E enjte, 28.03.2024, 04:24 PM (GMT)

Kulturë

Çabej dhe Migjeni kujtohen në Prishtinë

E diele, 03.08.2008, 02:52 PM


Kongresi i Manastirit, 100-vjetori i lindjes së Eqrem Çabejt, 70- vjetori i vdekjes së poetit të madh Millosh Gjergj Nikolla- Migjeni, si dhe 130-vjetori i mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit, do të përkujtohen në Kosovë

Kongresi i Manastirit, 100-vjetori i lindjes së Eqrem Çabejt, 70- vjetori i vdekjes së poetit të madh Millosh Gjergj Nikolla- Migjeni, si dhe 130-vjetori i mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit, do të përkujtohen në Prishtinë, në edicionin e 27 të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. Më shumë se 150 albanologë nga vende të ndryshme të botës do të mblidhen në Prishtinë nga data 18 deri më 29 gusht. Gjatë seminarit të përvitshëm do të mbahen kurse intensive të gjuhës shqipe, ligjërata të veçanta për gjuhësinë dhe letërsinë shqiptare, si dhe nuk do të mungojnë as referimet shkencore. Ndërkaq, në seminarin e 27 të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare do të mbahen edhe dy tryeza të rrumbullakëta, njëra për të shënuar 100-vjetorin e lindjes së Eqrem Çabejt kurse tjetra për të shënuar 70-vjetorin e vdekjes së Migjenit. Gjithashtu do të përkujtohen edhe dy data të rëndësishme, siç janë 100-vjetori i Kongresit të Manastirit dhe 130-vjetori i Lidhjes së Prizrenit. Për këto dy data të rëndësishme, drejtoria e seminarit ka programuar referime të cilat do të zgjatin për dy ditë. Për këto çështje do të flasin jo vetëm studiues shqiptarë, por edhe të huaj. Gjatë Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe, do të mbahen edhe dy takime të rëndësishme shkencore me temë "Shqipja në rrjedhat e globalizimit" dhe "Kosova dhe letërsia shqiptare". Pjesëmarrësit në seminar, të cilët do të vijnë më 17 gusht dhe do të largohen më 30 gusht nga Prishtina, do të kenë mundësi të vizitojnë dhe të njihen me qendra të ndryshme të rëndësishme të Kosovë. Ata do të njihen me institucionet kulturore-shkencore në vend, si dhe me personalitete të politikës në Kosovë.

Këtë vit, pjesëmarrësit nga Kosova, Shqipëria, shtete të ndryshme të Evropës, Amerika, Kanadaja, Kina, Japonia dhe Australia, me përvojën e tyre, do të ndihmojnë edhe më shumë zhvillimin e albanologjisë. Pjesa më e madhe e tyre janë emra të njohur në Evropë dhe jashtë saj, ndaj edhe pjesëmarrja e tyre vlerësohet si shumë e rëndësishme dhe e dobishme. Ata jo vetëm që mësojnë gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, por këtu tek ne lënë edhe përvojat e tyre shkencore, që janë të një niveli shumë të lartë.

Seminari i 27 Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare është themeluar në vitin 1974 nga Universiteti i Prishtinës. Nga viti 1989 deri në 1999, për shkak të politikave represive të Serbisë, seminari është detyruar që të ndërpresë aktivitetin e tij, të cilin e ka rifilluar në vitin 2000. Këtë vit, sponsorë të tij janë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Universiteti i Prishtinës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora