E enjte, 25.04.2024, 07:12 AM (GMT+1)

Mendime

Rexhep Kasumaj: Frika me qenë qytetar!

E diele, 08.11.2015, 08:20 PM


FRIKA ME QENË QYTETAR!

(Mbi një soj të robnisë)

Nga Rexhep Kasumaj

1.

Kemi dëgjuar ndër vite shumë sintagma mbi magjinë e politikës dhe mundësitë e tejandejme që jep pushteti i saj. Në përskajim të thjeshtësuar, do të thuhej se ajo është një levë mjeshtërisht e fortë: për shpirtërat e mirë dhe për ata të liq. Për të parët - që ti shërbejnë përulshëm atyre që i përfaqësojnë dhe për të dytët - që të nëpërkëmbin brutalisht ose lëmueshëm, të drejtat e tyre.

Galeri e të dytëve, ndërkaq, e shumtë si armatë krimbërore, vuan kompleksin e niçeanizmit primitiv. Përjetojnë, ashtu, ekstazën barbare të dorëvënjes mbi fatet e të tjerëve: duke i poshtëvënë, vjedhur e përbuzur që, të tillë, i shndërrojnë mandej në qenje turmash amorfe tek s'ndjejnë më as dhimbje, as dëshirë, as zemëratë e as shpresë...

2.

Që këtej rezulton, me gjasë, arsyeja pse kjo tipologji hierarkësh, i tmerrohet statusit të qytetarit të lirë. Nuk e imagjinojnë dot humbjen e kënaqësisë që u jep sadizmi shtetëror, i ushtruar me zell mbi kopenë zgjedhore. Por, njëkohësisht, megjithë akumulimin e pakufi të frerëve pushtetarë, i gërryen poaq, një frikë e thellë që kujdestaron prorë në ndërgjegjen e errtë... Është droja zhbiruese se, sado e flashkët, turma ose anonimati i heshtur mund të formulojë një ditë pyetjen e, fill pas saj, akuzën fatale: deri kur? E tutje: a erdhi koha e përballjes me bëmat që i kishin krusmuar përdhé?! Dhe, më pas, si thotë Libri i Vjetër, dita e fundit e keqe, bën të harrohen të gjitha ditët e lumtura të ikura. Pikërisht nga mneri i kësaj të mbramës ditë, shmangin e shtyjnë ata rikthimin e statusit të humbur të qytetarit të lirë. Ndaj dhe, duan shkallare të epërme nomenklature: të pakufizuar me Fuqinë dhe të pafund me Kohën. Janë ato që mbajnë çelësat e shpëtimit nga një hata tronditëse, pse civiliteti i tyre mund të mos jetë nderëplotë dhe as i lirë. Por, megjithatë, prapë më vezulluese ngjan kjo robni sfilitëse se tirania e jetës së shfronësuar qytetare, në pritje të ca hekurave të tjerë...

3.

Kështu do të meditoja në këto orë kur era fryn tërbueshëm dhe vjeshta me ansamblin e bukurisë së pikëlluar, nuk jepet dot...Do të përsiasja, jo pa deshpërim, tek pashë lajmin e zi, se Isaja e Hashimi, një duo infernalisht komplementare, gatiten të ndërrojnë rolet e tyre. Ata paskëshin betonuar paktin për të ndjekur maninë e ligë putiniste të përhershmërisë. Kryetar i përjetshëm, historik (pa histori), i nderit, legjendar (pa prekur ende muzgun e jetës) - janë floskulat që mbushin ambientin politik provincial...E njeriu, posa merr pakëz frymë nga thënja prehëse biblike, kujton sëmbueshëm një tjetër varg, tashmë, agollian: "ditës së nesërme që s'më erdhi kurrë, do i lë takim në varrezë..."!

4.

Vërtetë, si do të dukej formati i tyre civil? Pa supore. Grada. Ofiqe. Shpurë. Vetura të zeza. Tullacë të armatosur që i rrethojnë...Dhe a do ti shohim ndonjëherë? Apo, ndoshta, ata do të zbresin poshtë, por ne s'do mrekullohemi për ti parë më...Kushedi, do qëndrojnë në larginë. Pas perdesh me tela...Diku përtej ngjyrave të jetës..!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora