E premte, 29.03.2024, 04:39 AM (GMT)

Mendime

Abdulla Mehmeti: Gjeneratat me ideale të larta

E premte, 06.11.2015, 07:54 PM


VETËM GJENERATAT ME IDEALE TË LARTA E KANË TË ARDHMEN E SIGURTË

Nga Abdulla Mehmeti

Gjeneratat e reja, të lindura pas fillimit të proceseve demokratike në vendin tonë, tanimë kanë kaluar në moshë të pjekurisë dhe janë pjesë e rëndësishme e jetës politike, ekonomike dhe kulturore të vendit. Por, këto gjenerata a janë të përgatitura në mënyrë të mjaftueshme për t’i përballuar sfidat e jetës, apo janë të vetëmjaftueshme me dituritë, përvojën dhe të arriturat e veta të derisotme?

Përpos diturive dhe shkathtësive të fituara në shkollë, këto gjenerata nuk kanë arritur të pajisen edhe me përvojën e gjeneratave të mëparshme, që do t’u shërbente si çelës suksesi për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat përballen sot dhe do të ballafaqohen edhe në të ardhmen?

Në të shumtën e rasteve, me qëllim ndoshta të mirë, mësuesit, prindërit dhe të afërmit e tyre më të moshuar, nuk duan t’ua rëndojnë mendjen e tyre edhe me problemet e së kaluarës, aq më pak me pjesën e hidhur të saj, me probleme politike, shoqërore, ekonomike, sociale dhe kulturore, të cilat kanë lënë pasoja edhe në periudhën e mëvonshme. Duke dashur që rininë ta largojnë nga problemet e së kaluarës, të kohës së të parëve të tyre, e bëjnë hapin e gabueshëm, gjeneratave të reja duke ua marrë të drejtën e njohjes me të kaluarën, e cila mund t’u shërbejë si mësim dhe përvojë për tejkalimin e problemeve të sotme.

Latinët e vjetër nuk kanë thënë kot se, historia është mësuesja e jetës, nga e cila duhet të përfitojnë dhe zhvillohen gjeneratat e reja në mënyrë të drejtë. Për këtë arsye, secila gjeneratë duhet t’i mësojë së paku gjërat kryesore nga e kaluara, të cilat kanë ndikuar në të dhe e mbajnë vulën e saj.

Pse të rinjtë duhet të dinë më tepër për të kaluarën? Përgjigja më e drejtë do të ishte: që vlerat pozitive t’i përvetësojnë dhe afirmojnë, ndërsa vlerat negative, gabimet dhe dështimet të mos i përsëritin edhe në të ardhmen. Po të shikohet problemi nga kjo optikë dhe të analizohen veprimet e gjeneratave të reja në kohën e sotme, do të vërejmë se ato shumë pak kanë mësuar nga e kaluara, për vlerat dhe jo vlerat, për gabimet, pësimet, dështimet dhe pasojat e tyre, në të kaluarën dhe sot.

Rrethanat e reja në të cilat jetojnë dhe veprojnë këto gjenerata janë shumë më të favorshme se ato kur vepruan gjeneratat e mëparshme, por rezultatet janë më të vogla në krahasim me mundësitë, potencialin dhe aftësitë e tyre. Për aq më tepër, nëse merret parasysh edhe zhvillimi i teknologjive moderne dhe mjeteve të komunikimit, përmes së cilave më lehtë arrihet në informacionet e nevojshme, si nga sfera shoqërore dhe politike, ashtu edhe veprimtaritë ekonomike e kulturore. Sidomos në sferën profesionale, të arriturat janë tepër modeste, jo premtuese dhe me tendencë të rënies së vazhdueshme nga gjenerata në gjeneratë.

Për ta ilustruar konstatimin e lartpërmendur, do të shërbehemi me shembuj konkretë nga e kaluara dhe e sotmja, duke i krahasuar të arriturat e gjeneratave të mëparshme dhe të sotme të shqiptarëve në Maqedoni, asaj që veproi gjatë periudhës së socializmit dhe gjeneratave të reja që veprojnë dhe krijojnë në kohën e tranzicionit dhe demokracisë.

Derisa nën regjimin komunist, nën një trysni, shtypje dhe diskriminim tepër të madh dhe në kushte të pavolitshme, ku në jetën politike të vendit morën pjesë edhe shqiptarët, rezultati i tyre mund të vlerësohet si tepër i negativ dhe joproduktiv. Gjeneratat e sotme, në kushte pakrahasueshëm më të favorshme, nuk kanë arritur ta tejkalojnë as hapin e gjeneratave të atëhershme, duke zhvilluar gjithashtu politikë joproduktive dhe pa efekte pozitive për të ardhmen. Në disa aspekte të politikëbërjes, gjeneratat e sotme kanë ngecur bile prapa gjeneratave të mëhershme.

Mjafton të përmendim se, gjatë periudhës së socializmit shqiptarët në Maqedoni arritën të kenë edhe kryetar të kuvendit republikan, kurse kjo nuk është arritur deri më sot nga gjeneratat e reja. Gjithashtu, në nivel të ish federatës jugosllave, disa shqiptarë kanë udhëhequr edhe me organet më të larta të saj, përfshirë edhe presidencën e shtetit dhe komitetin qendror të partisë së atëhershme komuniste në pushtet, si dhe udhëheqjen e organeve të rëndësishme në nivel republikan dhe federativ, kurse nga ana tjetër, populli shqiptar i ishte nënshtruar një diskriminimi të hapur dhe të skajshëm, padrejtësive të mëdha dhe shkeljeve flagrante të të drejtave dhe lirive themelore njerëzore dhe kombëtare. Shtrohet pyetja: a kanë shqiptarët sot dobi nga këto arritje formale dhe kozmetike, të cilat në esencë nuk u sjellin asgjë të dobishme?

Këto shembuj të ngjashëm, duhet të jenë mësim për gjeneratat e reja se, këto çështje formale, jo përmbajtjesore, nuk duhet të jenë pjesë e agjendës së gjeneratave të reja, të cilat pretendojnë të merren me politikë, sepse vlerat e mirëfillta krijohen në bazë të të arriturave përmbajtjesore, afatgjata dhe me efekte konkrete për të mirën e përgjithshme, jo me ndryshime formale, sa për sy e faqe, mashtruese dhe të padobishme.

Në anën tjetër, gjeneratat e mëhershme arritën të krijojnë një elitë intelektuale me nivel të lakmueshëm, e cila kishte ndikim dhe autoritet të pakontestueshëm edhe në jetën politike të vendit. Gjeneratat e reja të intelektualëve, edhe pas dy dekadave të tranzicionit dhe demokracisë nuk arritën të profilizojnë një klasë intelektuale me ndikim, e cila do t’u printe proceseve të tranzicionit dhe ndërtimit të shoqërisë së re me vlera properëndimore, demokratike dhe humane.

Në sferën ekonomike dhe sociale, gjatë asaj kohe u ngrit një gjeneratë teknologësh, tregtarësh dhe afaristësh, të cilët në pamundësi të zhvillimit të lirë dhe të papengueshëm të veprimtarive të veta në vendlindjen e tyre në Maqedoni, arritën të depërtojnë në viset tjera të ish Jugosllavisë, si Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë, Slloveni, Vojvodinë, si dhe në shtetet e Evropës Perëndimore, ku ngritën bizneset e veta dhe krijuan mirëqenie të kënaqshme për familjet e tyre. Me këtë kontribuuan edhe në ngritjen ekonomike të qyteteve dhe vendeve të tyre të lindjes.

Në sferën e shëndetësisë, për rrethanat e atëhershme u krijuan kuadro të mirëfilltë nga radhët e shqiptarëve vendës, të cilët profesionalisht ishin në nivel të kolegëve të tyre në vendet tjera më të zhvilluara, si kardiologë, kirurgë, gjinekologë, neurologë, pediatër, internistë dhe profile të tjerë mjekësh e specialistësh, të cilët as nga na profesionale dhe as nga ana e menaxhimit me situatat, gjeneratat e reja nuk kanë arritur t’i tejkalojnë për nga profesionalizmi i tyre, edhe pse kushtet dhe mundësitë e sotme janë pakrahasueshëm më të favorshme.

Gjeneratat e mëparshme krijuan teknologë dhe udhëheqës të procesit prodhues në shumë fabrika e kombinate, të tekstilit, metalurgjisë, teknologjisë ushqimore, plastikës medicinale, përpunimit të lëkurës, të drurit etj., si në Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë dhe qytete të tjera, të cilët udhëhoqën me ndërmarrjet, fabrikat dhe kombinatet me mijëra punëtorë, kurse prodhimet e tyre cilësore ishin të kërkuara edhe në tregun ndërkombëtar.

Nga të gjitha këto zhvillime, suksese dhe mossuksese në të kaluarën, gjeneratat e reja duhet të marrin mësime, modele dhe shembuj se çka ishte e mirë dhe dobishme, e çka ishte pa vlerë dhe e dëmshme, që të krijojnë strategji afatgjatë të zhvillimit të shoqërisë sonë në të ardhmen.

Gjenerata e re, sot e ka humbur privilegjin të jetë kreatore e këtyre politikave zhvillimore dhe prijatare e sigurimit të progresit dhe kaheve pozitive të zhvillimit të vendit. Cila është arsyeja e kësaj ngecje dhe mossuksesi të gjeneratave të reja? Përgjigja mund të kërkohet kryesisht në tri arsye: e para, mungesa e arsimimit dhe edukimit të shëndoshë, si dhe motivimi për ndërmarrje të guximshme në sferën profesionale, e dyta, lakmia për pjesëmarrje aktive në politikë, e cila ia zen frymën vullnetit dhe dëshirës për ngritje profesionale, iniciativës së lirë dhe krijimit të personalitetit të pavarur dhe, e treta seleksionimi negativ i kuadrit në të gjitha sferat e jetës. Në lidhje me çështjen e fundit, mund të shtojmë se, gjeneratat e reja nuk kanë mundësi të hyjnë në konkurrencë për sigurimin e cilësisë, për shkak të trysnive, manipulimeve dhe nepotizmit të theksuar, të nxitur dhe përkrahur në masë të madhe nga subjektet politike të kohës së sotme, për të cilat më tepër vlen një librezë partie se një kualifikim, përgatitja profesionale dhe aftësia e një personi, ose specialisti të fushës përkatëse.

Mjafton të krijohet një pasqyrë reale për angazhimin e gjeneratave të reja në politikë, të cilat për mungesë të orientimit të drejtë, në vend se t’i japin përparësi ngritjes profesionale, ndërsa si veprimtari të dorës së dytë ta kenë angazhimin në politikë, ndodh e kundërta. Edhe politika si e tillë nuk zhvillohet në nivel profesional, por më tepër si trend, modë dhe dëshirë vetëm për sigurimin e statusit më të mirë në shoqëri, në të shumtën e rasteve pa zgjedhur rrugë dhe mënyra për realizimin e ambicieve personale dhe interesave grupore.

Të gjitha këto, janë rrugë të gabueshme dhe jo produktive për realizimin e idealeve të një gjenerate, e cila synon të krahasohet me të njëjtën gjeneratë në vendet tjera, të cilat kanë krijuar traditë ndryshe dhe veprojnë e krijojnë në rrethana krejtësisht të tjera, gjithsesi më të përshtatshme.

Një pjesë e madhe e gjeneratës së re është larguar nga vendi dhe është integruar në vendet më të zhvilluara evropiane, ku ka hapur perspektiva të reja dhe ka krijuar mundësi për zhvillimin e veprimtarive profesionale dhe të ngritjes së personalitetit të vet intelektual dhe krijues. Me dhjetëra mjekë, inxhinierë, teknologë, juristë, biznesmenë dhe artistë shqiptarë, sot punojnë dhe veprojnë jashtë vendlindjes, kryesisht në shtet e Evropës Perëndimore. Ky proces i ka përgjysmuar kapacitetet e gjeneratës së re në vend, për ta dhënë kontributin e saj profesional, shoqëror dhe kombëtar.

E gjithë kjo nuk duhet të lidhet vetëm me mungesën e perspektivës për gjeneratat e reja në vend, as për mungesë të arsimimit cilësor, por kryesisht lidhet me edukatën jo adekuate, mungesën e traditës atdhetare dhe krijimin e modeleve të papërshtatshme për ndërtimin e personalitetit.

Për ta siguruar perspektivën në vendlindje dhe për t’i realizuar qëllimet e veta, çdo gjeneratë duhet t’i krijojë dhe kultivojë idealet e veta, të cilat do të jenë promotorë të ngritjes së saj për realizimin e interesit më të gjerë shoqëror e kombëtar.

Nëse sot i parashtrohet pyetja çdo të riu në vendin tonë se: kujt dëshiron t’i ngjajë, ose më saktë cili do të ishte modeli i preferuar i personalitetit për veten e tyre, sigurisht do të kishin zgjedhur një politikan, qoftë mediokër, ose biznesmen, i cili ka krijuar kapital në rrugë të pandershme dhe mënyrë të paligjshme, se sa ta kenë për model një intelektual të përgjegjshëm, veprimtar të çështjes kombëtare, ose njeri të sakrificës për të mirën e përgjithshme të kombit dhe të njerëzimit në përgjithësi. Secili do të kishte preferuar të ketë veturë të shtrenjtë, shtëpi luksoze, vilë për pushime dhe kushte ideale për jetesë, pavarësisht nga mënyra e sigurimit të kësaj mirëqenie, shpeshherë përmes rrugës së krimit dhe shitjes së interesave të shoqërisë. Ky moral i rrejshëm krijon kundërvlera dhe len pasoja afatgjata për gjeneratën e tashme dhe të ardhshme.

Duke marrë parasysh këto tendenca të padobishme dhe johumane, së pari duhet të hapen diskutime të gjera me specialistët e fushave përkatëse, sidomos me sociologë, pedagogë dhe psikologë, të cilët duhet t’i shqyrtojnë mundësitë e krijimit të një platforme të re për kultivimin e gjeneratave të reja, edukimin  e drejtë të tyre, mbështetur edhe në traditën tonë të pasur dhe atë ndërkombëtare, duke krijuar korniza të reja të edukimit dhe arsimimit, edhe atë:

- duke i ndryshuar rrënjësisht planet dhe programet mësimore, si dhe përmbajtjet e teksteve shkollore, që nga cikli i parashkollor deri në arsimin universitar;

- sigurimin dhe përhapjen e literaturës për çështjet e edukatës, përmes kësaj edhe kultivimin e shprehive të reja pozitive për punë dhe jetë më të denjë tek gjeneratat e reja, para se ato të rrëmbehen nga stihia e modës së keqe dhe të gllabërohen nga rrjetet mafioze të politikës ditore, duke e larguar nga veset e liga, mënyra e jetesës në kurriz të huaj, si dhe përfitimet e pandershme nga të mirat e përgjithshme të shoqërisë;

- duke ngritur e kultivuar moralin dhe edukatën patriotike, në familje, rrethin shoqëror dhe institucionet arsimore.

Në këtë drejtim, si mjet të përshtatshëm duhet të përdoren mediumet dhe literatura e zgjedhur, librat, revistat, gazetat dhe publikimet tjera, të cilat janë mjeti më i përshtatshëm për krijimin e mendësisë së re, moralit dhe idealeve të gjeneratave të reja. Vetëm gjeneratat me ideale të larta mund ta kenë të ardhmen e sigurtë.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora