E premte, 19.04.2024, 02:55 PM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Hoxha: Një reklamë dhe efektiviteti i saj

E hene, 09.11.2015, 09:16 PM


Një reklamë dhe efektiviteti i saj.

Nga Gëzim Hoxha

Mua më pëlqejnë reklamat dhe i kuptoj ato. Po ju? Ndoshta ngaqë kam studiuar për marketing dhe mendja më ka ngelur tek ajo e xhepave bosh të shtetit, të cilën e kemi parë kushedi sa herë. Si reklamë për mendimin tim ajo nuk ka të sharë. Në buxhetet e marketingut, fondi për to, merr pjesën e luanit dhe jo më kot. Ato mund të jenë pozitive ose negative, mund të informojnë, të bindin, të kujtojnë për egzistencën e një produkti të caktuar në treg.

Nga qëllimet e një reklame hartuesit e saj kanë përzgjedhur atë të informimit dhe të bindjes. Përsa i përket informimit, ai kryhet duke treguar xhepat bosh të shtetit dhe mungesën e shërbimeve nga mos marrja e kuponit tatimor dhe deklarimit të xhiros ditore të bizneseve dhe bindja ose nxitja realizohet nëpërmjet thirrjes për të mos paguar nëse nuk e merr atë.

Kur nuk jepni apo merrni kuponin keni financuar varfërinë, më besoni. Prandaj dhe ne bëjmë atë betejën për kuponin tatimor”. – kështu ka thënë ministri i ekonomisë në një takim me temë “zhvillimin e bizneseve të vogla” të mbajtur në Gjirokastër. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e biznesit, thanë se lufta kundër informalitetit nuk mund të shihet si aksion, ai është një detyrim ligjor që duhet të ketë vazhdueshmëri.

Por sa efektive ka qënë kjo reklamë? Qëllimi i parë, ai i informimit, është arritur. Po a duhej me të vërtetë kjo  reklamë për të informuar bizneset për lëshimin e kuponit tatimor? Unë nuk e di si e kanë menduar porositësit e saj, por e di se jo gjithmonë reklama është një mjet efikas për informim. Unë i besoj më shumë thashethemeve, pasi lajmi i arrestimit të dy berberëve për mos lëshim të tij mori dhenë sa hap e mbyll sytë. Por në rastin tonë edhe këto nuk do të ishin të nevojshme, pasi  pas suksesit në mbledhjen e detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike, njerëzit dhe në veçanti bizneset e njohën mirë tashmë vullnetin e patundur të qeverisë…

Për qëllimin e dytë, vështirë të thuash diçka për të qënë. Nxitja e blerësve për të mos paguar nëse  nuk marrin kuponin tatimor mendoj se nuk është e  goditur. Më kujtohet reagimi i një çifti një ditë pas shfaqjes së parë të reklamës. Duke blerë ca mollë tek një shitës ambulant i cili nuk kishte kasë, duke qeshur burri i tha atij: "tani meqë ti nuk na dhe kupon tatimor ne po ikim pa paguar se kështu thuhej dhe në reklamën që pamë në televizor”. Duhet gjetur diçka që t’i joshë konsumatorët që pas kryerjes së një blerje të tërheqin kuponin tatimor. Mua më tërhoqi ajo ideja që një kompani e huaj private i ka paraqitur Qeverisë shqiptare. Propozimin për të marrë me koncesion administrimin e sistemit për mbledhjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, si dhe të drejtën për të organizuar të ashtuquajturën lotari të kuponave. Kjo është një mundësi e identifikuar nga një kompani me emrin “Em Post” nga Hong Kongu.

Në aksionin e ndërmarrë nga qeveria që prej fillimit të shtatorit ndaj informalitetit u kontrolluan 80 mijë biznese. Por edhe të gjithë treguesit e mbledhjes së të ardhurave shënojnë rritje. Sipas tabelës se publikuar nga shefi i ekzekutivit, vlera e arkëtuar nga kuponët fiskale në korrikun e 2013 ishte 4.8 milion lekë, ndërkohë që në korrikun e këtij viti kapi vlerën e 18.6 milion lekëve. Sipas kryeministrit ky shembull tregon arritjet e qeverisë në 20 muajt e fundit në luftë kundër informalitetit, si dhe tregon mundësitë qe krijon beteja e re kundër atyre që vjedhin konsumatorin, duke mos dhënë kuponin fiskal.

Por edhe pse të dhënat janë premtuese, përsëri edhe pse shumica e bizneseve janë të pajisur me kasa fiskale, lëshimi i kuponit ngelet sporadik. Aty ku ai lëshohet, vlera e tij nuk pasqyron xhiron reale. Mund të sjellim shumë shembuj si ai i një furre buke që herë e jep dhe herë nuk e jep atë, po edhe kur e jep nëse ti blen 2 bukë ai regjistron vetëm një. Ose dyqanet e lagjeve nuk të japin kupon për vezët, apo frutat dhe perimet. Në dyqanin e mishit edhe pse atje ka një kasë shitësi nuk të jep kupon, e njëjta gjë edhe kur blen peshk etj…

Mund të vazhdonim dhe të jepnim shembuj sa të doni, por … . Gjithmonë  ka një por. Këtë e gjeta në një dyqan dhuratash. Shitësi i tij është i ndërgjegjshëm se duhet dhënë kuponi. Ai shton se kjo në të ardhmen e afërt kur rregullat të shtrëngohen, do të përkthehej në rritje çmimesh dhe kështu ai nuk do të mund të nxisë klientët e vet për të blerë me anë të një uljeje çmimi. Llogaria që bën ai është e thjeshtë dhe të lë pa fjalë. Ai thotë se, me një normë fitimi prej 30% unë pres që nga një xhiro mujore prej 1,000,000 lekësh të vjetra në muaj unë kam një fitim prej 300,000 lekë. Me to unë duhet të laj detyrimet (ujë e drita), tatimet, sigurimet dhe me ato që mbeten më duhet të mbaj dhe familjen. Në një kohë që në familjen e tij të ardhurat që fitonte nga dyqani janë të vetmet, pasi gruan e kishte të papunë. Për ata që marrin vesh nga ekonomia ai 30, 000 lekëshi që ai pretendonte që ishte fitimi nuk mund të jetë i tillë. Ai është thjesht një marzh fitimi. Fitmi neto ai prej vërteti llogaritet duke zbrtur nga të ardhurat nga shitja, koston e mallrave të shitur (shuma që del është marzhi i fitimit) dhe duke hequr pagat e sigurimet dhe në fund edhe detyrimet tatimore. E pra gjykojeni vetë se sa fitim - prurës është një aktivitet i tillë. Ndonjëherë ata që kanë një dyqan të vogël vazhdojnë ta mbajnë akoma atë edhe sepse nuk kanë diçka më të mirë për të bërë.

Në një kohë që tregtia (edhe pse nuk ka të dhëna të sakta që të masin ecurinë e saj), nuk është se po lulëzon, kostoja e hapjes së një biznesi vazhdon të jetë akoma e lartë. Një personi me një ide të mirë për biznes i duhet të paguajë si filllim një shumë prej rreth 80,000 lekësh, ku peshën më të lartë e mban blerja e kasës fiskale me 280 € ose rreth 39,000 lekësh. Më tej ai duhet të paguaj taksat e gjelbërimit dhe të pastrimit, taksën e pronës ku do të zhvillohet aktiviteti, qeranë dhe gjysmën e shpenzimeve noteriale për hartimin e kontratës së qerasë dhe një parapagim për tatimin për fitimin, i cili nuk merr parasysh kohën e fillimit të aktivitetit. Një njeri që ka vetëm një premtim për furnizimin e dyqanit me pagesë të mëvonshme duhet të mendojë gjithashtu edhe për këtë 80,000 lekësh, që me gjasë mund të shkoj dhe në 100,000 lekë të reja e më tepër në varësi të shpenzimeve të qerasë për ambientin e aktivitetit.

Pyetja që më vjen ndër mend është: ku do t’i gjej ai ose ajo këto para?. Kur papunësia është ende e madhe dhe kur për disa e vetmja mundësi për të punuar është hapja e një biznesi të vogël a nuk do të ishte mirë që kostoja e hapjes së tij të ishte zero. Më pëlqeu ideja e ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë për përjashtimin e artizanëve nga taksat. Kjo është një gjë e mirë dhe ia vlen të përshëndetet se ruan profesionet në humbje si atë të endësve, qilimpunuesve, këpuctarëve etj, por kryesorja zbut sado pak papunësinë. Me të njëjtën qëllim uljen e varfërisë dhe të papunësisë do të kërkoja, që në pamundësi të aplikimit të një mase drastike siç u ndërmorr në Itali (para disa vitesh), përjashtimin e bizneseve të hapur rishtaz nga taksat për dy vitet e para, të paktën të hiqeshin kostot e fillimit të një biznesi sidomos për atë familjar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora