E merkure, 24.04.2024, 02:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Shefik Shkodra: Shtëpia e madhe pa një shtyllë

E marte, 20.10.2015, 07:53 PM


SHTËPIA E MADHE DHE SHUMË E BUKUR PO PA NJË SHTYLLË

Mr. Sc. Aliriza Selmani:  GJILANI Qendër e Anamoravës nga themelimi e deri  në gjysmën e shekullit  XX

Botoi Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Gjilan, 2015. redaktor: Prof. dr. Behlul Brestovci, recensent: prof. dr. Daut Bislimi, lektor: mr. Sheremet Krasniqi.

NGA SHEFIK SHKODRA

Përqendrime me tekstin

I ndarë në shtatë pjesë, kjo hapësirë libri përfshinë gjithë materialin prej afro 400 f. deri te rezyme në gjuhën angleze. Është një prej atyre monografive, që njeriu, më parë mund të gjejë disa përgjigje për fillesën e Gjilanit si vendbanim. Hapja e  këtij libri bëhet me një hartë të Kosovës, me ndarjen e territorit të komunave, duke identifikuar Anamoravën me Gjilanin. Kjo kasaba e dikurshme me Nahijen e vet, pak më vonë edhe si qendër e Kazasë, është mjaft e begatshme me lëndë përkatëse. Fotografi të hershme, që nga administrimi osman, por edhe pas kësaj kohe e që e pasurojnë dhe e bëjnë tërheqës këtë tekst. Me plan urban për dallimin e lagjeve, rrugëve e rrugicave, lumenjve, etj. Janë të renditura antroponimet, mikro-toponimit e vetë qytetit, monumentet sakrale dhe ato laike. Hidrografia: kroje e lumenj dikur të këtij fshati, tashmë qytet i urbanizuar në mënyrë moderne. Vendndodhjen e dikurshme të pallateve (Sarajet e Gjinollëve dhe sarajet tjera, Sahat-Kulla, objektet e xhamive, tyrbeve, hamamit); atyre të administratës: komuna, saraji i kajmekamit, kaushi (burgu), posta e vjetër, pastaj, ndërtimi i objekteve përcjellëse, kisha ortodokse, dyqanet, etj. krejt në stilin oriental. Lexuesit i jep një mundësi për njohuritë bazë, më parë për Gjilanin, por edhe për rrethinën. Mjaft flitet edhe për reformat qeverisëse nën sundimin osman dhe atij serb, për trashëgiminë kulturore dhe fetare. Pra, libri “Gjilani – Qendër e Anamoravës nga themelimi e deri në gjysmën e parë të shek. XX”, sado i nevojshëm për plotësime të reja e evitime të ndonjë prej gabimeve, qofshin madje teknike, del deri diku me kuptim të plotë. Dhe, krejt ajo që dikur ka qenë embargo për opinionin publik, doli e vërtetë se ishim shumë të mangët në shkencën e historiografisë, duke filluar nga ajo më e afërta. Pjesa më e madhe e objekteve janë zhdukur me kohë nga ndërrime sistemesh (me ripushtues), por autori është përpjekur të na njoftoi e orientoi me gjithë atë të kaluar shekujsh. Dhe vërtet, me fakte e dokumentacion, autori u bën me dije atyre, shumë shkrim-bërësve, që rroken me studime të tilla, dhe u ofroi, model, mundësinë se si do të duhej të bëhet një monografi e mirë. Do të thotë, se si duhet të përshkruhen të gjitha segmentet për gjithë subjektin, si një biografi e plotë kur duam të bëjmë fjalë: për personalitetin, emër-vendin (toponimin), njësoj për institucionin apo edhe fenomenin shoqërorë-kohor, për letërsinë e një periudhe, për arsimin, ekonominë, tregtinë, etj. Ky libër enkas, është përgatitur me një aparaturë mjaft të pasur, jo veç me literaturë nga autorë të ndryshëm, por edhe me atë përcjellëse e ndihmëse si, revista, gazeta të kohës e dokumente të gjetura nëpër arkiva. I ka shfrytëzuar edhe dëshmitë, shtesë, e një numri të madh nga personalitete të gjalla, etj. Njohuri të reja do të gjenden me shpjegime rastesh dhe të shprehjeve nga administrata feudale-osmane në kohë.

Të dhënat tjera për qytetin dhe rrethinën

Pas rënies së Novobërdes në pikëpamje ekonomike e politike, “në gjysmën e parë të shek. XVII, si vend xehetar e tregtar, kishte humbur famën [...] dhe vjen duke u pakësuar numri i shtëpive dhe i banorëve”nga ky qytet i dikurshëm. Ikja e popullatës dhe vendosja e familjeve feudale në terrenin e sotëm të Gjilanit, ku aty nis një jetë e re. Janë me rëndësi  edhe të dhënat demografike për popullsinë e Gjilanit me rrethinë, origjina. Shtimi për çdo ditë, ardhja e Muhaxhirëve të ndjekur nga vatrat e tyre. Përqendrimi nga anë të tjera për leverdinë e tyre ekonomike. Shpërngulja e Shqiptarëve prej pushtetit serb (sidomos për Turqi) dhe kolonizimi nga sllavët. Të dhënat statistikore lidhur me numrin dhe strukturën e popullatës së Gjilanit me rrethinë pas kolonizimit. Sërish shpërnguljet pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitet e gjashtëdhjeta, pasojat e këtyre shpërnguljeve, etj. Gjilani ishte një fshat i vogël, kur Topanica ishte qendër e nahijes. Gradualisht familja e madhe feudale – Gjinolli u vendos me gjithë administratën, terrene të cilat ishin pasuri e tyre...

Përmes kësaj materie do të njoftohemi , se si është themeluar qyteti i Gjilanit. Çfarë ishin emërtimet si pikë gjeografike. Patronimit dhe familjet e njohura feudale. Çfarë popullate e ka  banuar në fillim këtë vend. Cilët ishin themeluesit dhe qeveritarët kryesor. Çfarë ishin përfaqësuesit e shoqërisë në sistemin feudal, në  kohën e Perandorisë Osmane. Si është bërë evoluimi kohor në ndryshime qeverisëse me organet e veta. Si ndahej gjeografikisht rrethit të Moravës me fshatra, përkufizimi si nahi, e pastaj Gjilani kaza me gjithë Moravën (Morava e Epërme dhe Poshtme, Novobërda, Gollaku). Paralelisht flitet edhe për arsimin, kulturën, ekonominë, tregtinë, ndërtimtarinë, etj.

Në fund (ndoshta është dashur në fillim) të këtij libri e kemi një Plan-skicë me ngjyra, ku tregohet “shtrirja e Gjilanit në fillim të shek. XX”. Këtu janë dhënë shenjat dhe ngjyrimet për vendet – emërtimet. Shumë orientime janë dhënë nga autori përmes lumenjve, Mirushës, Stanishorkës dhe burimi i Banjës. Janë përmendur edhe mullinjtë dhe mikro-toponimit e  oronimet në qytet. Lagjet dhe sheshet, rrugët, urat, etj. Janë përmendur edhe dy Panairet (panagjyrët) vjetorë, si  dhe pazari javor. Tregtia ishte zhvilluar me shpejtësi. Zejtaria mjaft e zgjeruar, si përpunues e druri, të qeramikës, lëkurës, si kujunxhinj, këpucarë, përpunues të pëlhurave – nga leshi, liri e konopi, teneqepunues, pastaj furrxhinj, kacapunues, nallbanë (mbathtarë kafshësh), më vonë mejhanexhinj, ëmbëltoristë, hanxhinj, etj. Bujqësia me kulturat e saj, me ara të pëlleshme e frytdhënëse me llojet e drithërave; blegtoria dhe kopshtaria e begatshme me pemëtari.

Trashëgimia kulturore shpirtërore e materiale e këtij qyteti

Pas sundimeve të gjata nga të huajt dhe mungesa e arsimimit në gjuhë amtare, bëri që edhe kultura  shpirtërore te ne shqiptarët të mbetet e mangët, pos asaj nga letërsia gojore që është trashëguar deri në këtë kohë. Krahas kësaj interesi ishte e vazhdon të jetë i madh për ato mbetjet materiale nga ato kohë. Më mirë të themi të zhdukurat për interes të okupatorit. Por kureshtja për vendndodhjen e tyre është kurrë e pashuar, për secilin patronimi dhe toponimi veç e veç. Nëpër mes të shumë  monumenteve kulturore, fetare, historike mund të bëhet identifikimi i një civilizimi të një vendi në një kohë të caktuar. Ky libër, po të ishin objektet e trashëguara, do të bëhej si një “guide” në orientimin e mysafirëve apo turistëve për vizitën e tyre. Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e objekteve nuk ekzistojnë më. Njëherë për shkak të pamundësisë së përballimit të kohës, dhe e dyta, shkatërrimi nga pushteti sllav me shqiptarët e (pa)vetëdijshëm, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të çdo gjëje shqiptare, qe nga themelimi i këtij qyteti. Kjo kulturë, si duket, ende na mungon si ves i keq dhe jo vetëm ne në Kosovë nën sundime tiranike të huaja. Shumë shpejt e lehtë duamë ta harrojmë të kaluarën, pa të cilën zor se mund të shkohet në të ardhmen. Bota e qytetëruar, sistemet politike i ka ndërruar sipas rastit, por monumentet kulturore, historike madje edhe fetare në asnjë kohë s’i kanë fshirë. “E rrënuan ata që nuk ia ditën vlerën, apo ata që deshën ta varfërojnë e ta zhveshin Gjilanin nga vlerat e tij të lashta monumentale, kulturore, historike e arkitektonike. Sahat Kulla  ishte simbolikë e themelimit të qytetit të Gjilanit” (f. 114). Rrënimet permanente të krejt asaj që ishte me një vel oriental, para së gjithash ishte e qëllimshme. Asgjësimet e tërësishme ndodhin sidomos pas LDB. E gjithë lënda thamë, është përfshirë në shtatë pjesë të këtij libri, duke filluar me Anamorava – tërësia e hapësirës etnike shqiptare (me veçoritë e përgjithshme gjeografike dhe historike. Gjilani dikur me pak shtëpi, as si një lagje,  u bë qendër administrative e një hapësire gjeografike (me territor të tri komunave të sotme – Viti, Gjilan, Kamenicë). Këto terrene shekuj me radhë ishin nën administrimin osman dhe këtu renditën: disa të dhëna për popullsinë e qytetit të Artanës (Novobërdës); shpopullimi i Novobërdës dhe themelimi i Gjilanit, emërtimi i tij në disa variante deri te ky i sotmi. Arritje e dendur demografike dhe përqendrimi madh i popullatës çdo herë, domosdo këtë vendbanim e bën qendër administrative dhe juridike të Anamoravës. Dhe pas reformave administrative, më vonë kjo qytezë u inaugurua Kaza (Rreth), do të thotë, Gjilani bëhet qendër e  Kazasë. Zhvillimi topografik dhe tiparet e qytetit; formimi i lagjeve të qytetit, në mënyrë të çrregullt dhe shtrirja e tyre, pastaj me nën-lagjet. Trashëgimia e kulturës materiale e shpirtërore dhe popullsia e Gjilanit: kultura e banimit dhe objektet, objektet publike: Saraji i Gjinollëve, Sahat Kulla, Hamami (banja), Zyra e Kajmekamit, Hanet -bujtinat, Kafenetë, Dëboji, Komuna e Vjetër, Gaz-hanet, Kaushi (burgu), Posta e vjetër, “Harku Triumfal”, i ashtuquajtur, (në rrugën Gjilan – Ferizaj, e kishin ngritur) “me rastin e ardhjes së Sulltan Mehmet Reshatit V në Kosovë, më 1911” (f.128). Objektet sakrale: monumentet e kulturës islame, xhamitë, (4 ishin atëherë dhe sot), njëra ndër më të vjetrat e emërtuar “Atik” Xhamia); teqetë dhe tyrbet, kisha... më tutje hyjnë mjaft mikrotoponime dhe oronime, ndarja e lagjeve, duke filluar nga ajo Çarshi mëhalla,  Çifllik mëhalla, Dere mahalla, ajo e Romëve, e Balecit, e Muhaxhirëve e Masuricëve, e  Baçevinës,  Bejler mahalla, Ura e Maskatarit, etj. ndonjë prej tyre kanë mbetur shenja që mund të shënojnë ende kohën e shkuar të këtij qyteti.

Është dashur të flitet më konkret për disa familje

Kjo monografi prej Aliriza Selmanit bën që ta lexosh me ëndje, jo vetëm për nga  metodologjia e materialit të sistemuar, por ai me punën e tij të zellshme si studiues, na informon edhe me shumë njohuri të reja deri më tash. Për një pjesë të familjes Gjinolli nuk kemi ditur asgjë. Zija (be Gjinolli) Prishtina, në histori deri më tash shënohej vetëm Prishtina, ose Abdurrahman Pasha, por jo edhe Gjinolli, gjithashtu Fuad Pasha, etj. Historinë e kimi shkruar të diktuar prej “patronit”. Edhe tash nuk duhet të jemi subjektiv në disa raste. Kjo shkencë duhet të jetë realitet, pavarësisht se mund të jetë e ndjeshme ndonjëherë për dikë. Në një shkallë, pa pritur më bie temperatura dhe entuziazmi si lexues i këtij libri. Është sikur humb besimi nga vizita e një pallati të madh, me shumë korridore e galeri të bukura. Edhe fasada me ngjyrë shumë të bukur e me  kulm perfekt. Veç mungesa e një shtylle e bën të çalë. Edhe monografisë të Selmanit, mos paraqitja e aktivitetit të disa familjeve në këtë qytet lë vakuum. Nuk është shkruar fare për disa familje të vjetra e të njohura. Bie fjala njëra prej tyre (tre vëllezër me djemtë), e ardhur  “nga Desivojca ... kah fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shek. XX u vendosën për një periudhë gjysmë shekullore në Gjilan pastaj për shkak të dhunës, terrorit maltretimeve të Jugosllavisë së vjetër dhe ...(asaj) komuniste, u detyruan, hisja e dy vëllezërve të emigrojnë në Turqi në fillim të gjysmës së dytë të shek. XX, (Sadullahu, Bejtullahu djemtë e Hafuz Hysen Jakupit), në Shqipëri gjatë LDB (Xhavit Podina – djali i mulla Ismajlit dhe e mbesa), në Turqi 1956 (Aliu, Mumini, , Shukriu, profesorë, djemtë e Haxhi Isufit).” Kjo familje ishte iluministe në këto anë,deri pas LDB. Gjyshi i tyre, Haxhi Jakupi- Desivojca ishte imam në Desivojcë. Pas tij i biri Ismajli gjithashtu në të njëjtën xhami, i vëllai Hafuz Hyseni, vëllai i tretë Haxhi Isufi, në Gjilan ishte imam, por edhe Myfti për një kohë. I biri i H. Isufit, Jakupi, gjithashtu. Edhe i biri i mulla Ismaijlit Tefiku ishte hoxhë deri më 1945, nga ky vit mësues i parë në fshatin e lindjes. Pastaj vijoi në shkollën fillore në Gjilan deri në pension.  Autori i monografisë së Gjilanit...nuk i përmend fare këto fakte, pos për Haxhi Isufin që ishte edhe deputet një kohë i Mbretit Aleksandër. Ishte një herë anëtarë i Xhemietit, pasta në P. Radikale me T. Popoviqin. S’ishte ky i vetëm, edhe njëzet e tre të tjerë që dihen nga Morava e Epërme dhe e Poshtme... Ata njëzet e tre, të cilës parti ishin? Duhet të përmendet ajo që ka qenë e shëmtuar, po dhe të gjitha veprat tjera pozitive nuk mund t’i mohohen. Në këtë pikëpamje, po ta shikojmë hollë e hollë, rrallë do të na dilnin familje të paprekura. Me përshkrime shumë patriotike. Shantazhi dhe dredhitë e serbëve ishin përherë të mëdha. I kemi parë edhe më vonë...Ndoshta ka edhe të tjera raste që i mungojnë kësaj monografie, që unë isha shumë i rrëmbyer nga emocionet për një libër të tillë.

Gjilani me Sahat Kollën, 1912



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora