E enjte, 18.04.2024, 10:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Rudina

E shtune, 17.10.2015, 12:02 PM


RUDINA

TREGIM NGA KRISTAQ TURTULLI

Rudinë Spahi la karrocën e pastrimit në qoshe të mensës. Këputi një copë të madhe nga letra rrotullam dhe fshiu duart e plota. Përfshiu sallën me një vështrim të vrenjtur, kur më pa iu çel fytyra dhe me hapa të plogështa u drejtua nga unë.

-Hej, kush na paska ardhur!-ia bëri dhe më përqafoi:- Kur fillove?

-Para tre orësh.

-Si dole me provimet? - pyeti dhe puliti qerpikët e dirsura.

-Mirë.- Kisha dy javë që mungoja në punë, me pa të drejtë rroge, për shkak të shkollës.

- Bukur, -foli ultas ajo dhe me cepin e përparëses fshiu djersët që i binin prej fytyrës dhe i derdheshin si rrëke në gjoksin e madh. Për shkak të shëndetit të tepërt ajo dërsin shpesh.

- Dukesh  e lodhur,- i thashë.

-E dërmuar, s’thua- ia bëri zë grindur dhe u plas në stol pa kujdes. Rënkoi dhe tundi dorën si për të përzënë një insekt të bezdisur.

Rudina ka fytyrë të bëshme, të paqme dhe është shumë e këndshme kur është e çlodhur dhe në qejf. Por ngandonjëherë më duket sikur fsheh një ngashërim të heshtur. Ajo shpesh herë më ngjan si një arushkë e butë, teksa vërtitet me karrocën e pastrimit nëpër terminal, veshur me uniformën blu, jakën e bardhë dhe inicialet e arta të kompanisë së pastrimit ‘Holcekt’, të gdhendura në xhepin e përparmë. Unë e respektoj Rudina Spahin, jemi shoqe. Aq më tepër që jemi vetëm dy shqiptare në kompaninë e pastrimit ‘Holcekt’ me dyqindepesëdhjetë punëtorë nga të gjithë kombësitë e botës.

Ishte Rudina që propozoi dhe ndërhyri te menaxheri portugez, Fernandez të punoj në  repartin e pastrimin të terminalit. Më duhen të holla, vazhdoj Universitetin e Rajersonit për shkencë. Fernandezi është burrë trupshkurtër, kokëshogët, qime dendur në trinës e duarve. Me një zë si zhurma e karrocës së pastrimit. Ai është skuth i keq fut hundët kudo, gjen pluhur aty ku ta s’pret mendja, shkerpërrohet prej kënaqësisë së ndyrë që, na gjeti në faj dhe nxihet si korb prej inatit. Një ditë u bëra gati ti kthehesha dhe ti bëja naftën pastrimit të banjave dhe korridoreve. Rudina u ndodh aty, më bëri shenjë të heshtja, më shkeli buzën. Rudina është disa vjet më e madhe nga unë, e martuar, me fëmijë. Unë e kam vendosur; s’martohem pa përfunduar universitetin, gjetur punë më për së mbari, me të ardhura të qëndrueshme. Tani s’çan kryet njeri për martesë, më shumë parapëlqejnë bashkëjetesën, pa formalitetet bezdisëse të celebrimit, detyrimeve, a ku di unë se çfarë. Kur takohemi në pushim i flas Rudinës për shkollën dhe testet, më dëgjon e interesuar dhe një damar poshtë syrit të majtë i lëviz me vrull. Por sakaq fytyra i trishtohet e ndërpret bisedën dhe ikën duke e shtyrë karrocën me inat. Çuditërisht ditën tjetër më pyet përsëri për mbarëvajtjen time në shkollë.

Rudina nxori shishen nga çanta dhe piu ujë e etur, me gllënjka të mëdha.

-Mos e mbush barkun e ujë,- e këshillova.

-S’më hapet goja për bukë, vetëm ujë dua të pi,- foli ultas.

-Pi,- i thashë:- Ndoshta uji të bën mirë.

Luajti kryet me vrull dhe fytyra iu prish nga ngërdheshja:

-Më bën mirë! Asgjë s’më bën mirë,- u grind:- Por s’dua të mërzit njeri me hallet e mija.

-Ç’është kjo fjalë, ne jemi mike,- i thashë dhe shtova: -Jemi të huaj mes të huajve.

-Ke të drejtë, mike jemi. Të huaj mes të huajve jemi:- foli me zë të dridhur dhe më vështroi me mirënjohje. Heshti një hop dhe vazhdoi: -Me shpirt u betova përmes rrëkeve të lotëve, të mos vë dorë në shtëpi deri sa të jetë Tomi. Të mos laj, të mos pastroj, të mos hekuros, të mos përgatit për të ngrënë, të mos bëj asgjë. U betova gjithashtu të mos i bëj insulinën, sado i sëmurë të jetë, bile as të mos e kujtoj ta marrë atë dreq mjekim, metformin, le ti bëjë derman vetes. Nëse është i zoti të përgjigjet për gjithçka, nuk më intereson asgjë, absolutisht asgjë. Mjaft më, mjaft..!

Siç më shikon jam mbi peshë, marr çdo ditë medikamente të ndryshme për stresin. Punoj prej vitesh me tre turne, në këtë Aeroport të madh të qytetit të Torontos, i bie kryq e tërthor, terminaleve, korridoreve, sallave të mëdha, banjave të shumta. Kur përfundon orari i punës ndjehem e dërmuar, më çajnë kockat, trupi më mban erë të fortë prej ilaçeve të ndryshme që përdorim për pastrimin e ambientit të aeroportit, ndërsa duart më thahen, fishken dhe plasariten. Nuk kam kohë të kujdesem për veten, të bëj tualet.

Më pas vjen odiseja e kthimit në shtëpi, vrapoj si e ndërkryer, tërheq zvarrë çantën e rëndë të arrij autobusin e linjës: aeroport-stacioni i Kiplingut. Zbres shkallët me vrap të kap trenin, të marr metronë. Ulem në ndenjëse duke dihatur, fshij djersët dhe zbraz frymëmarrjen e nxituar. Me vështrim të lodhur pres me padurim shenjën e bilbilit, lëvizjen e trenit. Tridhjetë stacione parakalojnë përpara syve të mi. Hipin dhe zbresin udhëtarë të ndryshëm nga të gjithë moshat dhe sekset, kombet dhe racat. Treni i ndërkryer, i paduruar, shfryn shpërndan vrundull ere, më shpie në stacionin e fundit të metrosë, në stacionin Kenedi. Makinisti mban frenat, rrotat fërshëllejnë. Marr frymë e lehtësuar. Prej stacionit të Kiplingut deri në stacionin Kenedi rruga zgjatën gjithsej një orë e tridhjetë minuta.

Siç e di ne kemi vetëm një makinë të vjetër mazda dhe atë e përdor burri.

Dyert e treni hapen me zhurmë, zbres me nxitim. Dal jashtë stacionit dhe bëj dhjetë minuta në këmbë të mbërrij në apartamentin tim, në katin e katërt, të pallatit të vjetër pesëmbëdhjetë katesh, me kopsht të madh para dhe prapa dhe me shumë ketra që hipin dhe zbresin nëpër pemë. Atje më presin dy fëmijë; Amiri, djalë i këndshëm flokëkaçurrel dhe një vogëlushe bionde me sy të shkruar, e cila qesh shumë bukur, i bëhen dy gropëza në faqe. Armiri është tetë vjeç, ndërsa Doloreza dy vjet e gjysmë. Të dy janë fëmijë të mrekullueshëm dhe unë i dua shumë.

Ora e mbërritjes në shtëpi zakonisht është njëmbëdhjetë e dyzetë minuta, pothuaj mesnatë. Pi me nxitim një gotë qumësht, mbuloj fëmijët, i mat burrit përqindjen e sheqerit në gjak. Kur e ka mirë e lë të flejë, kur e ka të lartë e zgjoj të marrë mjekimin. Ai është shkatarraq i madh. Kontrolloj prizat dhe dritat, më në fund bie në shtrat të fle. Shtrati më duket i fortë, vërtitem një copë herë majtas djathtas, burri grindet, ankohet, është i lodhur edhe ai, punon në fabrikën e plastikut. Mua gjumi më vjen me vështirësi.

Tringëllima e lebetitur e ziles më zgjon herët në mëngjes, ngrihem, hedh krahëve penuarin e zbardhur me lule, përgatis ushqimin për burrin dhe fëmijët. I përcjell ata në punë, në shkollë dhe në çerdhe, laj pastroj dhe përgatis si gjithnjë gjellën për drekë. Koha për të ikur në punë v jen tmerrësisht shpejt. Djalli ta marre, më duket sikur dy duar përbindëshi tërheqin kohën! Pa shkuar në punë ndjehem e lodhur, më janë acaruar nervat dhe është ngritur tensioni!

Mbushem me frymë për të larguar plogështinë. Nuk kam futur asgjë në gojë për të ngrënë, e ndjej veten pakës ligsh, hap dollapin, ha me nxitim, si e babëzitur. Kafshatat e mëdha të pa përtypura mirë i kapërdij në stomak. Koha vrapon. Përgatis teshat e punës, mbyll derën dhe pres me nervozizëm elevatorin të ngjitet, kur e shikoj që ai vonohet, u turren shkallëve. Dal jashtë dhe shpejtoj drejt stacionit të trenit, të rënduar nga trafiku.

Bulëzat e para të djersës shfaqen në ballë dhe rrëzë veshit, për dreq jam mbi peshë, sytjenat me shtrëngojnë, jam gati ti këput dhe ti flak tutje. Kur hip në shkallët lëvizëse për të zbritur poshtë në stacionin e trenit, lë trupin për disa sekonda të prehet i qetë, paçka se shpesh herë shkallët lëvizëse bllokohen, vijnë mekanikët, i shkulin pllakat e mëdha, i vaisin, ingranazhet e griparura i ndërrojnë, ndërsa unë ngjitem dhe zbres në këmbë.

Më pas vjen i njëjti ritual, një orë e gjysmë udhëtim për të mbërritur në punë. Paraqitem, ndërrohem, fut kartën në fole të më shënohet emri dhe të fillojë dita e punës. Marr karrocën ku janë brenda fshesa, lecka dhe kova me ujë, filloj të bëj punën rutinë, të laj, të pastroj pllakaqet, muret dhe banjat. Nuk është e këndshme, por gjithsesi është një punë dhe marr një rrogë.

Rudina u ndal një hop. Syri i majtë i vëngëroi dhe më pyeti:

-Mos të mërzita?

-Jo pse!

-Pardje kisha vjellje dhe marrje mendsh ndaj nuk munda të bëja punët e zakonshme të shtëpisë,  në punë shkova dhe shpirti ma di sesi e shtyva atë ditë,- vazhdoi ajo:- Më dridhej trupi, më dukej sikur do të bija përdhe, në mes të turmës laramane, për turp dhe faqe të zezë. Kur gjeja ndonjë kthinë të qetë ulesha një grimë të mblidhja veten, pija ujë prej shishes që mbaj me vete. Hija e menaxherit Fernandez shfaqej në fund të sallës, me shpirt ndër dhembë filloja punë përsëri. Dita mu duk tmerrësisht e gjatë, mbahesha fort mbas karrocës për të eliminuar rrëzimin. Mesi prisja të shkoja në shtëpi, të shtrihesha, të mblidhja kockat. Për dreq autobusi erdhi me vonesë dhe mua më zuri mesnata. Treni ishte i ngathët, lëvizte, shfrynte dhe nxirrte  avull të nxehtë.

Përse janë kaq të plogët trenat kur je e sëmurë!?

Unë ngrita supet pa ditur ç’ ti thosha. Rudina pa pritur përgjigjen time vazhdoi:

-Më në fund treni mbërriti në stacionin e Kenedit. Lashë trupin të prehej një copë herë në shkallët lëvizëse. Dola jashtë, koha ishte e vranët me shi të imët. Hapa çadrën, duart dridheshin, ishin të lodhura.

Fshiva ballin, shkunda flokët e qullura prej shiut dhe fillova të ngjisja shkallët duke tërhequr këmbët zvarrë, ndaloja, mbushesha me frymë, vazhdoja ngjitjen përsëri. U gëzova kur mbërrita më në fund përpara derës së shtëpisë, bëra një frymëmarrje të thellë dhe të plotë. Luajta kryet dhe shtyva derën lehtë. Nuk arrita të thosha mirëmbrëma, se menjëherë ndër veshë mu përplas zëri i lartë dhe nervoz i burrit, që vinte nga banja:

‘Punë muti, s’kemi gjë për të ngrënë, rrobë të larë, të veshim,  shtytkë të ndërrojmë fëmijën, rrobë të hekurosur, asgjë, phu, jetë leshi.’ Ai ishte spërkatur fund e krye me ujë, përpiqej të lante këmishën e punës.

Shtyva derën nga pas, lëshova çantën mbi stol dhe fola me zë të lodhur:

‘Tomi, nuk ke të drejtë të shash. Sinqerisht doja të bëja diçka në mëngjes, por s’isha në gjendje. Kam pasur marrje mendsh, më dridhej trupi si gjeth.’

Tomi shkundi kryet, më vështroi pjerrtas, nënqeshi:

‘Ah, ah,nuk paskam të drejtë të shaj, ç’na the!’ ia bëri dhe luajti kokën me nervozizëm, flaku këmishën në govatë dhe më vështroi ngulët: ‘Mos duhet të brohoras? Tu drodh trupi si gjeth, i bukur krahasim!’

‘Bëhu i arsyeshëm Tomi, të thashë isha e sëmurë,’ i fola me ton të thatë.

Tomi luajti shpatullat dhe mërmëriti:

‘A ç’më çan kokën, e sëmurë ti! Hëm, që je dy herë sa unë!’

Më dokëndisi e folura e tij, ktheva vrulltas kokën nga ai:

‘Tomi !?’ ngrita zërin, çuditërisht zëri më doli i ulët si pëshpërimë: ‘Tomi, i mendon fjalët kur i thua, më dukesh krejt ndryshe sonte?’

‘Dhe ti dukesh krejt ndryshe,’ ma ktheu ai.

‘Jam e dërmuar, mezi erdha në shtëpi,’ fola ultas dhe kryqëzova duart në pëqi.

Ai përvoli buzët, bëri një lëvizje moskokëçarëse me dorë dhe më ktheu shpinën. Ndoshta i dukej e pazakontë se mund të sëmuresha unë, nuk isha ankuar kurrë. Eh, ku më linte kohë ai te ankohesha! Jam i lodhur, më dhemb këtu , më dhemb atje. E kam sheqerin e ulët, e kam sheqerin e ngritur. Unë e fërkoja, përkujdesesha pa hapur gojën.

Tomi me hapa të shpejta doli prej banjës, përplasi derën, hoqi teshat në ecje e sipër, i flaku përdhe.

‘E sëmurë ti!’ mërmëriti me të keq, luajti kryet dhe shtoi: ‘Nuk  thua i bëra naftën shtëpisë!’

‘Unë i kam bërë naftën shtëpisë?!’ ia bëra e habitur.

‘Po ti, më le të laja rrobat vetë.’

‘Unë nuk jam shërbëtorja jote,’ i fola me zë ulët, të zvargur,duke përmbajtur inatin dhe shtova, ‘ngriji teshat e tua, vendosi në vend.’

Ai më zhbiroi me shikim të akullt, veshi pizhamet, shkundi kryet dhe shkoi u shtri në shtrat.

‘Tomi,’ ia bëra me zë të ngjirur, por zëri im u përplas në shurdhëri.

Doja të grindesha, të bërtisja, por nuk mundja isha e lodhur. U ula në stol kryqëzova këmbët, u mundova të mblidhja veten. Ndjenja një goditje të fortë mbrapa kokës. U kujtova për fëmijët, ata po flinin në shtratin e madh, më vinte keq ti zgjoja, ti vija të flinin në krevatet e tyre. I mbulova me kujdes me kuvertë. Dhembja e kokës nuk më ndahej, vura xhezven me ujë të ziente. Televizori po jepte reklama për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa uji valonte mbi stufë. Prapa kokës ndjeva një goditje si tokmak. Përgatita çajin shpejt e shpejt, piva menjëherë dy aspirina, në djall të shkonte stomaku, i cili kishte filluar të më cimbiste herë mbas here. Kontrollova shtëpinë, fika dritën dhe shkova në shtrat të flija me mendimin të fiksuar të ngrihesha herët.

Ai po flinte në shpinë, me gojë hapët, gërhiste, fytyrën e kishte të skuqur. Ne jemi një moshë  ai është akoma elegant, i pashëm, pa asnjë thinjë, me kaçurrelin e harlisur në ballë. Por dhe unë kam qenë shumë elegante dhe e pashme. Tomit i ranë këmbët derisa me mbushi mendjen të martohesha me të, delikatesa e tij më dukej e ngjashme si e një fëmije dhe mua më hyri në zemër. Lindja e vajzës më tjetërsoi, mu shëndoshën vithet dhe shpatullat. Ngandonjëherë trishtohem, më bëhet të ulërij, të shkul leshrat për këtë ndryshim.

Tomi ka vite që vuan prej sëmundjes së diabetit, merr vazhdimisht mjekime, kur i ngrihet ose ulet sheqeri, i bëj insulinë. Tomi nuk është mësuar të bëjë punët e shtëpisë, i ka gjetur gjithnjë gati. Mua më është dhembur, më është dukur gjithnjë delikat. Duke luajtur kryet e menduar u zhvesha dhe lëshova trupin ngadalë në shtrat të prehej një copë herë. Isha vërtet e dërmuar, të dy aspirinat e mëdha ma bënë trupin të plogët dhe unë u flaka rrëmbimthi mbi një sfungjer të qullët, atje ngela e lidhur në një rrjetë lagësht merimange dhe nuk shkulesha dot.

Gjithën kohën qëndrova e mbytur në djersë, u ngrita rrëmbimthi dhe vështrova përtej dritares, ishte akoma natë dhe hijet e shelgjeve lëviznin pjerrët, duke bërë hieroglifë të dyshimta. Fshiva djersën dhe sytë e lodhura, vështrova orën e dorës. Ishte tre e mëngjesit, gjumi mu prish dhe nuk kishte kuptim të flija më, sqetullat më ishin qullur, sumbulla djerse rrokulliseshin në ullukun e gjoksit të madh. U ngrita, shpëlava fytyrën me ujë të ftohtë, fshiva sqetullat, qafën, gjoksin dhe iu përvesh punëve. Vura rrobat të laheshin, mblodha të gjitha këmishët e burrit dhe teshat e fëmijëve, i hekurosa, punoja e përqendruar, avulli i hekurit më përplasej në fytyrë.

Nuk e ndjeva zhurmën e derës së dhomës së gjumit të hapej, por dëgjova hapa, ktheva kokën ngadalë dhe përmes perdes së djersës pashë burrin që po ecte në të mbathura drejt banjës. Fshiva djersën me shpinën e dorës dhe prita të më thoshte ndonjë fjalë të ngrohtë, për sakrifikimin e gjumit dhe përfundimit e të gjitha detyrave të shtëpisë.

‘Tani nuk ke çfarë të thuash,’ i thashë më në fund duke vënë buzët në gaz.

Tomi ndaloi përpara meje u shkerpërrua, luajti kryet lart dhe poshtë dhe qeshi me të keq.

‘Hëm, do të mbulosh mutin me shurrë, dosë!’ më foli me zë të ngjirur.

‘Çfarë!’ bërtita me sa zë që kisha në kokë. Hekuri i nxehtë më shpëtoi nga duart ra mbi qilim e përzhiti. Ai nuk më kishte thirrur kurrë më parë, ashtu s’ma nxë goja: ‘do..së’. Unë sakrifikova gjumin, braktisa vetveten dhe ai pa pikë turpi më thotë të mbuloj mutin me shurrë dhe në fund, do...së! A ka vend për të marrë në konsideratë ndonjë gjë, sigurisht jo.

‘Ti je i pashpirt Tomi,’fola me zë të ngjirur.

Ai ndaloi qeshi me sarkazëm dhe tha:

‘Po ti a nuk je e pashpirt që më le të mbytem në pellgun e djersëve të tua.’

Hoqa hekurin nga priza, shkova në banjë dhe qava. Nuk dola prej banjës deri sa ai u largua për në punë, dëgjova zhurmën e derës së jashtme që u përplas dhe unë u betova të mos zija asgjë me dorë. Bëra betim të rëndë. Hyra në vaskën e dushit, hapa rubinetin e ujit dhe lashë ujin të derdhej rrëmbyeshëm mbi trupin tim të bëshëm.

‘Mos ka ndonjë tjetër? Ndoshta mund ta ndaj atë. Unë tashmë kam dy fëmijë po të dojë le të ikë. Do ti them të ikë, si ta ketë qejfin, por nuk do ta lejoj të më thërrasë do..së.’ gati sa nuk fola me zë, vështrova me dhembje gjoksin e madh dhe trupin tim të shëndoshë. Edhe kur bëjmë seks, unë e afroj e para, ai lëviz me përtesë me shikim të bredhur nëpër tapet, e bën si lepuri dhe më pas bie mbi shpinë.

Uji i ngrohtë i dushit më kërcente mbi lëkurë: ‘Me siguri duhet të ketë ndonjë!’

Vonë dola nga uji, shkunda trupin, fshiva flokët, piva përsëri aspirinë, hëngra drekë dhe u nisa për në punë. Çdo minutë i a përsërisja vetes, mbaje betimin Rudinë, ndoshta ai ka ndonjë tjetër.

Treni pati  dy ndalesa të paparashikuara, nga pesë minuta dhe unë mbërrita vonë në shtëpi. Elevatori nuk punonte, shkallët i ngjita ngadalë, në këmbë duke mëshuar në thembra, kokë rënduar nga mendimet dhe me vete përsërisja:

‘Mbaje betimin Rudinë. Asgjë mos prekësh me dorë, as atij nëse i nevojitet, injoroje, mos i bëj insulinë, me vendim të madh.’

Nuk më bëhej të shtyja derën dhe të hyja brenda. Ai më kishte lënduar shumë. Korridori ishte i shkretë, prej tapetit vinte me duhmë erë pluhuri të vjetër. Hundët e një pastruese me përvojë ishin të pa gabueshme. Lëviza trupin ngadalë, hapa derën pa zhurmë dhe hyra brenda. Drita ishte e fikur dhe shtëpia dergjej në qetësi. Shtyva derën me shpinë dhe qëndrova një copë herë në errësirë, me përtaci shtriva krahun dhe hapa dritën, u rrotullova, burrin e gjeta të shtrirë në mes të dhomës, pa ndjenja dhe stoli i përmbysur. Instinktivisht bëra një hap prapa. Ai dergjej në pozicion të frikshëm, kokëvarur, gojëhapur, këmbë dhe krahë hapur.

‘Mbaje premtimin Rudinë, asgjë mos zërë me dorë,’  më foli një zë i rëndë brenda vetes.

‘A e urrej këtë njeri?’ I mbajta erë mos kishte pirë, asgjë.

‘Lëre të shtrirë, të vdesë!’ Shungulloi i paduruar zëri brenda meje, ‘Se sheh, ky dreq ta hëngri shpirtin.’

Ndjehesha e mpirë.

’Po ai është babai i fëmijëve të mi?’ kundërshtova. Zëri i kundërt u përdrodh brenda gjoksit.

Përshkunda kryet, largova tutje zërin që më shkundte zemrën dhe betimin. Ai më kish fyer rëndë, Ky njeri asnjëherë nuk ish përkujdesur për mua.

‘Mos ka ndonjë tjetër dhe mua nuk më duron dot? Atë ezmeren e dobët e kam parë disa herë me Tomin dhe ky është justifikuar, bënin biseda pune?’ u grinda.

‘Atëherë lëre të vdesë?’ ngriti krye zëri.

‘ O Zot!’ Rënkova me shpirt:’ Çdo të bënte ky po të më shihte mua në këtë gjendje?’ Lukthi më dridhej. Shtrëngova gishtërinjtë fort sa më kërcitën. ‘Nuk e di, ndoshta më linte të vdisja përderisa nuk më duron as erën, Oh!’

‘Sigurisht do të linte të vdisje,’ buçiti zëri, më dërmoi gjoksin.

U kapërdiva me vështirësi.

‘Jo, njeriu nuk është krimb.’ Gati sa nuk bërtita.

Zëri brenda vetes po këlthiste. Lëviza krahun fort me nervozizëm të largoja trusninë e zërit të keq:

‘Ti flas për ndarje nesër?’ fola.

Ai nuk lëvizte, shprehja e fytyrës i ndërronte çdo sekondë. Me mëdyshje u përkula, i mata gjakun e kishte shumë të lartë. Fytyra e tij dukej e pafajshme, si fëmijë i humbur që bridhte në tjetër botë, aty ish xhungël dhe ai kërkonte ndihmë.

I bëra me të shpejtë insulinë dhe lajmërova urgjencën.

Rudina heshti dhe piu ujë.

-Tani si është me shëndet? E pyeta.

-Më mirë,-foli Rudina me indiference dhe vazhdoi me shikim të ngulur gjetiu:- I fola për ndarje. Tomi shqeu sytë nga tmerri. U ul në gjunjë kryqëzoi duart, nisi të më lutej me lot ndër sy, më thoshte që sigurisht nuk e kisha me gjithë mend: ‘Unë jam njeri i poshtër Rudinë, jam një çilimi...’

Por unë nuk e besoj atë. Nuk e di se çfarë është ajo gjë që nuk e lë të marrë një vendim të prerë. Edhe sikur ta fal kam frikë se mund ta përsëritë prapë...

Rudina heshti ngriti kryet ngadalë dhe vështroi ngultas nga unë, si të kërkonte një mendim, a këshillë të vlefshme për mëdyshjen e saj. Por dhe unë isha në mëdyshje, sepse nuk është e lehtë të japësh këshilla dhe mendime për gjëra tmerrësisht delikate të kanë të bëjnë me prishje përfundimtare të familjen. Në fakt e drejta ishte me Rudinë dhe sikur ta ndante, ndoshta do të ishte një vendim i qëruar do çlirohej njëherë e mirë nga hallet dhe kokëçarjet.

Qafa e saj u zgjat më tepër nga unë si të më thoshte; fol çfarë pret, a nuk jemi mike të mira dreqi e mori.

-Hë, - më nxiti ultas ajo.

Pas disa hezitimesh më në fund hapa gojën:

-Rudina.., doja të vazhdoja ti flisja, ti thosha, në qofte se ke vendosur ta ndash, ndaje. Dëgjova Rudinën që lëshoi klithmë habie dhe lëvizi e shqetësuar në stol. Ktheva kryet nga vështronte ajo shtanga nga habia. Tomi po vinte me hap të lehtë drejt nesh dhe buzët e tij përvijuan një buzëqeshje horizontale. Më përshëndeti ftohtë me kokë, s’mi ndau sytë si të më thoshte; mos keni llapur pak si tepër për mua me këtë bullë? U përkul, puthi Rudinën e ballin e dirsur dhe i foli me zë lajkatar:

-Si të kam sot e dashur...

Shpatullat e shëndosha të Rudinës u drodhën me nervozizëm dhe bëri ti shmangej. O zot s’kisha parë njeri hipokrit se ai!

-Mos më lëpi, kur s ‘është nevoja, - iu gërmuq Rudina.

Ai u ngërdhesh si baltë e plasaritur në piskun e vapës dhe qëndroi si gallof më këmbë. Pastaj u kthye i murrëtyer dhe iku...

Rudina dridhej si purteke prej nervozizmit. Morri frymë me vështirësi, fshiu djersët që i binin çurg dhe piu ujë. Vështroi nga unë, shikimi i saj ishte i brengosur. Pa ditur ç’ ti thosha vendosa dorën time mbi dorën e saj të plotë dhe të dirsur. U pamë një copë herë sy ndër sy. Më në fund i thashë

-Qetësohu Rudinë..



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora