E marte, 23.04.2024, 09:07 AM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Apologji për një ''rreth të humbur''

E marte, 27.10.2015, 09:11 PM


APOLOGJI PËR NJË “RRETH TË HUMBUR”…

NGA NDUE DEDAJ

“E dërguan me punë në një rreth të humbur”!? Një klishe që shpreh përçmim të dukshëm për aksh vend të skajshëm të republikës sonë. Sipas Konicës, i bie të thuhet, në Zululand. Çudia është se këtë frazë fatkeqe e lexon jo vetëm në kujtime të djeshmish, kinse disidente, e dëgjon në biseda të zakonshme qaramane, po dhe në Akademinë e Shkencave. Në këtë të fundit, duke folur në përvjetorin e një personaliteti të shquar të letrave, njëri nga kumtuesit tha se në vitet ’60 shkrimtarin në zë e dërguan në një rreth të humbur… si Mirdita, por ai diti me se të merrej, gjurmoi në terren vlera të trashëgimisë historike etj. Shprehje të tilla zakonisht kalojnë pa u vënë re nga auditori, askush nuk e shkon ndërmend se fjala “vret”! Gjithandej has në shtampa të tilla pezhorative, ngaqë në kulturën tonë ka zënë vend përçmimi i tjetrit, qoftë ky njeri, fshat, krahinë, rreth, shtet tjetër, sidomos fqinj. Shkohet dhe më larg, duke i parë dhe vetë popujt ca të fisëm e ca më pak të fisëm. Është historia e përballjeve ballkanike që ka krijuar një shikim keqësues të tjetrit matanë kufirit, kurse brendapërbrenda kjo lidhet me psikologjinë e sundimtarëve që rronin në sarajet e qyteteve, gjithnjë me dëshirën për t’i shtruar malet, nga mund t’iu vinte rreziku.

Fshat i humbur. Zonë e humbur. Rreth i humbur. I dëgjon herë pas here këto. Është krijuar një steriotip ligjërimor që nuk shqitet. Mirëpo a është vërtet i “humbur” ky apo ai fshat, lokalitet e rreth? Ndoshta pati bërë një mëkat të vogël dhe Noli i madh duke shkruar nga një karakterizim satirik për krahinat e ndryshme shqiptare, që dhe sot përdoren si tipare ekskluzive të tyre dhe jo “thumba” humoreskë të një shkrimtari. Është shprehje e mungesës së civilizimit përçmimi “popullor” apo “intelektual” i zonave të ndryshme, malësia iks është më trime, fusha ipsilon më punëtore, ky bajrak i parë, ai tjetri i dytë etj. Ka plot djem nga periferia që vijnë e banojnë në pallatet ndërtuar me punë vullnetare në vitet ’70 duke lënë vilat në periferi, vetëm që të mos mbajnë etiketën “fshatarë”. Vërtet ka diferenca mes fshatit dhe qytetit, urbanes dhe rurales, por kurrë nuk mund të jetë kriter dallues cilësori “i humbur” për një vend. Por kjo është klisheja e krijuar, ashtu siç thuhet rëndom dhe “zona të izoluara”, për të treguar izolimin nga dëbora në dimër, po dhe varfërinë, prapambetjen etj. Kur donin ta internonin dikë nga inteligjenca e çonin në “Siberinë” shqiptare - minierën e Kurbneshit, grykën e Tepelenës, apo sharrat e Pukës. Sot qyteti i Kurbneshit nuk vlen as për “armiqtë e klasës”, pasi është shuar plotësisht, kanë mbetur vetëm pak banorë në fshatra, po për të shkuar tek ata duhet mjet me zinxhirë, ndërkohë që dje, sadoqë larg e pa një rrugë për të qenë, të paktën kalohej me makinë.

Meqë studiuesi i Akademisë, ashtu pa të keq, më tepër si një shkarje goje, e konsideroi Mirditën e asaj kohe “një rreth të humbur”, vetëm 70 kilometra nga kryeqyteti, në të njëjtën lartësi mbi nivelin e detit me Tiranën, në dash në zonën fushore, në dash në Dajt e Munellë, e para qendër industriale e vendit, që nga vitet ’30 (miniera e Rubikut), atëherë ç’mund të thuhet për rrethet e tjera gjoegrafikisht pas “nëntë malesh”, 250 km nga kryeqyteti. Gjerat sot kanë ndryshuar, por në shekullin XIX Tirana ishte një qytet pa ndonjë zhvillim kushedi, me pak tregti e zejtari dhe sidomos pa ndonjë status të veçantë, kurse në lartësitë e Oroshit ishte ende selia e fundit princore e vendit, e Gjomarkajve (Markagjonëve), si dhe Abacia e vetme e mbijetuar në Ballkan, që vizitohej rregullisht nga konsujt e huaj europianë dhe mjaft të kujtosh se çfarë ka shkruar Edith Durham për atë vend e ata banorë, për të kuptuar se Mirdita nuk ishte aspak e humbur. Asokohe kishe pse të shkoje atje, qoftë dhe pse krahina, në mos e vetmja, kishte mbetur e paprekur nga shtresimet kulturore orientale. Kur është puna për të qitë në dritë tiparet më të mira të këtij populli studiuesit e qendrës (ardhur nga vendet e “humbura” gjatë regjimit të kaluar) shpejtojnë ta kërkojnë besën e mikpritjen bash në ato katunde “të prapambetura”. Madje ndonjëherë janë të njëjtët që mburrin besën e mikpritjen dhe shajnë Kanunin, si të mos jetë ky i fundit trualli a institucioni jo vetëm ligjor, por dhe moral-kulturor ku kultivoheshin virtytet e racës.

E nëse do ta vazhdonim apologjinë për vendet e “humbura” të shekullit XX, na duhet të themi se historia e largët është treguar bujare me to, përderisa në Ndërfanë (midis dy lumenjve me emrin Fan) ka qenë në shekullin XII-XIII selia e Shtetit të Arbërit (Progonit, Gjinit e Dhimitrit). Akoma më thellë në histori, ato territore në Iliri zotëroheshin nga Pirustët, luftëtarë të shquar kundër romakëve dhe nxjerrës e përpunues si askush të mineralit të bakrit, ku për ta përhapur këtë mjeshtri i çuan nëpër Europë deri në Dakinë e vjetër afër Bukureshtit. Po nëse kjo mund të merret si një legjendë lavdimadhe, që nuk është e tillë, mjaft të ndalesh në Muzeun Kombëtar e të kundrosh përkrenaren ilire të zbuluar në Perlat të Mirditës, apo të tjera gjurmë autentike të këtyre trevave qendrore të tokës së shqipeve.

E, po, nuk është historia matësi, mund të thuhet, nuk të pyet kush si ke qenë, por si je. Atëherë ne do të thoshim se nëse ato malësi kanë mbetur të humbura në kohën moderne, këtë nuk e kanë nga vetja, por nga politika që bën për to Tirana, dikur me kooperativizmin anemik e sot me fondet që qeveria planifikon për zonat e largëta, po shpesh atje nuk mbërrijnë as gjysmat e lekëve për investime. Në vend që të dëgjohen planifikuesit urbanë, që, në kuadrin e reformës së fundit territoriale, me Mirditën si epiqendër, patën propozuar rajonin e Arbërit. Por dihet që politika tek ne as që do ta dëgjojë shoqërinë civile, dhe pse jo pak njerëz i kanë hyrë asaj nga kjo portë si më e besueshme. “Zonat e thella” nuk janë të humbura vetëm kur vijnë fushatat elektorale dhe bëhen njësh në “ara, fabrika, kantiere” politikanët e qendrës me njerëzit e bazës, kur këta të fundit kanë rastin e lum të çmallen me burrat e shtetit vetëm në “stinën” (pazarin) e votave, pasi më pas të naltit do t’ua mbyllin telefonin “të humburve”, ditën që do të përfundojnë zgjedhjet, qofshin ata dhe nga radhët e fituesve.

Nuk janë të humbura malësitë tona të largëta sidomos përsa i përket turizmit, ani se pas “nëntë malesh” e për me shkue në Alpe duhet marrë udha nga Gjakova, përderisa më shumë vizitorë ka në Valbonë se në pedonalen muzeale të Tiranës, dhe se kësaj të fundit i vjen era qofte. Tashmë ka një si zbulim të zonave të “humbura” nga turistët e shumtë, të vendit e të huaj, alpinistët, skiatorët, garuesit e makinave në terrene malore, eksploruesit e përrenjve e ujëvarave mes pyjeve të thella, që do të thotë se ato janë të lakmueshme për natyrën e begatë, kuzhinën tradicionale, prodhimet bio etj. Sigurisht ka njerëz që përpiqen që ato vende të mos jenë të humbura dhe kjo bëhet jo duke i etiketuar, por duke iu afruar projekte zhvillimi, që dhe Kalaja e Dodës të ketë hisen e vet në detin Adriatik, edhe të peshkut, edhe të plazhit, e jo vetëm të shijohet mishi i freskët e qengjave të saj nga “qytetarët”. Zhvillimi i një zone e varfërimi i një tjetre sot varet dhe nga ç’interesa ka për një vend a një tjetër oligarkia që ka financat e majme, se Rodoni bregdetar është i humbur po aq sa Lura, dhe pse është një hap nga Gjiri i Lalzit, porse aty nuk ofrohet një parajsë për pushtetarët. Aty do të dëgjosh për Skënderbeun, shenjtërit, apo dhe Poseidonin, ndërsa në Lalëz veç për burrat e shtetit shqiptar të tranzicionit, ende pa histori.

Në tjetër kontekst, psikologjia “rreth i humbur”, i “dorës së dytë” etj. nuk ka prekur vetëm rrethet e largëta, por dhe Shkodrën e Gjirokastrën, ku në këto të fundit studentët pranohen me nota më të ulta se në universitetet e Tiranës!? A jemi në të njëjtën republikë? Pra, diskriminimi nis nga lart. Nuk ka të njëjtat kritere të pranimit universitar, por diferencime dhe paragjykime. Politika është e para që nuk duhet të lejojë të ketë rrethe, universitete e të tjerë, ca të favorizuar e ca të “humbur”, njerëz të dorës së parë dhe njerëz të dorës së dytë. Na duhet ta shrrënjosim këtë psikologji përçmuese...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora