E shtune, 20.04.2024, 12:24 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Sulmi ndaj shtypit në Shqipëri dhe Turqi

E diele, 25.10.2015, 07:55 PM


SULME TË ASHPËRA NDAJ LIRISË SË SHTYPIT

Rasti i Turqisë dhe i Shqipërisë

Nga Frank Shkreli

Artikulli 19 i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut  përcakton se, "Çdo person gëzon të drejtën e lirisë së opinonit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshinë lirinë për të pasur opinione pa asnjë ndërhyrje dhe për të kërkuar, për të marrë informacion, dhe për të shpërndarë këto informacione dhe ide nepërmjet medias dhe pa pengesë kufijsh ndërkombëtar".  Liria e fjalës dhe e medias është pra një e drejtë themelore e sanksionuar nga marrveshje ndërkombëtare, nënshkruar nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.  Por megjithë angazhimet e vendeve të ndryshme për të mbrojtur këto të drejta, fatkeqsisht, liria e të shprehurit dhe e medias -- historikisht -- është ndër të drejtat themelore që abuzohet më së shumti nga vet vendet të cilat me nënshkrimin e tyre të deklaratave dhe marrveshjeve ndërkombëtare, janë zotuar për t'i mbrojtur ato.

Çdo ditë, në shumë vende të botës, gazetarët si transmetues të informacionit dhe fjalës së lirë, sulmohen ndërkohë që përpiqen të bëjnë punën  e tyre si gazetarë.  Shpeshë, gazetarët dhe përfaqsues të medias janë viktima dhe subjekt kritikash dhe paditjesh --vetëm e vetëm sepse kryejnë detyrën e tyre -- nga qeveri dhe përfaqsues qeverishë të cilët mendojnë se pushteti u jep atyre të drejtën që të përdorin fuqinë e shtetit për të frikësuar median e lirë dhe gazetarët, të cilët ata mund t’i konsiderojnë si ferrë në sy.

Turqia ka një reputacion ndërkombëtar për sjelljet dhe presionet e qeverisë kundër gazetarëve dhe lirisë së medias.  Të mërkurën në Stamboll, një numër përfaqsuesish të organizatave ndërkombëtare dhe rajonale, misioni i të cilave është mbrojtja e lirisë së shtypit dhe e fjalës së lirë anë e mbanë botës, u takuan në një tubim për të shqyrtuar presionet në rritje e sipër kundër gazetarëve dhe medias  së lirë.  Në atë takim morën pjesë përfaqsues të 9 organizatave prestigjioze botërore që merren me mbrojtjen e lirisë së medias dhe fjalës së lirë, përfshirë Institutin Ndërkombëtar të Medias, Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, Korrespondentët pa Kufij, Unioni i Gazetarëve Turq dhe Federata e Gazetarëve Europianë, ndër të tjera. Ata erdhën në përfundimin se presionet kundër gazetarëve që punojnë në Turqi janë keqësuar jashtzakonisht shumë ç’prej zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit dhe para zgjedhjeve të ardhëshme që do të mbahen më 1 nëntor.  Sipas deklaratës së lëshuar të mërkurën nga përfaqsuesit e këtyre organizatave për mbrojtjen e lirisë së medias, pas punimeve dy ditëshe të tubimit në Stamboll, ata erdhën në përfundimin se nëqoftse vazhdojnë presionet aktuale para zgjedhjeve të 1 nëntorit, ka të ngjarë që ato “të kenë një efekt të dukshëm negativ ndaj mundësisë së votuesve turq për të pasur informacionin e nevojshëm, gjë që do të prekë drejtë për drejtë demokracinë në Turqi.”

Përfaqsuesit e këtyre organizatave ndërkombëtare dhe rajonale shprehën solidarsinë e tyre me kolegët e tyre gazetarë dhe median në Turqi dhe kërkuan që menjëherë tu jepet fund të gjitha presioneve të cilat pengojnë gazetarët që të kryejnë detyrën e tyre, ose të cilat shërbejnë si masa që njëkohsisht nxisin   atmosferën e vet-censurimit në radhët e gazetarëve.  Në deklaratë u bëhet thirrje autoriteteve turke të marrin masa për të siguruar që të gjithë gazetarët të jenë të lirë të merren me gazetari investigative mbi çështje të interesit publik, përfshirë akuzat për korrupcion, shkeljen e të drejtave të njeriut, dhe politika, çështje të interesit vendor ose rajonal.

Serioziteti me të cilin organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e medias dhe fjalës së lirë, i shikojnë presionet kundër gazetarve në Turqi, shihet në numrin e rekomandimeve drejtuar zyrtarëve turq me qëllim përmirsimi të ushtrimit të gaztarisë së lirë në Turqi..  Përfaqsuesit e këtyre organizatave specifikisht u bëjnë thirrje autoriteteve turke -- që ndër të tjera -- të ndërmarrin hetime transparente ndaj sulmeve kundër gazetarëve dhe organizatave mediatike dhe t’i japin fund abuzimit të ligjeve anti-terror për të ndaluar raportimin e çështjeve të interesit publik ose  për të mos shkruar kritika ndaj figurave politike.   Rekomandohet bërja e reformave në ligjet aktuale kundër gazetarve, sidomos artikullit 299, i cili mbron presidentin e Turqisë nga kritikat e mundshme, gjë që në vetvete është një shkelje e standardeve ndërkombëtare dhe që njëkohsisht të ndërmirren reforma për të mbrojtur gazetarët dhe lirinë e qëndrave mediatike nga presionet politike. Porositen autoritetet truke që të mos përdoren entet dhe ministritë qeveritare, siç janë autoritetet e tatimeve, për tu bërë presion gazetarëve të cilët kritikojnë ose raportojnë në mënyrë kritike ndaj politikanëve ose akteve të qeverisë.

Ndër rekomandimet e shumëta, përfaqsuesit e organizatave për mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë së medias, i bënë thirrje Presidentit të Turqisë që tu japë fund të gjitha presioneve personale dhe direkte ndaj pronarëve ose kryeredaktorëve të gazetave dhe mediave të tjera që kritikojnë autoritetet, ndërkohë që nxitën qeveritë e huaja, sidomos Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Europian t’i bëjnë presion Turqisë që të zbatojë angazhimet e marra dhe të respektojë dhe të zbatojë standardet  ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut.  Dhe një rekomandim me rëndësi -- që vlenë për çdo vend ku presionet ndaj lirisë së medias dhe gazetarëve janë të pranishme -- iu drejtua të gjithë gazetarëve turq që të tregojnë solidarsi me kolegët e tyre të cilët punojnë nën presione ose që kritikohen nga autoritetet, si një angazhim për të mbrojtur të drejtat e të gjithë gazetarëve. Përfaqsuesit e organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe lirisë së fjalës thane, në deklaratën e tyre, se objektivi kryesor i tubimit në Stamboll dhe Ankara ishte për të treguar solidarsi me kolegët e tyre turq dhe njëkohsisht për të venë në dukje, jo vetëm për Turqinë, por edhe për vende të tjera, pasojat negative të presioneve politike në rritje e sipër ndaj medias së pavarur.

Por shtypja e lirisë së shtypit në një vend është shkelje e lirisë së shtypit kudo. Shqipëria mund të mos jetë Turqi, por lajmi i djeshëm shqetsues nga Tirana se Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Z. Damian Gjiknuri, i shqetsuar për një shkrim të gazetës në lidhje me Ministrinë që ai drejton, ka paditur të përditshmen Telegraf të kryeqytetit që të paraqitet para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë duke e akuzuar gazetën se, “Ka publikuar disa shkrime kundër personit tim në cilësinë e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë”.  Në padinë e tij kundër gazetës Telegraf drejtuar Gjakatës së Tiranës, Ministri shqiptar, Z. Gjiknuri shprehet se, “Gjykoj se këto shkrime dhe deklarime, përveçse cënojnë rëndë nderin dhe personalitetin tim, përcjellin në publik informacione të pavërteta” dhe i kërkon Gjykatës që të detyrojë gazetën Telegraf, t’i paguaj atij si dëmshpërbim, shumën prej 10.000.000 ose $100.000 dollarë.  Ai e bëri këtë padi një ditë pas botimit të një shkrimi kritik ndaj tij në gazetën Telegraf dhe një ditë para se të njoftohej raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi auditimin në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë. KLSH njoftoi gjithashtu padinë ndaj Gjiknurit në Prokurori, në bazë të cilës Ministri Gjiknuri akuzohet për shpërdorim detyre.

Interesimi im është liria e shtypit dhe jo të bërat ose të pabërat e Ministrit Gjiknuri të cilat duhet të jenë përgjegjësi e dikujt tjetër. Gazeta Telegraf ushtroi detyrën e saj duke shkruar për abuzimet në Ministrinë e Energjisë dhe të Industrisë, shpërdorime këto që siç duket u vërtetuan edhe nga KLSH. Presionet politike ndaj gazetës Telegraf janë të pavend në një shoqëri që e quan veten demokratike. Por fatkeqsisht, kjo nuk është hera e parë dhe siç duken punët, as e fundit që zyrtarë të qeverisë dhe të shtetit shqiptar ushtrojnë presion ndaj lirisë së medias duke hedhur ne gjyqe gazeta, televizione, dhe web saite, të cilat mund të jenë kritike ndaj tyre dhe punës që ata duhet të kryejnë në emër të shtetit dhe për të mirën e publikut.  Përfaqsues dhe analistë në vend e kanë përshkruar gjëndjen si një situatë ku shtypi dhe media shqiptare në përgjithësi, vepron dhe punon nën kërcënime dhe vet-cenzurë si dhe nën presione politike, siç është rasti i fundit i gazetës Telegraf, paditur nga një ministër për një shkrim kritik ndaj tij.  Presionet ndaj lirisë së medias janë një shënjë e keqe për respektimin e të drejtave të tjera të njeriut në përgjithësi. Historikisht, liria e shtypit është liria e parë që zhduket në rrjedhën e shkeljeve dhe të abuzimit të të drejtave të tjera të njeriut nga autoritetet e një shteti. Kur një vend nuk ka respekt për lirinë e shtypit, e njohur ndërkombëtarisht si një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike, ai vend heret ose vonë, do të humbas respektin dhe do të mbytë edhe të drejtat e tjera bazë të njeriut për shtetasit e vet.  Njëkohsisht presionet politike dhe shtypja e lirisë së shtypit është një paralajmërim se një shtet i tillë është në rrugë të gabuar.  Thomas Xheffersoni ka thënë se, “Njeriu qeveriset bazuar në arsyen dhe në të vëretetën dhe si pasojë, qëllimi ynë duhet të jetë që atij t’i lihen të hapura të gjitha rrugët për të zbuluar të vërtetën. Drejtë këtij objektivi, ne kemi ardhur në përfundimin se deri tani, rruga më efektive për të zbuluar të vërtetën, është liria e shtypit.  Prandaj, liria e shtypit është liria e parë që shtypet nga ata të cilët kanë frikë nga hetimet e veprimtarive të tyre”, dhe nga ata që nuk duan që e vërteta të jetë bazë e qeverisjes.  Ndërsa Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Z. Ban Ki Moon ka deklaruar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të lirisë së shtypit se, “Gazetaria cilësore ua bën të mundur qytetarëve të marrin vendime të infomuara mirë mbi zhvillimet në shoqërinë e tyre. Gazetaria shërben gjithashtu për të ekspozuar padrejtësitë, korrupcionin dhe abuzimet nga ana e pushtetarëve. Për këtë arsye, gazetarët duhet të punojnë në një mjedis ku të kenë mundësi të zhvillojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje dhe në kushte sigurie.”

Ky pra është roli i një shtypi të lirë në një shoqëri demokratike, një rol që është dhe duhet të jetë pjesë përbërse dhe e paprekur në zhvillimet demokratike të një vendi, siç është Shqipëria dhe nuk duhet të jetë subjekt paditjesh nga pushtetarët kur gazetat botojnë diçka që nuk u bie për shtat atyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora