Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tefik Selimi: Elemente dokumentare me “dizajn” artistik

| E diele, 25.10.2015, 06:34 PM |


Një roman që ka elemente dokumentare me “dizajn” artistik...

Nga Tefik Selimi

Dje, salla e KK të Gjilanit, ishte një “Kuvend Letrar”, i cili e hijeshtoi jo vetëm veprën e autores, Albina Idrizi, por ai vend e hijeshoi edhe  pjesëmarrja e shumë krijuesve, kolegëve, qytetarëve e familjarëve, të cilët, si një, e përcollën me interesim përurimn e romanit “Për një mëngjes ndryshe” të autores gjilanase në fjalë. Fillimisht, Sabit Rrustemi, udhëheqës të Manifestimit Kulturor “Vjeshta letrare”, tha se, ky vend, ku po e mbajmë këtë orë përuruese, është vend që po i tubon krijuesit nga shumë mese, si nga Dardana, Prishtina, Vitia, Ferizaji e mese te tjera shqiptare. “Siç dihet,  Ars Clubi “Beqir Musliu” i këtij qyteti (Gjilani), është asociacion alternativ i shkrimtarëve të këtij rajoni që i takojmë, ku, herë pas here, të shtundeve, përurohen nga një vepër të krijuesve tanë që po dëshmojnë me veprat e tyre letrare. Kësaj herë, në këtë evenimet kulturor prezantohet romani “Për një mëngjes ndryshe” i Albina Idrizit, i cili roman që protagonist i veprës është vetë gruaja. Romani në fjalë i  A. Idrizit është botuar në fillim të këtij viti, ku lexuesi e ka pasur nëpër duar për ta lexuar e shijuar. Dhe, erdhi koha dhe ky roman gjeti vendin  si i parë të përurohet në “Vjeshtën letrare”, për faktin se, Albina, si krijuese e re e kësaj ane, po na jep vepra me vlera të këndshme letrare. Ibrahim Kadriu, shkrimtar i njohur i kësaj ane, njëherit referues, tha se, pa ju krijues e miq, nuk do të ishte ky manifestim, cili, për mua, ndoshta edhe për shumë të tjerë, është i jashtëzakonshëm. “Albina Idrizi na vjen kësaj here me veprën e saj në prozë “Për një mëngjes ndryshe” (2015). Siç po duket, ky asociacion kulturor i këtij qyteti do ti kalojë edhe kufinjtë regjional. Pse jo? Po dëshmon dhe po tregon suksese me veprimtari dhe me krijues të vërtetë të artit letrar. “Albina po i kalon 20 vjet krijimtari artistike. Kjo nuk është pak. Me rëndësi është se, ajo si krijuese i ka hyrë me guxim prozës, e cila është gjinia e  vështirë e të shkruarit. Sidoqoftë, atë bindje që kisha në një kohë të shkuar për Albina Idrizin, se po krijon vepra të “forta” dhe me mesazhe të pjekura, atë bindje plotësisht e kam edhe tash se, kjo femër gjilanase po hapëron guximshëm në hartimn e romanit që ka elemente dokumentare me “dizajn” artistik. Andaj, si shtoi I. Kadriu, “vepra më e re e Albina Idrizit është ndërtuar mjeshtërisht mbi një realitet, nëpër të cilin kaluam dekada që i lamë pas, nëpër ato dekada të mbushur me duhmë sllave dhe katrahura politike, të prirë nga sistemet, të cilave ne, si shqiptarë, pra, nuk ua pamë hairin njësoj siç ua shihinin popujt tjerë me të cilët bënin jetën në të njëjtin shtet”. Ai shtoi edhe këtë se, “është kjo një periudhë shumë e gjatë, por në roman kapërcejnë në mënyrë fluide. Kjo bën të kuptojmë se autorja, gjatë përpunimit letrar të kësaj lënde aq të gjerë, e ka pasur për qëllim të vë në spikamë peshën e tragjedisë, prandaj, sikur ka kërkuar ndihmën nga faktografia historike. Të dhënat që i huazon, nga realiteti kohor, siç janë shpënguljet e mëdha të viteve të tetëdhjeta të shkekullit të XIX, vrasja e ushtarëve shqiptarë, revolta e minatorëve në zgafellë, demonstratat e studentëve, falja e gjaqeve, egërsi e Millosheviqit, etj., janë ilustrime të së keqes në roman, të cilat, mendoj, në një masë edhe e kanë ngarkuar në dëm të dramës individuale dhe familjare të personazheve që e mbajnë dinamikën e ngjarjeve. Të shtoj edhe këtë se, për t’i dhënë krah tërësisë së  romanit, i cili, në të vërtetë, relacionin e tre personazhe kryesor: Ema- Guri-Elira, e zbërthen në mënyrë më të përshtatshme romanore, duke i nxjerrë në pah ndjesitë e brendshme të personazheve. Kështu, në këtë roman, sa më shumë i kapërcen faqet, aq më tepër merr peshë efekti i dramës së vërtetë, i formësuar në saje të mjeshtërisë së rrëfimit. Mund të thuhet  se gjuha e përdorur, dialogu i matur dhe i shkurtër, si dhe stili i rrëfimit këtë vepër e bëjnë të lexueshme”. Ndërsa, Ramadan Musliu, kritik, i cili mungoi, recensionin e tij e lexoi Nexhat Rexhai, i cili tha se: “Romani i  saj më i ri, që sot po përurohet “Për një mëngjes ndryshe”, edhe pse, pothuaj si të gjitha veprat që kanë identitetin artistik, po e bën “jetën” në qetësi për elementet që sjell, tematikën në veçanti, por edhe për trajtat e narracionit, por edhe për vetë mënyrën e përceptimit të jetës, inkuadrohet në trendin e ri të të ashtuquajturës prozë të dokumentarit artistik të realitetit”. Ai ka shtuar edhe këtë se, “Romani përbëhet nga dy  pjesë, pothuajse heterogjene edhe si problematikë, por edhe si frymë, domethënë si shtimung emocional, si atmosferë në përgjithësi. Kufiri ndarës mes pjesës së parë dhe të dytë është ai kohor, është sinori kronologjik që ndanë dy periudha të jetës së shqiptarit, lufta e fundit. Pjesa e parë kronologjikisht vendoset në të ndodhurat gjatë periudhës së paraluftës, në prak të luftës dhe fillimit të saj, kurse pjesa e dytë e romanit merret me realitetin e ri, jetën e pasluftës, me periudhën që për të cilin kemi ndërtuar stereotipin vullgar si periudhës të lirisë. Romani “Për një mëngjes ndryshe” i A. Idrizit, është një rrëfim –medalon, që ka dy pamje, dy anë, atë të periudhës së idealizmës shqiptare, ku kolektiviteti është ai që drejton proceset dhe është bartës i sakrifices, dhe ana tjetër e medjaljes, që është pjesa e dytë e romanit, pamja e një realiteti që është si një  kontrapunkt me pamjen e parë, periudhë e humbjes së idealeve, e ballafaqimit me vetëvetën”. Millaq Shilleri, një mik dhe adhurues i librit, nga Amerika, në pamundësi të jetë në këtë përurim libri, shënimin e tij e lexoi Ramadan Mehmeti, i cili, pos tjerash ka shtuar: “Dëshira është e madhe të jem aty ku janë të gjithë në atë manifestim kulturor. Por, ja mundësia është tjetër. “Uroj Albina Idrizi që të krijojë vepra të tilla, të cilat më pëlqejnë dhe janë ngjarje që flasin me gjuhën e gjallë të njeriut tonë. Edhe veprat tjera i kam lexuar të kësaj autore, por ky roman më ka lënë përshtypje të veçantë, për faktin se, aty përjetova dhimbjen e popullit shqiptar, i cili, siç e dijmë, ka vuajtur njëqind e më tepër vitesh nga sunduesit e huaj. Vepra në fjalë flet dhe rrëfen ngjarje që kanë ngjarë në ambientin shqiptar. Aty, në roman, lexuesi përjeton tragjedi të jetës shqiptare. Sidoqoftë, romani më i ri i Albina Idrizit është një ngjarje e jashtëzakonshme për të gjithë lexuesit”. Në fund, autorja, Albina Idrizi, tha se e kam pak si vështirë të flas për veprën time. Por, ja krijuesi, në këto momente solemne, duhet t’i thotë dy a tri fjalë. “Unë jam shumë e nderuar jo vetëm nga parafolësit e mi, por edhe nga pjesëmarrja e adhuruesve të librit. Për mua kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme e këtij manifestimi kulturor. Të shtoj edhe këtë se, unë, si e vogël, kur vijoja mësimet e para, prindi im, sa herë ktheja nga orët e mësimit, më pyeste: “çka bëre sot, a krijove ndonjë varg...”? Përgjigja ime ishte kjo: “sot kam shkruar një poezi, ese..., të cilat i pëlqyen dhe i ka dhuruar  të gjithë”. Pra, përherë prindi im ka dashur ti dij sukseset e mia. Dhe, suksesi im kurrë s’ka munguar. Ja kësaj here unë u solla këtë vepër, dhe u dëshiroj lexim të këndshëm. Ju falemnderit të gjithëve!

Gjilan, 25 tetor