj trgjedisë së gruas në dergjë, në skëterën e jetës; ka imtësi, imazhe, e një substancë të tërë të mjerimit njerëzor. Ky është poet i tragjikes dhe i dhimbjes. Mjerimi është bota ,tema dhe realizimi më i plotë i tij si artist. Kritika jonë marksiste tragjicitetin e tij, rebelimin e të mallkuarëve nga fati e quajti revolucionarizëm, mjerimin e retushoi sa të dukej i pranueshëm, madje i respektuar. Mjerimi, luksi, grimi i prostitutës, velloja e humnerës, këtë grim, këtë rini shfrytëzojnë për të jetuar gratë e Migjenit; këtë mjerim, fatalitet të pashmangshëm njerëzor, e shfrytëzoi politikisht dhe monizmi. Mund të thuash me Migjenin është prostituuar. Në plan psikologjik ai, siç thotë E.Fromi, është midis rebelimit dhe nënshtrimit, ose prej rebelimit në nënshtrim dhe anasjelltas. Kjo ka dhënë atë poezi ekzistenciale të personalitetit në krizë: kur të dhemb e s’di ç’ të dhemb, kërkon dhe s’di ç’ kërkon, vuan dhe s’di pse vuan. Kjo solli atë ndjeshmëri konvulsive, kalimin gjer në paroksizëm, shpërthimet e vrazhdëta, pa frena, krizat gjer në çmenduri, imazhet e vrazhdëta, gjuhë shprehje poetike po të tillë. Ishte një art, gjuhë e paparë kësisoj gjer atëhere. Ai e ka frikë, e parathotë se ky realitet i ndyrë do ta përthithë: hidhet dhe përdridhet djaloshi i Arbnisë. Kampet i ka përcaktuar prerë: unë dhe ti murgeshë, unë dhe ti mal, unë dhe ti perëndim i mrekullueshëm, unë e ti fqinj, unë dhe ti fat, unë dhe ti tempull…Ky djalë është i vetëm ballë të gjithëve. Nuk është dhe për një botë të drejtuar nga arsyeja, siç do t’ju pëlqente marksistëve. Ai është herë Krisht, në ndjeshmëri, e herë Niçe, në rrebelim. Por ai e ka përcaktuar truallin e tij poetik e ka sheshuar dhe rrahur atë tej për tej; e njeh mirë botën dhe lëndën e vetë letrare dhe e sundon poetikisht; është një material poetik dhe artistik që e ka plotësisht në duar si amvisa brumin. Dhe ironia, përbuzja, një vështrim nga lart dhe skic mbi njerëz, situata, fate; ironi e hidhur, përqeshje, por jo përçmim për njeriun. Ka shpirtmirësi dhe ironi, bashkëvuajtje dhe revoltë ndaj lagjes së varfër, ndaj shegertit, lypësit, qymyrxhiut, kallajxhiut, malësorit, punëtorit, prostitutës.Të rinjtë janë veçanërisht të rrezikuar, edhe si të ditur janë të tepërt në këtë realitet. Realiteti i ngurtësuar fi ton mbi fi lozofimet, dituritë e brendësisë mbi edukimin në shkolla europiane. Kështu ndodh me të diturin e Zullulandit të Konicës, me Dodën e novelës Gjaku të Koliqit. Edukata zhvishet si gjethet, instinkti i lashtë i kulturës së mjedisit vendor mbetet dhe më përtej se brezat. Zakoni rron më shumë se njeriu.

5. Në kapërcyellin midis Niçes dhe mesisë

Edhe filozofikisht Migjeni është një njeri në kapërcyell. Ai u nda racionalisht nga kisha si institucion që me misterin dhe traditën e ritit pranonte prapësitë e kësaj bote, madje me tërheqjen e saj në mister e në rit, indirekt, u ndihmonte atyre. Ky njeri, Migjeni, me një energji të re, uragan siç e kanë quajtur, nuk di të marrë rrugët graduale, t’i shtrohet jetës dhe punës, i ka më për zemër kapërcimet. Duke imituar frazeologji të majtë, revolucionare, ai nuk thotë asgjë me luftëra të reja, epope, jetë e re; mbetet në kuadrin e një retorike të modës. Revolucionariteti i tij është në frymën moderne, në lëndën, në ndjeshmërinë, në gjuhë. Migjeni, një njeri spiritual, nuk është për rrugën e ndryshimeve nga jashtë. Migjeni është për njeriun e brendshëm. Ai është një shpërthim subjektiviteti dhe individualiteti gjer në skajshmëri. Dhe se është ndarë praktikisht nga paçavrat që zunë myk ndër tempuj, dhe racionalisht nga të gjitha parathëniet e parathënieve, si ndjeshmëri është plot butësi e mëshirë, në vetëfajësi e përgjegjësi për fatkeqët. Të gjitha këto janë ndjenja të kristianizmit. Por edhe niçean nuk është. Ai do ta pranonte dhe këtë mbinjeri si një të keqe të fundit, si një goditje nga jashtë në zgjidhjen e punëve të kësaj bote në udhëkryq. Racionalisht ai e pranon niçeanizmin në rrevoltën e tij ndaj tempujve, edhe në rrevoltën e heronjve të tij lumpmenë ka niçeanizëm. Filozofi në e një toke të premtuar dhe të ëndërruar, një ideal, më tepër se sa një realitet social të mundshëm, Migjeni do ta ndërtojë me frymën e mitologjisë kristiane, biblike. Mittemat agim i pritun, ditë e parathanun, jetë e re, jetë e re me vdekjen e njeriut, ditë e re, qiell i ri, etj. janë si të nxjerra nga Letra e dytë e shën Palit apo nga libri Apokalips i shën Gjonit. Këto nuk janë as retorikë, as trill mesianik, janë fryma e kulluar ungjillore, të cilën e kanë braktisur edhe vetë praktikat hierarkike të strukturave religjoze, kishtare. Mesianizmi është ideja metafi zike e predikuar nga gjithë profetët ebraikë, ide e gjallë edhe sot tek populli i Librit. Në vjershat e fundit ai ka hequr dorë nga revolta dhe rezinjata. Ai tashmë e prek si me dorë fundin e vet.Urtësia dhe hidhërimi që burojnë prej saj, arësyetimi i ndjerë i së pashmangshmes, na thonë se dhimbja dhe gjendja e rrënimit duhen pranuar, duhen shprehur, duhen shpjeguar dhe ndriçuar. Dhimbja e ëmbël, e butë, e paqtë, pa ndjesi të egër, pa fatalitet e kanë çuar atë përtej përpëlitjeve rebelim - nënshtrim. Maska e vdekjes afrohet, të tjerat bjenë. Proza e tij vjen si mbështetja e një furtune në shpatullat e një pylli me drurët cungje. Nuk di pse një hamendje më thotë se në të ardhmen proza e tij do të lexohet më shumë nga poezia. Si gjendje në poezitë ndërton dhe prish, me prozën e tij ngre disa ngrehina dhe kulla të qendrueshme, plot lëndë dhe me një hijeshi asketike.

Migjeni vdiq pa u botuar, por ai jetoi, pati jetë të gjatë si artist. Kështu ka ndodhur. Ndonjëherë jeton ajo që historia e ka persekutuar, mohuar, lënë në harresë, ose dhe e ka vrarë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora