E enjte, 25.04.2024, 11:33 PM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Hoxha: Një profesion si gjithë të tjerët

E diele, 25.10.2015, 07:12 PM


Një profesion si gjithë të tjerët.

Nga Gëzim HOXHA

Një plakë e veshur si mos më keq shtrin dorën. Ndonjë i fal diçka. Ajo ul kokën sikur të sigurohet që ai ose ajo e ka hedhur monedhën në prehërin e saj të mbuluar nga një përparëse e zbërdhylët në ngjyrë të zezë. Ose dikush ia merr këngës me nanana, e pastaj si me të  qarë të thotë: më fal 100 lekë o teta; ose një tjetër më fal 100 lekë t’a bëftë zoti mbarë o zoje etj etj. E ti ndihesh keq dhe ndonjëherë jep diçka nga vetja. Por sa kalon trotuarin dhe ndërron rrugë mund të shohësh një tjetër që lyp vetë ose ka nxjerrë fëmijën. Ose kur ulesh për të pirë një kafe një vajzë e vogël vjen e të thotë : më fal 100 lekë o teta (o xhaxhi). Rri atje dhe nuk ia bën syri tërr, shpesh njerëzit e ulur për t’u qetësuar i shajnë, apo i kërcënojnë. Vetëm kur e shohin punën pisk ikin.

Shpesh kam vrarë mendjen si nuk kanë turp. Po ti?, i kam thënë vetes çfarë do të bëje sikur të mos kishe ç’të haje? Dhe vërtetë në betëjën me urinë apo çdo nevojë të përditshme turpi, dinjiteti, karakteri, krenaria e budallalëqe të tjera si këto nuk të bëjnë punë.

Po t’i shikosh me vëmendje të gjithë lypësit do të kuptosh të njëjtat gjëra. E para gjë që mund të perceptojmë është nevoja. Me të vërtetë vetëm ajo të nxjerr në rrugë me lyp. Nevoja, kjo gjë lind së bashku me ne. Një foshnjë e porsalindur qan dhe kur nëna e shef, e para gjë që mendon është, se ajo ka uri. Më pas ajo ndërmerr veprimin më logjik të një nëne: e ushqen me gji atë. Prej këndej ka dalë dhe shprehja : po nuk qau fëmija, nëna nuk i jep të pijë. Por nuk  janë vetëm fëmijët që lypin. Tregtarët lypin me shit; mësuesit lypin me gjet dikë që t’i japin ato dituri që ata i zotërojnë; shkrimtarët lypin lexues etj dhe deri tek qeveritarët që lypin votën me qeveris.

E dyta gjë që unë mendoj është fakti që ata janë të braktisur siç janë personat me aftësi të kufizuara dhe pleqtë. Këtu duhet të shtoj faktin se një rrethanë e veçantë iu jep të tjerëve mundësinë e përfitimit. Kam dëgjuar një histori shumë rënqethëse që dëshiroj ta ndaj me ju, shumë shkurt. Një djalë, prindërit e hodhën në shinat e trenit dhe pastaj ashtu si u katandis, pa këmbë, e nxorrën në rrugë për të lypur. Ashtu siç kam njohur një djalë që e fshihte njërën këmbë me qëllim që të lypte, një tjetër që kishte blerë një xhiboks shumë të madh për të fshehur të dyja duart dhe këmbët.

E fundit dhe më e rëndësishmja që mund të mendohet është fakti se ai ose ajo që lyp nuk di të bëjë asgjë tjetër, pra lypja ëshhtë kthyer në mjet jetese, ose e thënë më shkoqur në profesion. Kjo është mëse e vërtetë kur shikon përkatësinë e tyre. Shumica e tyre janë romë. Janë njerëz që nuk kanë asnjë profesion, që nuk dinë shkrim e këndim, që nuk kanë mundur t’i hyjnë tregtisë si kanë bërë disa nga bashkëpatriotët e tyre ose dhe egjyptianët.  Bindesh për këtë kur sheh vajzën që të vjen në tavolinën e barit ku ti je ulur për të pirë kafe, djalin që ia merr këngës dhe lyp, djemtë e tjerë që fshehin  këmbë dhe duar, apo një histori të një filmi të vjetër rus që fliste për një lypse të famshe e cila ditën shkrahej rrugëve të Shën Peterburgut si lypëse dhe mbrëmjeve, e pasur sa më s’ka, organizonte mbrëmje dhe ftonte të parët e vendit.

Deri këtu nuk shoh asgjë të keqe, njerëz  që lypin sheh në të gjithë botën. Madje dhe lypja ka marrë forma nga më të ndryshmet. Sheh grupe muzikantësh që luajnë pjesë të ndryshme muzikore para njerëzve me shpresë që ata që e pëlqejnë artin e tyre t’i falin diçka, piktorë që bëjnë portrete, e  lypsa që shtrijnë dorën për me lyp. Por jo gjithmonë ia dalin, sepse njerëzve nuk i dhimbset dhe aq shumë një i rritur. Prandaj në përpjekje për t’ia dalë mbanë ata nxjerrin fëmijët. Ndoshta pa dashje, ata, as vetë nuk e dinë se kryejnë një krim. Trafikimi i fëmijëve me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, të punës ose shërbimeve të detyruara, skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, vënies në përdorim ose transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, dënohen me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri në gjashtë milionë lekë, kështu thuhet në SEKSIONI IX VEPRA PENALE KUNDËR FËMIJËVE, MARTESËS DHE FAMILJES të Kodit Penal, në nenin 124 të tij (Braktisja e fëmijëve të mitur). Ndërsa për organizimin, drejtimin dhe financimin e trafikimit të të miturve, neni 128 pika b, parashikon dënim me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.

Ligj vënësit tanë jo më kot kanë parashikuar këto dënime të ashpra, pasi atë kohë por dhe në vitin 2015 statistikat janë alarmante. Ka të dhëna se rreth 54 mijë fëmijë në Shqipëri detyrohen të punojnë, ndërkohë që 2500 prej tyre janë në situatë rruge, ku i shesh çdo ditë të lypin apo të lajnë xhamat e makinave, ndërsa në Britani viktimat e trafikimit të të miturve shqiptarë zinin vendin e dytë.

Në raportin e organizatës e cila mbron të drejtat e fëmijëve në mbarë botën “Save the Children”, evidentohet se pavarësisht se qeveria po bën përpjekjet në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, vendi ende nuk përmbush standardet minimale  për të frenuar këtë fenomen. Strategjia kundër trafikimit 2014 – 2017 parashikon përmirësime në këtë aspekt dhe e vendos  Shqipërinë në listën e vendeve në vëzhgim.

Po aty thuhet se Shqipëria është ende një vend origjine për trafikimin e të miturve që nga viti 2007; si për qëllime seksuale ashtu edhe për shfrytëzim për punë të detyruar. Për qëllime seksuale të miturit trafikohen gjerësisht në Europë.  Duke përshirë Shqipërinë, Greqinë, Italinë, Maqedoninë, Kosovën, Belgjikën, Norvergjinë, Gjermaninë, Zvicrën, Irlandën dhe Britaninë.

Por a mjafton vetëm burgu? Për kriminelët është mëse i mjaftueshëm. Por ka një problem, dmth, me të thatin digjet dhe i njomi. E them këtë sepse ligji është i ftohtë dhe në shumë raste nuk merr parasysh rrethanat edhe nevojat. Ja marrim rastin e një prindi që duke lypur vetë nuk fiton dot as një dyshkë, të nesërmen ta zëmë se një ekspert i thotë: ç’më rri vetë, pse nuk nxjerr fëmijën?. Jemi në rastin e një njeriu që nuk asgjë mbi shpirt dhe pasja e një fëmije qoftë edhe të një foshnje kthehet në një pasuri të tërë, në një mundësi të artë për t’ia dalë mbanë. Ose të një familjeje ku të gjithë anëtarët e familjes lypin në vende të ndryshme. Këtu kemi të bëjmë me një kontribut modest të fëmijës për pak të ardhura më shumë. Ashtu si edhe me fëmijët që shesin paketa lokaleve. Puna e tyre është thjesht një përpjekje për disa para më shumë dhe në të njëjtën kohë braktisje e bankave të shkollës.

Në një kohë që flitet për të drejtat e qenve rrugaç dhe të kafshëve në përgjithësi, kur në Vlorë është hapur një qendër për trajtimin e qenëve të braktisur dhe pa zot, kur bashkia e Tiranës mendon të hapë një strehë për këto kafshë të mjera, si nuk u kujtua dikush të bëjë diçka për lypësit dhe për fëmijët që lypin në veçanti?. Një qendër ditore, ku mund të ofrohej jo vetëm ushqimi por edhe një mundësi për t’iu mësuar pak shkrim e këndim, apo ndonjë zanat më i mirë se ai  i lypësit?...

Gjërat e mira duan kohë të ndodhin, këtë të gjithë e dimë. Por diçka me siguri mund të bëhet. Gjëja e parë që më shkon ndër mend dhe që e kam dëgjuar rëndom në frazat e kandidatëve për kryetarë bashkie gjatë fushatës elektorale, ëshhtë regjistrimi i fëmijëve të komunitetit rom dhe atij egjyptian, futja e tyre në shkolla e kopshte që dhe ata të kenë mundësinë për të pasur një të ardhme më të mirë. Ndërsa për të rriturit integrimi në punë dhe projekte të ndryshme komunitare mund të ishte një zgjidhje jo dhe aq e keqe.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora