E enjte, 28.03.2024, 11:16 AM (GMT)

Editorial

Engjëll Koliqi: Letër atyre që po vijnë

E shtune, 02.08.2008, 09:00 PM


Engjëll Koliqi
Letër atyre që po vijnë

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Me zemër të gëzuar ju shoh – shumë jeni e shumë e më shumë qofshi o trashëgimtarë të tokës sime. Eni pa hezituar e pa fije frike! Mos u skandalizoni me ato që shihni jashtë rendit civilizues, kur të mbërrini, sepse këndej të gjithë shekujt kanë qenë të përgjakur dhe njerëzia çdo ditë është vrarë. Eni të qetë e mos hezitoni, sepse përfundimisht ju takon kjo botë dhe ju do të jeni padronë legjitimë të saj. Si trashëgimtarë të ligjshëm që jeni, mbi tokën time iliriko-shqiptare i keni të gjitha të drejtat, pa kurrëfarë kufizimesh.

Të dashur! Qëkur i kam parë shkëndijat e para të lirisë mbi tokën dardane, jam bindur se herët e vonë, një herë patjetër fiton drejtësia. Nuk ka qenë kjo vetëm një bindje teorike e imja, por i kam parë praktikisht të gjitha aktet e bekuara të procesit historik të lirisë së tokës sonë, me hapat e parë konkretë, në ndërtimin e të shumëkërkuarës dhe të bekuarës demokraci. Në këtë proces jemi dëshmitarë edhe të shumë vështirësive, madje mund të themi se në mes të gëzimit kemi përjetuar edhe pakënaqësi, sepse – siç është tashmë njëfarë rregulli, në proceset e ndërlikuara të diplomacisë ndërkombëtare, që është e detyruar të laujë edhe në valle interesesh, për ta marrë atë që të takon, patjetër duhet dhënë diç të çmueshme dhe të dhembshme. Ne kemi dhënë shumë, për të fituar lirinë. Përveç shumë jetërave njerëzore dhe lumenjëve të gjakut mbi tokën tonë, për të pasur shtetitn tonë jemi detyruar të japim shumë nga pasuritë tona natyrore,  dhe shumë nga të drejtat tona të natyrshme, përfshirë edhe një pjesë të lirisë sonë, të vetë jetës sonë, që ende vazhdon të drejtohet e të komandohet nga qendrat arbitrare ndërkombëtare, të cilat – mjerisht, ende janë të detyruara të vazhdojnë të luajnë në vallen e intereseve, madje edhe për interese të pakuptimta, për të mos thënë edhe të fëlliqta.

Eni o të bekuar! Pa hezituar, vendosuni në këtë tokë, që u takon dhe që është a juaja përjetemot. Eni dhe – pa hezituar – merrni kompetencat, detyrat dhe përgjegjësitë historike, që me të gjitha ligjet e njerëzisë, si dhe me kushtetutën tonë të dashurisë, ju takojnë. Hap mbas hapi, gradualisht merrni gjithçka ne - të detyruar me rregulla të diplomacisë ndërkombëtare të qendrave të arbitrazhit i kemi dhënë – sepse me të gjitha normat e po kësaj diplomacie, madje edhe me norma e urdhëra hyjnore – gjithçka duhet të rikthehet në vendin e vet. Mos iu frigoni përgjegjësive, sepse ju jeni trashëgimtarë të natyrshëm dhe të ligjshëm të tokës iliriko-shqiptare. Mos iu frigoni lindjes, sepse toka jonë ka pasur dhe ka kapacitete t'i mbaj edhe shumë miliona bija e bij të saj, edhe shumë miliona njerëz.

Prandaj, mendoj që edhe në mbarë kompleksin organizativ, gjithçka është e mbaruar konform rregullave dhe ligjeve të demokracisë dhe të lirisë njerëzore, kështu që nuk ka më arsye për kurrfarë hezitimi as për kurrfarë vonese. Eni dhe merrni detyrat tuaja, në tokën dhe në pozitat që u takojnë, sepse gjithçka është përcaktuar me kushtetutë dashurie dhe me ligje demokracie, mirë të përpunuara dhe legalisht të miratuara. Madje, me të gjitha ligjet dhe rregullat, edhe juridikisht të vulosura e të miratuara, për ju është ndërtuar dhe mirërregulluar edhe froni mbretëror – mrekullisht, me shije dashurie. Eni e merrnie fronin që u takon dhe, që sot e deri në amshim është i juaji dhe vetëm i juaji.  Ose – për të qenë më të qartë – i juaji dhe i pasardhësve tuaj.

Eni o bijt tanë! Eni o nipër e stërnipër! Eni bija! Eni mbesa e stërmbesa! Shekujt e përgjakshëm, tashmë kanë mbetur vetëm si dëshmi faqeve të historisë. Në shekullin e dashurisë, që me të madhen kremte e kemi shpallur të hapur, do të jeni ju zotshpie dhe padronë të këtyre trojeve. Do të jeni ju në timonin e jetës, që do të mbaj përgjithmonë udhën e dashurisë, pa u shmangur kurrë nga drejtësia. Tashmë ju takojnë të gjitha komandat dhe përgjegjësitë. Merrni e veproni! Veproni në të mirë të kësaj toke! Veproni në të mirë të njerëzve të saj dhe të njerëzimit mbarë! Veproni gjithmonë me frymë dashurie, sepse vetëm kështu e keni të garantuar amshimin dhe sukseset e plota, në të gjitha fushat e jetës. Veproni bashkërisht, në përmbushjen e interesit të përbashkët, sepse vetëm kështu do t'i keni të përmbushur të gjitha intereset tuaja personale.

N'udhëtimin tuaj të gjatë, nëpër histori – deri në amshim, si dhe në të gjitha veprimet në tokën tuaj të trashëguar, që gjithëherë me ju do të jetë e bekuar dhe e lumtur, ju takon edhe një përgjegjësi e madhe – përgjegjësia e respektimit të diversiteteve, që nënkupton pluralizmin në kulturë dhe në civilizim. Respektojini doket, zakonet, fetë, traditat dhe kulturat e të gjithëve, duke kërkuar – normalisht, edhe respektimin e vlerave tona – nga të tjerët. Bëjeni këtë, që nga fillimi e deri në amshim, sepse vetëm me rregulla të respektimikt reciprok e keni të garantuar mbretërinë e dashurisë, me kohëzgjatje të pakufizuar – deri në amshim. Respektojini këto rregulla dhe këto ligje të dashurisë univerzale njerëzore, sepse burimin e kanë që nga antika dhe autorë të tyre janë stërgjyshërit tanë të bekuar, që i kanë bërë dhe i kanë përjetësuar faqet kryesore të historisë njerëzore.

O trashëgimtarë të tokës sime, ju që po vini për të marrë përgjithmonë fronin e mbretërisë së dashurisë mbi tokat iliriko-shqiptare, në fund të kësaj letre, u uroj mijëra shekuj të mbushur me paqe e me dashuri, që plotësisht të lirë do t'i shkruajnë dhe qëndisin të gjtiha faqet e historisë, me harnonizim të këndshëm të ngjyrave të ylberit dhe të vezullimave të diellit të bekuar, që na jep dritë dhe ngrohtësi jete! Ju uroj përjetësi mbi këto troje të shumëvuajtura – të pagëzuara dhe të bekuara me gjakun e shumë dëshmorëve! Ma gëzofshi përjetemot tokën iliriko-shqiptare! Ashtuqoftë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora