E premte, 19.04.2024, 05:45 AM (GMT+1)

Faleminderit

Azgan Haklaj: Nënë Tereza - engjëlli shqiptar

E diele, 18.10.2015, 07:58 PM


NËNË TEREZA,

ENGJËLLI SHQIPTAR QË ME DASHURI PUSHTOI QIEJT.

Nga Azgan HAKLAJ*

Lapsi në dorën e Zotit.

Më 16 tetor 1979, kur bota u lajmërua, jo pa sensacion, se një misionare në Kalkutë do të merrte çmimin Nobel, biografë e gazetarë u turrën të rrëmonin në biografinë e kësaj gruaje të brishtë e të çuditshme. Fjalëpak, por e saktë dhe e vendosur në atë që thoshte, ajo iu përgjigj medias botërore: “Nga gjaku dhe prejardhja jam shqiptare. Kam shtetësi indiane. Jam murgeshë katolike. Nga prirja i përkas gjithë botës… Me zemër, i përkas plotësisht zemrës së Jezusit”.

Ishte Nënë Tereza, që si rrufe në qiell shndriu mbi errësirën që asokohe kishte kapluar Shqipërinë, vendin e izoluar e të harruar të shqiponjave. Dhe ja, kjo grua e vogël na e rikthen edhe njëherë si komb atë emër të madh që patëm latuar në shekuj me pereandoret Dioklician, Konstandin, Justinijan apo me Skënderbeun. “Një grua vërtet e vogël me trup, por që s’ka asgjë të vogël në qenien e saj” – do ta përshkruante Indira Gandi. Nga madhështia e dashuria e saj, ajo do t’i jepte gjithë globit nga Kalkuta në Irlandë, nga Venezuela në SHBA, por dhe vendit tonë do t’i dhuronte më shumë nga të gjithë: qenien e gjakut që i rridhte në damarë, atë shqiptar. Ne ishim kombi i braktisur nga njerëzia, liria dhe nga Zoti. Ishim kombi i dënuar të përjetonim copëtimin e robnimin kush prej sistemeve ekstratotalitare e kush prej dhunës shovene.

Dhe ja, një fat në buzëvarur, një qiri shkëlqimtar që ndriçonte fundin e tunelit të destinit fatal shqiptar: Nënë Tereza. Ajo me dy fjalë për origjinën e saj arbënore e me një foto të vitit 1925, kur s’i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, veshur me rrobën tradicionale kombëtare shqiptare, po i thoshte botës se shqiptarët jo vetëm ekzistojnë, por janë në vëmendjen e vetë Zotit. Një befasi e mrekullueshme që bëri Papën, mbretërit, presidentët e fuqishëm të globit të kujtoheshin një çast, se aty buzë Adriatikut, rrethuar me tela e të izoluar prej perëndimit, që prej lashtësisë, jetojnë shqiptarët e Nënë Terezës e të Gjergj Kastriotit. Prej asaj kohe kanë kaluar dekada e kombi ynë ka galopuar drejt së mirës e fatit më shumë se çdo komb në fundshekullin që lamë pas e në këtë që po jetojmë. Por nuk mund të mohohet se pa zë e me modesti, pa zhurmë, por me shumë përkushtim e dashuri, ne kishim me vete si melhem e hajmali, si bekim e afrim te Zoti, dorën dhe mendjen e Nënë Terezës. Se vetë Nënë Tereza ishte një laps në dorën e Zotit, me të cilën duket se Perëndia nënshkroi për të na e ndërruar fatin e larguar, për të na i zbuar, më në fund, ndëshkimet dhe mallkimet shekullore.

Edhe sot, kur ne shkojmë në Bruksel për të konsultuar obligimet tona integruese, më shumë se gjithçka ajo që na lidh me Perëndimin, me Zotin e qytetërimin është natyrisht edhe vegimi e emri i madh i Nënë Terezës. Kjo grua gjeni, jo vetëm e besimit, e bamirësisë, është dhe esenca e një filozofie të re, e cila u kyç jo pa rëndësi e pa efekt në epokën e globalizmit. Kur paraja po synonte të konkurronte vetë Zotin, Nënë Tereza këshillonte të pasurit të mos gëzoheshin dhe aq, kur në botë miliona njerëz vuajnë urinë, sëmundjen, luftën. Ajo i kërkoi botës humane jo lëmoshë e mëshirë, por besim e afrim te Zoti, mirësjellje e dashuri njerëzore.

“Më mirë të bëni gabime me mirësjellje, sesa mrekulli me vrazhdësi.” Kjo thënie biblike e Nënë Terezës është kthyer në sloganin e të gjithë shpirtrave njerëzorë që besojnë te Krijuesi.

Gjenia e Nënë Terezës, mrekullia e saj, nuk qëndron vetëm në shërbimet e saj e të Urdhrit të vet shpërndarë në të gjithë botën, në të mirë të të sëmurëve, të të varfërve e të uriturve. Është shumë më gjeniale dhe hyjnore. Ajo i argumentoi njerëzimit se vuajtja për dashuri dhe uria për të është më e rëndë se uria për bukë. “Po të kishte të uritur në Hënë, unë do të shkoja dhe atje…” Kështu e përshkruan përkushtimin një ftesë për këdo dhe kurdoherë drejt një qëllimi të mirë, human e fisnik”, sepse fisnike ishte vetë Nënë Tereza, gjaku e gjeni i saj shqiptar.

Ne kete dite lumturimi, bota feston dhe e kujton këtë engjëll të brishte që e lindi, e rriti nëna e toka shqiptare, për t’ua falur qiejve, nga ku ajo të mund të vijojë përjetësisht misionin e saj hyjnor. Ajo qëndron lart mbi ne, e mbështjellë me rrobën ngjyrë qielli e reshë të bardha, duke na vëzhguar e duke u lutur për ne. Duke u lutur për të gjithë, pa na ndarë as në fe, as në ide. Le ti dëgjojmë këto lutje engjëllore, se aty mëshirohet dhe shqip, se shqiptare qëlloi jo rastësisht, të ishte aty ky engjëll unik që Zoti ia dhuroi njerëzimit…!

 

O Zot me jep fuqi te jap paqen .

Te jap dashuri atje ku ka urrejtje.

Te sjell frymen e pajtimit atje ku ka gabime.

Te sjelle harmonine atje ku ka mosmarveshje.

Te sjell te verteten atje ku ka gabime.

Te sjell besimin atje ku ka dyshime.

Te sjell shprese atje ku ka deshperim.

Te sjell drite atje ku ka terr.

Te sjell gezim atje ku ka dhimbje e deshperim.

*President i Unionit Artistik te Kombit Shqiptar



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora