E premte, 29.03.2024, 11:07 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Në kërkim të varrit

E hene, 02.11.2015, 08:01 PM


Në kërkim të varrit

Nga Gani Mehmetaj

Viti 1487 pas Krishtit

“Vetëm Njëri -biri i Zotit lëvizi nga varri, vetëm atë nuk e gjetën në shpellën ku e varrosën. Perandoria  romake prej asaj dite mori rrokullimën, u gremis”, dilnin me zemërim shkronjat nga letra që i drejtohej për herë të dytë padër Antonit, katërqind e pesëdhjetë vjet më parë. “Çdo mendim ndryshe është blasfemi, është kundër përcaktimit të kishës. Të jesh i kujdesshëm edhe në kërkimin e varrit. Pelegrinazhe mund të bëjnë besimtarët në ato vende që i shpall të shenjta kisha e jo famullitarët”.

Nuk druaja nga letra kërcënuese. Fryma ndëshkuese e kishës nuk kaloi asnjëherë në Gadishullin Ilirik. Kamxhiku i hordhive islame mjaftonte. Me pengonte frika e qendrës që i druante mosqenies së varrit, aq sa i druante qenies së varrit. Prandaj, pavarësisht nga letra, unë vendosa të veproja: Me një grup malësorësh nisa kërkimet e para të një varri të pazakonshëm. Kërkimet i bënim natën në fshehtësi. Më shumë donim të përcaktonim një varr të veçantë, por jo ta hapnim. Trupat turke, sipëri qytetit e braktisën kështjellën, ditën kur u tha se  malësorët e çliruan Pejën, Gjakovën e Prizrenin. Pritej mësymja e kryengritësve këndej alpeve. Forcat turke e tartare që e braktisën Lezhën nuk guxonin të ktheheshin. Vendësve u dukej e pazakonshme qyteti pa pushtet e pa ushtarë. Ikja e turqve i shkonte për voli, megjithëse të gjithë druanin nga ndonjë joshje e grupeve të pa kontrolluara, të cilët mund të terrorizonin qytetin, apo të nisnin sërish hapjen e varreve. Sidomos hapnin varret katolike, ku ua thoshte mendja se mund të gjenin flori a gjëra të çmuara. Dhe të vrisnin pa një pa dy, po u shkoi mendja se mund të përfitonin. Askush nuk do t’i ndëshkonte.

Pas disa përpjekjeve varrin e fiksova, sepse mendoja se duhej të caktohej një vend pelegrinazhi, ku njerëzit do të shkonin, të faleshin e të luteshin, të shtronin kërkesa, po edhe të bënin betime. Ata kishin nevojë  për shenjtorë. Kohë të gjatë më bëhej se ishin pa Zot e pa frymën e shenjt, shpresat i bjerrën, kështu që një vend i shenjtë, do t’u bënte mirë. Me thanë se afër katedrales grupe njerëzish në dritën e hënës, apo në natën pa yje luteshin fshehurazi, të krishterë e myslimanë. Të gjithë e dinin se aty duhej të qe varrosur Skënderbeu, prandaj i luteshin t’u ndihmonte, të ndërmjetësonte e t’ua lehtësonte vuajtjet e fatkeqësitë, sepse fatkeqësitë nuk iu ndanë që nga koha kur ai ndërroi jetë.

Lexova kronika të fretërve. Kronikat nuk e thoshin me saktësi ku duhej të qe varri. Dyshoja se mund të gjeja diçka aty ku e futen kazmën turqit a llazët e detit të Zi. të cilët u bënë të njohur në zhvarrime të personaliteteve a nishaneve të njohura me gurë të çmuar. Koha nuk priste. Kërkoja shenjat e varrit të zbrazët. Pra i mata pikat, u tërhoqa nga qendra, sepse kronikat thoshin se qendra e qyteti që bërë pre e kërkimeve të organizuara, të aventurierëve. Periferia mund të ofronte më shumë.

Megjithëse, kërkimet dolën shterpe, nuk u befasova, më shumë doja ta vërtetoja një teori në të cilën u binda  më herët. Hamendësimi me brente kohë të gjatë, nuk me zinte gjumi. Publikisht nuk mora guximin t’ia thosha askujt, nuk ia pëshpërita as priftit në rrëfimore. T’i flisje hamendësime që s’t’i kapte mendja ishte vështirë, do të me merrte të shkalluar, apo të frymëzuar nga qoftëlargu. Ndërkaq, kjo me bindi më shumë se sa kronikat e mëparshme të vëllezërve françeskanë të cilët të gjithë deri në një e kishin këtë dyshim, të cilin herë e shprehnin më me guxim,  herë e nxirrnin  ndonjë pikëpyetje, kur u mungonte guximi ta thoshin.

Në një qarkore të fshehtë, që më kishte rënë në dorë, thuhej se besimtarëve të Arbërisë duhej t’u bini vi, t’i shlyenin nga regjistri i të krishterëve. Ata po bëheshin të rrezikshëm si për perandorinë osmane, ashtu dhe për krishterimin, ata po e krijonin një Zot të ri. Mbreti i tyre  vdiq një herë, ndërsa tash përhapen zëra sikur është ringjallë... Sërish u vumë në mes kudhrës e cekanit.

Në Ipeshkëvinë e Tivarit, nga kalova para se të dilja majave të rrepinjta të Dardanisë, më pyeten: a është e vërtet se e kanë parë hijen e Skënderbeut, t’u printe kryengritësve? Rrudha me krah, sepse nuk e kisha dëgjuar. Prifti i Shasit, ku e bëra një natë, ma tërhoqi vëmendjen: “Kujdes nga turqit. Por kujdes edhe nga të dërguarit e përtej detit. Ata nuk e pranojnë  se mund të lëvizte nga varri dikush që kishte vdekur një herë”. Turqit me ndiqnin për lëvizjet e mia të shpeshta. Përtej detit kishin dyshimin tjetër, sikur unë i veja në lëvizje besimtarët me hijen e Skënderbeu.

Ipeshkvi i Tivarit nuk pati kohë të më pranonte. Të kërkosh trupin e varrit të braktisur është punë më rrezik. Lajmi se dikush e kërkonte varrin e Gjergjit u përhap shpejt. Lajmi ishte aq më i habitshëm, kur flitej se varrin e kërkonte shërbëtori i Zotit. Njerëzit rrëqetheshin me habi të dyfishtë. Njëra palë ata më të rinjtë i përshkonte një ndjenjë e veçantë e entuziazmit, më të moçmit ofshanin më pikëllim. Por disa edhe më të vjetër, me të dëgjuar kumtin disi të pabesueshëm, lëviznin më kokë e frikësoheshin: një varr ka  njeriu, qoftë mbret a malësor. Në mendjen e pleqve që po e gllabëronte errësira, u dilte turbullt një varr i zbrazët dhe një njeri në qiell.  Trupi i atij që e braktiste varrin u ngatërrohej, fytyra një herë u dukej e qetë, me qetësinë qiellore, por me plagë në kokë e gjak në fytyre, herë u dukej më egërshane me shpat në dorë që lëshonte zë kushtrimi”.

“Varrin nisëm ta kërkonin sivëllezërit e mia qysh pas rënies së Krujës. Një herë ishim të zënë me luftëra të përgjakshme. Me t’u pushtuar Kështjella e Shkodrës, qyteti i fundit  i madh i Arbërisë, që i bëri ballë turkut, sikur u bindëm: vështirë ta luftonim armikun pa  ndihmën e Skënderbeut.”Hija e tij duhej të na ndihte, emri duhej të bëhej burim frymëzimi”, na tha komandanti i çetës që qëndroi  i fundit në mbrojtje. Ndryshe arbërit do të mbaronin. Hijen e tij duhej ta ndillnim, në mënyrë që të na rrinte mbi kokë si engjëll mbrojtës. Nuk e di kujt i shkoi në mendje të parit, por dikush propozoi të kërkonim varrin e prijësit tonë. Arma e tij ishte çudibërëse, tha një tjetër. Nga çeta e panë më dyshim: tallej a e kishte më gjithë mend. Prifti i famullisë hodhi dyshimin: çfarë të bëjmë po të mos jetë varri  atje ku thuhet se është varrosur, më mirë aty ku është ç’varrosur. Të gjithë e panë më habi. Por prifti, i cili e mbështeti propozimin i pari,  nuk tallej asnjëherë. Disa shprehen dyshimin se varrimi është bërë gjetiu, varri në Lezhë që vetëm mashtrim, tullumbace për armikun e hafijet.  Sepse, shumë spiun u mblodhën ato ditë në Lezhë e në Krujë, madje në të gjithë Arbërinë. Lezha u bë qendra e spiunazhit nga Lindja e nga Perëndimi. Secili donte të mësonte për zhvillimet në Arbëri. Tokat e Arbërisë ishin qendra e e rezistencës.

Dikur u pajtuam heshtazi  se nuk bëhej fjalë për kërkim varrit, as të eshtrave, duhej të viheshim në kërkim të një vendi pelegrinazhi. Secili dha propozimin e vet. Dikush ngulte këmbë se më mirë se sa Kruja, askush tjetër s’mund ta kryente vendin e pelegrinazhit. Tjetri propozoi Shkodrën, qytetin e fundit që i bëri ballë pushtuesit. Por së fundi askush nuk i bëri ballë propozimit se Lezha ishte qyteti ku vdiq Skënderbeu, ku iu bë varrimi madhështor. Lezha ishte qyteti i Kuvendit të Arbërit, prandaj nuk mund të zëvendësohej më një tjetër.

Por gjërat shkuan ndryshe nga vullneti ynë. Përtej detit nuk mendonin si ne. Në letrën që me erdhi nga  Roma, më urdhëronin të mos vazhdoja kërkimin e varrit. Nuk është punë për ty  as e grupit të priftërinjve të Arbërisë, me thanë në mënyrë të prerë. Më  mbërtheu dëshpërimi. Në letër më tutje më shkruanin: të mos flisja, të mos ndihmoja në përhapjen e thashethemnajës sikur trupi i heroit të arbërve, nuk u gjet në varrin, ku e futen me ceremoni madhështore e pikëllim të thellë, sepse u kishin thënë sikur unë dyshoja që ai nuk ka varrë fare. “Po ku është pra”, më shpëtoi nga goja pyetja e vetvetishme, sikur t’i drejtohesha letërshkruesit. Këtë pyetje priste letërshkruesi, pyetje që do të shtrohej besoj edhe qindra vjet më vonë. Letra nga Selia e Shenjt, vazhdonte:

” Dihet se varrin e  dhunuan, eshtrat i morën, i shpërndanë përmes ushtarëve e hajmalive të tyre  në Evropë,  Azi dhe në shkretëtirat arabe. Këtë e thonë të gjithë, s’ke pse dyshon në vërtetësinë e dëshmive. Këtë e ka besuar edhe Ati i Shenjt, prandaj mos e ve në dyshim besimin e tij dhe, mos e ve në dyshim besimin në Krishtin, sepse vetëm biri i Zotit nuk ka varr. Tjetër nuk pati dhe nuk do të ketë për jetë e mot. Amen”.

Amen, e përsërita vetvetiu. Por kjo letër e lutja e përsëritur nuk më pengonte të nisja me pyetjet e mëdyshjet e mia. Asnjë letër nuk ma hiqte dyshimin. Ai e pati një varr, por nuk e kishte më, ai udhëhoqi një mbretëri që u shua, familja e tij e gjeneralët kaptuan gadishullin, princat njëri pas tjetrit ranë në beteja apo kaluan detin. Disa u tërhoqën  prapa bjeshkëve të mjegullta. Aty e ndjenin vetën më të sigurt se sa në kështjellat që binin njëra pas tjetrës.

Prapë i kthehesha letrës autoritare. Pyetjet më vinin vetvetiu. Ç’ishte ky varr që shkaktonte  aq shumë tronditje? Hutimi e mbështillte mendjen njerëzore: të ithtarëve e të  kundërshtarëve. “Me vënien në pikëpyetje të varrit, do të thoshte të bëje edhe një legjendë  tjetër të ringjalljes”, mu kujtuan fjalë e Ipeshkvit të Sapës kohë më parë. Dhe bota s’do të lejonte një ringjallje të dytë, një i mjaftoi.  Kjo të ngjeth shtatin, ta bënë trupin kokrriza-kokrriza. Ende me mbështilleshin nëpër kokë fjalët që ndërruam me superiorin tim.

Mbajë në mend se ballafaqimi me Ipeshkvin që i rëndë, rrezatonte tension e mosbesim. E nisa me armët e Skënderbeut, sepse armët u bënë objekt thashethemnaje. Secili i imagjinonte. Armët: shpata, përkrenarja, parzmorja, u bënë hyrje në një temë që dridhesha kur e mendoja, ndërsa doja t’ia hapja ipeshkvit. Druaja se fjalët e mia mund ta çmerisnin. Nuk e di as vet se si i rashë në fund, duke e frenuar vetën që të mos kaloja në dëlir.

“Imzot! E di që Vatikani nuk do të pranoj kurrë dyzimin”, - vazhdova i shqetësuar. “Por të gjithë e thonë se trupi i tij nuk u gjet as nga turqit dhe as nga arbërit. Të dy palët e kërkuan, secili për llogarinë e vet.

“Më varr a pa varrë, hija e tij do t’i mbrojë të vetët”, me kujtoheshin fjalët e kapedanit të Mirditës. Ipeshkvi qe luhatur disa herë. Edhe më parë më thoshte fjalë më dy kuptime, ku përvijoheshin shenjat e blasfemisë. Ta thoshte se prijësi nuk ka varr, blasfemonte, ta  shpallte varrin e tij, atje ku kishte qenë, ai tashmë ishte i zbrazët, të shpallte një vend pelegrinazhi, nuk qe në përgjegjësinë ipeshkvore. Shenjtorët caktoheshin gjetiu.

Ipeshkvi u ngritë në këmbë nga karrigia e tij e lartë në kancelarinë e Ipeshkëvisë së Shkupit. Prita të më qortonte rëndë, mund të më shpallte heretikë, të më quante të luajtur, por ma ktheu shpinën, eci ngadalë nëpër hapësirën e qetë të kishës, për një qastë ktheu kokën me një rrotullim harkor dhe më pyeti: Pse duhet të gjendet trupi i tij? E ka kërkuar kush varrin e Krishtit që ta dëshmojë vërtetësinë e besimit të krishterë pas dhjetë, njëzetë apo njëqind vjetësh?

Ai vazhdoi tutje, hapat i kumbonin në qetësinë e hapësirës së katedrales. Me gumëzhinte diçka në vesh.  Mu duk si shajni.

#

Pas një muaji ipeshkvi me thirri në kancelarinë e tij. Në  letrën e dytë i kërkohej të thoshte se eshtrat  u nisën në fshehtësi gjetiu. Në shenj kujtimi e lavdërimi, në Romë do t’ia ngrehnin lapidarin. Por, nëse nuk i nënshtrohej  urdhrit, çarja në mes të Vatikanit e arbërorëve do të rritej, ashtu si po rritej çdo ditë me konvertimin dhe me fenomenin e ri –laramanin. Këtë fenomen, qendra e dënonte. “S ’pranohet  një fe për shtëpi e tjerra për komshi. Ose je i krishterë, ose nuk je”.  Laramanët nuk i pranonin as priftërinjtë e huaj që predikonin në tokën e Arbërisë. Përpiqeshim t’ua sqaronin priftërinjve të huaj arsyen e laramanisë, apo myslimanizmin e rrejshëm (në shtëpi e mbanin fenë e vjetër, në rrugë deklaroheshin myslimanë, mbanin dy emra, një për shtëpi Zef, Mark etj, kurse në rrugë Zefi paraqitej Zenun, Marku, Muharrem). Konflikti përshkallëzohej, sepse priftërinjtë italianë e kroatë, në vend që t’i mbanin besimtarët e vjetër me dy emra, i dëbonin me rregullat e rrepta kanonike. Në disa vende priftërinjtë e huaj nisën të luteshin në gjuhën e tyre, përderisa vendësit i shihnin me habi, pa ua kuptuar asnjë fjalë.

Në vend të përgjigjes, ipeshkvi ua kërkonte dëbimin e priftërinjve jo arbëror. Qendra heshte. Mizoritë e pushtuesve nuk pushonin. Të mbaje fenë e vjetër që punë me çmim të lartë, të pranoje fenë e re, ishte tradhti ndaj gjakut të atyre që luftuanr.  Ndonjëherë më mbërthente dyshimi se na hoqën  nga lista e besimtarëve. Në mënyrë të heshtur, u pajtuan që kjo pjesë e Arbërisë t’u mbetej aziatikëve. Këto dyshime nuk ua thosha besimtarëve, as luftëtarëve, e mbaja të ndryrë në vete. Frika nga qarjet u rrinte mbi kokë të gjithëve. Çarja e parë u shënua në Gadishullin Ilirik. Dhe ajo çarje e tronditi botën e krishterë. Arbërorët u përgjakën ndër të parët. Perandorinë shkizmatike që i përgjaku disa herë arbërorët, pastaj e gllabëroi Perandoria Otomane.  Lajmet që vinin nga përtej alpeve austriake të frikësonin, botën e krishtere e kërcënonte një shkizëm tjetër e rrezikshme.

Në kulm të shqetësimit, nuk hiqja dorë nga shenjat e mbretit tonë. Përpiqesha të nxirrja diçka nga korrespodencat e Palë Engjëllit  me princërit e Arbërit, duke lexuar në mes rreshtash. Ndërsa  vrisja mendjen të zbërtheja  fshehtësinë më të madh të kohës, parafytyroja se si do të dukej imazhi i tij në portrete pikturash po t’i zbutej ca oreoli i luftëtarit e t’i shtohej hijesimi i engjëllit.

Të gjitha këto i mendoja në famullinë e vetmuar të Rugovës, ku shërbeja për trembëdhjetë copë katunde. Dy kishat në Kuçishte e në Shkrel u rrënuan, priftërinjtë e vdekur nuk i zëvendësoi  askush. Banorët kohë të gjatë mbeten pa bari,  disa nuk i mbanin në mend as lutjet. Rugovasit me pyesnin shpesh për fatin e Arbërisë, por pos shpresës, nuk dija t’u thosha më shumë. Malësoret kishin dëgjuar për turkun, por kurrë nuk e kishin parë. Peja qe larg për ta, sepse Pejën e mori turku. Në pjesët tjera të Arbërisë po shprishej çdo gjë.

Prandaj malësorët me thoshin se heroi i Arbërisë duhej ta kishte një varr të shënjuar. Dhe unë ua pohoja, derisa fluturoja në krihet e imagjinatës përtej Bjeshkëve në Nemuna, në Kishën e Shën Kollit, ku thuhej se u varros me ceremoni madhështore, me vaje e më pikëllim, asnjëherë nuk u gjet asgjë. Megjithatë më duhet të shënoj se nga fra Pali i biri i Bardhok Dodbibës, gjeta shënimet për dyshimin e tij se jo pa qëllim u bë pompë e madhe gjatë varrimit. Atij i qante zemra se trupi i të parit të arbërorëve është varrosur diku tjetër. Se a ka kaluar nga varri zyrtar nëpër katakombe, në varrin e fshehtë, ashtu sikurse kanë bërë dikur shokët e Krishtit për hyun, apo në natën e errët e kanë varrosur gjetiu pa e marrë vesh të tjerët, nuk e gjente frati dukagjinas. “Gjithni e ma shumë ma thotë rradakja jeme se mreti jonë, Gjergji, pati nji vorr, pati edhe nji sarkofagë”. Ai shkruante se sarkofagu me mermerin masiv qëndroi kohë të gjatë në Kishën e Shën Kollit, tash gati e rrënuar. Shpresonte se shpirti i tij qëndronte mbi tokën e Arbërisë dhe i shikonte të gjitha të këqijat. Kundër besimit në Krishtin, ai priste çudira, priste me shpresën e ringjalljes. Besonte me dëshpërim se hija e tij do t’u bëhej ogur i mirë arbërorëve, duke i ndenjur pezull mbi koka sa herë të nisnin luftën e madhe. Frati pranon se pati vegime, tundime, madje një herë deshi ta thërras, derisa i shkonte prapa një hijeje. Por se si e pengonte brerorja që i sillej vazhdimisht si drita e ylberit rreth kokës. Brerorja e Skënderbeu, që e pa më shumë se një herë,  nuk me shqitej asnjëherë nga mendja, ashtu si nuk me hiqej nga sytë pamja për te.

Sa më shumë përhapej thashethemnaja për varrin e ditur e të braktisur, për trupin që ishte dhe nuk është më, madje s’kishte asnjë shenj se kishte qenë ndonjëherë aty, shqetësimet shtoheshin. Që përhapur kundër thashethemnaja tjetër: djajtë po i tundonin besimtarët. Arbërinë e paqetë e pushton tundimi i pëshpëritjeve se trupi nuk ishte aty, se nuk kishte qenë kurrë në vendin e shënjuar, mbase qe nga fillimi u bë mashtrim i madh, u vu në lajthitje armiku. Një pëshpërimë që të ngjethte  mishtë.

Raportet e fshehta që ripërsëriteshin në botën e krishterë e perandorinë myslimane, thoshin se Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbe,  i biri i princit Gjon Kastrioti, u varros në Kishën e Shën Kollit.  E vajtuan shtatë  ditë e shtatë net. Por raportet njoftonin se varri çuditërisht pas disa ditësh ishte i zbrazët. Asnjë raport nuk guxonte të thoshte pas sa ditësh u zbrazë varri, sepse nuk donin të keqkuptoheshin, apo të dukej sikur bënin krahasime më një varr tjetër njëmijë e pesëqind e tridhjetë e dy vjet më parë”.

Fragment nga romani në dorëshkrim:  Gani Mehmetaj: “Zhvarrimi”, historia e varrit më të famshëm e më misterioz në Gadishullin Ilirik.



(Vota: 3 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora