Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: Ç'dobi ka Kosova nga MSA?

| E diele, 01.11.2015, 04:11 PM |


ÇFARË DOBIE KA KOSOVA NGA  MSA?

Shkruan: Adil FETAHU

Pas një pune të  madhe, të mundimshme e të mençur, më  27 tetor 2015, u nënshkrua në Strasburg Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) midis Kosovës*, nga njëra anë, dhe Bashkimit Evropian e vendeve anëtare të saj. nga ana tjetër.  Në emër të Kosovës, Marrëveshjen e nënshkroi kryeministri Isa Mustafa, ndërsa në emër të BE-së, e nënshkroi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini. Krahas këtyre, Marrëveshjen e kanë nënshkruar edhe shefi i Grupit Negociator të Kosovës, ministri për integrime evropiane, Bekim Çollaku, dhe komesari evropian për politikë dhe zgjerim, Johanes Han.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogerini, deklaroi se “Kjo Marrëveshje shënon fillimin e fazës së re në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian dhe Kosovës, dhe paraqet kontribut të rëndësishëm për stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës dhe tërë rajonit. Me padurim pres hyrjen në fuqi” të Marrëveshjes, deklaroi Mogerini.  Ndërkaq, komesari Han me atë rast deklaroi: “Kjo marrëveshje është kthesë në marrëdhëniet BE – Kosovë. Kjo do t’i ndihmojë Kosovës të zbatojë reformat e domosdoshme dhe do të krijojë ambient të volitshëm për tregti dhe investime. Veç kësaj, do ta shpie Kosovën në rrugën e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe të hapjes së vendeve të reja të punës për qytetarët, veçmas për të rinjët”.

Kryetari i Austrisë, Hajnc Fisher, gjatë qëndrimit në Kosovë (28 e 29 tetor), përshëndeti nënshkrimin e MSA dhe theksoi se Kosova është e rëndësishme për Evropën. Përfaqësuesi special i BE dhe ambasadorët e vendeve evropiane në Kosovë e vlerësuan Marrëveshjen si kthesë të rëndësishme për të ardhmën evropiane të Kosovës, si akt që përcakton suazat kryesore për marrëdhëniet politike, ekonomike e tregtare, duke e përgatitur Kosovën në rrugëtimin evropian.

Nga ana tjetër, kryeministri Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Marrëveshjen e cilësoi si vendim politik të BE-së, në të cilin Beogradi nuk ka mund të ndikojë, ndërsa përfaqësues të partisë DSS të Koshtunicës, deklaruan se me këtë Marrëveshje, Bashkimi Evropian edhe zyrtarisht e ka braktisur pozicionin e neutralitetit lidhur me statusin e Kosovës.

Karakteri juridik i MSA-së

Teksti i Marrëveshjes akoma nuk është publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës, prandaj nuk jemi në gjendje të bëjmë analizë të hollësishme të parimeve, normave e rregullave konkrete që  janë përcaktuar me Marrëveshje. Disa të vetëquajtur analistë, pa e parë fare tekstin e Marrëveshjes, i japin vetes të drejtë të deklarojnë se kjo është një letër pa vlerë, se nuk është kurrëfar hapi drejt integrimit të Kosovës në BE, se me këtë BE nuk e njeh Kosovën si shtet, pasi e shënon me “asterix”,etj. Vlerësime nënçmuese për Marrëveshjen japin varësisht nga opsioni, pozicioni, përkatësia ose simpatia e tyre ndaj partive politike, gjegjësisht ndaj pozitës ose opozitës në Kosovë, duke thënë se Marrëveshjen Kosova nuk e ka nënshkruar si shtet, por me një asterisk (*), ylli, në funt të faqes së parë, që akoma është shenjë se akti (Marrëveshja) nuk prejudikon statusin e Kosovës, dhe se kjo është në pajtim me Rezolutën 1244 të KS të KB dhe me Mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Është normale që MSA bëhet në mënyrën që i përshtatet situatës së vendit partner të Evropës. Por, duhet të kemi parasysh se MSA nënshkruhet vetëm me shtetet e pavarura, që do të thotë, se me këtë nënshkrim, praktikisht Kosova trajtohet si shtet i pavarur e sovran. Sipas Konventës së Vjenës për të Drejtën Kontraktuale, kontrata ndërkombëtare është “marrëveshje ndërkombëtare e lidhur midis shteteve, që është e rregulluar me të drejtën ndërkombëtare (neni 2 i Konventës). Parakusht për ekzistimin dhe vlefshmërinë juridike të kontratës është pajtimi i të dy palëve që lidhen me dispozitat e saj”.

Gjithsesi, MSA është një avancim i Kosovës në marrëdhëniet me BE-në. Vërejtja e skeptikëve, se në Marrëveshje parashihet mundësia e shkëputjes në ndonjë segment ose në tërësi, poqese Kosova nuk i zbaton marrëveshjet e arritura me Serbinë, nuk më duket se është qëllimmirë. Fundja, marrëveshjet edhe me Serbinë janë lidhur për t’i zbatuar, dhe ato duhet t’i zbatojë edhe Kosova edhe Serbia. Tërë kohën, edhe tash në bisedimet për kapituj të ndryshëm, Serbisë i vringëllojnë me ato marrëveshje dhe detyrat për t’i zbatuar. Bile, në Platformën e re për bisedimet me Serbinë për anëtarësim, marrëveshjet e arritura dhe bisedimet e ardhshme me Serbinë i kanë “ngritur për një oktavë më lartë”,  jo si marrëveshje midis Prishtinës e Beogradit, por midis Kosovës e Serbisë, si dy shtete, sepse nuk ishte fjala për bisedime midis dy qyteteve, por midis dy shteteve.

Përkah karakteri, edhe kontrata (marrëveshja) ndërkombëtare është si çdo kontratë tjetër: kërkohet pajtimi i vullnetit të palëve, me të cilat krijohen të drejta dhe obligime kontraktuale reciproke. Ndërkaq, pajtimi i vullnetit është i mundshëm vetëm me respektimin e reciprocitetit të palëve kontraktuese, qofshin ata persona fizik apo subjekte juridike.

MSA me Kosovën vlen dhe zbatohet (vetëm) për territorin e (shtetit) Kosovës. Serbia e ka nënshkruar MSA-në e vet më 29 prill 2008, në të cilën është thënë shprehimisht se ajo nuk zbatohet në Kosovë (neni 135.par.2 i asaj Marrëveshje), që praktikisht do të thotë se që atëherë e kanë njohur Kosovën si shtet i pavarur e sovran. Fundja, prej 28 shteteve anëtare të BE-së, 23 e kanë njohur edhe formalisht pavarësinë e Kosovës. Edhe ato 5 shtete që akoma nuk e kanë njohur, tash përmes MSA-së janë palë kontraktuale me Kosovën. Qoftë me “asteriks” ose pa te, MSA është dokument bazik i rëndësishëm për t’u përgatitur Kosova  në zbatimin e procesit të  integrimit  në BE.

MSA ka karakter të një kontrate të dyanshme, që shprehë vullnetin e dy palëve për rregullimin e marrëdhënieve reciproke në një, apo në disa fusha të caktuara. Kjo Marrëveshje përcakton obligime reciproke në shumë fusha e sektorë të lëmisë politike, ekonomike, tregtare, sociale. Marrëveshjet e stabilizim-asocimit, që janë karakteristike vetëm për shtetet e Ballkanit, për t’i stabilizuar ato në pikëpamje ekonomike, juridike, politike e të sigurisë, dhe për t’i përgatitur për integrim në BE,  përqendrohen në zbatimin e reformave, respektimin e parimeve dhe elementeve bazë të tregut të përbashkët të BE-së: tregun e lirë; standardet e caktuara evropiane; konkurrencën; mbrojtja e pronësisë intelektuale; bashkëpunimin rajonal; qarkullimin e lirë të njerëzve e të mallrave; prodhimet industriale dhe ato bujqësore; lëvizjen e kapitalit e të fuqisë punëtore; themelimin e kompanive; ofrimin e shërbimeve; harmonizimin e legjislacionit; të drejtat, liritë dhe sigurinë; politikën e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, etj. Po, për t’i ditur hollësisht obligimet që dalin prej MSA për Kosovën, duhet të shihen e analizohen anekset dhe protokollet e shumta, për fusha e prodhime të veçanta.

Me MSA kemi fituar kandidaturën potenciale në rrugëtimin tonë tëgjatë për integrim e bashkim në familjen e madhe evropiane. BE-ja nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen për shkak të ndonjë dashurie “platonike” ndaj Kosovës e ndaj shqiptarëve, por për arsye strategjike, të stabilizimit të rajonit. Këtu përputhet edhe interesi ynë kombëtar, politik, ekonomik dhe strategjik. Për të realizuar detyrat tona në këtë rrugëtim të gjatë e të mundimshëm,  duhet t’i “përvjelim mangët” dhe të punojmë seriozisht e me përkushtim, duke i plotësuar kushtet një nga një e me standardet që kërkohen. Po të kryejmë detyrat tona, jo për hirë të Evropës por për interesat tona, Marrëveshja do të jep efekte pozitive. Marrëveshja, si një akt i politikës së jashtme është edhe një hap i domosdoshëm para heqjes së vizave, sepse asnjë shteti të Ballkanit nuk i janë hequr vizat para se ta ketë nënshkruar MSA. Po marrëveshja në një mënyrë ka forcuar pozitën politike dhe prestigjin e Kosovës në rajon e në botë, ka institucionalizuar marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe shtetet anëtare të saj, dhe po të kishim një diplomaci të mençur, këtë duhet ta shfrytëzojnë për njohje të reja të Kosovës. Është referencë e mirë për investitorë të huej, ngase imponon reforma, harmonizim të ligjeve e standardeve me ato të BE-së dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Në synimet e përcaktuara me MSA, Kosova do ta ketë mbështetjen politike, ekonomike e materiale të BE-së, që ta kalojë më lehtë e me sukses fazën e tranzicionit, në një ekonomi funksionale dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Të mirat dhe fitimet i sjell puna dhe durimi, e jo skepticizmi!