Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edibe Osmani: Homazhe në Nistrovë, Rekë e Epërme

| E enjte, 05.11.2015, 09:50 PM |


Homazhe në varrezat e fshatit Nistrovë në Rekën e Epërme

Nga Edibe Osmani

Shoqata “Foleja Kombëtare Shqiptare” e një grup atdhedashës të udhëhequr nga zonja Elida Jorgoni, me 2 Maj 2015, në një ditë me diell pranveror e me një natyrë mahnitëse, shkuam në Rekën e Epërme. Gjithaandej  gjelbëronte e për çudi dëgjohej vetëm zëri i qyqes. Mahniteshim nga grumbuj-grumbuj gurëthemele, shtëpi të kthyera në rrënoja, të braktisura. Fshati Nistrovë, ishte i shkretë e me shumë pak banorë... Me shumë vështirësi u ngjitëm rrugës së gjatë që gjarpëronte malit të Korabit.Pikërisht kjo i bëri edhe më kureshtarë pjesëmarrësit për të ditur e parë se ku lindi e kaloi një pjesë të jetës së tij atdhetari Josif Bageri.

Qëllimi i vizitorëve ishte i përbashkët, të bëjmë homazhe në varrezat e shqiptarëve ortodoksë. Para së gjithash  u lexua përkthimi i Fan Nolit, Kryepeshkopit te shqiptarëve,”Prehje për të Vdekuri” - kushtuar familjarëve të Josif Bagerit dhe shqiptarëve të tjerë që preheshin nën hijen e lisave të larta në oborrin e kishës. Fjalët e Imzot Nolit, ishin amaneti që peshonte sa gurët shkëmborë që e rrethonin fshatin. Nolin dhe amanetin e tij mund t’a ngjallin vetëm ata që e duan Shqipërinë. Kënduam me solemnitet Hymnin e Flamurit e më pas këngën kushtuar trimave, “Kaçaniku, shkëmb e gur...`”. Me pas u theksua edhe testamenti i Gjerasim Qiriazit, që i la amanet të motrës Sevastisë: “MOS HARRO SE JE SHQIPTARË”. Kisha e fshatit Nistrovë ishte e kyçur, vendosëm mbi varreza  lule të freskëta mali, stolisëm fasadën e kishës me flamujt Kuq e Zi, ndezëm qirinj për shpirtrat e të vdekurve, i ramë gongut të këmbanës, ndamë grurë dhe hallvë dhe u larguam të heshtur, të menduar, por disi shpirtrisht të lehtësuar, se kishim takuar të gjallë e të vdekur bashkë.

Kjo kishë e riparuar, mban mbishkrimin Sveti Spas, emërtim sllav si çdo kishë tjetër e kësaj krahine.

Gjatë ekspeditave personale të bëra në këtë krahinë  në vitet (1995-1998), po kjo kishë mbante emrin e së kremtes Kisha e   Shën Mitrit,kështu kjo festë është trashëguar edhe te  brezi i ri. Është historike,se po në këte kishë shqiptare u hap Shkolla e Parë Shqipe 1908-1909 në Rekën e Epërme nga Josifi e dy bijtë e tij dhe vëllai i Josifit, prifti Teodor Bageri. U mërzitëm kur te varri i priftit të kishës Teodorit të shkruar me germa cirilike ishte vendosur mbiemri Jovanovski. Në këto çaste kaq të bukura e me momente prekëse, nuk u anashkaluan edhe vargjet e Josif Jovan Bagerit, që shpirtërisht vuante pse bashkatdhetarët ortodoksë dita ditës asimiloheshin. Recituam vargjet e Josifit:

O, amë, rekasit, bijt’ e tu,

Ma shum’ se t’gjith jan’ hutu.

Dërgojn’ para n’patrikanë,

Thon’ se sllav na kemi kjon.

Mjera ti, moj Shqypni,

Ke të drejt’ që po mban mni;

Se bijt’ e tu s’kan mëshir’,

Ah, k’ta dojn` me t’bo ty mirë.

Kështu rekasit mendojn’

Po sërbishten këta m’sojn’,

Me nxitim e me shije…

Sikur s’jan fëmi Shqypnie.

Disa here u përsërit refreni i Hymnit te Alfabetit e shkruar nga Parashqevi Qiriazi: Shqipëri, atdhe i dashur, ne s’të lëmë ty të varfër... Për një organizim të mrekullueshëm, një falemnderim i veçantë i takon zonjës Elida Jorgoni, kryetares së Shoqatës “Foleja Kombëtare Shqiptare` dhe grupit te ardhur nga Shqiperia.

(Nistrovë, 02.05.2015)