Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besim Muhadri: Lamtumirë Bajazit Cahani!

| E diele, 01.11.2015, 05:16 PM |


LAMTUMIRË BAJAZIT CAHANI!

Me rastin e ndarjes së tij nga jeta më 31 tetor 2015

Shkruan: BESIM MUHADRI, Has, Kosovë

31 tetor 2015. Mbrëmë qëndrova deri vonë duke shkruar një shkrim, sepse sot kishim për të përkujtuar në Zym të Hasit 20-vjetorin e kalimit në amshim të njërit nga shkrimtarët më emblematik të modernes letrare shqipe, hasjanit Anton Pashku. Në ora 11 më duhej të isha në Zym, ku isha ftuar nga Frrok Kristaj për të lexuar kumtesën time për Pashkun. Dhe pak para orës së caktuar arrita në Zym, ku ishin shumë miq të mi shkrimtarë dhe studiues letrarë. Në mesin e tyre edhe shkrimtari e studiuesi kuksian, Petrit Palushi. Pak më parë kisha marrë një mesazh nga Tirana, nga Xhevahir Gjini, të cilin nuk e kisha hetuar dhe nuk e kisha lexuar, duke menduar se ishte vetëm një thirrje e humbur telefonike. Nuk e di nëse ishte më mirë apo jo që nuk e kisha lexuar, sepse në atë mesazh ishte shkruar një lajm i kobshëm për humbjen e një miku të dashur dhe shumë të respektuar.

Përmbajtjen e këtij mesazhi e kuptova vetëm kur në Zym  takova edhe Petrit Palushin (i cili kishte ardhur për të përkujtuar Anton Pashkun), të cilin e pyeta nëse më kishte telefonuar ai apo dikush tjetër, sepse i thash se  kam një thirrje telefonike të humbur me numër të Shqipërisë. Jo më tha, por ndoshta është dikush nga të afërmit e Bajazit Cahanit, i cili ka ndërruar jetë sot në orët e hershme të mëngjesit.

Fjalët e Petritit për humbjen e poetit dhe mikut tim, të cilin e njoha këtu e 23 vjet më parë, më erdhën si një tronditje e papritur dhe ma zbehën tërë disponimin e ditës dhe motivin për të lexuar kumtesën për Anton Pashkun. Me shpejtësi m’u kujtua 12 nëntori i vitit 2010, kur isha në Nju Jork dhe pata marr lajmin për vdekjen e poetit dhe mikut tim, Din Mehmetit. Para meje m’u shfaqën të gjitha ato takime, biseda, ëndrra dhe shumë plane që kishim bërë me Bajon (kështu e thërrisnim Bajazit Cahanin) që nga koha e njohjes me të në vitin e largët dhe shumë të vështirë 1992, kur bashkë më shokun tim Nexhat Çoçaj e kishim takuar në Kukës dhe kishim biseduar për planet tona kulturore, për botimin e gazetës hasjane “Etja” dhe për shumë e shumë plane të tjera. Ndonëse ishte në moshë më të madhe se sa ne, për dy dekada, Bajo u tregua shumë i afërt, i përzemërt dhe shumë bashkëpunues në planet kulturore. M’u kujtuan vuajtjet e Bajos në aspektin shëndetësor gjatë gjithë këtyre viteve. M’u kujtua koha e luftës dhe bashkëpunimi i ngushtë me Bajon në fushën e informimit dhe të gazetarisë. M’u kujtua gjithë ajo gadishmëri e Bajos për të qenë në nivel të detyrës dhe të sakrificës gjatë viteve të pasdemokracisë në Shqipëri e të luftës së Kosovës. M’u kujtuan fjalët e tij, poezitë e tij, deklamimet në radio të poezive të mia nga Bajazit Cahani, i cili kishte një zë prej artisti e një prezantuesi të lindur. M’u kujtua temperamenti i tij, humori, por edhe mprehtësia prej poeti e artisti të lindur. Me shpejtësi marramendëse më vinin e më iknin kujtimet, derisa në një moment më erdhi një mesazh tjetër nga Tirana, të cilin ma dërgonte im nip Sejdi Peka, që më shprehte ngushëllime për ikjen në përjetësi të poetit dhe mikut tonë të përbashkët Bajazit Cahani. “Na vdiq Baja, të shpeh ngushëllmet më të thella, dajë”, më thoshte në mesazh Sejdi Peka, i cili me Bajon kishin bërë një rrugëtim të vështirë në fillim të lindjes së demokracisë dhe të formimit të Partisë Demokratike në Has dhe Kukës.

Eh, çka nuk m’u kujtua në ato momente. M’u kujtua edhe plani im që kisha bërë bashkë me time shoqe për të udhëtuar këtyre ditëve për në Tiranë për t’i takuar Bajazit Cahanin dhe Sejdi Pekën, plan që më mbeti i parealizuar për shkak të ikjes pa lamtumirë të mikut. Tash ishte tepër vonë për t’u nisur për Tiranë, që t’i jepja lamtumirën e fundit mikut tim të dashur, poetit dhe njeriut Bajazit Cahani. Ishte tepër vonë sepse nuk munda ta arrija dot, prandaj në mendje më vërtiteshin të gjitha ato mendime, të gjitha ato kujtime. Çuditërisht gjatë kësaj jave në tavolinën time të punës kam mbajtur librin e fundit të Bajos “...Nëpër kohë...”, të botuar këtu e gjashtë vite më parë, të dhënë me dedikim “Besim Muhadrit, me dashuri vëllazërore”, që mban datën 15 korrik 2009. Isha edhe redaktor i këtij libri me poezi të përzgjedhura nga opusi i tij. Aty kam edhe një shkrim, në të cilin Bajon e cilësoja si poet të një koncepcioni të qartë poetik. Dhe çka s’m’u kujtua në këto momente dhimbjeje. Nuk isha i qetë në asnjë moment dhe mezi lexova kumtesën për Pashkun tonë të madh. Pas përfundimit të takimit tonë në Zym për Pashkun, nuk isha i qetë për shkak të pamundësisë së shkuarjes në dhënien e lamtumirës së fundit të njeriut të cilin desha dhe më deshi pa hile. Ishte tepër vonë për ta bërë një gjë të tillë. Megjithatë nuk munda të shkoja në shtëpi pa shkuar në vendin ku për dyzet vite kishte derdhur mundin dhe dijen Bajo. Në vendin ku ishim takuar 23 vite më parë, në Kukës. Shkova para apartamentit ku kishte jetuar Bajo, të cilin nëntë vite më parë e kishte lëshuar dhe kishte ikur në Tiranë. Kalova edhe pranë Radio Kukësit, aty ku gjithmonë takoheshim me Bajon dhe më merrte ndonjë intervistë për të kumtuar ndonjë lajm për Kosovën e asaj kohe që vuante nga robëria. Dhe ishim bashkë me time shoqe Zejnepen, e cila mundohej të më ngushëllonte, por edhe ajo e kishte të vështirë, sepse që të dy tashmë ndanim të njëjtën dhimbje, të njëjtin mall dhe pengun që nuk arritëm ta takonim Bajon, ashtu siç e kishim planifikuar. Ashtu, në mes pikëllimit dhe dhimbjes, pimë nga një kafe në buzëmbrëmje në Kukësin e nemitur nga hallet dhe problemet e kohës, për t’u kthyer në Kosovë, të cilën e deshi aq shumë miku im poet dhe njeri, Bajazit Cahani. Në të dalë të qytetit, ktheva kokën në të majtë, pët të shikuar pallatin ku kishte jetuar vite me radhë në katin përdhes, Bajazit Cahani, i cili tash nuk është më në jetë fizikisht, por gjithesesi në kujtimet tona të paharruara. Ai do të jetë prezent përherë me veprën e tij, me poezinë, me artin e tij të cilit i kushtoi një jetë të tërë....

Këtë shkrim lamtumirës po e përmbyll me disa thënie të tij të publikuara në një intervistë të cilën ia kishte dhënë gazetares Agime Kastrati, këtu e disa vite më parë:

“ Unë vij nga një trevë tradicionale poetike e njohur në historinë e letërsisë shqipe, që nga i madhi Pjetër Bogdani e deri tek Pal Ndrecaj, Besim Muhadri, Ukshin Morina e Kujtim Morina dhe breza te tjerë të rinjsh që sa vijnë e shtohen. Me pak fjalë unë me plot bindje them se në krijimtarinë time poetike vendlindja zë vend aq sa djepi në jetën e një njeriu.

Poezia për mua është një kumt shpirtëror që nuk mundem ta mbaj më në shpirtin tim, ndaj formën më të përshtatshme për ta kumtuar, kam poezinë. Me fjalë të tjera, është kitara me anën e së cilës artikuloj tingujt e shpirtit tim pa asnjë paragjykim metrik. Vetëm temporitëm, muzikalitet dhe për mua nuk ekziston koha dhe mosha.

Veprimtaria letrare e imja gjithmonë është anashkaluar dhe emri im si autor i veprave të njohura asnjëherë s’ka dalë në pah. Marr si shembull tekstin e këngës së filmit “Tomka dhe shokët e tij”, që është tekst i shkruar nga unë por asnjëherë nuk është thënë se kush është autori i saj, edhe pse skenari është shkruar nga Nasho Jorgaqit dhe kompozimi nga Aleksandër Lalo, emra këta të njohur në fushën e artit shqiptar. Unë në shumë raste të tjera kam qenë vetëm si hije përkrah shkrimtarëve të njohur”.