Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Në kërkim të partnerit perfekt

| E diele, 03.08.2008, 03:16 PM |


Teste ADN-je, takime 3-minutëshe, fundjava nën shoqërinë e njëri-tjetrit: sistemet e reja për të gjetur dashurinë. Ja cilat funksionojnë vërtet

Duke kërkuar te "Google" me frazën "kërkim i partnerit", të hapen menjëherë më shumë se 10 milionë faqe interneti, ku mund të gjeni gjithçka që ju nevojitet: agjenci tradicionale martesash (për t‘u takuar personalisht), lista lokalesh dhe restorantesh që organizojnë aperitivë e mbrëmje për beqarët, pushime të paharrueshme për ata që kërkojnë shpirtin binjak, dhoma çeti virtuale, ku "Ai kërkon Atë" dhe "Ajo kërkon Atë", madje ka dhe nga ato sajte që propozojnë një test ADN-je për të gjetur shokun/shoqen e duhur. Shpesh në televizor transmetohen reklama çeti, ku njerëzit mund të takohen përmes mesazheve. Me pak fjalë ekziston një "ushtri" e tërë profesionistësh dashurie, e cila ka krijuar mënyra efikase për të takuar shpirtrat binjakë. Kështu jemi munduar t‘i eksplorojmë e t‘i testojmë, duke analizuar sistemet më të përhapura për "të gjuajtur" shokun e jetës, edhe nëse do të kalojmë vetëm një muaj me të.

Agjentët e zemrës

Njoftimet për zemrat e vetmuara, ato që publikohen nëpër gazeta, janë shumë të trishtueshme: më të çuditshmet kanë përfunduar në librin e një gazetareje amerikane, "Man with farm seeks, woman with tractor" ("Burri me fermë kërkon gruan me traktor").

Në fakt, shumë persona, për të mos e çuar kohën dëm (partneri ideal edhe mund të ekzistojë, por nuk është e thënë ta ketë lexuar njoftimin...), u drejtohen agjencive të martesave. "Ne e kemi nisur këtë biznes që prej vitit 1998. Kemi 50 qendra të shpërndara në vend, numërojmë pothuajse 2500 persona të regjistruar, pjesa më e madhe e të cilëve janë nga mosha 25 deri në 60 vjeç, që bëjnë çdo lloj pune, nga mjeku, te notari e punëtori", thotë pronarja e një agjencie.

Si funksionon puna juaj? "Ai që troket në derën tonë, fillimisht përballet me një sërë informacionesh. ‘Love coach‘ (kështu quhen personat që komunikojnë me klientët) duhet të njohin deri në detaj jetën e një peroni, pse është këtu dhe çfarë kërkon. Ndaj, ai që punon te ne është gjithmonë i diplomuar në degën e psikologjisë. Nuk kërkojmë me çdo kusht të regjistrojmë dikë, por ta ndihmojmë të kuptojë nëse për të është momenti i duhur".

Ç‘kontakte ofroni? "Zakonisht variojnë nga një minimum prej 6-muajsh, deri në 36 muaj maksimumi. Çmimi dhe kohëzgjatja përcaktohen së bashku me klientin. Garantojmë një minimum takimesh në momentin që lidhim kontratën, së bashku me një takim në muaj me ‘këshilltarin personal‘". Pasi plotësohet profili i klientit, bazuar në disa karakteristika (romantik, i divorcuar, pa fëmijë...), puna i kalon kompjuterit: "Të dhënat janë memorizuar dhe kompjuteri tregon se kush shfaq afrimitet duke dëshiruar të njëjtat gjëra. Më pas, kombinimet kalojnë në vlerësimin e psikologëve, të cilët vendosin të propozojnë ose jo kontaktet".

Në fakt, puna e agjencive të martesave është pikërisht kjo: të ofrojnë (me pagesë) kontakte me partnerë të fuqishëm, përveç organizimit të mbrëmjeve, takimeve, udhëtimeve kushtuar beqarëve. Për të verifikuar se si funksionojnë gjërat brenda një agjencie, një çifti i është kërkuar të shkojë në një agjenci martesash dhe të tregojë eksperiencën e tij. Është e vështirë të kesh të dhëna të sakta mbi përqindjen e suksesit: "Sipas vlerësimeve tona, suksesi arrin deri në 70 për qind".

Më e shpejtë se darka

Në vitin 1998, një profesor amerikan mendoi të bënte një takim të shpejtë mes studentëve të tij. Ai organizoi një mbrëmje të veçantë në një lokal në Beverli Hills, ku djemtë dhe vajzat (të cilët nuk ishin takuar kurrë më parë) do të flisnin ballë përballë njëri-tjetrit për 7 minuta, vetëm një herë. Kështu, pasi të përfundonte koha, secili do të ndërronte partnerin/en. Nëse do të kishte pasur shkëndija reciproke, lidhja e tyre do të vazhdonte më tej. Profesori e quajti eksperimentin "speed dating" ("takim i shpejtë"). Për eksperimentin në fjalë shkuan shumë gazeta.

Gjej kombinimin!

Sot ekziston thuajse në gjithë botën: formula nuk ka ndryshuar (përveç kohës së takimit, e cila varion nga 3 në 8 minuta), por është shtuar ndonjë variant. Për shembull, njëra quhet "speed lock": "Vajzat mbajnë në trup një zinxhir të mbyllur me dry, ndërsa djemtë marrin çelësat për të hapur drynat, por pa ditur se kujt i përkasin. Ideja e lojës qëndron te takimi i shpejtë mes dy personave, ndërkohë që djali përpiqet të hapë drynin. Kështu shpikim shumë lojëra dhe fituesve u japim çmime", thotë themeluesi i "speed date".

Sot, për të marrë pjesë në një "speed date", duhet të prenotosh një muaj përpara. "Marrim me qira një lokal dhe e rezervojmë për 25 meshkuj dhe 25 femra. Nëse në fund të mbrëmjes është ndezur ndonjë shkëndijë, atëherë të interesuarve u japin adresat me anë të e-mail -it. Ne e kemi të ndaluar të japim numra telefoni, adresa shtëpie, apo informacione të tjera. Këto mund të jepen vetëm nga personi që merr pjesë në takim". A funksionojnë? "Është e vështirë të përgjigjesh, por duke parë numrin e madh të pjesëmarrësve, mendojmë se vlerësohemi".

Në darkë me "të vdekurin"...

Sajti speeddate.com nuk organizon vetëm takime të shpejta. Në këtë faqe interneti mund të gjeni edhe informacione për "speed dinner" dhe mbrëmjet apo fundjava me... krim. "Jemi frymëzuar nga një tregim i shkrimtares angleze, Agata Kristi, dhe u kemi kërkuar disa pjesëmarrësve të shndërrohen në aktorë: të tjerët duhet të zgjidhin çështjen. Gjithçka ndodh brenda një vile të vjetër në fshat". Kjo është një mënyrë për t‘u takuar me të tjerët dhe për t‘u dëfryer. Kostoja? Mesatarisht një "speed date" normal kushton nga 20 deri në 25 euro, një "speed lock" 20, një "speed dinner" 50 dhe një fundjavë "me të vdekurin" 250 euro.

"Këto metoda edhe mund të funksionojnë", shpjegon një docente psikologjie dhe autore e librit "Lidhje dhe dashuri". "Kur njeh një njeri, fillon të hedhësh shumë hipoteza mbi të, të cilat duhen verifikuar. Disa përpiqen ta kapërcejnë këtë fazë dhe kalojnë nga një dashuri te një tjetër, duke besuar ‘verbërisht‘ që shoku është ‘perfekt‘. Këtyre personave personalisht u këshilloj të marrin pjesë te ‘speed date‘, për të mos rënë viktima të zhgënjimit".

Por a ndodh vërtet që të dashurosh dikë, me të cilin po zgjidh një mister? "Të kurdisësh një krim krijon shumë mundësi për të verifikuar hipotezat në lidhje me tjetrin. Një punë emotive kjo, që kërkon pak kohë, ndaj për këtë arsye fundjavat janë më efikase se sa darkat".

Kërko në internet

Marinari zeshkan me sy kafe kërkon një shoqe, me të cilën të kalojë jetën. Ka një rrogë 50000 deri në 75000 euro në vit, nga pikëpamjet politike është me të djathtët dhe preferon femrat që merren me vrap. Është 62 vjeç dhe nuk kërkon vajza të vogla: shpirtin e tij binjak e dëshiron rreth moshës 45 deri në 55 vjeç. Ndërsa "Clayperry27" është budist, një romantik i stilit të vjetër, ku dëshiron të shijojë gjithmonë darka nën dritën e qirinjve. Është pothuajse rreth të 54-ve. Për femrën e tij ideale nuk ka shumë preferenca race, krahine apo besimi, por pika e tij e dobët janë flokët e gjatë. Mosha e preferuar: edhe poshtë të 40-ve. Mirëserdhët në universin e ri të dashurisë online. Kjo nuk është më panorama ekskluzive e adoleshentëve, studentëve apo profesionistëve të rinj, por e një publiku të pjekur. Të gjithë janë me mendimin se për të dashuruar nuk është asnjëherë vonë. Ndoshta është edhe një nga arsyet që këto faqe interneti vizitohen aq shumë, 23% e përdoruesve janë mbi moshën 50-vjeçare. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të kërkosh dashurinë në internet tashmë është një tendencë e konsoliduar: një studim i fundit ka treguar se 15% e amerikanëve të maturuar njohin persona të cilët shokun/shoqen e jetës e kanë gjetur nëpërmjet internetit, ndërsa 30% thonë se kanë provuar të kërkojnë shpirtin binjak nëpërmjet internetit. Vetëm me 35 euro në muaj të interesuarit mund të shohin profilet e përdoruesve të regjistruar me foto, zakone, eksperienca dhe shumë informacione të tjera personale.

Grua me krahë

Nëse nuk i duroni dot strategjitë, mund t‘i drejtoheni "wing woman" ("gruas me krahë"): një vajzë që me anë të pagesës do t‘ju qëndrojë pas krahëve për t‘u ndihmuar "të gllabëroni" një person të njohur në një lokal publik. Ky shërbim është mjaft i përhapur në Amerikë dhe Kanada (e sidomos në vendet e Amerikës Latine).

"Gjenet" e dashurisë?

Nëse mendoni që dashuria, seksi dhe afrimiteti i çiftit përcaktohen vetëm nga kokteji kimik, atëherë kompania amerikane "Scientific Mach" ju vjen në ndihmë. Përveçse mund ta vizitoni nëpërmjet faqes së internetit (www.scientificmatch.com), ajo mund t‘u sjellë në shtëpi një pajisje për të bërë ADN-në tuaj. Me këtë informacion, "Scientific Mach" do t‘u mundësojë një takim me partnerin e duhur gjenetikisht. E gjithë kjo kushton 1400 euro. Sipas kompanisë, çifti do të mbetet më i kënaqur nga ana seksuale. Gjithsesi, nuk tregohen statistika mbi rastet e personave të kënaqur.

Puna e agjencive të martesave është pikërisht kjo: të ofrojnë (me pagesë) kontakte me partnerë të fuqishëm, përveç organizimit të mbrëmjeve, takimeve, udhëtimeve kushtuar beqarëve

Është e vështirë të kesh të dhëna të sakta mbi përqindjen e suksesit të këtyre takimeve: "Sipas vlerësimeve tona, suksesi arrin deri në 70 për qind"

Eksperimenti

Një profesor amerikan mendoi të bënte një takim të shpejtë mes studentëve të tij. Ai organizoi një mbrëmje të veçantë në një lokal në Beverli Hills, ku djemtë dhe vajzat (të cilët nuk ishin takuar kurrë më parë) do të flisnin ballë përballë njëri-tjetrit për 7 minuta, vetëm një herë. Kështu, pasi të përfundonte koha, secili do të ndërronte partnerin/en. Nëse do të kishte pasur shkëndija reciproke, lidhja e tyre do të vazhdonte më tej. Profesori e quajti eksperimentin "speed dating" ("takim i shpejtë")

Të gjithë janë me mendimin se për të dashuruar nuk është asnjëherë vonë. Ndoshta është edhe një nga arsyet që këto faqe interneti vizitohen aq shumë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të kërkosh dashurinë në internet tashmë është një tendencë e konsoliduar

G. Shqip