E marte, 19.03.2024, 02:25 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Xhemaledin Salihu: Kolonizimi në Preshevë, 1945

E hene, 26.10.2015, 11:51 AM


KOLONIZIMI NË PRESHEVË NDODHI EDHE NË VITIN 1945, NË JUGOSLLAVINË SOCIALISTE

Shkruan : Xhemaledin SALIHU

Hyrje

“…Ka nevoja imperative gjeografike dhe ekonomike. Kjo ishte e qartë: lugina e Moravës dhe Vardarit janë një tërësi gjeografike, në to patjetër duhet të ndërtohet një shtet. Në këte duhet kërkuar edhe at synimin, i cili është zhvilluar në Serbinë e Moravës, që ajo të shtrihet dhe te zgjërohet kah Jugu, në Luginën e Vardarit.Në pikëpamje territoriale është synimi kryesor, të cilin e shfaqte ky shtet, synim që para 3 dekadave ishte synim i pavetdijshëm. Pas çlirimit të Serbisë 1804-1815, ajo tri herë, më 1833, më 1878 dhe herën e fundit më 1912, vazhdimisht është zgjëruar… Pas vitit 1880 kur mbaroi ndërtimi i Hekurudhës Beograd-Selanik, zgjërimi i Serbisë kah jugu u bë synim i vetëdijshëm, program nacional.” shkruan Jovan Cvijiqi në vëllimin 3, f. 148.

Synimin e Serbisë dhe thënien e J. Cvijiqit e materializuan „Naçertanija“ e Ilija Garashaninit, programi i shpërnguljes së Arnautëve/Shqiptarëve/ e Vasa Çubrilloviqit, më 1937, Elaborati i Dëbimit të Shqiptarëve të Ivo Andriqit, më 1939, Marrëveshja Jugosllave-Turke për shpërnguljen e Shqiptarëve në Turqi, më 1938, e tjerë.

1.Kolonizimi i Preshevës para Luftës së Dytë Botërore

Për kolonizimin e tokave shqiptare në Preshevë me popullatë serbe dhe malazeze, para Luftës së Dytë Botërore shkruajnë edhe Tomisllav dhe Svetisllav Petroviqi, në librin: Presheva, historia dhe fati i saj.

“Turqit/Shqiptarët-autori/ nga Presheva filluan të shpërndulen për Turqi, në kohën e Luftërave Ballkanike dhe kjo shpërngulje zgjatë deri më vitin 1965. Njëkohësisht zhvillohej procesi i kolonizimit i popullatës serbe nga trevat pasive dhe jo të zhvilluara ekonomikisht dhe ndarja e tokës, këtyre prej 5 ha”, shkruajnë Tomisllav dhe Svetisllav Petroviq, në librin: Presheva, historia dhe fati i saj, Jagodinë, 2009, f. 13.

Sipas këtyre autorëve, vendosja e parë masovike e Serbëve filloi më 1912, pas Luftërave Ballkanike edhe ate nga Pçinja, rrethina e Vranjës, Bujanoci dhe Polanica.

Poashtu autorët e librit vërtetojnë se në Preshevë, në shek XIX dhe XX ishin vetem 3 shtëpi autoktone serbe:  1 shtëpi e gjinisë së Stefanoviqëve, 1 shtëpi e gjinisë së Tashko dhe 1 shtëpi e gjinisë së Aleksa Topallës, ndërsa familjet të tjera serbe erdhen në shekullin XX, nga rrethina e Vranjës dhe disa nga Maqedonia.

Në vazhdim po i cekim disa familje të vendosura në Preshevë, në shekullin XX, sipas autorëve të përmendur:

Familja e Josim Kërstiqit “Bullutina” dhe gruasë së tij ka ardhur me familjet e para në Preshevë.

Familja e Petko dhe Stojanka Jovanoviqit erdhën nga Shainca, Pçinjë. Djali i tyre Velini është i njohur ndreqës i biciklave dhe kishte parkun e bicikllave që i jepte me para për vozitje.

Familja e Dragutin dhe Angja Jovanoviq “Piroqanaci” e ardhur nga Piroti, ndërsa gruaja e tij nga Tetova.

Shtëpinë e Dragutin Jovanoviqit e bleu familja e Ruska Djorgovska, e cila u martua me Ninosllavin , bullgar, erdhi si emigrant nga Bullgaria.

Familja e Momirka Romanovit e martuar për rusin Aleksej, i ardhur pas Revolucionit të Tetorit në Preshevë.

Familja e Petroviq Matës dhe Anës, përndryshe familja e autorëve të librit:Presheva, historia dhe fati i saj, Tomisllav dhe Svetisllav e ardhur në Preshevë më 1927,  nga Prokupla.

Familja e Nikolla Dençiqit e ardhur nga Trejaca.

Familja e Djorgje Ristiqit erdhi nga Bajinca.

Familja e Stojan dhe Petra Stoshiqit e ardhur në Preshevë.

Familja e Sima dhe Mirsa Mitroviqit poashtu e ardhur në Preshevë, pas viti 1912.Familja e Sergejit “Sergis” dhe Ruzha Jovanoviqit ka ardhur  aty ka vitet 1930, janë ermen.

Familja e Neshiq Stojkos dhe Pijadës erdhi nga Prohor Pçinja.

Familja Jovanoviq Dima dhe  Natalisë erdhi nga Pçinja.

Familja e Cenko dhe Rada erdhi nga Pçinja.

Familja e Kërsta dhe Jovankës erdhi nga Tërgovishta.

Familja e Rade Stojkoviqit dhe gruasë së tij Stana erdhi nga Pçinja.

Familja e njohur Popoviq, pronar të kafesë së Tozës, që ka ardhur nga Shajinca, pas viteve 1925-26.

Familja e Millan Stanimiroviqit, në Preshevë erdhi nga Smedereva.

Autorët e përmendur të librit:Presheva, historia dhe fati isaj, në mënyrë taksative cekin familjet serbe në Preshevë, të ardhura nga vise të tjera dhe vitin e ardhjes,vetëm për qytetin e Preshevës, duke fillua nga shkolla fillore”Ibrahim Kelmendi” deri te kisha e Preshevës.

Këtu dhamë disa shënime të disa familjeve serbe në qytetin e Preshevës, të ardhur nga viset të tjera të Serbisë, sa për ta ilustruar dhe dokumentuar se në Preshevë deri në vitet 1912-1920 jetonin vetëm familje shqiptare.

“Kështu filluan ekspeditat ndëshkuese dhe terrori ndaj popullatës shqiptare në gjithë territorin që e lëshoi Turqia. Këtë terror e përshkruan pos të tjerëve edhe socialdemokrati serb , intelektuali dhe humanisti, Dimitrije Tucoviq/shiko:Srbija i Albanija, Beograd/, pastaj Serbia fitoi 82% të territorit dhe 55% të Popullatës nga Luftërat Ballkanike/shiko: Dragosllav Dragosllav Jankovic, Srbija i jugoslovensko pitanje 1914-1915, Beograd, 1973, f.73/. Kështu, Presheva ra nën pushtetin serb në vend të pushtetit turk, si deri më tash.”, shkruan Nehat Hyseni,Mbi kolonizimin e Preshevës me Serbë.

2.Kolonizimi i Preshevës në Jugosllavinë socialiste

Një pjesë e mirë e popullatës serbe është e ardhur në Luginë të Preshevës përmes kolonizimit pas shpërnguljeve masive me dhunë të Shqiptarëve për në Turqi (1912-13), Reforma agrare 1924 e tutje, periudha e Rankoviqit (1953-1966).

Më poshtë do të bëjmë fjalë për Reformën agrare dhe kolonizimin të aprovuar më 1945, me të cilën në Luginën e Preshevës u vendosën shumë familje serbe e malazeze, kolonista në trojet shqiptare.

Ligjin mbi Reformën agrare dhe kolonizimin e aprovoi më 23 gusht 1945, Kryesia e Kuvendit Popullor i Përkohshëm e Jugosllavisë Demokratike Federative, të nënshkruar nga kryetari i saj, Dr. I.Ribar.

Reforma agrare dhe kolonizimi përfshiu tërë territorinë e Jugosllavisë, por më drastikisht u reflektuan në trojet shqiptare.

Toka që iu nda secilit kolonist kapte sipërfaqen e tokës prej 5 deri 7 hektarë.

Realizimin e reformës agrare dhe kolonizimin e bëri Ministria e Bujqësisë të Republikave, ndërsa në Serbi, posaçërisht e realizonte Ministria për reformën agrare dhe kolonizimin.

Kolonizimi i Preshevës vazhdoi edhe në Jugosllavinë socialiste, në vitin 1945, pas Luftës së Dytë Botërore.

Kështu duke hulumtuar në Arkivin Historik të Vranjës gjeta  shkresën nr.407 të datës 20 nëntor të vitit 1945, të Komitetit të Qarkut të PKS në Vranjë, të adresuar  Komitetit të Rrethit të PKS në Preshevë, më të cilën njoftohet Komiteti i Rrethit të Preshevës nga Komiteti i Qarkut,  se në Ministrinë për ndarjen e tokave kanë arritur disa kërkesa dhe udhëzimi, se çfarë duhet të bëjnë më tutje:

1.Që të gjitha kërkesat e arritura në Ministri, e cila mendon se duhet të pranohen, përsëri të shqyrtohen nga Komiteti i Rrethit, të jipet mendimi për to, meritojnë apo nuk meritojnë të aprovohen, por duke i dhënë arsyetë, për secilën kërkesë.

2.Menjëherë bëni pasqyrimin e kërkesave dhe sëbashku me mendimin Tuaj i ktheni Komitetit të Qarkut në Vranjë dhe

3.Kërkesat kur të definohen dhe vërtetohen definitivisht, atëherë Këshilli i Rrethit në Preshevë do të  marrë udhëzime si duhet të përgatiteni për të realizuar shpërnguljen dhe gjithçka që duhet të bëni lidhur me to.

Ndërsa Komiteti i Rrethit të PKS në Preshevë, me shkresën nr. 162, të datës  20 nëntor 1945, e njofton Komitetin e Qarkut të PKS në Vranjë se e kanë shqyrtuar Listën me kërkesat për kolonizim, sipas shkresës nr, 407 të 19 nëntorit 1945 dhe se Komiteti I Rrethit të Preshevës është i mendimit se duhet të hudhen poshtë këto kërkesa:

1.Gjoshiq Stojana Matka, Bilaç, nr.14337,

2.Jeniq Milisava Smilko, Kërshevicë, nr.14329,

3.Mitroviq Stojka Angjel, Klinoc, nr.14391,

4.Nikoliq Manaila Svetozar, Starac, nr.14347,

5.Mihajlloviq Kërsta Vladimir, Sebrat, nr.1214,

6.Mlladenoviq Stojana Stanoja, Bugarinë, nr. 14369,

7.Gjorgjeviq Petra Danillo, Preshevë, nr.13984,

8.Antiq Davida Jovan, Preshevë, nr.13987

9.Sërbinoviq Ante Tima, Klenike, nr. 341,

10.Djordjeviq Danilla Petar, Starac, nr. 1901,

11.aniq Mladena Petronija, Uzova, nr. 14313,

12.Jociq Milana Donçe, Sebrat, nr.1206.

Të gjitha kërkesat mbajnë numrat e protokolit të  Ministrisë së Reformës Agrare dhe kolonizimit të Serbisë.

Më tutje në shkresë ceken arsyetë e mospranimit të këtyre emrave: i pari në listë, anëtar Partije, por nuk lejon që të shpërngulet, ndërsa të tjerët në listë nuk meritojnë sepse ishin armiqë të luftës tonë dhe nuk meritojnë që t’i përmirsohen kushtet e jetesës, sepse nuk treguan aktivitet deri tashti në ndihmën e Frontit Popullor, ndërsa para çlirimit, Luftës së Dytë Botërore ishin rradhitur në anën e armikut, edhepse i është tërhequr vërejtja për përmirsim.

Rekomandimi i Komitetit të Rrethit në Preshevë është që këto kërkesa të zëvëndësohen me kërkesat e shokëve të tjerë që poashtu kanë kërkesa për kolonizim dhe janë protokoluar në Këshillin Popullor të Rrethit të Preshevës:

1.Ilija Mitiq, Sveta petka, anëtar Partije,

2.Sazda Markoviq, Sveta Petka, anëtar Partije,

3.Dobri Tomiq, Bushtran, anëtar Partije,

4. Spira Stojanoviq, Bushtran, anëtar Partije,

5.Urosh Paunoviq, Tërrnavë,

6.Nikolla Kovaçeviq, Reka e Tërrnavës,

7.Milivoje Llonçareviq, Preshevë,

8.Dragolub Stankoviq, Kraleva kuca,

9.Zarije M. Miliq, Leran, anëtar Partije,

10.Andon Stoshiq, Preshevë,

11.Trajko Zafiroviq, Kraleva kuca,

12.Niça Stajiq, Preshevë.

 

Të gjitha kërkesat e këtyre mbajnë numrin rendor të protokolit: 6054 të datës 3 tetor 1945.

Këtë shkresë e ka nënshkruar Dushan Iliqi, për Komitetin e Rrethit të PKS në Preshevë.

REFERENCAT

1. Cvijic, Jovan, Geografski polozaj i veze, Govori i clanci, Sabrana dela, tom 3, Geografske osnove makedonskog pitanja, str. 148

2.Petrovic, Tomislav, Svetislav, Presevo, Istorija i sudbina, Jagodina, 2009

3.Materijal Istorijskg Arhiva Vranje, sinj 113/4

4.Zakon o agrarnoj reformi i kolonizaciji, 1945.godine

5.Mr.Nehat Hyseni, O kolonizaciji Preseva Srbima, u Presevu, 10. februara 2010.godine



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora