E enjte, 18.04.2024, 08:39 PM (GMT+1)

Mendime

Vangjush Saro: Histori shqiptare me vetëshkatërrim

E hene, 09.11.2015, 10:35 PM


Histori shqiptare me vetëshkatërrim

Përndryshe: Disa vërejtje për një deklaratë të nxituar të shefit të opozitës shqiptare, që krahason Shqipërinë me Sirinë, si dhe për (mos)qeverisjen me batuda…

Nga Vangjush Saro

Kryetari i opozitës, Lulëzim Basha, ka krahasuar këto ditë masakrat që po kryen mbi popullin e tij një mbret i çmendur dhe i toleruar nga Lindja e Perëndimi, me qeverisjen e sotme në Shqipëri (!) Zotëria në fjalë, për mendimin tim, ngutet. Dhe natyrisht, jo vetëm në këtë rast. I katapultuar në politikë e në krye të PD-së në mënyrë të habitshme, edhe kjo njëlloj ngutjeje, gjer më sot ai është i njohur për humbje e për për deklarata cinike dhe opinione ekstremiste. Në shënimin e fundit, kryeopozitari ka pasur parasysh largimin masiv të sirianëve nga vendi i tyre; dhe sipas tij, eksodi tjetër, po kaq i madh, është ai i shqiptarëve... (“Dy shtete po i detyrojnë qytetarët të lënë masivisht vendet e tyre; shteti genocidal i Asadit, bën që sirianët të ikin dhe shteti i krimit dhe korrupsionit të Edi Ramës, bën që fill pas sirianëve, shqiptarët të jenë të dytët që braktisin vendin.”)

Shikoni ç’krahasim pa vend, i stërtepruar, shumë keqdashës, pothuaj shkatërrues, le të themi vetëshkatërrues, për një vend që shtrihet në Ballkan, në Evropën Juglindore, që ka pasur dhe ka probleme, por gjithsesi është shumë larg pamjeve dhe aktualitetit të Sirisë. Këtë e dinë të gjithë. E di edhe vetë zoti Basha. Mund t’i kujtojmë atij se tablo të ngjashme me atë çfarë po ndodh në Siri, Shqipëria ka pasur në vitet 1991-92 dhe mandej në vitin 1997. Por kryeopozitari e ka gjetur me vend të bëjë krahasime dhe pranëvënie me të sotmen. Për fat të keq, kështu janë punët me shumë aktorë të jetës publike në Shqipëri, sidomos me politikanë e media protagonistë të anarshisë dhe izolimit të një lloji të ri... “Dy shtete po i detyrojnë qytetarët të lënë masivisht vendet e tyre...” (!) Vëreni se deri ku shkon etja apo dëshira për të poshtëruar tjetrin dhe për të rimarrë me doemos pushtetin... (A thua zotëria nuk ishte gjer dje në pushtet dhe nuk e rrëzoi nga pushteti, me votë, ky popull, të cilin tani ai e grish për kryengritje a revolucion, terma të kohëve të shkuara.)

Duam apo nuk duam, ky është realiteti ynë tash një çerek shekulli. Ligësi e cinizëm, papjekuri politike, prapambetje kolektive dhe individuale, përpjekje për t’u keqprezantuar dhe për t’u vetëshkatërruar; si në legjendën e Rozafës. Ndërkaq, për të mos u keqkuptuar askush (përfshi edhe të lartpërmendurin që - medet! - drejton opozitën) dua të them se mua nuk më zë meraku fort për qeverinë dhe për kryeministrin e sotëm. Po kujtoj se në disa shkrime kam sugjeruar që në politikë të afrohen teknikët, në qeverisje t’iu besohet gjithçka teknikëve. Me këtë term, unë nënkuptoj intelektualë të shkolluar dhe me përvojë nga jeta e aktiviteti i administratës, por që vijnë nga fusha të tilla si inxhinieria, ekonomia, diplomacia, pra njerëz që nuk janë marrë gjatë jetës së tyre me pikturë, mjekësi apo që të kenë mbaruar për mësuesi për ciklin e ulët. (Se çfarë zgjedhin shqiptarët për t’i drejtuar, se si ia dalin disa personazhe të bëhen kaq të rëndësishëm, kjo është një çështje tjetër. Faktet tregojnë se në kohën e duhur, në vendin e duhur, gjithnjë janë gjendur njerëzit e paduhur.)

Duke marrë edhe njëherë në shqyrtim frazat-përçartje të këtij të përkëdhelurit që - aman o Zot! - drejton opozitën, le të përpiqemi të kuptojmë se çfarë ndodh më tej. Shumë njerëz e shumë media nuk besojnë në shpifje e teprime të tilla. Por ndërkaq, për militantët dhe fanatikët e politikës e të shtypit, pse jo edhe jashtë e përqark kufijve të vendit, sakaq krijohen kushtet dhe komoditetet për pak fantazi, që vendi ynë të përfytyrohet si një gropë e zezë... Përjetësisht i tillë. Folësi në fjalë, si shumë të tjerë në politikën e sotme, njerëz për të ardhur keq, edhe pse mund të kenë emër e pasuri, ia kanë me hile Shqipërisë; dhe kjo duket sheshit. Duke ndjekur vijën ideologjike të paraardhësve, të të gjithë paraardhësve, duke shenjuar vazhdimin e ndonjë fushate elektorale tipike shqiptare, ata i bëjnë një dëm të madh vendit të tyre. Por nuk janë në gjendje ta kuptojnë këtë, pasi ëndrrat për pushtet dhe urrejtjet e pamenaxhueshme, pothuaj i kanë tjetërsuar.

Nuk dua të mbroj askënd, përveç fakteve reale rreth të vërtetës për vendin tim, për Rozafën time. Njëherësh, nuk mëtoj të injektoj optimizëm me zor dhe ca më pak vanitet apo sjellje pozante. Por gjithnjë ka një masë; dhe krahasimet, lufta politike, inatet mund të performojnë duke e pasur parasysh këtë masë. Ja që nuk duan t’ia dinë një sërë politikanësh, si dhe gazeta e portale që janë përherë në njëlloj pritjeje të dëshpëruar dhe sapoqë shfaqet në horizont ndonjë çerek lajmi me “luftë”, alla shqiptarçe, ndezin sakaq motorët dhe jo vetëm që e risjellin çerekun e lajmit apo lajmin e çerekut, por në shumë raste e zbukurojnë atë, e sofistikojnë, për t’u bërë (ata dhe gazeta a portali i tyre) sa më interesantë, tërheqës dhe të lexueshëm. Kështu, duke ndjekur vijën e paraardhësve snobë, duke menduar se do të fitojnë ca lexues a ndjekës më shumë dhe ca para më shumë, politikanët e papërgjegjshëm dhe mediat gjithaq, i shkaktojnë dëm të madh vendit të tyre. Por ata dhe ato nuk e kuptojnë këtë.

Jo rrallëherë, e vërteta, e marrë nëpër këmbë për arsye nga më të ndryshmet, e keqinterpretuar, merr trajtat e papërgjegjësisë që bie vetëshkatërrimin; sidomos në shkrime e deklarata të papranueshme si ato që përmendëm më sipër, apo gjatë përkthimit dhe ribotimit të “çudirave” që vazhdojnë të zbulojnë të huajt për Shqipërinë. Festë mediokrish. (Mbase iu rikthehem në një shkrim tjetër marrëzive pa fund që shkruhen edhe për rendin e shkuar, duke rëmuar vetëm kampe pune e përdhunime dhe duke harruar se çfarë ndërtoi një popull i tërë duke punuar i paguar keq.) Lehjet bëhen që… të jemi “në faqe të parë”. Kështu janë punët; kushdo që merr përsipër të flasë a të shkruajë (keq) për Shqipërinë, menjëherë meriton vëmendjen e shtypit tonë minor; le të jetë një thënie, një shkrim a një libër dosido; le të përsërisë gjëra të thëna e të stërthëna, le të ofrojë, më në fund, analiza  e përfundime të pasakta, tablo pjesërisht të vërteta; thënia, libri, autori (shqiptar apo i huaj) ka vendin e parë, ka faqen e parë në shtypin tonë servil, që në këtë mënyrë i bën dëm vendit të vet. Por nuk e kupton.

Sigurisht, e gjithë kjo (përfshirë edhe këto radhë që shkruhen nga e keqja) është një teprim; sot nuk duhej të ishim në këto tema. Të jetë e qartë, nuk flas se m’u “dogj xhani” për zotërinjtë protagonistë të të sotmes, që nuk dinë ku i kanë paratë e vilat e që shesin pareshtur tangërllëk. Kam shkruar për qeverisjen dhe kryeministrin aktual dhe e përsëris: nuk qeveriset me batuda. Mjaft më me batuda. Kohën gjatë së cilës merren me polemika dhe batuda (apo siç paska ndërmend zoti Rama, me përkthime) le t’ia kushtojnë punës reale. Por njëherësh, duhet pranuar se pala përballë ka mbetur po aq komike dhe e jobindëse, si edhe më parë. Duke përdorur këso hiperbola e pranëvënie pa vend, si krahasimi me Sirinë, (ku popullsia po masakrohet me avionë gjuajtës) apo duke dhënë pamje të pavërteta e informacione (sërish ideologjikisht) të sforcuara për të shkuarën dhe të sotmen e Shqipërisë në përgjithësi, krijohet përshtypja se vendi ynë na qenkej dhe na qenka më zi se të gjitha vendet e tjera të botës (qofshin këto në Afrikë, në Azi, në Amerikë Latine, etj.) Këtu qëndron edhe hileja e këtyre shkrimeve e librave dhe e këtyre “thënieve” e krahasimeve vetëshkatërruese dhe pastaj, edhe thelbi i marrëzisë së një pjese të politikës e të shtypit shqiptar, që vdes për të vizatuar tablo të papranueshme dhe që i risjell paçavuret pa qëndruar asfare, madje me preçedencë.

Prirja për të errësuar gjithçka për hir të luftës për pushtet, sikundër bën një pjesë e shtypit, edhe politikanët opozitarë, edhe kryetari i opozitës në rastin e fundit, është një praktikë e përvojë vetëshkatërruese, nga e cila ne nuk kemi fituar asgjë, asnjëherë. Nuk lexuat në asnjë radhë të këtij shkrimi se i kishim punët mirë apo i kemi punët mirë; përkundrazi. Por le të formulohen kritika të qena e të drejta, le të hidhen në publik pamje të vërteta, që të jemi sa më të besueshëm, për vete, për të huajt, për të sotmen dhe të nesërmen, me apo pa demokraci, me apo pa revolucione dhe kryengritje.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora