E enjte, 25.04.2024, 11:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Ati i vallezimit

E diele, 03.08.2008, 03:54 PM


Personazh/ Një udhëtim në jetën e Panajot Kanaçit, me rastin e 85-vjetorit të lindjes

Më 13 janar 1963 u dha premiera e baletit të parë shqiptar, "Halili dhe Hajria", e kompozitorit Tish Daija dhe librete të koreografit Panajot Kanaçi

Ai mbylli sytë përgjithmonë më 14 korrik 1996. Burri që i dha jetë artit koreografik në Shqipëri iku duke lënë pas një thesar të pakrahasueshëm kontributesh në artin skenik të vendit tonë. I thjeshtë si përherë, ai besoi se gjithçka kishte dhënë e kishte bërë nga dashuria. Kërcimi ishte gjithë jeta e Panajot Kanaçit. Dje, më 2 gusht ishte ditëlindja e tij e 85-të. Miqtë e tij të ngushtë dhe nxënësit e dikurshëm e kujtuan në mënyrën e tyre mjeshtrin. Por nuk pati ndonjë aktivitet dedikuar atij. Pavarësisht kësaj heshtjeje, emri i Kanaçit do të lidhet gjithnjë me historinë e zhvillimit të artit koreografik në Shqipëri. Panajot Kanaçi u lind më 2 gusht të vitit 1923, në Korfuz. Në Sarandë, ku mërgoi familja e tij, ai kreu shkollën fillore. Që i vogël kishte pasion këngët e vallet popullore. Mori pjesë në grupet e karnavaleve dhe të sazeve të Delvinës. Më vonë familja shkoi në Tiranë, për t‘i krijuar kushte mësimi Panajotit. Pak u mor me mësimin e pianos, që ia bleu i ati dhe iu kushtua tërësisht valleve popullore. Panajoti shkruan në kujtimet e veta: "Kur isha i ri në Tiranë, bëja çmos për të interpretuar nëpër dasma vallen qytetare të Tiranës, për të plotësuar vlerat e valltarëve të moshuar. Shkoja vazhdimisht në kinemanë e Beshirëve për të vëzhguar filmat ku kishte valle dhe mundohesha t‘i kërceja në shtëpi". Panajoti, mbasi mbaroi liceun artistik të Tiranës, i pajisur me një kulturë dhe me gjuhë perëndimore, në 1943-shin fillimisht paraqiti kërkesën e tij për të studiuar jashtë shtetit për regjisor filmi. Por kërkesa ju refuzua dhe dëshira u mbyll shpejt. Që atëherë iu përkushtua me një dëshirë dhe pasion të pakrahasueshëm artit të kërcimit. Më 2 dhjetor të vitit 1946, në kinema "Ideali", Panajoti nisi pranë shkollës pedagogjike punën koreografike me një grup vajzash. Me grupin e parë me të vegjlit, si dhe me grupin e të rinjve që krijoi, Panajoti realizoi koncerte dhe kërcime botërore. Ai realizoi jo vetëm valle popullore, por edhe skena të plota baleti, si "Bukuroshja e fjetur", "Hirushja", të Çajkovskit etj. Me grupet e tij ai mori pjesë në një sërë veprimtarish ndërkombëtare, ku u vlerësua me çmime. Në 1949 u dha shfaqja e parë origjinale, "Dasma shqiptare", ku ai realizoi bashkë me Lola Gjokën episodet koreografike të dasmës. Si kërcimtar, P. Kanaçi e mbylli shumë shpejt karrierën e tij. Gjatë periudhës së shkurtër si valltar, ai u shqua për interpretimin plot nuanca të valles popullore të Shqipërisë së Jugut dhe të Veriut. Me krijimin e filarmonisë së shtetit në 1950 nisi një periudhë e rëndësishme e krijimtarisë së Kanaçit. Ajo hapi perspektivën e zhvillimit të artit tonë skenik muzikor. Ai jo vetëm që ndihmoi në vënien e disa veprave të rëndësishme nga regjisori rus, Perkun, por luajti edhe vetë në dy baletet e asaj kohe, si në "Shatërvani i Bahçisarajt" në 1951, ku luajti me dinjitet e talent rolin e Sulltanit, dhe baletin tjetër "Esmeralda" në 1953, në rolin e priftit Klod Frolos. Ai ishte një interpretues i rrallë i skenës së baletit. Në vitin 1956 shkoi për studime për regjisor baleti në "Gitis", Moskë. Studenti 32-vjeçar P. Kanaçi shkollohej dhe praktikohej në teatrin dhe studiot e Balshoit, i famshëm për gjininë e teatrit dhe baletit. Krahas studimeve vazhdoi edhe krijimtarinë. Ai u angazhua në krijimtarinë e tij me artistë të mëdhenj si R.Nurejev, Vasiljev, Riabinka etj. Në vitin 1961 kthehet nga studimet në Moskë dhe nis punën e tij krijuese me projekte dhe mendime të tjera. Në 13 janar 1963 u dha premiera e baletit të parë shqiptar, "Halili dhe Hajria", e kompozitorit Tish Daija dhe libretet e koreografit Panajot Kanaçit. Një vit më vonë ai vuri në skenë baletin tjetër, "Delina", të Çesk Zadesë, e kështu me radhë baletet "Partizani" të Kozma Larës, "Bijtë e Peshkatarit" të Tish Daisë, "Shota dhe Azem Galica", "Joniada" e Nikolla Zoraqit etj. Ai vuri në skenë edhe dy balete botërore, "Franceska da Rimini" të Çajkovskit, "Paganini" të Rahmaniovit. Aspekti më i rëndësishëm i krijimtarisë së tij është vallja popullore. Ai është mjeshtër i madh i përpunimit të valleve të të gjitha dialekteve dhe trevave etnofolklorike të vendit. Fondi i valleve të mjeshtrit është i pafund. E pamundur të radhitësh dhe të nxjerrësh vlerat për secilën. Sukseset e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, me të cilin ai ishte i lidhur, janë kryesisht sukseset e tij. Vallet e profesorit kanë korrur sukses në Evropë: Itali, Francë, Gjermani, Zvicër, Greqi, Turqi, e kudo tjetër si Algjeri, SHBA, Kinë, Kanada etj. Ndër vallet më të suksesshme e më të bukura të Panajot Kanaçit veçojmë: "Vallja e zileve", "Ditë feste në Tiranë", "Valle e liqenit" (pogradecare), "Valle e burrave" (Përmet), "Xhihxhileja", "Valle me motive kosovare", "Sup më sup lidhur jemi", muzika T.Daija, "Vallzimi i shqipeve", "Valle dyshe e Martines", "Valle e Rrajcës", "Valle me motive dibrane", "Në garë", "Valle dropullite", "Të rinjtë e Sopikut", "Vallja e Osman Takës", "Kaçakshe", "Vallja e bilbilit", "Vallja e shpatave", "Presja me jatagan", "Festë të madhe ka sot Shqipëria", "Vallja e ylberit" etj. Panajot Kanaçi ishte "ustai" më i madh i artit koreografik shqiptar, këtë titull nuk ia mohoi askush. Ai është krijuesi i modeleve moderne të koreografisë shqiptare. Si kolos dhe njeri i thellë i kulturës sonë, ai ka pasur dëshirë për të krijuar të veçantën. Në vitin 1986, Panajot Kanaçi merr titullin e lartë "Artist i Popullit" për ndihmesën e tij të çmuar në fushën e pedagogjisë si pedagog i Akademisë së Arteve, dhe si publicist, ku botoi artikuj kritikë shkencorë, koreografikë. Në vitin 1995 Akademia e Shkencave i jep titullin "Profesor". U nda nga jeta në 14 korrik të 1996-ës, por la pas një vepër të madhe me vlera të çmuara për kombin e tij, para së cilës përulemi me respekt. Ai është artisti i madh, i pavdekshëm. Artistë të mëdhenj si Panajot Kanaçi janë të rrallë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora